• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00 / 31 korrik / 2025

Shkup - Komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot përcaktoi vendimin Faton Selami të propozohet për Avokat të ri të popullit, në vendin e Naser Ziberit, i cili doli në pension. Komisioni do t'ia përcjellë propozim-vendimin Kuvendit dhe pritet të votohet sonte në seancë plenare. Kryetari i Komisionit, Gjorgija Sajkoski, informoi se në shpalljen për zgjedhjen e Avokatit të popullit  janë paraqitur 17 kandidatë - Ylber Rufati nga Kërçova, jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike, Muhamed Hodai nga Tetova, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës, Alban Kadriu nga Tetova, jurist i diplomuar, magjistër me provim të dhënë të jurisprudencës, Mile Arsenievski nga Shkupi, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës, Svetisllav Jovanovski nga Kumanova, jurist i diplomuar, Faton Selami nga Tetova, jurist i diplomuar, magjistër i shkencave juridike me provim të dhënë të jurisprudencës dhe noterisë, Shemshi Sallai, nga fshati Dobërdoll. Komuna e Vrapçishtit, jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike , Fehmi Stafa nga Shkupi, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës dhe provim të noterisë, Doan Sulejmanovski nga Prilepi, jurist i diplomuar dhe magjistër i së drejtës penale me provim të dhënë të jurisprudencës, Nikollçe Petkovski nga Shkupi, jurist i diplomuar i specialist i shkencave juridike me provim të dhënë të jurisprudencës, Feuzi Xhaferi nga Gostivari, jurist i diplomuar dhe magjistër i diplomacisë, jurist, Driton Nebiu nga Shkupi, jurist i diplomuar dhe magjistër i të drejtave të njeriut dhe demokracisë, Shpend Fidani nga fsh. Dobërdoll, Komuna e Vrapçishtit, jurist i diplomuar dhe magjistër i së drejtës penale me provim të dhënë të jurisprudencës dhe noterisë, Fatmir Emrullau nga fshati Strellc, Kërçovë, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës dhe punon si avokat në zyrën e tij të avokatit, Ilir Ramadani nga Kërçova, jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike, Emran Ismail, jurist i diplomuar dhe magjistër i së drejtës ndërkombëtare me provim të dhënë të jurisprudencës dhe Fadil Xhelili, jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike me provim të dhënë të jurisprudencës, punon si avokat në zyrën e tij të avokatit.

Shkup – Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova për nesër në mesditë e konvokoi mbledhjen e dytë të Këshillit të Sigurisë. Anëtarë të Këshillit të Sigurisë janë: Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit, Hristian Mickoski, kryetar i Qeverisë, Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme, Vllado Misajllovski, ministër i Mbrojtjes, Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe tre anëtarë, të emëruar nga presidentja Xhevdet Hajredini, Malinka Ristevska – Jordanova dhe Vllado Spiridonov. 

Shkup - Maqedonia në lidhje me pagën minimale në krahasim me shpenzimet e jetesës është më mirë se Portugalia, Greqia, Mali i Zi, Qipro, Malta, Shqipëria, Serbia, Hungaria, Çekia, Bullgaria, Letonia, Estonia,... Këtë nuk e themi ne, por "Fajnens tink", tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. Duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve, Mickoski theksoi se vendi është diku në mes nëse marrim parasysh nivelin më të lartë të pagës minimale krahasuar me shpenzimet e jetesës - në Gjermani dhe nivelin më të ulët - në Shqipëri.

