• e hënë, 16 mars 2026
MIA Flesh

12:00/ 16 mars/ 2026

Shkup- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJ TJ) Timço Mucunski sot në mëngjes ka realizuar bisedë telefonike me ministrin e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, ku dy ministrat konfirmuan kënaqësinë e tyre të ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy vendeve, duke theksuar gatishmërinë e tyre për t'i përmirësuar të njëjtat më tej. Siç ka bërë të ditur MPJ TJ, në bisedë është diskutuar edhe perspektiva evropiane e dy vendeve, si dhe aktivitetet e përbashkëta në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE). Njëherësh është theksuar edhe rëndësia e projektit të Korridorit 8 i cili paraqet një prioritet të përbashkët me rëndësi për të dy vendet, si dhe për avancimin e lidhjes dhe zhvillimit rajonal.

Koçan - Me vendosjen e instalacionit simbolik "63 karrige të bardha - 63 jetë", sot, në Parkun e Revolucionit në Koçan, filloi shënimi i përvjetorit të zjarrit tragjik në diskotekën "Puls", në të cilin më 16 mars të vitit të kaluar e humbën jetën 63, ndërsa u lënduan më shumë se 200.  Gjashtëdhjetë e tre karrige të bardha të rregulluara në heshtje në ambient të hapur dhe një trendafil i bardhë mbi to për kujtim dhe një libër të hapur ngushëllimi si dëshmi e heshtur për jetët e ndërprera në vitet më të mira. "63 karrige të bardha, 63 emra, 63 jetë që mungojnë - secila karrige mbart heshtjen e një pranie të munguar, një trëndafil të bardhë për kujtim, një dritë për kujtim dhe një vend që nuk do të mbushet kurrë - ishte mesazhi me të cilin delegacionet e shumta i pritën familjet e të ndjerëve dhe të tjerët para Shtëpisë së Kulturës në Koçan.

Shkup – Sot bëhet një vit nga tragjedia në diskotekën “Puls”, në të cilën u shuan shumë jetë të reja, ndërsa një numër i madh i të pranishmëve aty atë natë ishin lënduar. Ajo ditë dhe tridhjetë ditët e ardhshme ishin një nga periudhat më të vështira të karrierës sime si mjek, shkroi në profilin e tij në Fejsbuk prof.dr. Andon Çibishev.  Në Klinikën Universitare të Toksikologjisë, thekson doktori, ishin hospitalizuar njëzetë pacientë të lënduar rëndë për shkak të helmimit akut me gazra helmues, ndërsa në periudhën që vijoi kaluan edhe një numër i madh i pacientëve të cilët atë natë ishin të pranishëm në diskotekë.  Ai thekson se me punë profesionale dhe të përkushtuar dhe kujdes i gjithë personeli në Klinikë arriti t’i stabilizojë këta pacientë të rinj dhe të gjithë ata sot janë me familjet e tyre. 

Shkup – Uji në Shkup është i sigurt për t’u pirë, tregon analiza mikrobiologjike e 192 mostrave nga 48 vende matëse.  NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup kumtoi sot se Sektori për Kontroll Sanitar në periudhën prej 9 deri 13 mars ka marrë 192 mostra për analizë fizike – kimike dhe 192 mostra për analizë mikrobiologjike të ujit për pije nga 48 vende matëse në Qytetin e Shkupit.  “Në bazë të rezultateve të mara nga hetimet, të gjitha mostrat janë në përputhje me Rregulloren për kërkesa për siguri dhe cilësi të ujit për pije (Gazeta Zyrtare e RMV-së, nr.183/18)”, informon NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup.

Shkup - Temperatura më e ulët këtë mëngjes është matur në Berovë, minus katër gradë, ndërsa më e larta në Shkup - Zajçev Rid, katër gradë.  Sipas informacioneve të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, në Berovë janë matur minus katër gradë, në Hanet e Mavrovës minus dy, ndërsa minus një gradë është matur në Kodrën e Diellit, Kriva Pallankë dhe Llazaropole, zero gradë në Manastir, Tetovë dhe Krushevë; një gradë në Strumicë, Shkup-Petrovec, Prilep, Pozharanë, Veles dhe Pretor; dy gradë në Kumanovë, Ohër, Gjurishte, Kavadar dhe Gjevgjeli. Tre gradë janë matur në Viniçë, Shtip, Topolçani dhe Demir Kapi, ndërsa katër gradë në Shkup-Zajçev Rid Lartësia e shtresës së borës në Kodrën e Diellit arrin 51 centimetra.

Banja Llukë – Kryeministri i Republikës Sërbska, Savo Miniq, sot dha dorëheqje nga funksioni.  Miniq vendimin e konfirmoi në konferencën e sotme për media, ndërsa ajo është e papritur sepse më parë nuk kishte paralajmërim se mund të ndodhë diçka e tillë.  Miniq në fillim të shkurtit e trashëgoi Radovan Vishkoviqin nga SNSD në funksionin kryeministër i RS-së.

