15:00/ 4 maj/ 2025
Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski tha sot se sipas gjitha gjasave nesër do të ketë takim me Arben Taravarin për funksionimin e tij të mëtutjeshëm në Qeveri dhe bashkëpunimin eventual me BDI-në në zgjedhje lokale. Për të, siç theksoi, është e papranueshme nëse Taravari dakordohet me BDI-në. “Një takim i tillë do të zhvillohet javën tjetër, mendoj se është nesër. Duhet ta shikoj orarin, por mendoj se është nesër. Në takim, dua qartë të dëgjoj qëndrim nëse është e vërtetë që ekziston një marrëveshje midis partisë së Taravarit dhe BDI-së që në të paktën pesë ose gjashtë komuna, të mos spekulohet me emrat, ku ai do të nominojë kandidatë, BDI nuk do të ketë kandidatët e vet për kryetar komune, që së pari do të thotë vetëposhtërim, si parti politike, dhe së dyti se do ta mbështesë atë në heshtje. Kjo është e papranueshme për mua si kryeministër”, deklaroi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas shënimit të 122-vjetorit të vdekjes së Goce Dellçevit.
Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski sot në mëngjes nëpërmjet profilit të tij në Fejsbuk shprehu respekt me rastin e 122-vjetorit të vdekjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçev. Siç bën të ditur Mickoski, Maqedonia është e ndërtuar nga vetëflijimi i heronjve të cilët i dhanë jetët e tyre për lirinë tonë, ndërsa fama dhe vepra e Goce Dellçevit vazhdojnë të jetojnë. “Maqedonia nuk është vetëm shtet, por edhe fati ynë, dhe duhet të jetë e ardhmja jonë. Ajo u ndërtua nga vetëflijimi i heronjve që dhanë veten për lirinë tonë. Një nga shkëmbinjtë më të fortë të asaj vepre kombëtare është Goce Dellçevi, jeta e të cilit u shua heroikisht 122 vjet më parë, ndërsa fama dhe vepra e tij vazhdojnë të jenë të gjalla. Përkulje e thellë për njeriun e madh. Lavdi”, shkruan kryeministri Mickoski.
Shkup - Nëse është aq i mençur sa paraqitet, Ahmeti duhet të marrë mësim dhe në vend që të kërcënojë, do të bëjë reforma strukturore, si në aspektin kadrovik në partinë e tij ashtu edhe në figura të reja dhe me program të ri të dalë para qytetarëve për ta kërkuar besimin e tyre, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. Mickoski këshillon Ahmetit që të mos jetojë në të kaluarën, por të shikojë drejt së ardhmes. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas shënimit të 122-vjetorit të vdekjes së Goce Dellçevit, Mickoski informoi gjithashtu se me shumë gjasa nesër do të takohet me Arben Taravarin për funksionimin e tij të mëtejshëm në Qeveri dhe bashkëpunimin eventual me BDI-në në zgjedhjet lokale.
Shkup – Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova sot vendosi lule në kishën “Shën Spasi” me rastin e 122-vjetorit të vdekjes së të madhit Goce Dellçev, por edhe në profilin e saj në Fejsbuk shfaqi respekt për revolucionarin maqedonas. Siç thekson Siljanovska Davkova, Dellçevi ishte dhe do të jetë pjesë e jona, e historisë, të tashmes dhe të ardhmes sonë. “Me respekt të thellë, me rastin e 122-vjetorit të vdekjes së të madhit Goce Dellçev, vendosa lule të freskëta në shtëpinë e tij të përjetshme në oborrin e kishës ‘Shën Spas’. Dita e vdekjes së figurës më të shquar dhe më të ndritur të kauzës kombëtare revolucionare maqedonase, themeluesit të republikanizmit maqedonas, apostullit të VMRO-së, mësuesit Goce Delçev, na kujton sakrificën që bënë paraardhësit tanë që populli maqedonas të jetonte në vendin e vet në mënyrë që të mund të konkurronte kulturarisht me popujt e tjerë. Ai nuk pushon këtu rastësisht, në oborrin e kishës së bukur ‘Shën Spas’, në tokën maqedonase dhe nën qiellin maqedonas, por sipas amanetit të tij për t'u varrosur në shtetin e pavarur maqedonas. Goce Dellçevi ishte dhe do të jetë pjesë e jona, e historisë sonë, të tashmes dhe të ardhmes”, shkruan presidentja.
