• e diel, 22 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 13 janar/ 2024

Shkup - Ambasadori i BE-së Dejvid Gir, në intervistë për MIA-n, duke bërë një paralele midis asaj që ndodhi në Samitin e dhjetorit të BE-së, kur e ashtuquajtura "kafe e Orbanit" mundësoi vendimin për fillimin e bisedimeve për Ukrainën dhe Moldavinë dhe nëse kjo mënyrë e marrjes së vendimeve ishte e mundshme për Maqedoninë e Veriut, shprehet se zgjidhja për vendin është vënë në tryezë në korrik të vitit 2022, kur, siç tha ai, u hapën bisedimet e aderimit, e për të kaluar në hapin tjetër, është e nevojshme të zbatohen ndryshimet kushtetuese, që është një vendim sovran i vetë vendit. Ai theksoi se ishte e rëndësishme të shihej vendimi për të filluar bisedimet e aderimit me Ukrainën dhe Moldavinë nga konteksti i luftës së pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës, si dhe hapat e reformës që të dyja vendet kanë zbatuar, megjithëse, siç theksoi ai, ata kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski deklaroi se vizita në SHBA ka qenë në frymën e avancimit të marrëdhënieve tona dhe si të përforcohet madje ai bashkëpunim. Në intervistën për Zërin e Amerikës, Spasovski deklaroi se bisedimet me Xhejms O'Brajan, ndihmës sekretar i shtetit amerikan për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe me të gjithë përfaqësuesit e tjerë të administratës shtetërore kanë pasur për qëllim edhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Shkup - Gjykata Penale- Shkup ka caktuar arrest shtëpiak prej tridhjetë ditësh për personin e dyshuar për veprën penale “Rrezikim i sigurisë së komunikacionit ajror i cili prej disa ditësh ishte i pakapshëm për organet e përndjekjes, ndërsa dje është privuar nga liria në një nga vendkalimet kufitare. Nga gjykata theksojnë se këtij personi do t'i merret edhe pasaporta. Prokuroria Themelore Publike- Shkup paralajmëroi se do të paraqesë ankesë ndaj një vendimi të këtillë. Dje, prokurori publik është informuar nga MPB-ja se është gjetur dhe privuar nga liria me urdhër hetimor edhe njëri nga personat e involvuar për ndërhyrjen në M-NAV. Ditë më parë për ndërhyrjen në M-NAV arrest shtëpiak është caktuar për katër persona mes të cilëve edhe për Bekim Nezirin, këshilltar në M-NAV dhe zyrtar i BDI-së. 

Shkup - Procedurat vazhdojnë dhe për to do të diskutohet në organet e partisë, me rëndësi është që të zgjidhet kandidati më i mirë për president, të zgjidhen kandidatët më të mirë për deputetë, ata që do ta kërkojnë besimin e qytetarëve, theksoi ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në intervistën për Zërin e Amerikës. Spasovski shton se bëhet fjalë për dy koncepte të kundërta me opozitën, por thekson se ai vetë fuqishëm do të luftojë për konceptin proevropian.

Shkup - Ish presidenti i vendit Gjorge Ivanov ka mbajtur fjalim para Kombeve të Bashkuara në Gjenevë në panelin për të drejtat e brezave të ardhshëm. Ai është pjesë e takimit të nivelit të lartë të 27-të të Qendrës ndërkombëtare Nizami Ganxhavi i cili u mbajt në Gjenevë më 11 dhe 12 janar. Temë boshte e aktivitetit ka qenë "E ardhmja e multilateralizmit: Samiti për të ardhmen dhe nevoja për marrëveshje të re globale për bashkëpunim ndërkombëtar", në funksion të përgatitjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku do të mbahet Samiti për të ardhmen, kumton kabineti i Ivanovit. Në fjalim, siç theksohet në komunikatë, Ivanovi tha se “konkluzion i përgjithshëm i të gjitha raporteve vjetore dhe indekseve demokratike është se bota po bëhet gjithnjë e më pak demokratike”.

Vevçan - Një djalë 19-vjeçar me iniciale M.M. mbrëmë ka ndërruar jetë në një aksident komunikacioni që kishte ndodhur mbrëmë rreth orës 1:20 në rrugën lokale ndërmjet Vevçanit dhe fshatit Podgorcë të Strugës, informojnë nga SPB Ohër.  Policia njoftoi se mbikëqyrje në vendin e ngjarjes kanë kryer ekipe të policisë, si dhe se edhe prokurori publik ka dalë në vendin e ngjarjes. 

