18:00/ 19 qershor/ 2025
Shkup- Qeveria sot miratoi Propozimin e ribalancit të buxhetit për vitin 2025. Në konferencën për shtyp, ndryshimet dhe plotësimet i prezantoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska e cila theksoi se ribalanci i ndjek prioritetet themelore të politikës fiskale, të cilat janë vazhdimi i konsolidimit fiskal, sigurimi i stabilitetit makroekonomik dhe stimulimi i zhvillimit. “Investimet mbeten prioritet për Qeverinë, e sidomos janë prioritet edhe në Propozimin e ribalancit të Buxhetit, me ç ‘rast qëllimi është që të stimulohet aktiviteti ekonomik dhe të arrihet rritja e projektuar. Ndryshimet dhe plotësimet në buxhet gjithashtu janë vazhdimi i përpjekjeve tona për konsolidimin fiskal dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjeteve publike, respektivisht parave të obliguesve tatimorë", theksoi ministrja.
Shkup- Pas shtatë vjetëve sot sërish u hap kompleksi "Fshati maqedonas" që nodhet në Vodno në afërsi të Nerezit. Koncesioner i ri është ndërmarrja "La Teraca", oferta e së cilës është zgjedhur si më e volitshme në thirrjen publike që e shpalli Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta. Në hapjen ishte i pranishëm kryeministri Hristijan Mickoski i cili theksoi se kompleksi do të kontribuojë në zhvillimin e turizmit dhe theksoi se vendi shënon rritje prej 20 për qind në krahasim me të të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shkup - Ekziston dyshim i bazuar se është e mundur që në orët e hershme të mëngjesit para dy ditësh, të ketë ndodhur një akt sabotimi në KME "Manastir". MPB po e heton rastin, ndërsa të punësuarit në SHA EMV u mbetet që një orë e më parë ta aftësojnë bllokun 2 dhe të jetë në funksion, tha kryeministri Hristijan Mickoski. "Është e rëndësishme që në kohë të furnizohen me energji elektrike të gjithë përdoruesit. Në KME "Manastir" po bëhen përpjekje mbinjerëzore në drejtim të disiplinës dhe remontit. Dy blloqet tashmë janë në remont, ndërsa ky i vetmi ishte në funksion, sepse aktualisht, sipas nevojave të tregut KME "Manastir" duhet të funksionojë me një bllok, ndërsa piku të mbulohet me burime të tjera", tha Mickoski në përgjigjen e gazetarëve në hapjen e kompleksit "Makedonsko sello" (Fshati maqedonas) në Nerezin e Epërm.
Shkup – Shumica qeveritare është komode, e rehatshme, gati dy e treta e deputetëve në Kuvend e mbështesin këtë Qeveri, theksoi sot kryeministri Hristian Mickoski, i cili u përgjigj në pyetjen e gazetarëve, se a do të ketë zgjerim të shumicës qeveritare. “Kështu që, mund të ketë, ndërsa mund edhe të mos ketë. Qeveria vazhdon të ofrojë atë që e presin qytetarët”, deklaroi Mickoski. I pyetur për miratimin e ligjeve të reformave, për të cilët duhet shumicë e Badenterit, Mickoski tha se jo të gjithë nga këto ligje varen nga Badenteri, të cilët miratohen me “80 deputetë, me shumicë prej 2/3 nga ato ligje”. Kryeministri shtoi se gjatë miratimit të ligjeve në Parlament nga sigurimi i Badenterit varet ndryshimi i Ligjit i cili duhet të sigurojë pagë të Inspektorit për përdorimin e gjuhëve.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se ai do të ishte njeriu më i lumtur nëse më 24 qershor miratohet raporti i raportuesit të Parlamentit Evropian, Tomas Vajc për Maqedoninë, por theksoi se këto ditë ka marrë informacione për shtimin e presioneve politike të ashpra nga eurodeputetët bullgarë dhe qeveria bullgare. Sipas tyre, nëse ky raport miratohet, kjo mund të radikalizojë strukturat proruse kundër qeverisë aktuale proevropiane të Bullgarisë. Mickoski këtë e theksoi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas hapjes së kompleksit "Fshati maqedonas" (Makedonsko sello), për pritjet e 24 qershorit për të cilin është shtyrë votimi për Raportin e Propozimit për vendin tonë në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot realizoi takim pune me Zolt Bunford, të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor të kryeministrit hungarez Viktor Orban. Nga MPB-ja njoftuan se në takim u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm ndërmjet dy ministrive dhe dy Qeverive në përgjithësi, me ç’rast të dy palët theksuan besimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në promovimin e mëtejshëm të tyre. Ministri Toshkovski shprehu mirënjohje për përkushtimin e ndërsjellë, por edhe marrëdhënien vëllazërore në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke nënvizuar faktin se sfidat e përbashkëta kërkojnë zgjidhje të përbashkëta dhe se ajo që sot prek Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, nesër do të ketë efekt në ngjarjet evropiane.
