• e premte, 20 dhjetor 2024
MIA flesh

18:00 / 14 maj / 2024 

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot është takuar me ambasadorin italian, Andrea Silvestri i cili e ka uruar Siljanovska-Davkovën dhe i ka uruar kryerjen e funksionit së presidentes me sukses. "Presidentja Siljanovska Davkova ka theksuar se të dy vendet kanë marrëdhënie tradicionalisht miqësore dhe ka shprehur vullnet dhe forcë për avancimin e mëtutjeshëm të dialogut politik dhe intensifikimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale me Republikën e Italisë duke i forcuar ato ekzistuese dhe duke gjetur mundësi të reja për bashkëpunim", thuhet në kumtesën e Kabinetit të presidentes.

Shkup - Elmi Aziri nga "Fronti Evropian" në konferencën e sotme për shtyp informoi se në Gjykatën Adminsitrative do t'i ankimojë vendimet e marra për ankesat që kanë të bëjnë me Njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore. "Ju njoftojmë se tashmë i kemi alarmuar të gjitha institucionet kompetente dhe faktorin ndërkombëtar sepse kemi informacione të sakta se të premten nëpërmjet presionit politik u janë dhënë udhëzime anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga selia e tyre. Theksojmë se këto veprime përbëjnë vepra penale dhe "Fronti Evropian" do t'i ndërmarrë të gjitha masat dhe do të shfrytëzojë të gjitha format demokratike për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve. Në këtë drejtim, ju informojnë se menjëherë pas marrjes së vendimit, të njëjtin do ta ankimojmë në Gjykatën Administrative", tha Aziri.

Shkup - Në kuadër të “Javës së Trashëgimisë Kulturore” sot ITShKSh organizoi konferencën shkencore me temë “Zejtaria dhe punimet artizanale në trevat shqiptare”, me ç’rast u mblodhën studiues etnologë, antropologë, folkloristë dhe dashamirës të etnokulturës nga rajoni dhe u shpalosën kumtesa mbi tema të ndryshme të fushës.

Shkup - Dy raste të etheve hemorragjike kongo-krime dhe dy fëmijë me shytat infektive janë regjistruar në muajin prill, tregon raporti i fundit i Institutit për Shëndet Publik (ISHP), të publikuar sot pasdite. Rastet e etheve hemorragjike Kongo-Krime janë regjistruar në fund të muajit prill.

Shkup- Shkarkohet drejtori i Klinikës universitare të toksikologjisë në Shkup, Danill Petrovski. Informacionin për MIA-n e ka konfirmuar vetë Petrovski. Ai tha se nuk është i befasuar, sepse ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri tashmë e ka paralajmëruar shkarkimin e tij. Për shkarkimin nga funksioni, Petrovski e ka mësuar sot nga punonjësit e Klinikës së toksikologjisë

Shkup - Drejtori mjekësor i Klinikës universitare të toksikologjisë në Shkup, Danill Petrovski është shkarkuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit shkaku i parregullsive në punë. Ai edhe pas shkarkimit do të vazhdojë të punojë në Klinikë, sqarojnë nga Ministria e Shëndetësisë për MIA-n. Petrovski më herët sot në deklaratën për MIA-n tha se nuk është i befasuar, sepse ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri tashmë e ka paralajmëruar shkarkimin e tij. Për shkarkimin nga funksioni, Petrovski e ka mësuar sot nga punonjësit e Klinikës së toksikologjisë. 

Shkup - Qendra e parë për mbështetje dhe këshillim për djem dhe burra është hapur sot në kuadër të hapësirave të Qendrës rinore "Dua të di". Vesna Matevska, koordinatore e programit në HERA, në konferencën e hapur për shtyp deklaroi se qendra ofron këshilla dhe mbështetje falas me psikoterapistë dhe psikologë për djem dhe burra.

Ohër - Prokurori publik në detyrë nga Prokuroria Themelore Publike Ohër ka lëshuar disa urdhra për konstatimin e shkaqeve të vdekjes së foshnjës nga Vevçani e cila ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në ISHP Spitalin special për ortopedi dhe traumatologji të “Shën. Erazmo" pasi ishte sjellë me hematomë në kokë dhe pas gjakderdhjes së konstatuar në tru menjëherë është transferuar në sallën e operacionit. 

Prishtinë - Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot në Samitin për demokraci në Kopenhagë deklaroi se e ardhmja e Kosovës është në integrimin euroatlantik. Duke folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ajo tha se Kosova ka shprehur gatishmërinë për të zbatuar të gjitha marrëveshjet, por se Serbia nuk po e bën këtë.

