• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

15:00/ 18 tetor/ 2025

Shkup– Sot filloi votimi për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat që janë në vuajtje të dënimit me burg apo në paraburgim dhe personat që janë regjistruar për të votuar dhe janë vendosur në ambientet e kujdesit jashtëfamiljar, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.  Gjithsej 8.848 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, siç thonë nga KSHZ, mund ta realizojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje lokale.  Duke filluar nga ora 07:00 në 14 Institucione Ndëshkuese Përmirësuese të drejtën e votës mund ta ushtrojnë 2162 persona që vuajnë dënim me burg.  Nga KSHZ informojnë se 442 persona të vendosur në institucionet e kujdesit jashtëfamiljar të drejtën e tyre të votës mund ta realizojnë në 13 qendra për kujdes jashtëfamiljar. Votimi sot filloi në orën 7 të mëngjesit, ndërsa do të përfundojë në orën 19.

Shkup – Të drejtë vote në Zgjedhjet e teta lokale 2025 kanë 1 832 415 votues, prej të cilëve 1 717 803 në vend përderisa 112 mijë të tjerë janë regjistruar në Listën e Vetme Zgjedhore me persona jashtë vendit, 2 162 të burgosur ose në paraburgim dhe 450 votues në shtëpitë e pleqve. Votim në diasporë për zgjedhjet lokale nuk ka, por nëse personat të cilët janë në punë të përkohshme ose jetojnë jashtë vendit udhëtojnë në vend do të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës.  Në Qytetin e Shkupit, numri i përgjithshëm i votuesve është 474 304 mijë. Nga komunat, më shumë qytetarë me të drejtë vote ka në Kumanovë – 94 041, Gostivar 82 893, Tetovë 87 878, Manastir 77 253, Aerodrom të Shkupit 68 772, Strugë 62 711 dhe Prilep me 62 053 votues. Më pak, ka në Llozovë 1 905, Vevçan 2 092, Novaci 2 429, Konçe 2 716 dhe Rankovcë 2 921 votues.

Shkup - Zgjedhjet lokale më 19 tetor të vitit 2025 do të jenë të tetat që nga pavarësia e shtetit, dhe të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarët dhe listat e këshillave në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Të drejtë vote kanë 1.832.415 shtetas të regjistruar në Listën e zgjedhësve. Në Zgjedhjet Lokale 2025, ka pasur gjithsej 309 kandidatë për kryetar komune, rritje prej 10 kandidatësh krahasuar me vitin 2021, kur kishte 299. Më së shumti kandidatë për kryetarë komunash - 683 ishin në zgjedhjet e para lokale në vitin 1996, dhe më së paku në zgjedhjet lokale të vitit 2017 - 257 kandidatë për kryetarë komunash. Numri i kandidatëve për kryetar komune varionte nga 323 në vitin 2000, 350 në vitin 2013, 364 në vitin 2009 dhe 379 në zgjedhjet e vitit 2005.

Shkup– Ministria e Kulturës dhe Turizmit informon se ka përfunduar procedura për zgjedhjen e kontraktorit për realizimin e projektit për rikonstruimin e objektit të Sallës Universale në Shkup. Sot është marrë Vendim për zgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm pas furnizimit publik për “Realizimin e punëve ndërtimore dhe artizanale dhe enterierit të objektit Salla Universale në Shkup – sipas parimit të ndërtimit Çelësi në dorë”. Pas përfundimit të afateve ligjore për ndarjen e marrëveshjes, siç bëhet e ditur në kumtesën e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, do të nënshkruhet marrëveshja për realizim, ndërsa pas përmbushjes së të gjitha parakushteve të nevojshme për fillimin e ndërtimit dhe vendosjen e kontraktorit në punë, do të vijojë fillimi zyrtar i aktiviteteve ndërtimore. Afati për realizimin e projektit është paraparë deri në dhjetor të vitit 2027. Furnizimi realizohet sipas parimit Çelësi në dorë, që nënkupton se në afatin e paraparë objekti do të ndërtohet në tërësi, do të rregullohet dhe përgatitet për shfrytëzim, gjegjësisht për mbajtjen e koncerteve, ngjarjeve dhe përmbajtjeve të tjera kulturore.