Shkup - Komisioni parlamentar për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor sot organizoi Debat Publik për pakon reformuese të ligjeve për transformimin digjital: Propozim-ligjin për komunikimet elektronike, Propozim-ligjin për sigurinë e sistemit të rrjetit dhe informacionit, si dhe propozim-ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për materialin arkivor dhe veprimtarinë arkivore dhe Ligjin për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet konfidenciale. Ekspertë të fushës dhe palë të interesuara shprehën pikëpamjet, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre mbi propozim-ligjet për miratimin dhe zbatimin e tyre sa më të suksesshëm, ndërsa ministri resor, Stefan Andonovski bëri thirrje për miratimin e tyre në kohë, me cilësi dhe me konsensus.
Shkup – Çmimet e dizelit nga mesnata do të shtrenjtohen për 2,5 denarë për litër, ndërsa çmimi i benzinës mbetet i njëjtë, vendosi sot Komisioni Rregullator për energjetikë, shërbime të ujit dhe shërbime për menaxhimin e mbeturinave komunale (KRRE). Me vendimin rriten çmimet me pakicë të derivateve të naftës me një mesatare prej 2.06 për qind krahasuar me vendimin e mëparshëm. Çmimi i ri me pakicë i EURODIZEL BS (D-E V) do të jetë 70 denarë për litër, njëjtë edhe vaji ekstra i lehtë për karburant (EL-1), EUROSUPER BS - 95 do të vazhdojë të shitet për 76, ndërsa EUROSUPER BS - 98 për 78 denarë për litër. Me vendimin e KRRE-së çmimi me pakicë i naftës M-1 NS do të rritet për 1,149 denarë për kilogram dhe do të kushtojë 40,928 denarë.
Shkup - Presim që në periudhën e ardhshme të arrijë ekspert për amputime nga Sllovenia për të shqyrtuar opsionet e trajnimit për të lënduarit që kanë amputime të gishtave. Këtë sot e bëri të ditur në një konferencë për mediat në Qeveri, drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, duke folur për informacionet më të fundit në lidhje me të lënduarit nga zjarri në diskotekën në Koçan. "Përveç kësaj për të përmbushur nevojat e të lënduarve, kemi miratuar kontrolle mjekësore në spitalin Pirogov për pacientët, të lënduarit të cilët dëshirojnë të kontrollohen në Pirogov. Për momentin janë gjashtë persona të lënduar. Megjithatë, ne apelojmë dhe theksojmë se vendi më i mirë për trajtim mbetet Koçani", theksoi Klekovski.
Shkup – Nga shtatori do të ketë përsëri rritje të pensioneve, por ende, nuk kemi biseduar për atë nëse ajo do të jetë rritje lineare ose procentuale, edhe pse e dini qëndrimin tim se unë jam ithtare për atë që të ketë rritje lineare të pensioneve, deklaroi sot në konferencë për media ministrja e Financave, Dimitrieska Koçoska. Duke e prezantuar propozim ribalancin e Buxhetit për vitin 2025, në konferencë për media në Qeveri, Koçoska tha se transferimi i përgjithshëm nga Buxheti ndaj FSPIM këtë vit do të jetë diku rreth 50 miliardë dhe se me propozim ribalancin parashikohen edhe rreth 2,5 miliardë.
Shkup –Ekziston rritje e shumës në Buxhetin për paga në sektorin publik, efekti këtu është kryesisht për shkak të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila pati rritje të pagave prej 10 për qind. Në fakt, MPB-ja ka numrin më të madh të të punësuarve në administratë, me rreth 15 mijë të punësuar, informoi sot Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska. Në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me mjetet e ndarja nga Buxheti për paga në sektorin publik, Dimitrieska Koçoska theksoi se janë ndarë rreth 800 milionë denarë, nga të cilat madje 600 milionë janë të destinuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse, theksoi, MPB-ja ka numrin më të madh të punësuarve në administratë.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, e përfundoi vizitën zyrtare në Azerbejxhan me takimin me ministrin e Ekonomisë, Mikail Xhabarov. Në takim, siç informoi shërbimi për shtyp i qeverisë, Gashi theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Azerbajxhani kanë marrëdhënie të mira dhe miqësore, që mund të jenë bazë për avancimin e bashkëpunimit, veçanërisht në pjesën e ekonomisë. Ai informoi se Qeveria i kushton vëmendje të veçantë tregtisë së jashtme, me qëllim promovimin e tregtisë me vendet me të cilat deri më tani kemi pasur shkëmbim të vogël tregtar.