Shkup – Çmimi shtetëror “Goce Dellçev” për vitin 2025 sot iu nda një grupi autorësh: prof.dr. Veselinka Labroska, akademik dhe prof. dr. Marjan Markoviq, prof. dr. Kosta Peev, prof.dr. Vasil Dërvoshanov, prod.dr. Elenka Stoevska – Dençova, prof.dr. Svetllana Davkova – Gjorgjieva, prof..dr. Goce Cvetanovski, dr. Angelina Pançevska, mr. Sonja Milenkoska, dr.Davor Jankullovski, dr. Makedonska Dodevska, dr. Darko Tomovski, mr. Gjorgje Genoviç, prof.dr. Ariton Popovski, prof.dr. Mariana Kish dhe prof.dr. Ubavka Gajdova për veprën shkencore “Atllasi i dialekteve maqedonase”. Në ndarjen e çmimit në Kuvend mori pjesë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila theksoi se me çmimin shtetëror “Goce Dellçev” jepet mirënjohje shoqërore për realizim veçanërisht me rëndësi në të gjitha sferat e shkencës në interes të Maqedonisë.
Shkup - Është interesante se si sot, më shumë se një shekull më vonë, idetë, mesazhet dhe vlerat e revolucionarit tonë më të madh, Goce Dellçevit janë ende të gjalla dhe aktuale, tha sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. Filipçe i cili vendosi lule në kishën "Shën Spas" ku u shënua 122-vjetori i vdekjes së Dellçevit, theksoi se si shoqëri kemi ende shumë punë para vetes. "Disa nga vizionet e revolucionarit maqedonas sot tingëllojnë edhe më aktuale se sa në kohën e tij. Ky është një sinjal i qartë se si shoqëri kemi ende shumë punë përpara se duhet t’i implementojmë të gjitha porositë e tij nga vizioni për një Maqedoni të lirë dhe të pavarur", theksoi Filipçe.
Shkup – Gjoba në vlerë prej 8 350 euro në kundërvlerë denari shqiptuan shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për 14 mishtore për parregullsi të konfirmuara në punë, në kuadër të 73 kontrolleve të jashtëzakonshme inspektuese. Mbikëqyrjet, siç informon AUV, ishin realizuar më 30 prill të këtij viti në gjithë territorin e shtetit, ndërsa si i pasigurt është shkatërruar 323 kilogramë ushqim. “Me kontrollet e zbatuara në mishtore janë dhënë 23 vendime për të eliminuar mospërputhjet e identifikuara. Tre operatorë vunë në treg ushqim të pasigurt, shtatë prej tyre kishin mangësi të identifikuara në drejtim të zbatimit të rregullave të praktikës së mirë të prodhimit dhe higjienës, ndërsa katër mishtore nuk kryen inspektime sanitare të detyrueshme të punonjësve”, bën të ditur AUV.
Shkup – Sot në mëngjes në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup aterruan aeroplanët e parë të linjave të reja të vendosura Barcelonë – Shkup dhe Lion – Shkup. Ato janë pjesë e politikës qeveritare për mbështetje financiare për vendosje të linjave të reja ajrore dhe destinacione të reja për qytetarët, njoftoi përmes një video porosie në profilin e tij në Fejsbuk, zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Siç thotë Nikolloski, politika e subvencioneve të cilën e udhëheq Qeveria i jep rezultatet e para. Për disa muaj ka dhjetë destinacione të reja nga të dy aeroportet, në Shkup dhe në Ohër.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski pret që në periudhën e ardhshme mbledhja e të ardhurave të jetë edhe më e lartë. Siç deklaroi ai sot, në të kaluarën ato fonde përfundonin në xhepat e dikujt, por sot ato destinohen për projekte për qytetarët. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas shënimit të 122-vjetorit të vdekjes së Goce Dellçevit, Mickoski iu referua edhe udhëtimit të delegacionit qeveritar në Japoni duke theksuar se shpenzimet janë mbajtur në minimum.