Shkup - Karnavalet e Vevçanit e kanë anuluar pjesën zbavitëse të këtij manifestimi për shkak të vdekjes së një të riu nga Vevçani, bëri të ditur sot kryetari i komunës, Spase Koçoveski. "Tragjedia që ndodhi mbrëmë në Vevçan në një aksident trafiku, jetën e humbi një i ri i Vevçanit, banor i Vevçanit. Rrugët e 13 janarit nuk kanë qenë asnjëherë në këtë gjendje. Vevçani është një vend i vogël, të gjithë jemi si një familje. Ngjarje të tilla fatkeqe na trondisin. Koncerti i sontëm është anuluar. Vevçani këtë ditë e ka pritur plot një vit, por jo në këtë mënyrë", tha Koçoveski. Kryetari i Komunës së Vevçanit theksoi se sot paradite kanë pasur takim me shoqatat vevçanase dhe se parada do të mbahet në një formë minimale.

Shkup - Temperatura në minus sot në mëngjes janë matur gati në të gjitha pjesët e vendit. Më e ulët ishte temperatura në Kodër të Diellit ku janë matur -15 gradë, në Berovë dhe në Krushevë -12, në Kriva Pallankë -11, në Hanet e Mavrovës -10, në Shtip dhe Strumicë -8, në Prilep dhe në Vinicë -7, në Manastir, Ohër dhe Pretor -6, në Shkup - Zajçev Rid dhe Demir Kapi -5, në Kumanovë dhe në Veles -4, në Shkup - Petrovec, Tetovë dhe Kavadar -3, në Dojran -2 dhe në Gjevgjeli 0 gradë.  Në Kodër të Diellit ka shtatë centimetra borë.

Shkup - Në territorin e qytetit të Shkupit gjatë ditës së djeshme janë shqiptuar gjithsej 119 sanksione, prej tyre 16 sanksione për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, 14 sanksione për ngasjen e automjetit nën ndikimin e alkoolit, tetë gjoba për ngasjen e automjetit pa patentë shofer, gjashtë sanksione për shfrytëzimin e telefonit celular gjatë ngasjes së automjetit, katër masa për kalim në semafor të mbyllur (ngjyrë e kuqe)... Kontrollimet e përforcuara në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Shkup - Qendra për Menaxhim me Kriza informon se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur gjithsej 1.903 thirrje në numrin e vetëm për raste urgjente 112, prej të cilave thirrje "reale" ishin 33,16 për qind, ndërsa 66,84 për qind ishin për nevoja të tjera të qytetarëve, që nuk ishin urgjente.  Në polici ishin bërë 55,10  për qind, në Ndihmën Mjekësore Urgjente 39,59 për qind, te zjarrfikësit 2,45 për qind e thirrjeve reale. 

Shkup - Një emigrant nga Siria ka humbur jetën, ndërsa edhe një tjetër është lënduar mbrëmë në aksident trafiku në afërsi të Dojranit, bën të ditur policia. "Në afërsi të Dojranit, mbrëmë rreth orës 20, një automjet i tipit 'krajsler' ka dalë nga rruga. Deri te kjo ka ardhur pasi ai nuk është ndalur me urdhër të nëpunësve policorë në udhëkryqin 'Smokvicë' dhe në hyrje të Valandovës ku ka vazhduar lëvizjen duke rritur shpejtësinë", kumton MPB-ja.

Shkup - Nga e hëna do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi jugor, e cila do të shkaktojë rritje të temperaturave të mëngjesit dhe të ditës, njoftoi DPHM.  Nesër moti do të jetë i qëndrueshëm me temperatura të ulëta të mëngjesit. Të hënën dhe të martën moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të përkohshme të borës në male dhe në vendet më të larta, veçanërisht në pjesët perëndimore, ku do të formohet shtresë e re e borës. Në vendet më të ulëta, reshjet do të jenë të shiut dhe të borës

Bruksel - Ruajtja e lirisë së lundrimit në Detin e Kuq është me rëndësi vitale për rrjedhën e lirë të tregtisë globale dhe sigurisë rajonale, bën të ditur përfaqësuesi i lartë i BE-së në deklaratën me shkrim me rastin e miratimit të Rezolutës 2722 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara me të cilën, siç thotë, "ashpër dënohen sulmet e Huthëve ndaj anijeve në Detin e Kuq". Siç bëri të ditur mbrëmë vonë Shërbimi Evropian i Punëve të Jashtme (ЕЕАС), Boreli në deklaratë thekson se me Rezolutën kujtohet se shtetet kanë të drejtë t'i mbrojnë anijet e tyre nga këto sulme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 