Shkup - Me Propozimin për ribalancin e Buxhetit për vitin 2025 që e miratori sot Qeveria, inflacioni i cili në fillim të vitit regjistroi trend rritës, pritet që më tej të stabilizohet dhe është parashikuar të jetë në nivelin prej 2,8 për qind. Projeksioni i inflacionit, sipas ministres së Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, bazohet në pritshmëritë për zbatimin e plotë të Ligjit për praktikë tregtare jo të drejtë i cili duhet të parandalojë rritjen e paarsyeshme të çmimeve, gjegjësisht për produktet ushqimore bazë. Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në konferencën për media për ribalancin, Dimitrieska Koçoska tha se po monitorohet gjendja me çmimet dhe paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të shpallen masa të cilat, siç tha ajo, "mund të mos përfshijnë mbështetje financiare direkte, por do të ndihmojnë në rritjen e konkurrencës në sektorin e prodhimit vendor".
Shkup – Drejtoria e të Ardhurave Publike në Asamblenë e 29-të vjetore të Organizatës Intra-evropiane të Administratave Tatimore (IOTA), që u mbajt në Baku mori vend në Këshillin Ekzekutiv të kësaj organizate ndërkombëtare prestigjioze. “Kjo mirënjohje përfaqëson një sukses të rëndësishëm për Drejtorinë dhe konfirmim të përfshirjes afatgjate, profesionale dhe të përkushtuar në nismat e IOTA-s, ku DAP është anëtare aktive që nga viti 1997. Zgjedhja në Këshillin Ekzekutiv jo vetëm që njeh ekspertizën dhe rezultatet e organizatës, por njëkohësisht përfaqëson detyrim për proaktivitet të mëtejshëm në përcaktimin e drejtimeve strategjike, si dhe në zgjidhjen e sfidave aktuale në fushën e politikës dhe administrimit tatimor në nivel evropian”, informuan sot nga DAP.
Shkup - Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore u bën thirrje nxënësve që kanë përfunduar arsimin fillor të orientohen drejt shkollave të mesme profesionale, në drejtimet që ofrojnë aftësi konkrete dhe praktike për tregun e punës. Fuqizimi i arsimit profesional është thelbësor për krijimin e kuadrove të kualifikuara dhe për ndërtimin e një fuqie punëtore të qëndrueshme dhe konkurruese. “Veçanërisht inkurajojmë orientimin drejt profesioneve deficitare, ku kërkesa në treg është në rritje dhe mundësitë për punësim janë të sigurta”, thuhet në kumtesën e OEMVP-së.
Shkup- Në Shkup sot, drejtuesit e operatorëve të transmetimit të energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, doc. dr. Burim Latifi nga MEPSO dhe Shaban Neziri nga KOSTT, nënshkruan memorandum bashkëpunimi për forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike. Memorandumi vë theks të veçantë në projektin strategjik për ndërtimin e një linje të re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV nga Tetova deri në Prizren, i cili është në përputhje me objektivat e BE-së për tranzicionin energjetik deri në vitin 2050 dhe është nominuar si kandidat për rritjen e kapaciteteve transmetuese përmes platformës evropiane të planifikimit të ENTSO-E.
Shkup– Prej sot kompleksi “Fshati maqedonas” përsëri do të bëhet qendër e shkëmbimit kulturor, i traditës, arkitekturës autentike dhe ofertës turistike të Maqedonisë. Do të bëhet destinacion për mysafirë vendorë dhe të huaj, për nxënës dhe studentë, për artistë dhe hulumtues, për të gjithë ata që duan ta ndjejnë frymën e Maqedonisë – të gjallë, të ngrohtë dhe krenare. Jam krenar për rihapjen e kompleksit i cili gati shtatë vjet ishte i mbyllur dhe dëshmonte për menaxhim të keq dhe të papërgjegjshëm në të kaluarën, shkruan sot në rrjetet sociale drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski. “Sot dërguam porosi të qartë – kur ekziston vizion, kur ka përgjegjësi dhe punë me përkushtim, prona shtetërore mundet dhe duhet të vendoset në funksion të qytetarëve dhe interesit kombëtar”, thekson Tomovski.
Tetovë – Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” në konferencën e sotme për media kërkoi që të mos miratohet propozim-vendimi i VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, ZNAM-it dhe VLEN-it sepse, siç thanë, dukshëm e rrit numrin e nënshkrimeve të nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhje dhe e mbyll derën për kandidatët e pavarur në shumë komuna. Ata vlerësojnë se në vend që të garojnë me ide të reja për përmirësimin e jetës së qytetarëve, parti politike përsëri intervenojnë në Kodin Zgjedhor që ta vështirësojnë pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhje.
