• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00 / 4 qershor / 2025 

Shkup - Anëtarët e Këshillit gjyqësor të RMV-së kanë votuar Ariton Allën për zëvendëskryetar. Ai u zgjodh disa ditë para skadimit të mandatit të Hanif Zendelit, sepse siç u tha në debatin e seancës së 524-të të Këshillit gjyqësor, vijon periudhë e pushimeve dhe mungesave vjetore të anëtarëve. Kryetari Kambovski theksoi se funksioni i zëvendëskryetarit të Këshillit gjyqësor skadon më 8 qershor dhe votimi është i nevojshëm të bëhet sot. Alla ka qenë propozim i Kambovskit dhe kandidat i vetëm i propozuar. Mandati i zëvendëskryetarit të ri do të jetë i vlefshëm prej më 9 qershor. Këshilli gjyqësor në seancën e fundit shqyrtoi raportin e Komisionit pas shpalljes së zgjedhjes së gjyqtarëve për Gjykatën e Apelit në Shtip, ku vetëm një aplikim nuk ishte i kompletuar. Sipas raportit, në konkursin për tre gjyqtarë në Gjykatën e lartë administrative për tre vende kishte vetëm një aplikim. Komisioni për kontrollimin dhe kompletimin dhe dorëzimin e dokumenteve konstatoi se nuk kishte aplikuar për pozicionin e kryetarit të gjykatave në Berovë, Dellçevë dhe Radovish pas shpalljeve të cilat u publikuan.

Shkup - Në seancën e 40-të të Këshillit për zhvillim të barabartë rajonal me të cilën sot kryesoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski u shqyrtuan dhe u miratuan vendimet paraprake për shpërndarjen e mjeteve nga Programi për zhvillim të barabartë rajonal. Praktikisht, me këtë përfundoi faza e parë e shpërndarjes së mjeteve nga Programi buxhetor për zhvillim të barabartë rajonal dhe vendimet do t'i dorëzohen Qeverisë për miratim, gjë që do të mundësojë financimin e 47 projekteve me një vlerë të përgjithshme prej rreth 116 milionë denarësh. Siç theksohet në njoftimin e Ministrisë, projektet që do të mbështeten janë të orientuara drejt zhvillimit të rajoneve planore, zonave me nevoja të veçanta zhvillimore, fshatrave dhe zonave urbane, pasi ky program paraqet një instrument kyç për sigurimin e zhvillimit të barabartë në të gjithë vendin, ndërsa mjetet ndahen sipas shkallës së zhvillimit të rajoneve, ku mbështetjen më të madhe e marrin rajonet me shkallën më të ulët të zhvillimit. 

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Paris. Vizita, siç informojnë nga MPJ/TJ, do të fillojë me takim me nikoqirin e tij, ministrin francez për Evropë dhe Punë të Jashtme, Zhan-Noel Baro, pas çka do të vijojë takim pune me Benxhamin Hadad, ministër i deleguar për Evropë. Në kuadër të vizitës, Mucunski, siç u paralajmërua, do të realizojë takim edhe me Bertran Bishvalter, këshilltar për Evropën kontinentale dhe Turqinë i presidentit francez, Emanuel Makron.

Shkup - Në kohë dhe pozitivisht është përgjigjur Ministria e Financave lidhur me punësimet në spitalin e Tetovës, tha sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska në konferencën për mediat.  Ajo theksoi se në Ministrinë e Financave çdo kërkesë evidentohet, arkivohet dhe për çdo çështje mund të kërkohet informacion dhe u bëri thirrje institucioneve shëndetësore ta respektojnë procedurën gjatë paraqitjes së kërkesave për miratimin e punësimeve. 

Shkup - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski mbetet në qëndrimin se nuk do të komentojë deklarata dhe veprime politike. Lidhur me mundësinë e interpelancës së një gjyqtari kushtetues, Gjykata tashmë zyrtarisht ka dhënë qëndrimin e saj më 13 mars 2025, informojnë nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së paralajmëruar për interpelancë ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me interpelancën e gjykatësve kushtetues, Gjykata në mars të këtij viti doli me qëndrimin se "Kushtetuta nuk parashikon asnjë mundësi shkarkimi të ndonjë gjyqtari kushtetues as nga pushteti legjislativ dhe as nga ai ekzekutiv" dhe se instituti "interpelancë" i paraparë në bazë të nenit 72 të Kushtetutës në asnjë rast nuk mund të zbatohet për gjykatësit kushtetues.

