• e martë, 24 shkurt 2026
MIA Flesh

15:00 / 24 shkurt / 2026

Shkup - Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot realizoi takime të ndara pune me ambasadoren e Gjermanisë, Petra Dreksler, ambasadorin e Italisë, Paolo Palminteri dhe ambasadorin e Sllovenisë, Gregor Presker. Siç informon Pres shërbimi i Qytetit të Shkupit, në takime janë prezantuar projektet aktuale dhe planet zhvillimore të Qytetit, që synojnë promovimin e Shkupit si një qytet modern, të sigurt dhe funksional evropian. Është theksuar rëndësia e thellimit të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, kulturës, arsimit, turizmit, menaxhimit të trafikut dhe menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave.

Shkup - Komisioni i Kuvendit për çështje ekonomike, punë dhe politike energjetike, sot nuk e pranoi propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale, në lexim të parë, të parashtruar nga grupi i deputetëve të LSDM-së, si dhe propozimin e koordinatorit të këtij grupi tp deputetëve, Oliver Spasovski, për mbajtjen e debatit publik dhe tentimit për arritjen e marrëveshjes mes tre palëve të prekura për rritjen e pagës minimale. Me ligji e propozuar kërkohet që paga minimale në vend të jetë 36.960 denarë (600 euro) për periudhën nga marsi 2026 deri në mars 2027.Ligjin e elaboroi koordinatori Spasovski, duke thënë se ai paraqet vazhdim të rritjes së vazhdueshme të pagës minimale, e cila filloi sistematikisht në vitin 2017. Spasovski tha se në dy vitet e fundit, çmimet e produkteve bazë ushqimore, energjisë, shërbimeve komunale dhe harxhimet për kujdes shëndetësor kanë qenë në rritje, ndërsa shporta konsumatore ka qenë në rritje të vazhdueshme.

Shkup - Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut po merr pjesë aktive në Seminarin Rajonal për Parlamentet e Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet më 23 dhe 24 shkurt 2026 në Podgoricë, Mal të Zi. Delegacioni përbëhet nga Dafina Stojanoska, Saranda Imeri Stafai dhe Dimitar Kovaçevski. Seminari është organizuar bashkërisht nga Unioni Ndërparlamentar (UNP) dhe Parlamenti i Malit të Zi, dhe u kushtohet çështjeve kryesore që lidhen me ndryshimet klimatike dhe tranzicionin e gjelbër në rajon. Në seminar marrin pjesë gjithashtu delegacione nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, si dhe eurodeputeti Tomas Vajs (përmes video-lidhjes), përfaqësues të pushtetit ekzekutiv të Malit të Zi, akademikë dhe organizata ndërkombëtare dhe rajonale.

Shkup - Do të vendoset koncept dual edhe në arsimin e lartë, paralajmëroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Me Ligjin e ri, siç shpjegoi ajo, parashikohen për herë të parë cikle të dyta dhe të treta të studimeve profesionale, si dhe studime të shkurtra për specializim në profesione të caktuara.Arsimi akademik dual, tha Janevska, do të mbulojë kryesisht profesionet teknike. Sipas ministres, ky parim i arsimit po futet në fakultete, jo vetëm sepse disa prej tyre dhe komuniteti i biznesit e kërkojnë, por edhe sepse arsimi dual, si model, ka dhënë rezultate të shkëlqyera në shkollat ​​e mesme profesionale.

Shkup - Gjashtë kompanive u janë marrë licencat për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Tek to u konstatuan mospërputhje, kumtoi sot ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në konferecën për shtyp në Qeveri. Janë marrë licencat, siç tha, e Alfafamit, e cila ishte e përfshirë në kontrabandën e marihuanës në Serbi, pastaj të Grin llajf, CBD medplant, Llajf plant, Atafarm dhe Kanabidois. "Vendimet e Qeverisë bazohen në gjetjet e kontrolleve të kryera - magazinim jo i duhur i lules së tharë, njoftime jo konsistente ndaj Komisionit, mosparaqitje e dokumentacionit të plotë për shitje dhe transferim", potencoi Aliu. 