Ohër– Një trup i pajetë sot pasdite rreth orës 14 është gjetur në ujërat e Liqenit të Ohrit, para plazhit të bregut të qytetit në Ohër. Informacionin e konfirmoi zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski, i cili theksoi se mbi trup nuk ka pasur shenja të dhunës. Vendi është siguruar dhe po vijon hetimi i cili duhet t’i konfirmojë shkaqet për ngjarjen tragjike dhe rrethanat që e shkaktuan këtë.
Koçan- Prindërit e personave të vdekur në klubin "Puls" në Koçani sot do të takohen me prokurorët e Prokurorisë Themelore Publike, pasi në "Marshin për engjëjt" të shtunën kërkuan sqarime për aktakuzën e ngritur në lidhje me tragjedinë. Takimi është i mbyllur dhe mediave nuk u lejohet hyrja në sallën e Qendrës multikulturore, ku hynë rreth dyzet prindër dhe të afërm të të vdekurve.
Moskë - Rusia dhe Ukraina kumtuan se sot kanë këmbyer pengje ushtarake, si pjesë e Marrëveshjes së arritur më 2 qershor në Stamboll. Por as Moska dhe as Kievi nuk thanë se sa të burgosur u këmbyen sot. Njerëzit tanë po kthehen në shtëpi nga robëria ruse, publikoi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në rrjetet sociale. Në raundin e dytë të negociatave të drejtpërdrejta në Stamboll, Rusia dhe Ukraina ranë dakord të lirojnë të paktën 1.200 pengje dhe ushtarë të plagosur nën moshën 25 vjeç dhe të kthejnë mijëra trupa të ushtarëve të vdekur.
Tel Aviv – Armata izraelite kumtoi se ka sulmuar objekte bërthamore iraniane në Busher, Isfahan dhe Natanc. Busheri është i vetmi termocentral bërthamor aktiv në Irani i vendosur në bregdetin e Gjirit Persik dhe është një nga objektet kryesore të lidhura me programin e pasurimit të uraniumit të Iranit. Rreth 20 aeroplanë luftarakë izraelitë kryen sot gjithashtu sulme ndaj infrastrukturës së raketave balistike iraniane dhe ushtarëve iranianë në Iranin perëndimor.
Teheran – Ndërsa sulmet izraelite ndaj Iranit vazhdojnë, lideri suprem ajatollah Ali Hamnei porositi qytetarët “të mos tregojnë dobësi para armikut”. "Nëse armiku ndjen se ke frikë, nuk do t'ju lëshojë. Vazhdoni të silleni me vetëbesim si deri tani, vazhdoni në atë rrugë me vendosmëri", shkruan Hamnei në Iks. Më parë, ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Kac, tha se ajatollah Hamnei "nuk mund të vazhdojë të ekzistojë".
Tel Aviv - Ushtria izraelite (IDF) informoi se Irani ka qëlluar të paktën 10 raketa në pjesën veriore të vendit. Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore u dëgjuan në Haifa dhe Izraelin verior. IDF tha se është detektuar se Irani ka qëlluar me raketa balistike. Hëpërhë nuk ka informacione për viktima të mundshme.
Romë - Xhenaro Gatuzo sot zyrtarisht u prezantua si trajner i reprezentacionit të Italisë në futboll, pasi paraardhësi i tij, Luçijano Spaleti u shkarkua. Gatuzo e mori postin e trajnerit në një moment të vështirë, me një qëllim kryesor për ta rikthyer Italinë në Kupën e botës, pasi "axurët" e humbën mundësinë për të marrë pjesë në dy botërorët e fundit. "Ky është realizimi i ëndrrës time dhe shpresoj që do të jem i denjë për këtë sfidë. E di që nuk do të jetë e lehtë, por asgjë në jetë nuk është e lehtë", tha Gatuzo në promovimin e tij në Romë. Trajneri i ri i Italisë theksoi se një nga qëllimet e tij kryesore është të rikthejë unitetin dhe shpirtin pozitiv në ekipin kombëtar.
Majami – Lojtari i Real Madridit, Kilian Mbape është shtruar në spital për shkak të gastroenteritit akut, bëri të ditur sot klubi spanjoll, pasi lojtari francez humbi ndeshjen e parë të Kupës së botës për klube kundër Al Hilalit. Njëzetë e gjashtë vjeçari Mbape mungoi në stërvitje të martën për shkak të temperaturës së lartë, ndërsa më pas nuk luajti as në ndeshjen e djeshme e cila përfundoi pa fitues - 1:1 kundër përfaqësueses saudite. Në komunikatën për media të Real Madridit theksohet se Mbape është "hospitalizuar për shkak të gastroenterit akut" dhe po i nënshtrohet "një sërë testesh". Gastroenteriti është një infeksion i sistemit tretës që mund të shkaktojë të vjella dhe diarre.