Shkup – Prej mbrëmë në mesnatë e deri më 19 tetor në orën 19:00 është heshtje zgjedhore. Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele njoftoi se gjatë heshtjes, mediat vazhdojnë të raportojnë për procesin zgjedhor, por ndërpriten të gjitha format e prezantimit mediatik zgjedhor, të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.  Sipas Kodit Zgjedhor, shkelje e heshtjes zgjedhore konsiderohet transmetimi i çdo informacioni, fotografie, materiali audio dhe audiovizual që lidhet me ose përfshin pjesëmarrësit në zgjedhje, çdo formë e raportimit mediatik që është hapur ose fshehurazi në funksion të fushatës së dikujt dhe mund të ndikojë në vendimin e votuesve, të dhëna që zbulojnë identitetin e subjekteve politike dhe/ose individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi në ditën e votimit; si dhe deklaratat e kandidatëve në procesin zgjedhor, përfaqësuesve të partive politike dhe mbajtësve të funksioneve në organet e pushtetit.

Shkup– Zgjedhjet e teta lokale në Maqedoni të cilat do të mbahen të dielën do t’i monitorojnë 1451 vëzhgues vendorë dhe të huaj. KSHZ-ja akreditoi 807 vëzhgues vendorë dhe 644 të huaj. Të akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve janë edhe 12 gazetarë të huaj. 

Shkup – Komisioni për zgjedhjen e kandidatit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për gjykatës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, të hënën (20 tetor) do të mbajë mbledhje në hapësirat e Gjykatës Kushtetuese.  Pas mbledhjes, siç informojnë nga Komisioni, do të realizohen intervista me kandidatët, të cilat do të zhvillohen në gjuhën angleze dhe franceze.  Në drejtim të transparencës së rritur, intervistat do të mbahen para vëzhguesve të pavarur. Në intervista, siç thonë nga Komisioni, do të marrin pjesë përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare “Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë” dhe Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë. 

Shkup – Ministria e Transformimit Digjital e përshëndet vendimin e Komisionit Evropian për miratimin e lëshimit të dytë të mjeteve për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë të përgjithshme prej 16 milionë euro.  “Komisioni Evropian në kuadër të vlerësimit të tij teknik vlerësoi se katër reforma janë realizuar me sukses, prej të cilave tre janë në sferën e transformimit digjital, që përfaqëson mirënjohje të rëndësishme për proceset e reformave të kryesuara nga Ministria e Transformimit Digjital”, njoftuan sot nga Ministria. 

Shkup – Në Institucionin Ndëshkues Korrigjues KND “Idrizovë” votimi për zgjedhjet lokale ka filluar me kohë dhe po realizohet si është më mirë, informojnë nga Këshilli Zgjedhor në vendvotimin 2536.  “Vendvotimi u hap me kohë. Votimi filloi në orën 7:00 dhe rrjedh si më mirë. Shpresoj se edhe deri në fund të votimit do të jetë kështu”, deklaroi Jadranka Mitievska, kryetare e Këshillit Zgjedhor në këtë vendvotim. Ajo theksoi se numri i përgjithshëm i votuesve në vendvotim është 1084 deri më tani dhe se sot në mëngjes deri në orën 10 kanë votuar rreth 10 për qind të të burgosurve. Vendvotimi, thotë ajo, mbyllet në orën 19:00 dhe shton se shpreson se votimi do të kalojë si është më mirë. 

Shkup - Vijon periudhë e motit stabil, përveç të mërkurës, kur do të ketë reshje lokale të shiut. Temperaturat gjatë ditës nga e enjtja do të jenë në rritje, informon Drejtoria për punë hidrometeorologjike. Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me reshje lokale të kohëpaskohshme me intensitet më të ulët. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare kryesisht nga veriu. Temperatura maksimale do të jetë në intervalin prej 13 deri në 19 gradë Celsius. Në Shkup, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe reshje të përkohshme. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura maksimale do të arrijë 16 gradë Celsius.

