• e hënë, 23 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 8 shtator/ 2024

Shkup-  Nën sloganin "Së bashku luftojmë, së bashku do t'ia dalim" sot, me shumë aktivitete në organizim të Qeverisë, festohet Dita e Pavarësisë - 8 Shtatori.

Tetovë - Sot bëhen tre vjet nga zjarri në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Nga 14 personat që humbën jetën si pasojë e zjarrit, 12 ishin të shtruar në spital si të prekur nga Kovid-19, ndërsa dy ishin familjarë të pacientëve. Gjykata Themelore e Tetovës tashmë ka zhvilluar proces gjyqësor në vitin 2022 dhe 2023 dhe me vendim të Gjykatës së Apelit, për disa nga të akuzuarit është dashur të fillojë përsëritja e gjykimit këtë vit. Pas zjarrit të 8 shtatorit të vitit 2021, filloi hetimi, i cili rezultoi me propozim aktakuzë në Gjykatën Themelore të Tetovës më 27 korrik të vitit 2022. Seanca e parë gjyqësore ishte caktuar për 6 shtator të vitit 2022, por pas disa vonesave, procesi filloi më 4 dhjetor të vitit 2022.

Shkup - Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti po qëndron në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë së Këshillit Atlantik do të merr pjesë në Takimin e 9-të ministror dedikuar Evropës Qëndrore dhe Lindore, të Konferencës për siguri të energjisë. Siç njoftoi kabineti i zëvendëskryeministrit të Parë, Mexhiti do të ketë paraqitje mes folësve kryesorë në Panel-diskutimin me temë 'Politika transatlantike e tregtisë, energjisë dhe klimës pas një viti zgjedhor'.

Shkup  - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dërgoi një mesazh urimi për qytetarët me rastin e 8 Shtatorit - Ditës së Pavarësisë, në të cilën thekson se është detyrë e jona t'i lëmë mënjanë përçarjet dhe të bashkohemi rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik. "Më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët e Maqedonisë, duke e shfrytëzuar të drejtën për vetëvendosje, shprehën vullnetin e tyre dhe votuan në një numër të madh për një republikë sovrane dhe të pavarur të Maqedonisë. Ai vullnet përveç votimit të referendumit u shpreh edhe përmes fytyrave të ndezura të mijëra qytetarëve që spontanisht u mblodhën në sheshin "Maqedonia", ku me shumë entuziazëm dhe shpresë për të ardhmen iu gëzuan pavarësisë", thuhet në urim.

Shkup – Sot shënohet pishtari më i madh i ekzistimit të shtetit maqedonas, akti final pas luftës shekullore për liri dhe pavarësi ose siç do të thuhej dita mbi ditët – 8 Shtatori, festa e pavarësisë sonë, shkroi kryeministri Hristian Mickoski në faqen e tij në Fejbuk me rastin e Ditës së Pavarësisë. “Në këtë ditë për herë të parë në sheshin Maqedonia ku u kremtua pavarësia u dëgjuan fjalët “Urime Republikën sovrane dhe të lirë të Maqedonisë”. Në të njëjtën kohë, të mos harrojmë se 8 Shtatori është aspirata e mijëra luftëtarëve të mëparshëm për vend të lirë dhe të vetin. Në atë kohë po ndërtoheshin themelet e Republikës dhe u krijuan institucionet, por edhe sot kemi beteja që duhet t'i fitojmë së bashku, të ndryshme, edhe pse të ndryshme, por po aq të rëndësishme”, thekson Mickoski.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dërgoi urim për qytetarët me rastin e 8 Shtatorit - Ditës së pavarësisë, në të cilën thekson se obligimi më i madh mbetet ndërtimi i sistemit. ku mbretëron ligji dhe drejtësia. "Para 33 vjetëve, në referendumin e vitit 1991, shumica dërrmuese e qytetarëve votuan për një Republikë të pavarur, të lirë dhe demokratike të Maqedonisë. Rruga që filluam të gjithë së bashku ishte e gjatë dhe e vështirë, plot me sfida", theksoi Toshkovski.

Shkup – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, deklaroi se balancuesi mbetet në fuqi, por potencoi se nuk domethënë se nuk duhet të jetë mjet i diskutimit për heqje eventuale. Ai theksoi se ekzistojnë institucione me shumë të punësuar, ndërsa nga ana tjetër, vetëm 30 për qind e të punësuarve i përmbushin detyrat e tyre të punës. Në pyetjen lidhur me uljen e administratës, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Minçev u përgjigje se reformat në administratën publike duhet të jenë mjet i analizës gjithëpërfshirëse.  “Reformat në administratën publike kanë filluar, ne hymë në një proces të debatit për disa ligje, por ai proces duhet të jetë solid dhe gjithëpërfshirës, në të cilin duhet të përfshihen të gjitha institucionet të cilat deri më tani dhe unë shpresoj se në periudhë shumë të shpejtë do të vijojnë procese reformuese të cilat direkt do të prezantohen në publik”, tha ministri.

