• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 22 prill/ 2023

Shkup - Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore bëjnë të ditur se sot fillon zbatimi i Marrëveshjes për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d. Sipas marrëveshjes, nga sot do të nisin punimet përgatitore, regjistrimi i terrenit, përgatitja e projekteve urbanistike, projekteve bazë, me qëllim fillimin e procedurave për shpronësim dhe projektim. Paralelisht me këtë fillon mobilizimi i personelit për punë, përgatitja e lokacioneve për ngritjen e kampeve për operimin e ndërtimit, analiza e trasesë dhe dislokimet e mundshme të instalimeve nëntokësore dhe mbitokësore, përgatitja e procedurave për kryerjen e hetimeve gjeoteknike.

Tetovë - Prokuroria Themelore Publike ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Tetovë kundër anesteziologut nga spitali i Tetovës, i cili në rrjetin social "Tik Tok" ka publikuar pacientët dhe personelin mjekësor.  Ai akuzohet për vepra penale - Shpërdorim në shërbim nga neni 353-v paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, si dhe regjistrim i paautorizuar nga neni 152 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Shkup - Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i obliguar për Çështje Ekonomike, Koordinim të Resorëve Ekonomik dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi vizitoi kompaninë "Lutman Beklund", kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë. "Lutman Beklund" është një kompani, funksionimi i së cilës është një dëshmi e fortë se politikat ekonomike të Qeverisë të zbatuara përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve krijojnë besim tek kompanitë dhe i stimulojnë ato të hyjnë në cikle të reja investimesh që synojnë zhvillimin teknologjik, futjen e komponenteve inovative dhe dixhitale në proceset e prodhimit, i cili finalizohet në produktivitet dhe konkurrencë më të madhe në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare. "Lutman Beklund" është një kompani ushqimore e specializuar në prodhimin e çokollatës dhe produkteve të ëmbëlsirave, çokollata, biskota dhe produkte të tjera që janë pjesë e ushqimit të shëndetshëm.

Kumanovë- Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës aktualisht është pa autoambulancë për transportin e pacientëve, pasi automjeti "Mercedes" është përfshirë në një aksident trafiku mbrëmë në Shkup, ndërsa dy të tjerat që i ka institucioni janë në servis, informoi sot drejtoresha e spitalit Snezhana Zaharieva.

Shkup- Në Shkup sot mund të shihen "Bubi" dhe oldtajmerë të tjerë. Është një tubim dhe festë me rastin e 13 vjetorit të tubimit të parë të "Klubit Buba Maqedoni". Kryetari i këtij klubi të automjeteve historike, Tiberie Kirias, në një deklaratë për MIA-n ka sqaruar se makina më e vjetër që mund të shihet në këtë takim daton nga viti 1967.

Prilep  - Mbrëmë pas mesnate u shua zjarri që e përfshiu konfeksionin e Prilepit "Tilla", ndërsa ish fabrika për këpucë "Borka Levata". Zjarrfikësit e Prilepit luftuan me orë të tëra me stuhinë e zjarrit i cili fillimisht përfshiu strukturën e çatisë me panelet diellore. Siç bëhet e ditur nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, zjarri ka filluar në orën 13:20 të ditës së djeshme dhe është fikur 35 minuta pas mesnate. Gjatë gjithë shuarjes së zjarrit kanë intervenuar gjithsej 20 zjarrfikës me 10 automjete.

Manastir - Bashkimi Evropian ka vendosur një objektiv prej 32% të konsumit të energjisë nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030. Ky tranzicion i energjisë është një sfidë që kërkon politikë të vërtetë të energjisë dhe mjete të përshtatshme investimi, dhe në këtë kuptim, Maqedonia e Veriut nuk mund të mbetet vëzhguese e këtij procesi. Ekspertët maqedonas-grekë vlerësojnë se kalimi drejt model të ri energjetik dhe implikimet që do t'i ketë mbi ekonominë mund të zgjidhen dhe tejkalohen më lehtë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me fqinjët, në këtë rast me qytetet Manastir, Prilep, Lerin, Kozhani dhe kjo ishte baza për bashkëpunim të drejtpërdrejtë ndërmjet profesorëve nga Akademia e Biznesit Smilevski-BAS, Oda Rajonale Ekonomike me qendër në Manastir, Universiteti i Kozhanit dhe Qendra për hulumtime dhe teknologji-Helas.