Shkup - Ndoshta dikush nuk arriti të sjellë "Gugllin" dhe "Fejsbukun", por me gjasë një brend i njohur botëror do të blejë energji elektrike të prodhuar në Maqedoni, përmes parkut të erës "Alkazar enerxhi". Negociatat janë në fazën përfundimtare, ndërsa se për kë bëhet fjalë do ta la ta thotë kompania- investitor", tha sot nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Hristijan Mickoski. Siç theksoi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve se kush do të jetë gjiganti që do të furnizojë energji elektrike nga vendi do të dihet deri në fund të gushtit. "Do t’ia lë kompanisë investitore ta bëjë të ditur këtë deri në fund të gushtit. Ata janë në fazën e fundit të negociatave. Bëhet fjalë për një brend të madh që është ndër tre më të mirët në botë në industrinë e saj dhe do të përdorë energji elektrike nga parku i erës 'Alkazar enerxhi'. Nëse pranohet sugjerimi im në ato 300 hektarë tokë që 'Alkazar enerxhi' të instalojë panele solare dhe bateri, atëherë do të përdoret një sistem hibrid i prodhimit", ka thënë kryeministri.

Shkup – Në pauzën e dhënë për mbledhjen për pyetje të deputetëve, Kuvendi vazhdoi me punë për mbledhjen e 64-t, në të cilën njëzëri e miratoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, me procedurë të shkurtër, i parashtruar nga deputetët Bojan Stojanoski, Dragan Kovaçki dhe Pavle Arsoski. Pas shterimit të rendit të ditës të kësaj seance, deputetët vazhduan punën pas seancës së re të 65-të, në të cilën u miratua Vendimi për ndryshimin e Vendimit për shkarkimin dhe emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit për Ndarjen e Çmimit Shtetëror "23 Tetori", dhe për ndryshimin e Vendimit për shkarkimin dhe emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit për Ndarjen e Çmimit Shtetëror "11 Tetori", si dhe Vendimin për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të parashtruar nga deputeti Gjorgija Sajkoski.

Shkup - Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska sot deklaroi se nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është dorëzuar dokumentacion i gjerë prej 3.200 faqesh lidhur me procedurat e dyshimta për legalizimin dhe ndërtimin e objekteve në Komunën e Çairit. Në brifingun me gazetarët ajo në detaje dha shpjegim mbi dokumentacionin i cili përmbante prova të falsifikuara, duke përfshirë edhe deklaratat e nënshkruara nga persona të cilët ishin të mitur në kohën e ndërtimit të supozuar. "Bëhet fjalë për ndërtesa të cilat janë ndërtuar tani, në momentin që flasim, pa asnjë dokument, pa projekt, pa statistikë, pa asnjë denar të paguar ndaj qytetit. Ata janë objekte të mëdha të cilat nuk mund të fshihen, as në xhep të vendosen", deklaroi Arsovska, duke potencuar se bëhet fjalë për "operacion të qartë për larje parash".

Shkup - Në Stacionin Transformator Dubrovë u  zhvillua me sukses  dorëzimi i  transformatorit të  ri 400/110 kV. Ky projekt kapital është pjesë e programit më të gjerë për modernizimin, përforcimin dhe zhvillimin e infrastrukturës elektroenergjetike të ShA  MEPSO. Pajisja e re do të kontribuojë ndjeshëm në furnizimin më të qëndrueshëm dhe më efikas me energji elektrike për amvisëritë dhe subjektet ekonomike në rajon, duke përmirësuar kushte e tensionit dhe duke rritur besueshmërinë e TS Dubrovë. Nga SHA MEPSO paralajmërojnë se në ditët në vijim do të fillojë procesi i instalimit dhe integrimit të transformatorit në sistem,  me ç’rast po i njëjti do të vihet në funksion.

Shkup - Deputetja Rina Ajdari nga Fronti Evropian në seancën e sotme për pyetje të deputetëve, e pyeti zëvendëskryeministrin e parë Izet Mexhitin për bashkpartiakun e tij në Vlen, Bilall Kasamin, me pretendim se si kryetar i komunës së Tetovës ka shitur "për interesa personale" hapësirë publike në qendër të qytetit, truall prej rreth 2.900 metra katrorë për 190.000 euro, ndërsa, siç tha, çmimi real është dhjetë herë më i lartë. Akuzave për kryetarin e komunës së Tetovës, Mexhiti në seancën e pyetjeve të deputetëve u përgjigj se në atë komunë janë të njohura parcelat e tokës të dhëna për biznesmenin malazez Miodrag Davidoviq - Daka, i cili është, tha, "në listën e zezë të SHBA-së".

