• e enjte, 04 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 15 prill/ 2025

Shkup - Në Komisionin e sotëm kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive nuk kaloi Nisma e "Frontit Evropian" për mbajtjen e debatit mbikëqyrës për hetimin e tragjedisë në Koçan. Për nismën votuan katër anëtarë të Komisionit të partive politike "Fronti Evropian" dhe LSDM. Deputetët-anëtarë të VMRO-DPMNE-së dhe "Vlen"-it, theksuan se fakti që nuk votuan nuk do të thotë se janë kundër mbajtjes së debatit mbikëqyrës, por janë për përfshirjen e të gjitha tragjedive tjera paraprake si Spitali modular në Tetovë, "Besa Trans"... Theksuan se derisa ka hetime aktive për rastin në Koçan, nuk do të ishte mirë që Kuvendi të zhvillonte një debat mbikëqyrës sepse, siç theksuan ata, kjo do të ishte sikur të bëhej presion dhe ndërhyrje në këtë proces. Theksuan se ata persona që kanë bllokuar dhe nuk kanë krijuar kuorum në Komisionin Anketues në mandatin e kaluar për të diskutuar për tragjeditë në spitalin modular dhe "Besa Trans" duhet të kërkojnë diskutim për tragjedinë në Koçan.

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se UNESKO ka hapur thirrje për nominim për Çmimin për Arsim dhe Zhvillim të Qëndrueshëm për vitin 2025, financuar nga Qeveria e Japonisë. "Ky çmim u prezantua nga UNESKO në vitin 2014 dhe ndahet për projekte dhe programe të jashtëzakonshme në fushën e arsimit për zhvillim të qëndrueshëm, bazuar në kriteret e dhëna, përkatësisht: transformimin, integrimin dhe inovacionin. Të drejtë për pjesëmarrje kanë institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare, organizatat e sektorit civil dhe privat, mediat, akademitë, qendrat hetimore, institucionet arsimore dhe të tjera. Çdo shtet anëtar ka të drejtë të paraqesë maksimumi tre nominime", thuhet në njoftimin e MASH-it. 

Prishtinë - Eugen Cakolli, ekspert për monitorimin e punës së parlamentit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), vlerësoi sot se Kosova mund të përballet me një bllokadë institucionale. Cakolli vlerëson se pas dështimit të sotëm për të verifikuar mandatet e anëtarëve të mbledhjes së nëntë të Kuvendit të Kosovës, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm i takon Kuvendit dhe partive politike dhe roli i presidentes Vjosa Osmani përfundoi me thirrjen e seancës.

Paris - Presidenti francez Emanuel Makroni sot i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahut se duhet të marrin fund vuajtjee e civilëve në Rripin e Gazës, duke bërë thirrje për armëpushim që do t'i mundësojë lirimin e pengjeve dhe "hapjen e të gjitha vendkalimeve për ndihma humanitare".  "Armëpushimi, lirimi i të gjitha pengjeve, ndihma humanitare dhe përfundimisht rihapja e perspektivës së një zgjidhjeje politike me dy shtete. Në këtë kontekst, po e mendoj konferencën e qershorit", me të cilën Franca do të bashkëkryesojë në KB, "duke pasur parasyshë interesat e Izraelit dhe të gjithëve në rajon", ka shkruar Makroni në platformën "X". 

Madrid - Qeveria spanjolle ka vendosur të përjashtojë plotësisht mundësinë e rikthimit në shërbimin e detyrueshëm ushtarak pavarësisht kërcënimit dhe presionit rus nga disa vende evropiane, thanë burime qeveritare për "Rason". Ata konfirmuan se pavarësisht planit evropian të riarmatimit të promovuar nga Brukseli dhe faktit që disa shtete anëtare tashmë janë kthyer ose mbajnë ushtri, ky opsion "nuk është dhe nuk do të jetë në tryezë".

Hanoi - Luftërat tregtare do ta minojnë sistemin ndërkombëtar tregtar, stabilitetin e rendit ekonomik global dhe interesat legjitime të të gjitha vendeve në botë, posaçërisht të vendeve në zhvillim, deklaroi sot presidenti kinez, Si Xhinping. Si, gjatë takimit me kolegun e tij vietnamez, Luong Kuong në Hanoi, tha se Kina dhe Vietnami duhet bashkarisht t'i kundërvihen politikës së fuqisë dhe unilateralizmit.

Tokio - Organi rregullator japonez sot akuzoi gjigantin teknologjik amerikan Gugëll për shkeljen e ligjeve antimonopole, duke i përsëritur lëvizjet e ngjashme në SHBA dhe Evropë. Nga Gugël kumtuan se ai gjest është "për keqardhje" dhe se, si një kompani teknologjike, ata kanë investuar shumë në Japoni për të promovuar inovacione.

Gazë - Hamasi "me siguri do t'i përgjigjet brenda 48 orëve" propozimit të Izraelit për armëpushim në Rripin e Gazës, deklaroi sot për mediat franceze një funksionar anonim i lëvizjes palestineze. "Hamasi me siguri do të paraqesë përgjigjen e tij tek ndërmjetësit brenda 48 orëve, pasi lëvizja është ende duke kryer konsultime të gjera", tha përfaqësuesi, i cili deshi të mbetet anonim.

QËNDRONI TË LIDHUR