• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00/ 21 nëntor/ 2025

Shkup - Prokuroria Themelore Publike Koçan do të parashtrojë ankesë për masën e përcaktuar arrest shtëpiak për dy të punësuarit në DAP, të cilët janë të përfshirë në procedurën për vepra penale korruptuese në lidhje me punën në klubin "Puls".  "Prokuroria Themelore Publike Koçan e pranoi vendimin për masën e përcaktuar arrest shtëpiak për dy të dyshuarit dhe do të parashtrojë ankesë", thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë Publike. 

Tiranë - Unë nuk shoh më asnjë thelb nëse çështjet bilaterale dhe mosmarrëveshjet bilaterale janë ato që vendosin nëse vendet duhet të bëhen anëtare të plota në kuadër të  BE-së.  Për mua, thelbi që shoh është realizimi, reformat, hapat që ato përmbushin. Dhe përderisa kjo bazohet në sistemin e ofrimit të rezultateve, atëherë absolutisht ne si shtet do të jemi konkurrues dhe jam i bindur se ne do të jemi të parët që do të arrijnë në qëllimin përfundimtar, tha sot në Tiranë kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari.

Shkup- Komisioni i Kuvendit për Financim dhe Buxhet sot e vazhdoi debatin e amandamentit për Propozim-Buxhetin për vitin 2026. Në ditën e katërt, u shqyrtuan kryesisht amendamentet e paraqitura nga deputetët e Frontit Evropian, të cilat lidheshin me ndërtimin e rrjeteve të ujit dhe kanalizimeve dhe rikonstruimin e rrugëve lokale dhe rajonale. Nuk u pranua asnjë amendament, ndaj të cilës reagoi deputetja Arbana Pasholi. "Si deputetë, ne jemi zëri i popullit dhe jemi këtu për nevojat e qytetarëve. Nuk mund të kalojnë vetëm amendamentet e shumicës, dhe të mos ketë hapësirë ​​për amendamentet e opozitës. Amendamentet e deritanishme janë një nevojë thelbësore për qytetarët, ato nuk janë luks", tha Pasholi.

Shkup - Nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Antonijo Milloshoski, do të marrë pjesë në Samitin e katërt parlamentar të Platformës ndërkombëtare të Krimesë, që do të mbahet më 23-24 nëntor 2025 në Stokholm, Mbretëria e Suedisë. Siç informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit, në përbërjen e Delegacionit është edhe Boban Stojanoski, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kuvendit. Samiti është bashkorganizuar nga Ruslan Stefançuk, kryetar i Kuvendit të Ukrainës, dhe Andreas Norlen, kryetar i Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë. 

Shkup - Ministria e vetëqeverisjes lokale, përmes Qendrës burimore për mbështetjen e zhvillimit të komunave, ka shpallur Thirrje publike për shprehje interesi për pjesëmarrje në bazën e ekspertëve të Qendrës burimore, e cila është e hapur për aplikime deri më 15 dhjetor 2025. Siç informojnë nga Ministria, me vendosjen e bazës së ekspertëve krijohet një mekanizëm dinamik dhe profesional që do t'u mundësojë komunave të marrin mbështetje në kohë, në mënyrë profesionale dhe të synuar. Çdo ekspert që do të bashkohet do të ketë mundësi të ndajë njohuri, të punoj në sfida konkrete, të krijojë zgjidhje dhe të japë një kontribut të dukshëm në proceset e zhvillimit me rëndësi lokale.

Shkup - Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Fakulteti Filologjik organizoi manifestim solemn për të rikujtuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe rolin e tij themelor në unifikimin e shkrimit të gjuhës shqipe. Aktiviteti u hap me vargje të Gjergj Fishtës, që theksojnë peshën shpirtërore dhe identitare të gjuhës sonë amtare. Siç njoftoi pres shërbimi i UT-së, manifestimin e shpalli të hapur shefja e programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Doc. Dr. Albulena Dehari. Ajo u shpreh se 22 Nëntori shënon jo vetëm një datë në kalendar, por një akt vizionar që i dha gjuhës sonë një formë të unifikuar, një zë të përbashkët dhe një themel të patundur për zhvillimin kulturor, arsimor dhe shoqëror të shqiptarëve kudo që jetojnë. Sipas saj Kongresi i Manastirit i vitit 1908 nuk ishte vetëm një mbledhje dijetarësh; ai ishte një moment unik i vetëdijes kombëtare, një dëshmi e fuqisë së bashkimit dhe e vendosmërisë për të ruajtur e zhvilluar identitetin tonë gjuhësor.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu qëndroi për vizitë në qendrën për shëndet mendor në Koçan, ku informoi se qëllimi është të vazhdohet me sigurimin e organizuar të ndihmës profesionale psikologjike, këshillimit dhe mbështetjes për personat e lënduar nga zjarri, familjet e tyre dhe gjithë komunitetin. Qendra për shëndet mendor, siç thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë, do të jetë një vend për kujdes të besueshëm dhe të sigurt, me theks në përballimin e traumës, humbjes dhe pasojave emocionale. Në fazën e parë, në kuadër të Qendrës, do të punojnë nëntë psikologë, të cilët do të ofrojnë seanca individuale dhe grupore, psiko-edukim dhe mbështetje për vullnetarët dhe të punësuarit. Kjo qendër është shembull se si duhet të duken objekte të tilla në mbarë vendin.