Shkup - E latë spitalin në një gjendje të mjerueshme, me objekte të epokës komuniste dhe të pasigurta statikisht. Kujdeseni kur jeni në opozitë, e çfarë bëtë kur ishit në pushtet? - iu përgjigj ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu akuzave të deputetes Rina Ajdari nga Fronti Evropian se prej se është në atë detyrë, nuk ka paraqitur asnjë investim për Spitalin klinik në Tetovë dhe nuk ka kumtuar plane për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe punësimin e punëtorëve me kontratë. Aliu në seancën e pyetjeve të deputetëve tha se është në detyrë prej 52 ditësh, ose 38 ditë pune, por se tre herë e ka vizituar spitalin që kur është ministër.

Shkup – Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, sot bëri thirrje për kujdes për Festat e Ilindenit, që të mos shkaktohen zjarre. “Ju bëj thirrje të gjithëve, gjatë festave të Ilindenit, të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm, sepse për një çast mund të shkaktohet zjarr me pasoja katastrofale”, tha ai. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ai sqaroi se helikopteri bllek – hok dhe forcat nga Sllovenia do të qëndrojnë këtu të paktën shtatë ditë. 

Shkup - Është regjistruar zjarr në komunën e Berovës në afërsi të malit Golem Goten (Goteni i Madh) në drejtim të maleve të Maleshevës dhe është nën kontroll, deklaroi sot drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali. Ai tha se po intervenojnë automjete speciale nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), një helikopter nga Çekia, pjesëtarë të zjarrfikësve nga Berova, pjesëtarë të zjarrfikësve nga Sllovenia si dhe vullnetarë nga Pyjet kombëtare. Drejtori i QMK-së Ali shprehu mirënjohje për Republikën Çeke dhe Slloveninë që nëpërmjet aktivizimit të Mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së dërguan menjëherë ndihmë për t'u përballur me zjarret në vend.

Tetovë - Spitali klinik i Tetovës informoi se përsëri do të mund të kryhen ndërhyrjet oftalmologjike pasi që kishte një pauze për riparimin e një defekti në njërën nga aparatet. Njëkohësisht informuan se pacientët do të thirren sipas listës së pritjes. "Pas një pauze prej disa muajsh, pas riparimit të defektit të aparatit për fakoemulsifikim, pajisjes me mikroskopin e ri dhe furnizimit me materialet e nevojshme të përkohshme për ndërhyrjet kirurgjikale të kataraktës (perdes) sot ka rifilluar punën salla e oftalmologjisë dhe ajo ka marrë sërish gjallëri", kumtoi Spitali klinik i Tetovës në faqen e saj në internet.

Tetovë – Tre persona e kanë humbur jetën rreth orës 16 në autostradën Tetovë – Shkup. Sipas informacioneve fillestare nga SPB Tetovë, ka pasur përplasje midis një automjeti "Opel" me targa të Tetovës dhe një autobusi. "Dy persona, një burrë dhe një grua vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa një grua vdiq në Spitalin klinik në Tetovë ku poashtu është dërguar një fëmijë i lënduar me qëllim t’i ofrohet ndihmë mjekësore", thuhet në informacionin fillestar të SPB Tetovë.

Tetovë – Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e sotme të 54-t votoi ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit të Komunës së Tetovës për vitin 2025, me çka rritet vlera për rreth tre milionë euro. Bëhet fjalë për mjetet e mara nga “kredia hungareze”, të cilat janë të dedikuara për projekte kapitale. “Është paraparë që të përfundojë bulevardi ‘Vidoe Smilevski – Bato’ deri në destinacionin final sipas projektit ndërsa ajo është deri në hyrje të fshatit Poroj. Parashihet ndërtimi i një pjese të infrastrukturës rrugore në fshatrat Xhepçisht dhe Reçicë e Madhe. Një nga projektet më të mëdha, në kuadër të programit zhvillimor është njëjtë ndërtimi i edhe një ndërtese komunale në afërsi të ndërtesës ekzistuese, ku më herët ishin barakat e inspektoratit komunal. Ka edhe projekte të tjera më të vogla”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Tetovës. 