Strugë – Gjithsej 296 të sëmurë dhe të pafuqishëm dhe shtatë të burgosur sot do ta realizojnë të drejtën e tyre të votojnë në 77 vendvotime në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale në Strugë dhe rrethinë, informoi për MIA-n kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Minir Zhuta.  Sipas tij, pandërprerë zhvillohet marrja e materialit zgjedhor nga ana e këshillave zgjedhorë dhe votimi i personave të sëmurë dhe të pafuqishëm në shtëpitë e tyre.  Për funksionin e kryetarit të komunës në Strugë do të zgjidhet ndërmjet nëntë kandidatëve, përderisa për anëtarë të Këshillit do të zgjidhet nga 10 lista të këshilltarëve.  Në territorin e komunës Strugë qytetarët do të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës në 101 vendvotime. 

Kumanovë - Në Kumanovë po zhvillohet votimi për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, kumtoi sot kryetarja e KZK- Kumanovë, Kristina Cvetkovska. Të drejtë vote kanë 166 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm. "Votimi në burgun e Kumanovës ka filluar në orën 7 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 19. Do të ketë dy ndërrime, këshilla zgjedhor. Në Shtëpinë e pleqve poashtu me kohë ka filluar votimi", deklaroi Cvetkovska. Në Kumanovë janë shfuqizuar tre vendvotime, në fshatrat Kosmatac, Sushevë dhe Vincë. Nesër të drejtë vote kanë 94.041 votues, duke e bërë Kumanovën komunën me numrin më të madh të votuesve që do të votojnë në 164 qendra votimi.

Tiranë - Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja njoftoi në rrjetet sociale se "nga janari deri në shtator të këtij viti, Shqipëria ka pritur 10.228.686 turistë që paraqet një rritje prej 6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar". "Ky trend pozitiv dëshmon për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të turizmit dhe angazhimin e përbashkët për të promovuar Shqipërinë si një destinacion mikpritës dhe më tërheqës", shkroi Gonxhja. Ai shtoi se nga Alpet shqiptare deri në vijën e gjatë bregdetare, vendi ofron një pako të plotë turistike për çdo lloj turisti dhe çdo vit harta e vendeve nga vijnë ata po zgjerohet.

Bruksel- Komisioni Evropian ka thënë se çdo takim i mundshëm midis presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit rus Vladimir Putin do të ishte i mirëpritur nëse do të kontribuonte në arritjen e "paqes së drejtë dhe të qëndrueshme" në Ukrainë, publikoi Anadolia. Duke folur në konferencë për media, zëdhënësi i Komisionit Evropian Olof Gil tha se "Presidentja (Ursula) fon der Lajen mirëpret çdo hap që çon në paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Nëse takimi i propozuar për të cilin po flisni i shërben këtij qëllimi, ne do ta mirëpresim atë", deklaroi ai. Gil theksoi se qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Ukrainës është "shumëvjeçar dhe i njohur mirë" dhe se "është koha që Rusia t'i japë fund luftës së saj të pakuptimtë dhe të paligjshme dhe agresionit kundër Ukrainës".

Kiev – I besojmë SHBA-së, besojmë që presidenti Donald Tramp dëshiron t’i japë fund luftës, deklaroi presidenti ukrainas Volodomir Zelenski në konferencë për media pas takimit me shefin amerikan të shtetit në Shtëpinë e Bardhë.  Zelenski e përshkroi takimin me Trampin si produktiv.  Lideri ukrainas refuzoi të japë çfarëdo lloj deklarate në lidhje me dërgesën potenciale të raketave “Tomahavk” nga SHBA-ja në Ukrainë.  “Biseduam edhe për raketa me rreze të gjatë veprimi dhe nuk do të jap kurrfarë deklarata për këtë çështje. Vendosëm të mos flasim për këtë sepse SHBA-ja nuk dëshiron përshkallëzim”, sqaroi Zelenski. 