Shkup - Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare pune në Kiev, Ukrainë, ku do të realizojë takime me përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore ukrainase. Ai siç njoftoi MÇE, në kuadër të vizitës, do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për mbrojtësit e rënë të Ukrainës, së bashku me zëvendëskryeministren e Ukrainës, Julia Sviridenko, me ç’rast do të shprehet solidariteti dhe mbështetja e Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj Ukrainës dhe popullit ukrainas.

Shkup - Në ndërtimin e autostradave në korridoret 8 dhe 10d, të cilat i ndërton konsorciumi amerikano-turk "Behtel dhe Enka", në dhjetor 2025 janë angazhuar 2.098 punëtorë, si dhe 1.269 pajisje, tregon raporti i monitorimit të progresit për dhjetor 2025, i publikuar në ueb-faqen e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH). Sipas raportit, në dhjetor të vitit të kaluar, kontraktorit iu paguan 1.180.803.394 denarë. Në terren janë kryer punime toke në seksionet Tetovë - Gostivar, Gostivar - Bukojçan dhe Prilep - Manastir. Punimet përfshijnë pastrimin e terrenit, heqjen e humusit dhe gërmimin e materialit të papërshtatshëm, gërmimin e materialit nga prerjet në rrugë dhe sigurimin e materialit për punimet përmes transportit dhe mbushjes. Në vendet ku është e nevojshme janë marrë masa për të mbrojtur shpatet. Që nga viti i kaluar, janë kryer mbi 5 milionë metra kub gërmime dhe 1,6 milionë metra kub mbushje.

Shkup - Pagat e funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar do të ulen për 10 deri në 13 mijë denarë, ndërsa për disa pozita edhe më shumë, me qëllim të shpërndarjes më të drejtë të fondeve buxhetore dhe përshtatjes me kushtet ekonomike në vend, deklaroi sot deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, i cili informoi se grupi i tyre parlamentar ka paraqitur një paketë propozim-ndryshimesh për gjashtë ligje, me të cilat do të arrihet kjo. "Si grup deputetësh në Kuvend, zyrtarisht kemi dorëzuar një paketë me propozim-ndryshime për gjashtë ligje, me të cilat rregullohet çështja e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar në vend. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është vendosja e një shpërndarjeje më të drejtë të fondeve buxhetore, ku pagat e funksionarëve përshtaten me kushtet reale ekonomike në vend", theksoi Bojan Stojanoski.

Shkup - Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit mori çmimin për cilësinë e shërbimeve të aeroportit (ASQ) për vitin 2025 "Përvoja më e këndshme në aeroport në Evropë" nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI). Koncesionari TAV Maqedonia sot njoftoi se çmimi që Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit e merr për herën e 11-të është një mirënjohje tjetër nga pasagjerët që plotësuan sondazhet për kënaqësinë ndaj cilësisë së shërbimeve të aeroportit, përmes këtyre anketave matën treguesit kryesorë si efikasiteti i regjistrimit të pasagjerëve dhe bagazheve, kontrolli i sigurisë, orientimi brenda aeroportit, si dhe lehtësinë e përgjithshme të lëvizjes nëpër aeroport.

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Republikës së Kosta Rikës në Republikën e Kosovës, Olga M. Sauma Uribe. Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores dhe e përgëzoi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i ambasadores do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve. “Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e hershme dhe parimore të Kosta Rikës për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo vuri në pah se Kosova i vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me shtetet e Amerikës Latine dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me vendet e këtij rajoni në fusha me interes të ndërsjellë”, thuhet në kumtesë.

Berlin - Lufta katërvjeçare e Rusisë kundër Ukrainës jo vetëm që ka vrarë dhe plagosur qindra mijëra njerëz, por ka shkaktuar edhe dëm serioz në mjedisin jetësor dhe klimën, tregojnë hulumtimet  e reja. Që nga shkurti i vitit 2022, rreth 311 milionë tonë metrikë ekuivalent dioksidi karboni janë emetuar si rezultat i konfliktit, treguan llogaritjet e Iniciativës për gazrat serrë nga lufta (IGGAW) të publikuara sot.  Kjo është afërsisht gjysma e emetimeve vjetore të gazrave serrë të prodhuara nga ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania, raportoi DPA.