Shkup – Atëherë beteja ishte si do të ngrihemi në këmbë, sot beteja është si do të bëjmë hapa të mëdhenj përpara, theksoi kryeministri Hristian Mickoski në fjalimin në akademinë solemne me rastin e Ditës së Pavarësisë – 8 Shtatori nën sloganin “Së bashku luftojmë, së bashku do t'ia dalim". Në Akademinë solemne në organizim të Qeverisë, Mickoski tha se kjo ditë na kujton udhëtimin tonë të gjatë drejt lirisë.  “Sot jemi përballë një luftë të re, aq domethënëse sa krijimi i atdheut. Atëherë pati entuziazëm dhe energji të madhe dhe miratim të referendumit. Tridhjetë e tre vjet më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe ne të gjithë jemi më me përvojë. Shumë disfata, shumë dështime, dështime në sistem. Beteja nuk duhet të ndalet sepse patriotizmi ekziston edhe sot, theksoi kryeministri.

Shkup – Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dënuar prodhues të paregjistruar të djathit në Prilep dhe Shkup, si dhe një mishtore për shkak të mospasjes së evidencës ditore për lëndë të para të shpenzuara për prodhimtarinë e përgatitjeve të mishit.  Siç informojnë nga AUV, në fshatin Lagovë e Re të Prilepit, një bujk individual është dënuar për shkak të prodhimtarisë së paregjistruar të djathit dhe është urdhëruar që ta regjistrojë veprimtarinë.  Në Prilep, gjithashtu, është shqiptuar dënim për një operator të ushqimit – mishtore për shkak të mospasjes së evidencës për lëndë të para të shpenzuara për prodhimtarinë e përgatitjes së mishit. 

Shkup - Qendra për Menaxhim me Kriza informon se gjatë ditës së djeshme në hapësirë ​​të hapur kanë ndodhur gjithsej 38 zjarre, 3 prej të cilave janë aktive, 4 janë nën kontroll dhe 31 zjarre janë shuar. Sipas informacioneve të QMK-së, zjarret janë aktive në Komunën e Petrovecit, afër fshatrave Gradmanci, Breznicë dhe Katllanovë, ku digjet një pyll me kërcell të ulët, në Komunën e Kërçovës, në fshatin Arangjel, ku digjet pyll i degraduar dhe në Komunën e Demir Hisarit, në fshatin Sopotnicë. Nën kontroll janë zjarret në Komunën e Prilepit në afërsi të fshatrave Peshtani, Kokre, Kalen, Dunje, Bonçe, Lenishtë, Velovodicë, Smolani dhe Dren, si dhe në vendin e quajtur Derven. Në Komunën e Dollnenit, afër fshatit Desovë, zjarri është gjithashtu nën kontroll.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë vende-vende të lagështa. Intensiteti i trafikut në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Në VK Tabanoc për hyrje dhe dalje vërehet intensitet më i madh i automjeteve. Në vendkalimet e tjera kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

Dibër – Karateistet dibrane, anëtare të klubit të karatesë “Dibra” shënuan edhe një sukses të madh duke siguruar pjesëmarrje në Kampionatin Botëror.  “Në plejof ndeshjet që u mbajtën në Kërçovë vendin e parë e fituan karateistet Era Koxha dhe Blina Gorenca, pasi paraprakisht treguan rezultat të shkëlqyer në kampionatin shtetëror”, tha për MIA-n, Durim Paçuku, trajner i klubit dhe i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut.  Shtoi se Koxha dhe Gorenca, me përfaqësuesen e Maqedonisë do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror që do të mbahet nga 9 deri më 13 tetor në Venecia të Italisë.

Bukuresht - Banorët e lagjeve rumune Tulça dhe Konstanca kanë marrë njoftim paralajmërues për mundësinë e rënies së objekteve nga ajri mbrëmë përmes sistemit "Ro-Alert", transmeton Dixhi24. “Rrini të qetë. Strehohuni në bodrume ose strehimore të mbrojtjes civile. Nëse strehimi nuk është i disponueshëm, qëndroni brenda, larg dritareve dhe mureve të jashtme. Kohëzgjatja e parashikuar: 90 minuta”, thuhet në mesazhin e dërguar disa minuta para orës tre të mëngjesit. Dixhi24 thekson se kjo është hera e parë që një njoftim i tillë i dërgohet qarkut Konstanca. Të tilla paralajmërime kanë marrë deri më tani banorët e Tulçës, Brailës dhe Galacit.