Berlin – Zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius e përshkroi takimin ndërmjet presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit ukrainas Volodomir Zelenski si konstruktiv, pasi lideri ukrainas pati bisedë telefonike me liderët evropianë, duke përfshirë edhe kancelarin gjerman Fridrih Merc, pas takimit me Trampin, njoftoi DPA.  Merci dhe liderët e tjerë evropianë supozohet se e kanë përshëndetur “bashkëpunimin e ngushtë transatlantik” dhe e theksuan nevojën e arritjes së paqes së drejtë dhe të përhershme për Ukrainën.  “Ukrainës tani i duhet plan paqësor”, tha Merci pas bisedës me Zelenskin. 

Pekin– Kina është e gatshme për bisedime të reja tregtare me SHBA-në “sa më shpejtë që është e mundur”, njoftuan sot mediat kineze.  Informacioni u paraqit në hapësirën mediatike në prapavijë të përpjekjeve të Pekinit dhe Uashingtonit që të shmangin përshkallëzim të ri të doganave.  Informacioni ishte publikuar pas video konferencës ndërmjet zëvendëskryeministrit kinez dhe kryenegociatorit tregtar He Lifen dhe ministrit amerikan të Financave, Skot Besant. 

Tel Aviv – Sipas Forcave Izraelite të Mbrojtjes (IDF), një anije izraelite sot ka qëlluar të shtëna paralajmëruese drejt disa anijeve palestineze të cilat e shkelën bllokadën detare dhe përfaqësonin kërcënim për ushtarët përgjatë bregut të pjesës jugore të Rripit të Gazës.  Sipas ushtrisë, anijet palestineze u kthyen prapa pasi ishin qëlluar të shtëna paralajmëruese, njofton “Tajms of Izrael”.  Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar në incident.

Uashington - Protesta në më shumë se 2.600 lokacione të quajtura "Pa mbretër" (No kings) janë planifikuar të zhvillohen sot në të 50 shtete të SHBA-së, mobilizim masiv kundër politikave të presidentit Donald Tramp mbi migracionin, arsimin dhe sigurinë që organizatorët thonë se po e shtyjnë vendin drejt autokracisë. Protesta e dytë e tillë e kësaj shkalle, në qytete, periferi dhe qyteza të vogla në të gjithë SHBA-në pas atyre në qershor, shihet si një masë e frustrimit të kundërshtarëve të agjendës konservatore që është përhapur shpejt në të gjithë vendin.

Gazë - Izraeli ktheu sot trupat e 15 palestinezëve në Gazë duke e çuar numrin total të personave të kthyer në 135, informoi sot Ministria e Shëndetësisë së Rripit të Gazës e drejtuar nga Hamasi. Sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Tramp, Izraeli duhej të kthente trupat e 15 palestinezëve për çdo peng izraelit të vdekur, bën të ditur "Tajms of Izrael". Më herët sot, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu tha se Hamasi duhet ta respektojë marrëveshjen dhe të kthejë eshtrat e 18 pengjeve të mbetura të vrarë që ndodhen ende në Rripin e Gazës.

Mançester - Ish trajneri i reprezentacionit të Italisë, Roberto Mançini, mund të bëhet trajner i Mançester Junajtedit nëse Ruben Amorim largohet nga posti i tij, bën të ditur "San". Eksperti 60- vjeçar i futbollit si dhe bashkëpronari i klubit Xhim Ratklif, jetojnë në jug të Francës. Kohët e fundit ata janë parë shpesh në evente shoqërore. Mançini ka punuar në Angli, duke trajnuar Mançester Sitin nga viti 2009 deri në vitin 2013. Nën udhëheqjen e tij, ekipi fitoi titullin e Premier ligës në vitin 2012. Pozicioni i fundit i tij si trajner ka qenë për reprezentacionin e Arabisë Saudite të cilin e la në tetor 2023.

QËNDRONI TË LIDHUR