Kumanovë - Policia maksimalisht është e përkushtuar në sigurinë dhe po zbaton disa aksione operative, ndërkaq në mënyrë shtesë gjatë fundjavës së ardhshme festive, masa të përforcuara të sigurisë do të ketë në qendrat turistike në shtet, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili sot e vizitoi vendkalimin kufitar "Tabanoc" dhe e promovoi fushatën parandaluese "Sigurt në verë - ngisni të pushuar". "Ministria e Punëve të Brendshme po vepron në disa aksione operative, të cilat i ka në ambient të hapur. Kemi aksion operativ 'zjarr' dhe 'qytet i sigurt". Po veprojmë në mënyrë intensive në vazhdimësi sipas disa aksioneve operative dhe gjithsesi në kuadër të aktiviteteve të përditshme policore që i kemi. Maksimalisht jemi të përqëndruar, të përkushtuar në terren në pajtim me kushtet dhe kapacitetet të cilat i kemi", deklaroi ministri i Punëve të Brendshme.

Kumanovë – Me shumë përgjegjësi them se ndryshimet e Ligjit për Policinë dhe të Punëve të Brendshme do të kontribuojnë për profesionalizimin e MPB-së, funksionim më të mirë të nëpunësve të policisë, ndërsa qytetarët do t’i shohin përfitimet për një vit, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski i cili sot e vizitoi vendkalimin kufitar “Tabanoc” dhe e promovoi fushatën parandaluese “Të sigurt në verë –Ngisni të pushuar”.  “Nuk do të doja të komentoja për opozitën. Ajo vazhdon të punojë kundër interesave të qytetarëve maqedonas, ndërsa rezultatet e mosveprimit dhe mosfunksionimit të saj do të shfaqen në zgjedhjet lokale. Megjithatë, në lidhje me të gjitha ato akuza që lidheshin konkretisht me Ligjin për Policinë dhe Ligjin për Punë të Brendshme, me përgjegjësinë më të madhe pohoj se asnjë nga akuzat nuk është e vërtetë, përkundrazi, do të kontribuojmë në rritjen e profesionalizmit në MPB”, deklaroi Toshkovski.

Veles - Gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçari T.B. nga Velesi dje është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij. Mjeku nga Ndihma urgjente mjekësore ka konstatuar vdekje pa gjurmë të dhunës, informoi sot zëdhënësja e SPB Veles, Biljana Gjakovska. Ajo theksoi se Ndihma urgjente mjekësore në ora 19:20 rastin e kanë denoncuar në Sektorin e punëve të brendshme Veles.

Bruksel – Negociatorët e BE-së dhe SHBA-së punojnë në finalizimin e deklaratës së përbashkët të bazuar në marrëveshjen e arritur ndërmjet kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe presidentit amerikan Donald Tramp, deklaroi sot zëdhënësi i KE-së për tregti dhe dogana, Ollof Gill. “Kur do të dihen korniza më të sakta kohore do t’ju informojmë”, tha Gill në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve se deri ku është përgatitja e deklaratës së përbashkët të paralajmëruar të BE-së dhe SHBA-së për saktësimin e dispozitave nga marrëveshja tregtare e arritur të dielën. 

Berlin - Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johan Vadefull, sot deklaroi se negociatat për zgjidhjen me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve duhet "të fillojnë menjëherë". Ai paralajmëroi se Berlini mund t'u përgjigjet "hapave të njëanshme" në këtë proces, duke theksuar se zgjidhje të tilla mbeten e vetmja mënyrë për të arritur paqe, siguri dhe dinjitet të qëndrueshëm për njerëzit nga të dyja anët.