Shkup - Në kuadër të vazhdimit të seancës së 51-të sot përfundoi debati i përgjithshëm për disa ligje për të cilat do të votohet më vonë, ndërsa Qeveria përmes një shkresë e ka njoftuar Kuvendin se e tërheq Ligjin për shëndet publik. Debati në seancën plenare u shkaktua nga ndryshimet e Ligjit për marrëdhëniet e punës të cilat u proceduan me procedurë të përshpejtuar. Në seancë përfundoi debati dhe më vonë do të votohet për Propozimin e ligjit për shndërrimin e kërkesës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për obligimet e paguara ndaj kreditorëve të huaj në një depozitë të përhershme në Shoqërinë aksionare për ushtrimin e veprimtarisë energjetike për transmetimin e gazit natyror NOMAGAS Shkup në pronësi shtetërore, Propozimi i ligjit për shpalljen e hapësirës përreth Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut si zonë të sigurisë, si dhe për ndryshimet dhe plotësimin e ligjeve për mbrojtjen dhe shpëtimin për menaxhimin e krizave, të dyja me procedurë të shkurtuar.  

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Mbretërisë së Jordanisë me seli në Ankara, Hazem Al-Khatib Al-Tamimi. "Duke i dërguar përshëndetje të ngrohta mbretit të Jordanisë, Abdullahu i Dytë si dhe deri tek populli mik jordanez, ajo vlerësoi se të dy vendet ndajnë të njëjtat vlera qytetëruese: ruajtjen e paqes dhe sigurisë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, luftën kundër terrorizmit, si dhe ato që lidhen me ekologjinë, burimet e energjisë së rinovueshme dhe zhvillimin ekonomik", informojnë nga kabineti i presidentes.

Shkup - Prokuroria ka hapur lëndë dhe po vepron në lidhje me librin e regjistrit me numra arkivorë për legalizimin e objekteve në Komunën e Çairit për të cilin dyshohet se është falsifikuar. Nga PPRMV, potencojnë se lënda u formua pas reagimit të qytetarëve bazuar në artikuj mediatik. "Lënda është duke u trajtuar dhe po ndërmerren veprime verifikuese, është siguruar dokumentacion i gjerë me shkrim dhe të dyja nga komuna e Çairit, gjithashtu dhe nga Ministria e Transportit dhe Lidhjes në RMV, nga Inspektorati shtetëror administrativ i RMV-së, por edhe nga Inspektorati shtetëror për ndërtim dhe urbanizëm. Njëkohësisht, gjatë kësaj procedure parahetimore u ndërmorën veprime për të marrë në pyetje disa persona të cilët dhanë informacione të nevojshme, kështu që u morën në pyetje një numër i madh zyrtarësh nga komuna e Çairit, si dhe disa nga aplikuesit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje në territorin e komunës së Çairit, me këtë proces të ofrimit të provave verbale që është ende në vazhdim", informojnë nga PPRMV.

Shkup - Shifrat janë treguesi më i rëndësishëm për politikat që po zbatojmë dhe janë udhëzues për krijimin e politikave në periudhën e ardhshme. Rritja e PBB-së së njëpasnjëshme prej tre për qind dhe mbi tre për qind gjatë tremujorëve është konfirmim i politikës sonë të paralajmëruar për stabilizimin e situatës makroekonomike dhe mundësi për fillimin e politikave që do të na determinojnë drejt përshpejtimit të aktivitetit ekonomik të ekonomisë vendore dhe normave më të larta të rritjes ekonomike. Kjo u theksua gjatë konferencës për shtyp nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ku foli edhe për të dhënat e fundit të publikuara për rritjen e PBB-së në tremujorin e parë të vitit 2025.

Shkup - Këshilli i ambasadorëve sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme organizoi tryezë të rrumbullakët mbi Planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, para Samitit të liderëve në Shkup, nikoqir i së cilës është kryeministri Hristijan Mickoski ku do të diskutohet Plani i ri i rritjes së BE-së dhe përfitimet që vendet e rajonit mund të përfitojnë prej tij me qëllim forcimin e ekonomive të tyre dhe forcimin e procesit të integrimit, para së gjithash drejt tregut ekonomik evropian. Ambasadori Zoran Jolevski theksoi se sektori privat pret përfitime të mëdha nga ky plan për rritje ekonomike.