Paris - Presidenti francez Emanuel Makron njoftoi mbrëmë se në një bisedë me presidentin iranian Masud Pezeshkian, i bëri thirrje Iranit që menjëherë të ndërpresë sulmet ndaj vendeve në rajonin e Lindjes së Afërt, të kryera drejtpërdrejt ose përmes ndërmjetësve në Iran dhe Liban. “I kujtova atij se Franca vepron brenda një kuadri rreptësisht mbrojtës, me qëllim mbrojtjen e interesave të saj, partnerëve rajonalë dhe lirisë së lundrimit, dhe se është e papranueshme që vendi ynë të jetë në shënjestër”, shkroi Makron në një postim të publikuar në platformën sociale Iks. Ai thekson se një përshkallëzim i pakontrolluar si ai aktual po e zhyt të gjithë rajonin në kaos, me pasoja të rënda, si sot ashtu edhe për vitet që do të vijnë.

Bruksel - Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, e vlerësoi sot vendimin e SHBA-së për të lehtësuar përkohësisht sanksionet kundër eksporteve të naftës ruse si një "precedent të rrezikshëm". “Rusia duhet të ketë më pak, jo më shumë, mjete për të zhvilluar luftë”, shtoi Kallas para fillimit të takimit të sotëm të ministrave evropianë të Punëve të Jashtme në Bruksel. Ajo kërkoi që ngjarjet në Lindjen e Afërt të mos e shpërqendrojnë vëmendjen nga lufta në Ukrainë. "Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit është edhe në interes të Rusisë" theksoi Kallas.

Londër - Një student i Universitetit të Kentit dhe një nxënës i shkollës fillore kanë vdekur nga meningjiti si rezultat i epidemisë që është përhapur në gjithë rajonin e Kanterberit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa 11 të tjerë janë hospitalizuar dhe janë në gjendje të rëndë, bëri të ditur sot "Skaj njuz". Vlerësohet se shumica e të hospitalizuarve me meningjit janë të moshës midis 18 dhe 21 vjeç, ndërsa disa janë studentë. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) kumtoi se kishte kontaktuar më shumë se 30.000 studentë, staf dhe familjet e tyre për t'i informuar ata për përhapjen e epidemisë, ndërsa banorëve të disa blloqeve të akomodimit të studentëve u është urdhëruar të fillojnë të marrin antibiotikë pa vonesë.

Budapest - Kryeministri hungarez Viktor Orban sot deklaroi se ukrainasit duan të vazhdojnë luftën, se Evropa i mbështet ata në këtë dhe se negociatat paqësore mund të kishin filluar shumë kohë më parë nëse vendet evropiane nuk do të kishin mbështetur Ukrainën.  Orban tha se pengesa më e madhe për paqen është se Ukraina dëshiron të vazhdojë luftën, transmeton "Magjar nemzet". "Të gjithë e dimë se ka pengesa për paqen. Ukrainasit duan të vazhdojnë luftën. Ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë, edhe pse po rrezikojnë të gjithë Evropën, por është ende vendi i tyre, lufta e tyre për liri", tha Orban. Ai vlerësoi se konflikti është ende duke vazhduar sepse vendet evropiane mbështesin Ukrainën.

Tokio – Japonia sot do të fillojë me lirimin e naftës nga rezervat e saj, pasi pritet që importet e naftës bruto të bien ndjeshëm nga fundi i marsit për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit e cila është thelbësore për transportimin e naftës në tregun botëror, deklaroi sot Sekretari i përgjithshëm i kabinetit, Minoru Kihara. “Planifikojmë të bëjmë përpjekje për të siguruar që (nafta nga rezervat) të qarkullojë pa probleme në treg”, tha Kihara, transmeton agjencia e lajmeve Kjodo. Ai shtoi se qeveria “do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha hapat e mundshëm për të siguruar furnizime të qëndrueshme me energji, përmes koordinimit ndërkombëtar dhe pa përjashtuar asnjë mundësi”.

Uashington - Japonia, Australia, Koreja e Jugut, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian deri më tani nuk kanë marrë vendim për ta pranuar thirrjen e presidentit amerikan, Donald Tramp, për ndihmë në sigurimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, e cila është bllokuar nga Irani.  Japonia momentalisht nuk ka plane për të dërguar anije luftarake për të shoqëruar anijet në Lindjen e Mesme, deklaroi kryeministri i vendit, Sanae Takaiçi. "Nuk kemi marrë asnjë vendim për dërgimin e anijeve shoqëruese. Vazhdojmë të shqyrtojmë se çfarë mund të bëjë Japonia vetë dhe çfarë mund të bëhet në kuadër ligjor", deklaroi Takaiçi para parlamentit. Takaiçi do të udhëtojë për në Uashington këtë javë për bisedime me Trampin, në të cilën tema do të përqendrohen në konfliktin me Iranin.