Prishtinë - Ambasadorët e të ashtuquajturit "Grupi i Kuintit", gjegjësisht pesë vendeve perëndimore më me ndikim që kanë misione diplomatike në Kosovë - SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca, së bashku me Misionin e Bashkimit Evropian në Prishtinë, shprehën shqetësimin lidhur me vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar që patriarku serb Porfirie dhe priftërinjtë tjerë të vizitojnë Kosovën për të marrë pjesë në fillimin e Kuvendit vjetor të Sinodit të Patriarkanës së Pejës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Varshavë - Presidenti polak Andzhej Duda sot kumtoi se Rusia mund të pushtojë edhe vendet e tjera nëse forcat e saj fitojnë në luftën kundër Ukrainës. Ai shtoi se parashikon presion të ri ushtarak nga Kremlini në javët e ardhshme. Në një intervistë me Blumberg në margjinat e Forumit Ekonomik të Katarit, Duda nuk tha se një sulm ndaj fqinjëve të Ukrainës është i pashmangshëm, por paralajmëroi se aleatët e NATO-s janë të rrezikuar.

Athinë - Për të shprehur mbështetjen dhe solidaritetin për popullin palestinez, studentët në Selanik dhe Athinë, të organizuar nga shoqatat e tyre, gjatë natës, me tenda të vendosura mbajtën protesta të qeta me çka iu bashkuan lëvizjes studentore pro-palestineze që filloi në SHBA, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Berlin - Gjermania duhet të jetë në gjendje t'i bindë njerëzit që të zgjedhin karrierën ushtarake, tha sot kancelari Olaf Sholc, përderisa vendi shqyrton mënyra për të forcuar mbrojtjen e saj të lënë pas dore për shkak të tensioneve me Rusinë. "Në fund të fundit, bëhet fjalë se si të bindim mjaft gra dhe burra që të punojnë në Bundesverin dhe në të t'i gjejnë vendet e tyre të punës" tha Sholc gjatë vizitës në Suedi, e cila në 2017 e riktheu shërbimin ushtarak pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Gjenevë - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi sot se ka besim të plotë në numrin e viktimave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, përderisa Izraeli ka shprehur dyshime për këtë numër. Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, me të cilën menaxhon lëvizja palestineze Hamas, dha informacione të reja javën e kaluar për numrin e përgjithshëm të të vdekurve - rreth 35.000 palestinezë, nga të cilët 25.000 janë identifikuar.

Tbilisi - Parlamenti i Gjeorgjisë ka miratuar ligjin kontrovers të "agjentëve të huaj" pavarësisht kundërshtimit të fortë nga qytetarët dhe paralajmërimet nga Bashkimi Evropian se miratimi i tij do të rrezikonte shanset e vendit për t'u bashkuar me komunitetin. Ligji i ri do t'u kërkojë organizatave që marrin më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si "agjentë të ndikimit të huaj" ose të përballen me dënime të rënda. Kundërshtarët thonë se ligji është bërë sipas ligjeve të ngjashme në Rusi që Kremlini ka përdorur për të ngulfatur opozitën dhe shoqërinë civile.

Ankara - Autoritetet turke kanë arrestuar 544 persona të dyshuar me klerikun Fetulla Gjulen të cilin presidenti Rexhep Taip Erdogan e akuzon se është organizator i përpjekjes për grusht shtet në vitin 2016. "Në operacionin e kryer në 62 nga 81 provincat turke janë arrestuar 544 persona", deklaroi ministri për Punë të Brendshme të Turqisë, Ali Jerlikaja në rrjetin X.

Rafah - Agjencia e KB-së për ndihmë ndaj refugjatëve palestinezë (UNRVA) sot kumtoi se gjithsej 450.000 persona kanë ikur nga qyteti Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës që kur armata izraelite hyri në qytete javën e kaluar. "Njerëzit përballen me lodhje të vazhdueshme, uri dhe frikë. Një armëpushim i menjëhershëm është shpresa e vetme", njoftoi UNRVA në platformën X.

Moskë – Gjykata Supreme ruse ka refuzuar ankesën kundër e aktvendimit me 25 vjet burg për tradhti të iniciuar nga kritikuesi i Kremlinit, Vlladimir Kara-Murza, publikuan sot agjencitë e huaja. Kara-Murza ka nënshtetësi të dyfishtë, ruse dhe britanike, dhe vazhdimisht ka kritikuar luftën në Ukrainë, presidentin rus Vlladimir Putin dhe ka lobuar për sanksionet Perëndimore kundër Risusë.

Madrid - Mbrojtësi i Sevilës, Serhio Ramos mund ta vazhdojë karrierën në SHBA. Sipas "The Athletic" futbollisti është në bisedime me San Diegon i cili do të debutojë në MLS në vitin 2025.Lojtari nuk dëshiron të vazhdojë kontratën me Sevilën. Ai ka oferta edhe nga klube të tjera, por bisedimet me San Diegon janë në fazën përparuese. 

Madrid - Sulmuesi francez Kilian Mbape nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Real Madrid, paralajmëroi sot kryetari i ligës së futbollit spanjoll Havier Tebas në intervistën për gazetën argjentinase Ole. "Mbape sezonin e ardhshëm do të luaj për Real Madridin. Ai është një nga futbollistët më të mirë në botë, por Real Madridi ka edhe Xhud Belingamin dhe Vinisiusin. Do të kenë ekip të shkëlqyer, por kjo nuk e garanton titullin spanjoll", tha Tebas. 

QËNDRONI TË LIDHUR