Bruksel  - Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borel nga sot deri më 16 janar do ta vizitojë Guatemalën, si shprehje e mbështetjes së fuqishme të Unionit për demokracinë në këtë vend të Amerikës Qendrore. Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, gjatë vizitës së tij të parë në këtë vend, Borel do të takohet me presidentin e sapozgjedhur të Guatemalës, Bernardo Arevalo me të cilin do të diskutojë për forcimin e partneritetit dhe dialogut BE-Guatemalë, prioritetet e qeverisë së re dhe sferat për bashkëpunim të mundshëm me interes të ndërsjellë. Në kuadër të vizitës, përfaqësuesi i lartë i BE-së nesër do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Arevalos dhe zëvendëses së tij, Karin Herera Agilar.

Uashington - Ushtria amerikane mëngjesin e sotëm ka kryer sulm të ri ndaj pozicioneve të Huthëve në Jemen, një ditë pasi SHBA-ja dhe Britania e Madhe i filluan sulmet e tyre ajrore ndaj caqeve të Huthëve në këtë vend, transmeton DPA. Komanda qendrore e SHBA-së njoftoi se në "vazhdim të aksionit" sot në mëngjes ishte sulmuar lokacioni në të cilin gjendej një radar i Huthëve, ndërsa sulmin e ka kryer shkatërruesi detar "Karni" me raketa Tomahavk. Në Sana, kryeqyteti i Jemenit, sot në mëngjes ishte dëgjuar një shpërthim i fuqishëm.  Si-En-En, duke iu referuar një funksionari amerikan, informon se sulmet ishin dukshëm më të vogla se natën e kaluar. 

Tel Aviv - Izraeli arriti marrëveshje me Katarin për furnizimin me ilaçe të pengjeve të cilat i mban Hamasi në Gazë, njoftoi kabineti i kryeministrit izraelit.  Pengjet do t'i marrin ilaçet në "ditët në vijim", njoftuan nga zyra.  Më shumë se 100 pengje ende janë në Gazë pasi militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 dhe duke kidnapuar 240 njerëz.  Në përpjekje që ta elimonojë Hamasin, Izraeli që atëherë po zbaton operacion ushtarak në këtë enklavë palestineze. 

Brazavil - Qindra mijëra njerëz në Republikën Kongo kanë nevojë për ndihmë urgjente për shkak të vërshimeve të cilat kapluan zona të mëdha të vendit, njoftuan sot Kombet e Bashkuara.  Reshjet e pazakonta të mëdha shkaktuan që nëntë nga 12 rrethet e vendit të goditen nga përmbytjet që dëmtuan objektet shëndetësore dhe shkollat ​​dhe zhytën tokat bujqësore, thuhet në kumtesën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Më shumë se 330.000 persona i ndjejnë pasojat nga kjo katastrofë.  "OBSH do ta mbështesë qeverinë që të shpëtojë jetë të njerëzve dhe të sigurojë qasje në shërbimet bazike", deklaroi Lusien Manga, përfaqësues i organizatës në Kongo.

Pert - Më shumë se 40 zjarre janë aktive sot në shtetin Australia Perëndimore, shteti më i madh në kontinent, përderisa banorët e zonës Çitering, rreth 60 kilometra në veri të Pertit, janë të ekspozuar në rrezik të madh nga përhapja e zjarrit.  "Ju jeni në rrezik dhe duhet menjëherë të veproni që të mbijetoni. Ka rrezik për jetët dhe shtëpitë", njoftoi Ministria shtetërore për Situata të Jashtëzakonshme në ueb-faqen e saj, në lidhje me zjarrin në Çitering, zonë rurale ku jetojnë rreth 6.000 njerëz.  Thirrja për evakuim erdhi në kohën e paralajmërimeve për valë të nxehtë që është në fuqi nga e shtuna, por shumë pjesë të shtetit australian e ndërprenë alarmin për shpërthim të zjarreve, transmetojnë mediat britanike. 