Tel Aviv – Ushtria izraelite njoftoi se ka filluar “operacion të synuar tokësor kundër caqeve kyçe” në jug të Libanit, duke dërguar shumë forca më thellë në zonë si pjesë e zonës tampon të zgjeruar, pasi Hezbollahu filloi me sulme ndaj Izraelit në fillim të këtij muaji në kushte të luftës me Iranin.  Divizioni i 91-të rajonal “Galileja” filloi bastisje vonë të shtunën në sektorin lindor në jug të Libanit, me çka ushtarët u përballën dhe vranë disa operativë të Hezbollahut, njoftuan sot burime ushtarake, transmetoi Tajms of Izrael.  IDF thekson se operacioni është i drejtuar drejt zgjerimit të "zonës së mbrojtjes së frontit". 

Pekin - Ministria kineze e Punëve të Jashtme shprehu shqetësim për situatën e tensionuar në Ngushticën e Hormuzit pas thirrjes së presidentit amerikan Donald Tramp drejtuar Pekinit për të dërguar anijet e saj për të siguruar rrugën kryesore ujore. Reagimi erdhi vetëm disa orë pas thirrjes së Trampit. Zëdhënësi i ministrisë, Lin Xhian, e përshkroi situatën si "të tensionuar" dhe të dëmshme për stabilitetin global. “Kina u bën thirrje edhe një herë të gjitha palëve që të ndërpresin veprimet ushtarake, të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe të parandalojnë që konflikti rajonal të ketë pasoja më serioze për zhvillimin ekonomik global”, tha ai.

Tel Aviv - Ushtria izraelite njoftoi shkatërrimin e një aeroplani qeveritar iranian që dyshohet se u përdor nga lideri i ndjerë suprem, ajatollah Ali Hamnei. "Kjo e ka privuar regjimin iranian nga një avantazh tjetër strategjik", theksuan sot Forcat ajrore izraelite në një deklaratë në gjuhën persiane në X. Thuhet se aeroplani është përdorur për fluturime vendase dhe ndërkombëtare. Hamnei u vra më 28 shkurt në një sulm ajror izraelit në Teheran. Besohet se ish kreu i shtetit të ketë fluturuar jashtë vendit që nga emërimi i tij si lider fetar në vitin 1989. Megjithatë, ai udhëtonte herë pas here në provincat iraniane.

Teheran - Ndërprerja e internetit në Iran po vazhdon tashmë 17 ditë me radhë, bëri të ditur organizata e monitorimit të internetit NetBlocks. "Gjatë ditës së kaluar u vërejt një dobësim i infrastrukturës kryesore të rrjetit të telekomunikacionit. Kjo uli më tej qasjen ndaj rrjeteve VPN dhe përjashtoi disa përdorues nga e ashtuquajtura listë e bardhë, si dhe shërbimet e Rrjetit kombëtar të informacionit", thuhet në kumtesën e NetBlocks. Kujtojmë se gjatë dhjetorit dhe janarit pati edhe ndërprerje në lidhjet e internetit në Iran, por atëherë arsyeja ishin demonstratat dhe protestat e dhunshme kundër regjimit klerikal në vend për shkak të situatës së keqe ekonomike.

Teheran – Edhe pse videoja e fundit e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, në të cilën ai viziton një kafene, supozohej të hidhte poshtë thashethemet për vdekjen ose lëndimin e tij, ajo doli se ishte e rreme dhe e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, njoftoi sot agjencia iraniane e lajmeve Tasnim. Kabineti i Netanjahut dje publikoi një video të kryeministrit izraelit për të mohuar spekulimet se ai u vra ose u plagos në sulmet me raketa të lansuara nga Irani, por videoja e re, e cila supozohej të qetësonte dyshimet, ka ngritur pyetje të mëtejshme sepse duket se është gjeneruar nga inteligjenca artificiale, kumtoi një agjenci iraniane e lajmeve.

Los Anxhelos - Akademia amerikane e Arteve dhe Shekncës të filmit ndau çmimin "Oskar" në ceremoninë që u mbajt në "teatrin Dolbi" në Los Anxhelos. Filmi "Një betejë pas tjetrës" (One battle after another) triumfoi me gjashtë statuja të arta, nga gjithsej 13 nominime. Emisionin e udhëheqi Konan O'Brajen.  Në ceremoninë e 98-të të ndarjeve të çmimeve "Oskar", trilleri aksion politik "Një betejë pas tjetrës" fitoi çmimet për filmin më të mirë, aktorin mbështetës (Shon Pen), kastin (Kasandra Kulukundis), montazhin, si dhe çmimet për regjisorin dhe skenarin më të mirë të përshtatur, të cilat i shkuan Pol Tomas Anderson.  "Duhet të punosh shumë për njërën nga këto (statuja). E vlerësoj shumë këtë! Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm", tha me shaka regjisori në fjalimin e tij të pranimit të çmimit. "E shkrova këtë film për fëmijët e mi, për t'u kërkuar falje për 'rrëmujën shtëpiake' që kemi bërë në këtë botë që po ua lëmë. Por edhe për t'i inkurajuar se ata do të jenë gjenerata që shpresojmë të na sjellë pak logjikë dhe mirësjellje", shtoi Anderson.

QËNDRONI TË LIDHUR