Prishtinë - Policia e Kosovës dje ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat për zhvillimin e pandërprerë të procesit zgjedhor nesër në katër komuna në veri të Kosovës. Qytetarët në ato komuna do të zgjedhin kryetarët e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe do të votohet edhe për këshilltarët e kuvendeve të komunave Leposaviq dhe Zveçan. Siç thuhet në kumtesën e policisë, masat janë marrë në bazë të planifikimit operativ dhe në koordinim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Beograd - Organizata Botërore për Mbrojtjen e Natyrës sot në Ditën e planetit Tokë, njoftoi se një zonë me madhësinë e Portugalisë humbet çdo vit në botë për shkak të prerjeve të paligjshme të pyjeve, që si pasojë direkte ka "ndryshime klimatike ende më katastrofike dhe përqindje më të madhe të humbjes së biodiversitetit".

Athinë- Forcat speciale nga Maqedonia e Veriut, Qiproja, Austria, Bullgaria, Franca, SHBA-ja, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia nikoqire, si dhe vëzhgues nga Egjipti dhe Izraeli do të marrin pjesë në stërvitjen ndërkombëtare "ORION 23" të forcave speciale - Forcat e Operacioneve Speciale, e cila nga 24 prilli deri më 5 maj do të mbahet në pjesën më të gjerë tokësore dhe detare të rajoneve greke të Atikës dhe Viotisë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Bruksel - Borxhi publik i të gjitha vendeve anëtare të BE-së në fund të vitit 2022 arriti në 84 për qind e prodhimit të tyre të brendshëm bruto, që është për 4 për qind më pak se në vitin 2021. Nga ana tjetër, borxhi i Eurozonës ishte 91.6 për qind e BPV-së së saj. Kjo është një rënie në krahasim me vitin 2021 kur ishte 95.5 për qind, njoftoi Eurostat. Rënia e nivelit të borxhit publik vitin e kaluar është rezultat i rritjes nominale më të lartë të BPV-së sesa e borxheve të vendeve anëtare.

Bruksel - Bashkimi Evropian vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve në kushte paqësore në veri të Kosovës është e një rëndësie thelbësore dhe u bën thirrje të gjitha palëve në përmbajtje, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. "Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe, e cila përfaqëson serbët e Kosovës, ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për më 23 prill në katër komunat veriore, pavarësisht se zgjedhjet janë shtyrë nga dhjetori në prill dhe afati për paraqitjen e kandidaturave është zgjatur", thekson Stano, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Uashington - India ka ndaluar importimin e armëve ruse për shkak të shqetësimeve rreth sanksioneve perëndimore kundër autoriteteve të vendit, raportoi sot Blumberg, duke cituar burime në qeverinë e Indisë. Raportohet se Rusia për një vit të tërë nuk ka mundur të marrë një pagesë prej dy miliardë dollarësh për armët e destinuara për Indinë.

Kartum - Të shtëna sporadike u dëgjuan mbrëmë vonë në të gjithë kryeqytetin e Sudanit, Kartum, edhe pse palët ndërluftuese ranë dakord për një armëpushim, ndërsa njëra palë tha se ishte gati të hapte një aeroport për evakuimin e shtetasve të huaj. Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Japonia, Zvicra, Koreja e Jugut, Suedia dhe Spanja kumtuan se po përgatiteshin ose po përpiqeshin të evakuonin personelin e tyre pas dhunës një javëshe në të cilën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Sudanit humbën jetën më shumë se 600 njerëz.

Shkup - Moti në mëngjes do të jetë me diell me vranësira të vogla deri në mesatare, ndërsa pasdite vende-vende jostabil me reshje të rrëmbyeshme lokale dhe bubullima. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 3 deri në 8 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 14 deri në 21 gradë.

QËNDRONI TË LIDHUR