Frankfurt - Numri i mjekëve të huaj të cilët punojnë në Gjermani është më shumë se dyfishi gjatë 10 viteve të fundit, treguan të dhënat zyrtare të publikuara sot, duke theksuar rëndësinë e migrimit për sektorin e shëndetësisë, njoftoi DPA. Në vitin 2024, 64.000 mjekë, që përfaqësojnë 13 për qind të të gjithë mjekëve, nuk kishin nënshtetësi gjermane, krahasuar me 30.000, ose shtatë për qind, në vitin 2014, kumtoi shërbimistatistikor në vend, siç transmetohet nga agjencia gjermane. Gjithsej 121.000 mjekë migrantë, duke përfshirë ata që kanë fituar nënshtetësinë që atëherë, punuan në mjekësinë e përgjithshme dhe stomatologji në vitin 2024, duke përfaqësuar pothuajse 25 për qind të të gjithë mjekëve.

Bruksel - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i bëri thirrje Bashkimit Evropian ta mirtojë pakon e kredisë prej 90 miliardë eurove (105 miliardë dollarë) për Ukrainën, e cila për momentin është bllokuar nga Hungaria. "Kjo është garancë e vërtetë financiare për sigurinë tonë dhe rezistencën tonël dhe duhet të zbatohet", theksoi sot Zelenksi në video fjalimiun në selinë e Parlamentit evropian. "I falënderoj të gjithë që punojnë që të ndodhë kjo", tha Zelenski.

Gjenevë - Zyra e UNICEF për Kroaci filloi fushatë humanitare për ndihmë të fëmijëve të uritur në Sudan, Jemen dhe Gazë, duke paralajmëruar se numri i fëmijëve të eksponuar në uri, varfëri dhe dhunë pandërprerë po rritet dhe, sipas vlerësimeve, numër rekord i fëmijëve kanë nevojë për ndihmë humanitare në vitin 2026. Sipas UNICEF-it, miliona fëmijë mbarë botën vuajnë nga mosushqyerja e vështirë, e rrezikshme për jetë, e cila vlerësohet se shkakton një në pesë raste të vdekjes tek fëmijët nën moshën pesëvjeçare, që e bën një nga kërcënimet më të mëdha për mbijetesën e fëmijëve. Konfliktet e gjata të armatosura dhe kushtet ekstreme të këqija të motit në mënyrë shtesë e ndërlikojnë qasjen deri te ushqimi dhe shërbimet bazë, edhe krahas përpjekjeve të familjeve për ta mbrojtur shëndetin e fëmijëve të tyre, paralajmëron UNICEF-i.

Moskë - Kremlini sot kumtoi se vendimi i vendeve perëndimore për të ndërhyrë në Ukrainë e ka shndërruar konfliktin në një konfrontim shumë më të gjerë. Duke folur saktësisht katër vjet pasi dhjetëra mijëra ushtarë rusë hynë në Ukrainë me urdhër të Presidentit Vladimir Putin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se luftimet vazhdojnë, por Moska mbetet e hapur për të arritur qëllimet e saj përmes rrugës politike dhe diplomatike. “Pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të vendeve të Evropës Perëndimore dhe SHBA-së në këtë konflikt, operacioni ushtarak special de fakto u shndërrua në një përballje shumë më të gjerë midis Rusisë dhe vendeve perëndimore, të cilat kishin dhe ende kanë qëllim shkatërrimin e shtetit tonë”, tha zëdhënësi i Kremlinit.

Uashington - SHBA ka vendosur tarifa të reja prej 10 për qind për të gjitha mallrat që nuk janë liruar nga taksat, bëri të ditur sot Dogana dhe mbrojtja kufitare e SHBA-së (CBP). Ato janë identike me normën fillestare të shpallur nga Donald Trampi, pavarësisht kërcënimeve të mëvonshme për t'i rritur ato në 15 për qind. Në përgjigjen ndaj vendimit të Gjykatës Supreme me çka anulohen tarifat e saj "emergjente", Trampi të premten informoi tarifa të reja të përkohshme globale prej 10 për qind, që të shtunën të thotë se do t'i rriste ato në 15 për qind. Shërbimi doganor tha se, përveç produkteve të përcaktuar si të liruar, importet "do të jenë lëndë e një norme shtesë ad valorem prej 10 për qind".

QËNDRONI TË LIDHUR