• e premte, 05 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 25 maj/ 2025

Romë - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila mbrëmë mori pjesë në koncertin e pianistit Simon Trpçeski në Romë në kuadër të manifestimit "Maqedonia në nder të Shën Cirilit", tha se askush nuk do ta harrojë atë mbrëmje dhe se kjo është edhe një konfirmim i fuqisë së diplomacisë kulturore.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski nga sot do të qëndrojë në Dejton, Ohajo të SHBA-së, me rastin e shënimit të 30-të vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes paqësore të Dejtonit, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Siç informuan nga MPJTJ, vizita është me ftesë të kongresmenit dhe shefit të delegacionit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Majkëll Tarner.

Shkup - Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët, kreu i Kuvendit të kësaj partie, Arben Fetai, është shkarkuar nga krahu i Arben Taravarit. Mbledhja e Kuvendit, siç tha Taravari, është iniciuar nga 2/3 e anëtarëve dhe vjen pak ditë pasi disa nga zyrtarët e lartë të partisë kundërshtuan vendimin e tij për largim nga Qeveria dhe koalicioni. Nazim Taipi është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të ASH-së.

Shkup - Valentin Manasievski, anëtar i KQ të VMRO-DPMNE-së, në konferencën e sotme për media në selinë e partisë, i pyetur për komentin e deklaratës së liderit të LSDM-së opozitare, Venko Filipe se do të propozojë pika për mbledhje lidershipi, tha se nuk ka nevojë për një gjë të tillë. "Para së gjithash, dëshirojmë që Venko Filipçe të mos i shfrytëzojë mundësitë e takimit të lidershipit për të ngritur rejtingun e tij. Ka pasur vetëm një muaj më parë një mbledhje lidershipi dhe besojmë se nuk ka nevojë për një tjetër. Nëse Filipçe dëshiron të takohet me partnerët e koalicionit, mund ta bëjë këtë me Ali Ahmetin, Taravarin apo Dimiçe Apasievin, sepse ata janë të njëjtët njerëz me vlera të njëjta", tha Manasievski në pyetjen e një gazetari nëse është e pranueshme deklarata e Filipçes se do të propozojë pika specifike për takimin e liderëve të hënën për të arritur një konsensus të pranueshëm për integrimin evropian.

Shkup - Në prag të stërvitjes "Immediate Response 25" orkestrat ushtarake të Armatës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Vermontit, SHBA, sot do të mbajnë koncert një orësh në Parkun e Frankofonisë në Shkup. Nga zyra për marrëdhënie me opinionin e Shtatmadhorisë së Armatës njoftuan se si pjesë e bashkëpunimit të armatës së dy vendeve aleate, para fillimit të aktiviteteve të mëdha stërvitore orkestrat ushtarake tradicionalisht mbajnë koncerte të përbashkëta.

Shkup - Me organizimin e garës së sotme humanitare për të prekurit nga tragjedia e Koçanit, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe rrjeti i Shtëpisë së Evropës do të shënojnë këtë vit  "Ditën e Evropës". "Më 25 maj, njëkohësisht në shtatë qytete të vendit: Shkup, Strumicë, Kriva Pallankë, Manastir, Veles, Strugë dhe Tetovë, do të vrapojmë së bashku me një qëllim të vetëm: Ta shtrijmë dorën për Koçanin. "TË GJITHË PËR KOÇANIN - VRAPOJMË SË BASHKU!", është një garë humanitare ku mund të marrë pjesë secili, pa dallim të moshës ose gatishmërisë fizike. Garat janë destinuar për të gjithë: rekreativistë, sportistë, amatorë, të rinj e më të vjetër, sepse nuk bëhet fjalë për kilometra, por për solidaritet", thekson Delegacioni i BE-së.

Shkup - Privohet nga liria një person në Tetovë tek i cili gjatë bastisjes së nëpunësve policor është gjetur drogë dhe i ka sulmuar policët. "Dje në orën 12:10, nëpunës policorë nga SPB Tetovë dhe NJP Tearcë kanë kontrolluar shtëpinë dhe lokalet ndihmëse të B.S. (35) nga fshati Sllatinë, rajoni i Tetovës, i cili një ditë më parë rreth orës 23:50 u privua nga liria në rrugën lokale midis fshatrave Xhepçishtë dhe Varvara për shkak të një sulmi ndaj nëpunësve policorë që po kryenin detyra zyrtare.  Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan dy peshore dixhitale dhe pesë qese me substancë pluhur të bardhë", njoftojnë sot nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Shkup - Dje është ngritur kallëzim penal ndaj A.B. dhe A.R., të moshës 31 dhe 25 vjeçare, të dy nga Shkupi, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale "zhvatje" nga neni 258 paragrafi 1 dhe "fajde" nga neni 260 paragrafi 1, dhe kundër E.B. dhe R.R., 27 dhe 20 vjeç, po ashtu nga Shkupi, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale "zhvatje" nga neni 258 paragrafi 1 lidhur me nenin 22 dhe "fajde", nga neni 260 paragrafi 1 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal, njoftoi MPB.