Shkup - Një investim i ri prej disa dhjetëra milionë euro dhe mbi 200 punësime, paralajmëroi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Siç deklaroi ai, fillimi i investimit pritet brenda një deri dy javë. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas shënimit të 122-vjetorit të vdekjes së Goce Dellçevit, Mickoski përsëriti se një nga qëllimet kryesore të Qeverisë është që BPV-ja nominale të jetë mbi 20 miliardë dollarë ose 10.500 dollarë për kokë banori si dhe ulje e borxhit publik dhe shtetëror nën 50 ose 40 për qind.
Shkup - Me një akt përkujtimi nga kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryepeshkopata e Ohrit, z.z Stefani bashkë me priftërinjtë nga Dioqeza e Shkupit sot në kishën "Shën Spasi" filloi kremtimi i 122-vjetorit të vdekjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçev. Lule vendosën presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, delegacion qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, delegacion parlamentar, përfaqësues nga trupi diplomatik, partitë politike, shoqata qytetare dhe admirues të tjerë të veprës së Dellçevit. Para ceremonisë së vendosjes së luleve u intonua himni maqedonas.
Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderimet më të larta shtetërore ushtarake në aeroportin e Brunei Darusalam e ftuar nga Sulltani i Bruneit për vizitë shtetërore. “Pritja me nderimet më të larta shtetërore ushtarake në aeroportin e Brunei Darussalam e ftuar nga Sulltani i Bruneit për vizitë shtetërore. Kjo është vizita e parë ndonjëherë e kreut të shtetit të Kosovës në këtë shtet mik të Azisë Juglindore. Faleminderit për mikpritjen! Terima Kasih!”, ka shkruar presidentja Osmani.
Zagreb – Dy persona humbën jetën, ndërsa 31 persona janë hospitalizuar në tre qytete kroate pasi një autobus i udhëtarëve dhe një automobil u përplasën sot paradite në një autostradë në Kroaci, njoftuan mediat kroate. Sot rreth orës tre të mëngjesit, në autostradën A3 Posakva Avtocesta, e cila kalon përgjatë rajonit Slavonia në lindje të Kroacisë, u përplasën një autobus dykatësh i udhëtarëve me targa të boshnjake dhe një automobil, gjithashtu me targa boshnjake, njoftoi HRT. Dy persona humbën jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa 31 persona u hospitalizuan në kryeqytetin Zagreb dhe qytetet e afërta Sisak dhe Pakrac. Pesë nga të lënduarit janë në gjendje të vështirë dhe do të operohen.
Bruksel – Në ndërtesën e Parlamentit Evropian në Strasburg sot do të mbahet ceremonia zyrtare e fillimit të shënimit të Ditës së Evropës – 9 Maji dhe 75-vjetori i miratimit të Deklaratës së Shumanit. Ceremonia do të fillojë me emetimin e videoporosisë së kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Mecola, pas çka do të vijojë fjalim i nënkryetarit të PE-së, Junus Omarxhi. Pjesa solemne e fillimit të shënimit të këtij viti të Ditës së Evropës do të përfundojë me paraqitjen e ansamblit muzikor “Voa de Stras” (Voix de Stras’). Vizitorët përmes ekspozitave të ndryshme dhe aktivitete interaktive, do të mund të njoftohen si funksionon Parlamenti Evropian, si miratohen ligjet dhe pse është e rëndësishme politika evropiane.