Gazë - Zëvendës sekretari i përgjithshëm i KB-së për çështje humanitare dhe koordinator për situata të jashtëzakonshme, Martin Grifits, deklaroi se situata në veri të Rripit të Gazës është "e tmerrshme", duke theksuar se trupat e të vdekurve janë lënë në rrugë dhe se njerëzit janë në prag të vdekjes nga uria.  "Kolegët që arritën të mbërrinin në veri të enklavës ditët e fundit përshkruajnë skena të tmerrit të plotë - trupa të mbetura në rrugë. Njerëzit me shenja të dukshme të urisë ndalojnë kamionët në kërkim të diçkaje që mund t'i ndihmojë ata të mbijetojnë. Edhe nëse njerëzit janë në gjendje të kthehen në shtëpi, shumë nuk kanë më shtëpi ku të shkojnë", tha Grifits në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së KB-së.

Uashington - Dhjetëra milionë amerikanë dje ishin ekspozuar në kushte të rrezikshme dhe të dëmshme të motit - stuhi të borës në perëndimin veriperëndimor dhe të mesëm, mot të ftohtë, vërshime në bregun lindor dhe tornado potenciale në jug, që shkaktoi shumë anulime të fluturimeve dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.  Kompanitë ajrore dje anuluan mbi 7.600 fluturime në SHBA, duke përfshirë edhe aeroplanët që kishin zbritur në aeroportin ndërkombëtar O'Hare në Çikago për shkak të erërave dhe borës verbuese. Në Ajova, kandidatët presidencial republikanë i anuluan aktivitetet e tyre parazgjedhore të caktuara.

Sanë - Përfaqësuesi i Huthëve të Jemenit, Nasruldin Amer, deklaroi sot se nuk ka të vdekur ose të lënduar në sulmin e fundit amerikan ndaj pozicioneve të tyre në Sanë dhe premtoi "përgjigje të fuqishme dhe efikase".  "Nuk ka të lënduar, dëm material ose humbje në njerëz", deklaroi Amer për Al Xhezira.  Zëdhënësi i Huthëve, Mohamed Abdulsalam, deklaroi se sulmet amerikane mbi Jemen, duke përfshirë edhe sulmin e fundit ndaj bazës ushtarake në kryeqytetin e vendit, Sanë, nuk kanë ndikim të rëndësishëm ndaj aftësisë së grupit që të vazhdojë ta pengojë kalimin e anijeve që kanë lidhje me Izraelin përmes Detit të Kuq dhe Detit Arab, transmetuan mediat britanike. 

Medelin - Një katastrofë e madhe natyrore ka ndodhur dje në Kolumbinë veriperëndimore pasi një pjesë e një mali u shkëput pas reshjeve të mëdha të shiut dhe ra mbi një rrugë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 18 personave, përderisa 30 të tjerë janë lënduar.Rrëshqitja e dheut ka ndodhur në afërsi të qytetit Karmen de Atrato. Shpëtimtarët lokalë presin që numri i të vdekurve dhe të plagosurve të rritet.  Aksidenti ka ndodhur rreth orës 16 sipas kohës lokale, përderisa veturat prisnin në rrugë të frekuentuar e cila i lidh qytetet Medelin dhe Kuidbo, informojnë mediat e Kolumbisë. 

Rafa - Më shumë se 30 palestinezë, përfshirë edhe fëmijë të vegjël, janë vrarë në dy sulme ajrore izraelite mbi Rripin e Gazës gjatë natës, njoftuan autoritetet palestineze. Në një xhirim në mediat sociale shihet se si shpëtimtarët e mbrojtjes civile në Gazë kërkojnë përgjatë rrënojave të shtëpive në qytetin Gazë, duke përdorur drita të dorës.  Në një prej tyre shihet edhe si shpëtimtarët me batanije bartin një vajzë të re me plagë në fytyrë dhe dy fëmijë të cilët sipas gjitha gjasave janë të vdekur. 

Mançester - Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola ka zbuluar se kur do të mund të kthehet në fushë sulmuesi Erling Haland. "Rikuperimi i tij kërkon kohë. Shpresojmë ta kemi në fushë deri në fund të muajit. Rikuperimi zgjati pak më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht", citon “BBS” Guardiolën. Njëzet e tre vjeçari norvegjez mori lëndime në këmbë në ndeshjen kundër Aston Villës (0:1) që u luajt më 6 dhjetor. Më parë u bë e ditur se Halandi nuk do të luajë në xhiron e 21-të me Njukasllin dhe do ta lëshojë ndeshjen e 9-të radhazi.

QËNDRONI TË LIDHUR