Shkup - Grupi i deputetëve të Frontit Evropian dje deri te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka parashtruar interpelancë për kryetarin e Gjykatës kushtetuese, Darko Kostadinovski. Deputeti Ilir Hasani sot në konferencë për shtyp elaboroi se interpelanca është ngritur për punën e Kostadinovskit në bazë të nenit 72, paragrafi 1 dhe paragrafi 2 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas Hasanit, Kostadinovski me vetëdije e ka shkelur Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe nenin 101 nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Bruksel - Ndarja në nivel prej pesë për qind të BPV-së për shpenzimet në mbrojtje nga ana e anëtarëve të NATO-s nuk do të jetë vetëm premtim, por një detyrim, brifuan burime nga Misioni i SHBA-së në Aleancë në takimin e nesërm të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Paktit në Bruksel. "Paqja përmes përforcimit nuk kërkon asgjë më pak se kontribute të barabarta nga të gjithë aleatët. Secili aleat duhet të angazhohet për të investuar të paktën pesë për qind nga BPV-ja në mbrojtje dhe siguri duke filluar që tani", thonë burimet diplomatike, duke potencuar se ky nuk është sugjerim, por bazë për parandalim në një botë ku kërcënimet janë vazhdimisht në rritje.

Bruksel - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski pasdite në Bruksel do të merr pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për mbrojtje të Ukrainës në Bruksel, me të cilin kryesojnë kolegët e tij nga Britania e Madhe dhe Gjermania, Xhon Hejli dhe Boris Pistorius. Grupi i Kontaktit për mbrojtje të Ukrainës, i njohur edhe si grupi Ramshtajn, është aleancë prej 57 vendeve - të gjithë 32 anëtarët e NATO-s dhe 25 vende të tjera - plus Bashkimi Evropian, të cilët si përgjigje ndaj pushtimit rus po e mbështesin Kievin me dërgimin e pajisjeve ushtarake. Në takim do të merr pjesë dhe ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov.

Bruksel - Angazhimi i NATO-s ndaj rrugës së pakthyeshme të Ukrainës drejt anëtarësimit mbetet, por vendi nuk ka marrë kurrë një premtim formal për t'u bashkuar me Aleancën, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s në Bruksel, Mark Rute. "Ukraina është ftuar në Samitin e Aleancës që do të mbahet në Hagë për disa javë", deklaroi Rute para mbledhjes së ministrive të Mbrojtjes në Bruksel. Ai shtoi se programi i detajuar do të shpallet së shpejti. Në pyetjen e gazetarëve nëse presidenti Volodimir Zelenski personalisht është ftuar, Rute u përgjigj se kjo do të dihet me shpalljen e programit zyrtar.

Moskë - Data e ardhshme e negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës do të konfirmohet kur të dyja palët të jenë të gatshme, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov. "Është e qartë se nevojitet kohë për të shqyrtuar projekt-memorandumet e shkëmbyera. Kur palët të jenë të gatshme, do të bien dakord për datën e raundit të ardhshëm të negociatave", theksoi Peskov. Ai shtoi se Ukraina e ka sulmuar urën e Krimesë dhe se ka pasur shpërthime, por që nuk kanë shkaktuar dëme. 

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski propozoi armëpushim derisa mbahet takimi mes tij dhe presidentit rus, Vlladimir Putin. "Ideja ime, të cilën besoj se partnerët tanë mund ta përkrahin, është t'u propozojmë rusëve armëpushim deri në takimin e liderëve", tha Zelenski në konferencë për shtyp në Kiev. Ai shtoi se kushtet për paqe që i vendos Moska janë ultimatume. Deklarata e Zelenskit ka të bëjë me kushtet e përmbajtura në memorandumin që Rusia ia dorëzoi Ukrainës në fillim të javës, i cili parashikon tërheqje të ushtrisë ukrainase nga katër rajone, për të cilat Moska thotë se i ka anektuar.

QËNDRONI TË LIDHUR