Shkup – Neto - paga mesatare e paguar për një të punësuar në shtator është 45.466 denarë dhe është për 9,3 për qind më e lartë në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.  Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, rritja e tillë ka të bëjë, para së gjithash, në rritjen e neto-pagës mesatare mujore të paguar për të punësuar në sektorët: Arsim për 14, 9 për qind, Veprimtaritë e mbrojtjes (kujdesit) shëndetësor dhe social për 12,6 për qind dhe Transporti dhe magazinimi për 11,5 për qind. Ritja e pagës mesatare mujore neto për të punësuar, krahasuar me muajin paraprak, është vënë re në sektorët: Industria përpunuese për 3,5 për qind Administrim publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm për 1,8 për qind dhe Minierat dhe guroret (industria nxjerrëse) për 1,1 për qind.

Shkup - Në tremujorin e tretë të vitit 2025, sasia e mallrave të transportuara në transportin rrugor të mallrave u rrit me 25,7 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Pas kësaj, sasia e mallrave të transportuara në transportin rrugor të mallrave është rritur me 25,7 për qind, në transportin hekurudhor me 8 për qind, ndërsa në transportin ajror me 14,2 për qind. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, në tremujorin e tretë të vitit 2025, numri i udhëtarëve të transportuar në transportin rrugor ishte 948 mijë, në transportin urban-periferik 7.884 milionë, në transportin hekurudhor 35 mijë, ndërsa numri i udhëtarëve të transportuar në transportin ajror arrin 1.054.189.

Shkup – Me marrjen në pyetje të përfaqësuesit ligjor të familjes së të ndjerit dhe me debatin rreth dëshmive të propozuara për evidencë penale të mbrojtjes, sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup vazhdoi gjykimi kundër 25-vjeçarit nga Shkupi, Faton Luri, i akuzuar se më 1 korrik të këtij viti, duke vozitur motorin “kavasaki” pa patentë shoferi në shtegun për këmbësorë në bregun e Vardarit, e ka goditur 68-vjeçarin Jugosllav Nikollovski dhe është larguar nga vendi i aksidentit.  Në seancën e sotme gjyqësore, prokurorja publike kërkoi nga Gjykata t’i refuzojë dëshmitë për evidencë penale, të propozuara nga mbrojtja e të akuzuarit duke vlerësuar se ato nuk kanë lidhje me rrethanat relevante për përcaktimin e sanksionit. 

Strugë – Tre vjet dënim efektiv me burg dhe pesë vjet ndalesë për kryerje të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, gjykata në Strugë i shqiptoi gjinekologut Muhamed Asani, i akuzuar i parë në rastin me lehonën nga Dibra, Jilldiz Veaposka të cilës pas lindjes me operacion cezarian në Spitalin në Strugë i ishin hequr mitra, vezorja dhe veshka.  Nga akuza u liruan i akuzuari i dytë, djali i tij Blerton Asani, i cili atëherë ishte në specializim për gjinekologji dhe e akuzuara e tretë mjekja Liljana Jovanovska.  “Gjykata e shpall fajtor të akuzuarin Muhamed Asani dhe e dënon me dënim efektiv me burg prej tre vjet, që është maksimumi i paraparë për këtë vepër penale, ndërsa pas vuajtjes së dënimit me burg, i shqipton dënim plotësues ndalim për kryerjen e profesionit, veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej pesë vjet”, tha gjykatësi Jordan Jovanov gjatë shpalljes së vendimit.

Tiranë - Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me eurokomisaren  Marta Kos, në Tiranë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me vendimin e djeshëm të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJPKKO), për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, vlerësoi se bëhet fjalë për një "akt brutal ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv".  Ky është reagimi i tij fillestar, pas vendimit për "pezullim nga kryerja e detyrave dhe funksioneve" dhe "ndalesë për ta lëshuar vendin", si pjesë e hetimeve për shkeljet e barazisë në tendera, duke treguar se do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese të vendosë për këtë. 

Bruksel - Bashkimit Evropian ende formalisht nuk iu prezantua "i a.q. plani paqesor amerikan" për Ukrainën, por Unioni nga dita e parë e luftës e përkrah vendin dhe i mbron parimet e Kartës së KB-së, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinjo. "Nuk mund të konfirmojmë nëse ka pasur ndonjë kontakt me SHBA-në për këtë temë konkrete, pasi dokumenti dje u publikua në shumë media", tha Pinjo në përgjigje të pyetjes së gazetarit nëse ka pasur ndonjë komunikim në lidhje me planin midis SHBA-së dhe BE-së para se të paraqitej ose pas publikimit të tij. Pinjo shtoi se BE-ja po "punon shumë intensivisht" dhe mbetet "e angazhuar" me presidentin ukrainas Vollodimir Zelenski dhe koalicioninin e të përgatiturve për arritjen e paqes së qëndrueshme në Ukrainë.