Prishtinë - Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as pas 21-tën përpjekjeve, për shkak se sot nuk kishte kuorum për votimin për Komisionin për Votim të Fshehtë. Në seancën e sotme ishin të pranishëm 90 deputetë, dhe 53 votuan "pro" dhe një "kundër".  Në 12 përpjekjet e fundit, seanca ka dështuar në të njëjtën pikë - propozimin e kryesuesit të Kuvendit Avni Dehari për të kaluar nga votimi i hapur në atë të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kiev - Të paktën tre persona humbën jetën, ndërsa dhjetë u plagosën në sulmin e mbrëmshëm rus ndaj Kievit. Kryeqyteti i Ukrainës natën e dytë me rend është objektiv i sulmeve, kumtoi administrata ushtarake e kryeqytetit të Ukrainës.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha sot se Rusia ka sulmuar mbrëmë mbi 30 qytete dhe fshatra me 300 dronë dhe 70 raketa të ndryshme, duke përfshirë edhe raketa balistike. Objektivat e sulmeve ruse ishin Kievi dhe rrethina e tij, si dhe rajonet Zhitomir, Hmelniçki, Ternopil, Çernihiv, Sumi, Odesa, Poltava, Dnjepar, Mikolaev, Harkov dhe Çerkasi. Një konvikt studentor u godit gjithashtu në Kiev. Në shënjestër të sulmeve u vunë edhe fabrikat industriale.

 Moskë - Edhe 303 ushtarë rusë të zënë rob u shkëmbyen sot me 303 pjesëtarë të armatës ukrainase, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes. Në përputhje me Marrëveshjen e Stambollit, nga 23 maji deri më sot, palët ruse dhe ukrainase kryen një shkëmbim sipas formulës 1.000 për 1.000, theksohet në kumtesën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Gaza - Në sulmet e sotme izraelite ndaj Rripit të Gazës u vranë 20 palestinezë, mes viktimave është edhe një gazetar i vendit dhe një i punësuar në shërbimet e shpëtimit. Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze armata izraelite ka kryer një sulm në pjesën veriore të enklavës palestineze Kan Junis, ndaj Xhabalisë në pjesën veriore të Rripit të Gazës dhe ndaj Nuseirat në pjesën qendrore.

Kinshasa - Ministri i Minierave të Republikës Demokratike të Kongos, Kizito Pakabomba, për "Fajnenshëll Tajms" tha se marrëvedhja për mineralet e rralla, që përgatitet me SHBA-në, në "diversifikimin e partneriteteve", dhe do ta ulë varësinë e vendit nga Kina në eksploatimin e pasurisë së saj të madhe minerale. Autoritetet në Kongo shpresojnë se muajin e ardhshëm do të lidhin marrëveshje për mineralet e rralla me SHBA-në.

Uashington - Vlera e dollarit amerikan shënon rënie pasi agjencia Mudis (Moody's) ka ulur rejtingun kreditues të SHBA-së nga Aaa në Aa11 për shkak të deficitit të madh të buxhetit federal, shpenzime të larta për financimin dhe uljet e planifikuara të tatimeve. Dollari javën e kaluar shënoi rënie prej 1,9 për qind në krahasim me gjashtë valutat më të rëndësishme botërore.

Islamabad - Të paktën 14 njerëz humbën jetën, ndërsa mbi njëqind janë lënduar në stuhinë që përfshiu pjesën qendrore dhe veriore të Pakistanit pas temperaturave të larta ekstreme të ajrit. Erë të fortë e shoqëruar me stuhi kishte mbrëmë në Penxhabin lindor, në provincën veriperëndimore Hajber Pahtunhva dhe kryeqytetin e Islamabadit.

Shkup - Moti gjatë ditës pritet të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i freskët me reshje të përkohshme të shiut, më të rrëmbyeshme në pjesët juglindore - mbi 25 litra në një metër katror. Sinoptikët paralajmërojnë erë mesatare deri në të përforcuar veriore - mbi 70 kilometra në orë, veçanërisht përgjatë Vardarit. Temepratura minimale pritet të jetë në interval prej 8 deri në 14 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë. Siç kumtoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, moti në Shkup do të jetë me vranësira të ndryshueshme, paradite me shi të përkohshëm. Do të fryjë erë mesatare, në disa pjesë të luginës përkohësisht e përforcuar veriore. Temperatura minimale do të bie deri në 10 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 19 gradë.

 

QËNDRONI TË LIDHUR