Bruksel- "Jetësimi" i politikës së zgjerimit të BE-së, e nxitur nga agresioni rus kundër Ukrainës, ka nxitur debate mbi çështjet institucionale në bllokun, veçanërisht në lidhje me ekuilibrin e pushtetit dhe proceset e vendimmarrjes në institucionet evropiane, si dhe për atë nëse dhe çfarë reformash institucionale janë të nevojshme për të përgatitur Bashkimin për pranimin e anëtarëve të rinj. Kështu thuhet në analizën e Institutit Suedez për Hulumtime Politike Evropiane (SIEPS) me titull "Ndikimi i zgjerimit në baraspeshën e fuqisë në Botë", në të cilin vlerësohet se pranimi i anëtarëve të rinj në BE do të shkaktojë ndryshime në raportin e forcave gjatë miratimit të vendimeve në kuadër të bllokut, duke rritur ndikimin ndaj vendeve më të vogla të Evropës Lindore dhe Jugore, në kurriz të shteteve të mëdha perëndimore.
Bukuresht – Në Rumani sot po mbahen zgjedhjet presidenciale, ndërsa favorit është kandidati prorus i ekstremit të djathtë Xhorxhe Simion, përderisa rivalë të tij janë Krin Antonesku dhe Nikushor Dan, sipas mediave botërore. Euroskeptiku i djathtë prin në anketat e mendimit publik para rrethit të parë të votimit, pesë muaj pasi zgjedhjet e kaluara presidenciale, në të cilat bindshëm printe Kalin Georgesku nga e djathta, ishin anuluar për shkak të gjoja përzierjes ruse, gjë të cilën e mohon Rusia. Simion shpreson se do ta shfrytëzojë pakënaqësinë e shpërndarë publike për shkak të anulimit të zgjedhjeve, pasi do ta marrë udhëheqjen nga ekstremi i djathtë Georgesku, të cilit i ishte ndaluar që të kandidojë pas zgjedhjeve të anuluara.
Kiev – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski deklaroi mbrëmë se Ukraina është e gatshme që sa më shpejtë që është e mundur të kalojë drejt armëpushimit nëse Rusia ndërmerr hapa të ngjashëm drejt ndërprerjes së konfliktit në kohëzgjatje prej të paktën 30 ditëve. Zelenski në video paraqitjen e mbrëmshme tha se po përgatitet për takime të rëndësishme dhe bisedime me partnerë të huaj për atë se është e nevojshme të ndikojnë te Rusia që të dakordohet armëpushim i plotë gjatë 30 ditëve, që do të mundësonte të kërkohet zgjidhje për armëpushim. Sipas Zelenskit, “askush tani nuk sheh gatishmëri të tillë” nga Rusia deri më tani. Ai tha se kushtet ekonomike në Rusi janë më jo të favorshme sepse çmimi i naftës tani është më i ulët, njoftoi Ukrinform.
Moskë – Presidenti kinez Si Xhinping prej 7 deri më 10 maj do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Rusi dhe më 9 maj do të marrë pjesë në festimet me rastin e 80-vjetorit të fitores së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore, transmetojnë agjencitë botërore, duke iu referuar një kumtese të Kremlinit. Kremlini në Telegram njoftoi se Si do të bisedojë me presidentin rus Vladimir Putin për zhvillimin e partneritetit strategjik mes të dyja vendeve dhe do të nënshkruajë një numër të madh të dokumenteve. “Gjatë kohës së bisedimeve do të shqyrtohen çështjet kryesore për zhvillim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të partneritetit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit strategjik, si dhe për çështjet aktuale nga agjenda ndërkombëtare dhe rajonale”, shtohet në tekst.
Moskë - Presidenti rus, Vlladimir Putin deklaroi sot se pajtimi midis Rusisë dhe Ukrainës është i pashmangshëm dhe se është çështje kohe. "Më duket se kjo është e pashmangshme, krahas të gjitha tragjedive që përjetojmë tani. Është çështje kohe", ka thënë Putini në një intervistë për televizionin "Rusia 1". Presidenti rus pranoi se nuk ndihet si një politikan që vendos për fatin e vendit dhe theksoi se ende "thith të njëjtin ajër si miliona qytetarë të tjerë të Rusisë".