Islamabad - Nga reshjet monsune të cilat goditën Pakistanin në fund të qershorit jetën e kanë humbur gjithsej 300 persona, ndërsa më shumë se 700 të tjerë janë lënduar, kumtoi Agjencia nacionale për menaxhimin e fatkeqësive (NDMA). Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në 24 orët e fundit kanë vdekur gjashtë persona, ndërsa dy janë lënduar.

Tunis - Kryeministrja e Italisë, Xhoxha Meloni, qëndron në Tunizi, ku u takua me presidentin e vendit, Kais Said. Meloni theksoi se fokus i vizitës është shkëmbimi i ideve për Planin Matei për Afrikën dhe përforcimi i bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve. Plani Matei, i emëruar sipas të ndjerit Enriko Matei, themelues i gjigantit italian të energjetikës "Eni" ka për qëllim të nxisë parteneritete me vendet afrikane në fushën e bujqësisë dhe energjetikës, njoftoi Ansa.

Madrid - Mijëra zjarrfikës kufitarë në Spanjë dhe Portugali sot kanë luftuar me disa zjarre pyjore, prej të cilave disa po digjen disa ditë. Pjesa më e madhe e Spanjës dhe Portugalisë janë nën rrezik të lartë nga zjarret pyjore, ndërsa pritet rritje e temperaturave gjatë fundjavës. Në Spanjën qendrore, zjarrfikës dhe njësi speciale ushtarake kanë luftuar që ta vendosin zjarrin nën kontroll gjatë natës në provincën Avila. Në provincën Kaseres në pjesën perëndimore të vendit, autoritetet lokale kumtuan se zjarrfikësit kryesisht e kanë stabilizuar zjarrin që ka përfshirë rreth 2.500 hektarë. 

Uashington - Ministri i Financave të SHBA-së, Skot Besent deklaroi sot se SHBA-ja dhe Kina kanë "bazë për marrëveshje" rreth tregtisë para afatit kyç për vendosjen e tarifave të reja, duke shtuar se është vetëm çështje teknike. "Besoj se kemi bazë për marrëveshje. Ka ende disa detaje teknike nga ana kineze të cilat duhen të sqarohen. Jam i bindur se kjo do të zgjidhet edhe pse marrëveshja nuk ka përfunduar ende plotësisht", deklaroi Besent për Si-En-Bi-Si.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot deklaroi se gatishmëria e Kanadasë për ta njohur shtetin palestinez mund t'i rrezikojë negociatat tregtare. "Kanada sapo publikoi se përkrah shtetësinë e Palestinës...Kjo shumë do ta vështirësojë lidhjen e marrëveshjes tregtare me ta", ka shkruar Tramp në platformën e tij "Truth Social". Kryeministri kanadez Mark Karni dje deklaroi se Kanada do ta njoh "Shtetin e Palestinës" në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bahskuara në shtator, nëse plotësohen kushte të caktuara.

Uashington – Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, sot e akuzoi kryetarin e Rezervave Federale (FED), Xherom Pauel, se është “i përfshirë shumë në politikë” për funksionin e tij dhe se ka humbur miliarda dollarë amerikanë. “Xherom ‘Tepër vonë’ Pauel e bëri përsëri! Ai është ‘tepër vonë’ dhe në fakt, shumë i zemëruar, shumë i marrë dhe i përfshirë shumë në politikë për të qenë kryetar i Rezerave Federale. Ai po i kushton vendit tonë triliona dollarë”, shkroi Trampi në rrjetin e tij social Truth Soushëll.

Uashington - SHBA-ja ka vendosur sanksione kundër përfaqësuesve të Drejtorisë palestineze (PA) dhe anëtarë të Organizatës çlirimtare palestineze (PLO), kumtoi sot Departamenti i Shtetit. Siç thuhet në kumtesë, sanksionet përfshijnë ndalesë për dhënie të vizave amerikane për individët e përfshirë.

QËNDRONI TË LIDHUR