Londër- Drejtori i Agjencisë qendrore amerikane të inteligjencës (CIA), Uiliam Bërns deklaroi se Perëndimi nuk duhet të ketë frikë nga kërcënimet ruse për përdorimin e armëve bërthamore dhe paralajmëroi propozime të reja për armëpushim në Rripin e Gazës në ditët në vijim. Bërns, në ngjarje në Londër të organizuar nga Financial Times, theksoi se rreziku nga përshkallëzimi nuk duhet të nënvlerësohet, por edhe se nuk ka arsye për t'u frikësuar. "Putini është i dhunshëm dhe vazhdon të kërcënohet. SHBA-ja do të vazhdojë ta japë mbështetjen e saj për Ukrainën", deklaroi Bërns.

Karakas - Qeveria e Venezuelës ka njoftuar se kandidati presidencial i opozitës Edmundo Gonzalez është larguar nga vendi dhe ka kërkuar azil në Spanjë. Gonzalez është fshehur që kur është lëshuar urdhër-arrest për të në një kohë kur opozita kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të korrikut - në të cilat Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) i kontrolluar nga qeveria shpalli Nikolas Maduron fitues. Nënpresidentja e Venezuelës, Delsi Rodrigez shkroi në rrjetet sociale se Gonzalez "vullnetarisht" ka kërkuar strehim në ambasadën spanjolle në Karakas dhe i kërkoi qeverisë spanjolle azil politik. Ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Hose Manuel Albarez deklaroi se Gonzalez u largua nga vendi me kërkesën e tij, me një aeroplan të Forcave ajrore spanjolle.

Tel-Aviv - Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar mbrëmë në Tel-Aviv dhe në qytete të tjera izraelite për të arritur marrëveshje për lirimin e rreth 100 pengjeve të mbajtur nga grupi militant palestinez Hamasi në Rripin e Gazës, njoftoi DPA. "Nuk duhet të sakrifikojmë më shumë jetë", tha një i afërm i pengut Karmel Gat, i cili u gjet i vdekur javën e kaluar në Gaza. Ministria e Shëndetësisë së Izraelit bëri të ditur se gjashtë persona janë vrarë nga afër javën e kaluar dhe trupat e tyre janë gjetur në një tunel. "Të gjashtë do të ishin këtu me ne sot nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do t'i kishte thënë "po" marrëveshjes, tha një i afërm i Gat.

Tel-Aviv - Më shumë se 50 raketa janë hedhur nga Libani drejt Galilesë dhe qytetit Kiriat Shmona, në veri të Izraelit gjatë natës, njoftoi sot Ushtria izraelite (IDF). Mes orës 1:00 dhe 2:30 pas mesnate, janë hedhur rreth 20 raketa, pjesa më e madhe e të cilave nga mbrojtja kundërajrore, por një ndërtesë në Kirian Shmona është goditur dhe dëmtuar. Rreth orës 5:30 nga Libani janë hedhur 30 raketa shtesëm, nga të cilat disa janë zbrapsur, ndërsa të tjerat kanë goditur sipërfaqe, njofton "Tajms od Izrael". Nuk ka informacione për persona të plagosur.

Hanoi – Të paktën 14 persona humbën jetën, ndërsa rreth 200 janë lënduar pasi tajfuni “Jagi” e goditi territorin tokësor në Vietnamin verior, njoftuan sot autoritetet lokale, të cilat vazhdojnë me përpjekjen për rinovimin dhe ndihmën e të prekurve, informon DPA. Në mesin e viktimave janë edhe katër anëtarë të një familje, të cilët humbën jetën herët në mëngjes kur shtëpia e tyre ishte rrënuar, qëndron në kumtesën e sektorit për shpëtim dhe kërkim të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Vietnamit. Kryeministri i Vietnamit, Fam Min Çin, mbajti takim me videokonferencë me përfaqësues të 26 provincave dhe qyteteve, të cilët janë goditur nga tajfuni “Jagi”, që të shihen pasojat nga kjo katastrofë natyrore. 

Sana - Huthët jemenas kanë rrëzuar një dron amerikan MQ-9, në vlerë prej 30 milionë dollarë. Zëdhënësi i lëvizjes Jahje Sare, deklaroi se huthët kanë arritur ta rrëzojnë fluturaken pa pilot me ndihmën e mbrojtjes kundërajrore, në momentin kur droni ka kryer aktivitete në krahinën Marib. Ky është droni i tretë i këtij tipi që kemi arritur ta rrëzojmë gjatë betejës "Xhihadi i shenjtë", si mbështetje për Rripin e Gazës dhe popullin palestinez. Këto detyrime kryhen me ndihmën e Zotit, me qëllim përforcimin e aftësive mbrojtëse kundër agresionit amerikano-britanik", deklaroi zëdhënësi.

QËNDRONI TË LIDHUR