Bruksel – Nuk përfaqëson kurrfarë befasie ajo që Rusia kërcënohet dhe Komisioni Evropian shpreh solidaritet të plotë me Greqinë pas kërcënimeve të dërguara ndaj saj nga ana e Moskës, deklaroi sot zëdhënësja e KE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Anita Hiper.  Deklarata e Hiperit ishte përgjigje e pyetjes së gazetarëve për qëndrimin e Komisionit Evropian në lidhje me akuzat e djeshme të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme se Greqia ndërmerr “kurs provokues të konfrontuar” kundër Rusisë dhe se Moska do të përgjigjet me “hapa të hapur armiqësorë” drejt Athinës, për shkak të vendimit të saj që të bashkëpunojë me Ukrainën në ndërtimin e anijeve.  Hiperi shtoi se nëse pyesni pse Rusia e bën këtë është njëjtë si të pyesni ndonjë dhunues pse torturon dikë. 

Gjenevë - Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) sot kumtoi se do të ulë buxhetin e tij për vitin e ardhshëm për 17 për qind në 2,23 miliardë dollarë dhe do të largojë nga puna 2.900 punonjës. Sektori humanitar po përballet me një mungesë të paparë të mjeteve, sepse vendet që sigurojnë mjete financiare e riorientojnë vëmendjen e tyre në mbrojtje. Kjo po i detyron organizatat të marrin vendime të vështira se kë të ndihmojnë mes konflikteve të shumta dhe numrit rekord të personave të zhvendosur", transmetoi BTA. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë një nga donatorët më të mëdhenj, kanë ristrukturuar programet e tyre të ndihmës së huaj që kur është në pushtet presidenti Donald Tramp, i cili i vë theksin politikës "Amerika në vend të parë".

Kiev - Numri i viktimave nga sulmi rus me raketa dhe dronë ndaj qytetit perëndimor të Ukrainës, Ternopil, këtë javë është rritur në 31, njoftoi sot trasmetuesi publik ukrainas "Suspilne", duke cituar raportet e policisë. Ekipet e shpëtimit nga rrënojat e një ndërtese banimi, që u godit të mërkurën, kanë nxjerrë trupat e një nëne dhe dy fëmijëve të saj të vegjël, transmetoi DPA.  Autoritetet theksuan se 16 persona rezultojnë ende si të zhdukur në dy ndërtesat e banimit të shkatërruara, për të cilat Kievi thotë se u goditën nga një raketë Kh-101 e lëshuar nga një bombardues strategjik mbi territorin rus.

Vjenë - Të paktën 67 të mitur janë vrarë në Rripin e Gazës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të fundit midis Izraelit dhe Hamasit më 10 tetor, kumtoi sot Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF), transmetoi DPA. Dhjetëra fëmijë të tjerë u plagosën, deklaroi zëdhënësi i UNICEF-it, Rikardo Pires, në Gjenevë, duke iu referuar organizatave partnere në terren. "Nuk ka vend të sigurt për ta", tha zëdhënësi. Edhe pse situata mjekësore në Gazë po përmirësohet, gjithsej 4.000 vajza dhe djem të plagosur rëndë ende presin të evakuohen për mjekim jashtë Rripit, transmetoi DPA. Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një armëpushim në tetor, por që atëherë ai është shkelur vazhdimisht nga të dyja palët.

Dubai - Një aeroplan luftarak Tejas i prodhimit vendor, u rrëzua sot në aeromitingun në Dubai, pas çka humbi jetën piloti, kumtuan forcat ajrore indiane (IAF).  Aeroplani luftarak po fluturonte në lartësi të ulët rreth orës 14:15 sipas orës lokale përpara se të rrëzohej dhe të shpërthente. Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregonin tym të zi që ngrihej nga pas pistës së rrethuar.  "Është formuar një komision hetimor për të përcaktuar shkakun e aksidentit", kumtoi IAF. 

Abuxha– Një grup i armatosur ka kidnapuar 52 nxënës nga shkolla katolike “Shën Maria” në Nigeri, njoftoi sot stacioni televiziv lokal “Aris Njuz”.  Kidnapimi ka ndodhur në shtetin federal Niger, ndërsa numri i nxënësve të kidnapuar ende po verifikohet.  “Qeveria e shtetit Niger me dhimbje të thellë e mori lajmin shqetësues për kidnapimin e nxënësve nga shkolla ‘Shën Mëria’”, bëhet e ditur në kumtesë, duke shtuar se agjencitë e sigurisë po kërkojnë nxënësit. 

Teheran - Shefi i diplomacisë iraniane, Abas Aragçi, sot deklaroi se SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca kërkojnë "masa më të ashpra", një ditë pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (ANEB) miratoi një rezolutë të re për programin bërthamor të Iranit. ANEB dje miratoi një rezolutë me të cilën i bën thirrje Iranit të bashkëpunojë "plotësisht dhe pa vonesa". Teksti i bën thirrje Teheranit të sigurojë bashkëpunim të plotë dhe të shpejtë duke ofruar informacionin dhe qasje në objektet e tij bërthamore që i kërkon ANEB.

QËNDRONI TË LIDHUR