Pragë – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski sot mbërriti për vizitë në Çeki, ku do të takohet me presidentin çek Petër Pavell, njoftoi kabineti i presidentit çek. Fluturimi i presidentit ukrainas për shkaqe sigurie ishte ruajtur në fshehtësi të rreptë deri në aterrimin e tij të aeroplanit presidencial në aeroportin “Vacllav Havell” në Pragë, bëjnë të ditur mediat ukrainase. Pas mbërritjes në Çeki, Zelenski në aeroport u prit nga ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavski, ndërsa pastaj është paraparë edhe takim me presidentin e Çekisë, Petër Pavell, transmeton agjencia Ukrinform.
Kanbera – Pas fitores bindëse të Partisë Laburiste në zgjedhjet e djeshme parlamentare, lideri i saj dhe kryeministër australian Entoni Albaneze deklaroi sot se australianët votuan për unitet, transmetoi DPA. “Populli australian votoi për unitet, ndërsa jo për ndarje. Do të jemi qeveri e disiplinuar në mandatin tonë të dytë, njëjtë siç ishim edhe në të parin”, u tha Albaneze mbështetësve gjatë vizitës së votuesve në Sidnej pas fitores. Sipas rezultateve, me 72 për qind të fletëve të votimit të numëruara, Partia Laburiste do të fitojë të paktën 85 vende në Dhomën e Poshtme 150 anëtarëshe të Parlamentit, që është mjaftueshëm për shumicë absolute, njoftoi Ej-Bi-Si Njuz.
Uashington – Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset planifikon ta vizitojë Izraelin para udhëtimit të presidentit Donald Tramp në Lindjen e Mesme, njoftoi sot portali Aksios, duke iu referuar burimeve mes përfaqësuesve zyrtarë izraelitë. Mbërritja e Hegset në Izrael pritet më 12 maj, kur do të takohet me ministrin e Mbrojtjes së vendit, Izrael Kac, si dhe kryeministrin Benjamin Netanjahu. Pastaj pritet që shefi i Pentagonit t’i bashkëngjitet Trampit në turrin e tij në Lindjen e Mesme.
Gazë - Të paktën 40 palestinezë kanë humbur jetën, ndërsa 125 janë plagosur në Rripin e Gazës gjatë sulmeve izraelite në 24 orët e fundit, bëjnë të ditur burime mjekësore, transmetojnë mediat palestineze. Autoritetet lokale të shëndetësisë, njëherësh konfirmuan se numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i sulmeve izraelite në tetor të vitit 2023 është rritur në 52.535, derisa 118.491 persona janë plagosur, raporton agjencia palestineze e lajmeve. Sipas informacioneve, shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.
Leverkuzen - Florian Virc (22) është një nga futbollistët më të kërkuar në botë aktualisht dhe njëherësh objektivi kryesor i disa klubeve të njohura. Në garën për firmën e tij, megjithatë prin Bajerni i Munihut i cili është i gatshëm t’i paguajë Baer Leverkuzenit 125 milionë euro, por ish legjenda e klubit nuk beson se Bavaria është destinacioni i duhur për futbollistin gjerman. Jens Novotni (51) i cili luajti për Leverkuzenin për një dekadë (1996-2006), një periudhë ku ai regjistroi jo më pak se 295 ndeshje me ekipin, përfshirë edhe faktin që arriti në finalen e Ligës së kampionëve në sezonin 2001-2002, deklaroi në një intervistë për "Skaj" se dëshira e tij kryesore është që Virc të vazhdojë me Leverkuzenin edhe sezonin e ardhshëm dhe më pas të transferohet në një klub të madh jashtë Gjermanisë.