• e hënë, 23 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/4 shtator/2023 

Shkup  - Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në konferencën e sotme për shtyp të cilën e mbajti së bashku me u. d. drejtorët e Klinikës së Onkologjisë, Dr. Violeta Klisarovska dhe Halid Matoshi, theksoi se kanë një pasqyrë të asaj që ndodhi në Klinikën e Onkologjisë, se gjithçka që u është kërkuar nga ata nga MPB-ja dhe nga Prokuroria u është dhënë, por për atë se kush është përgjegjës për krimin atje përgjigje duhet të japë Prokuroria. Mexhiti  tha se gjatë periudhës kur ai është ministër gjendja e onkologjisë ka ndryshuar. Për terapinë  biologjike për pacientët tani nuk vendosin nga një apo dy mjekë, por udhëheqësit e të gjitha 12 reparteve të Klinikës një herë në javë, ndërsa nga ai moment drejtoresha përjashtohet. 

Frankfurt  -  Me nënshkrimin e kontratës me BMZ, ne po pasurojmë dhe rrisim portofolin e investimeve të huaja në vendin tonë me një investim të ri në një fabrikë për prodhimin e baterive që do të hapë 755 vende të reja pune, tha zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi. Bytyqi së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Zona zhvillimore teknologjike industriale, Jovan Despotovski, ndodhet për vizitë pune në Republikën Federale të Gjermanisë, gjatë së cilës në Frankfurt u nënshkrua marrëveshja me kompaninë gjermane për prodhim të baterive litium-jon "BMZ", për realizimin e një investimi të ri gjerman në Maqedoninë e Veriut.

Shkup  - Është me rëndësi që të vërtetohen të gjitha provat relevante që praktikisht do ta përcaktojnë gjithë këtë rast dhe natyrshëm që të gjithë të përfshirët të dalin para drejtësisë, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, lidhur me zhvillimet në Klinikën e Onkologjisë. Në një deklaratë për media pas fjalës hyrëse në ngjarjen e seancës së dymbëdhjetë të grupit punues 4 – Drejtësi, Liri dhe Siguri (Kapitulli 24), Spasovski tha se deri më tani është kryer  bastisje në Klinikën e Onkologjisë dhe tek dy persona. Ai shtoi se kanë të dhëna dhe informacione nga shumë persona që telefonojnë në MPB, mes tyre edhe gazetarë. Në ekipin që u formua posaçërisht për këtë rast, Spasovski tha se i ka të gjitha profilet e personave që nevojiten për analizimin e materialeve dhe kryerjen e suksesshme të hetimeve.

 Shkup -  Vendi arriti të ruajë stabilitetin dhe strukturën e qëndrueshme makroekonomike, pavarësisht periudhës së trazuar të ndjekur nga disa kriza ekonomike globale. Dëshmi e kësaj është miratimi i arazhmanit PLL prej 530 milionë eurove, që u jepet vendeve me baza të qëndrueshme ekonomike. Kjo u theksoi në takimin e ministrit të Financave, Fatmir Besimi me përfaqësuesin e ri rajonal për Ballkanin Perëndimor të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Sebastian Sosa, i cili do ta kryejë këtë funksion për tre vitet e ardhshme.

Shkup  - Një infermiere e kapur në tentativë të përsëritur për të vjedhur nga Onkologjia është pushuar menjëherë nga puna dhe nuk është futur më në institucion, tha drejtoresha mjekësore e Klinikës Universitare për Onkologji dhe Radioterapi, Violeta Klisarovska, duke sqaruar se ajo ishte infermiere në spitalin ditor dhe nuk ishte e lidhur drejtpërdrejt me përgatitjen e barnave. Klisarovska gjithashtu apeloi deri te organet kompetente që sa më shpejt të zbulohen fajtorët dhe t'i emërtojnë ata, në mënyrë që siç tha ajo, të hidhet poshtë e ashtuquajtura fajësi kolektive që tash varet mbi gjithë institucionin, gjegjësisht mbi gjithë ekipin mjekësor që shkatërron besimin pacient-mjek.

Frankfurt - Ne po kërkojmë një vend për të investuar ku do të qëndrojmë për një kohë të gjatë, thotë për MIA-n  Sven Bauer, drejtor ekzekutiv dhe themelues i BMZ gjermane, kompania me të cilën sot u nënshkrua kontrata për një investim prej 65 milionë eurosh në TIRZ Shkup 2.Bauer theksoi se për një kohë të gjatë në të gjithë Evropën po kërkonin një pozicion të mirë për realizimin e investimit. "Ne nuk jemi një kompani që kërkon një treg afatshkurtër për të realizuar investimin. Përkundrazi, ne po kërkojmë një vend për të qëndruar për një kohë të gjatë, tha Bauer.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ka pranuar kopjet e letrave kredenciale të Ambasadorit të sapoemëruar të Republikës së Sllovenisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Gregor Presker. Nga Ministria e Punëve të Jashtme njoftojnë se Osmani i uroi mision të suksesshëm diplomatik në vendin tonë. Siç njoftojnë, në takim u shpreh kënaqësi e ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy vendeve mike, si dhe u konfirmua gatishmëria për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Frankfurt  - Kompania gjermane për prodhimin e baterive "BMZ" do të investojë 65 milionë euro në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI) Shkup 2 dhe do të hapë 775 vende të reja pune. Marrëveshjen për investim sot në Frankfurt e kanë nënshkruar drejtori ekzekutiv dhe themeluesi i "BMZ" Sven Bauer dhe drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI) Jovan Despotovski në prani të zëvendëskryeministrit për Çështje ekonomike Fatmir Bytyqi dhe Jelica Ivanovska, menaxhere e përgjithshme e BMZ Maqedoni.

Ohër  - Nesër bëhen 14 vjet nga tragjedia në Liqenin e Ohrit ku gjatë fundosjes së anijes “Ilinden” jetën e humbën15 persona, turistë nga Bullgaria fqinje. Fatkeqësia ka ndodhur më 5 shtator të vitit 2009, në orën 10:30, kur anija “Ilinden” me 57 udhëtarë ka lëvizur në relacionin nga Ohri për në Shën Naum. Mëngjesin e asaj të shtune moti ka qenë jashtëzakonisht i ngrohtë, liqeni i qetë, gjë që nuk paralajmëronte se do të ndodhë ndonjë aksident i parametrave të mëdha si i anijes në historinë e lundrimit në liqenin e Ohrit. “Ilinden” është përmbysur dhe është fundosur rreth 250 metra larg bregut të liqenit, pranë autokampit “Eleshec”.

Gostivar - Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari së bashku me ministren e Ekologjisë, Kaja Shukova mori pjesë në hapjen solemne të punëtorisë "Progres" pranë Shkollës së Mesme Teknike në Gostivar. Kjo punëtori, e para e këtij lloji në nivel të shtetit tonë, do të shërbejë për riparim të aparaturave dhe pajisjeve të ndryshme shtëpiake dhe për punë praktike të nxënësve të kësaj shkolle.

Tiranë - Ish-ambasadori Luixhi Soreca sërish u kthye në Tiranë, ku do të qëndrojë deri në ardhjen e ambasadorit të ri i cili do ta udhëheqë delegacionin e BE-së.   Në një postim të delegacionit të BE-së në rrjetet sociale, thuhet se në takimin me delegacionin, Soreca e theksoi mbështetjen e fortë për Shqipërinë dhe promovimin e reformave të rëndësishme që do ta sjellin vendin në BE.

 Zagreb – Presidentët e Kroacisë dhe Malit të Zi, Zoran Millanoviq dhe Jakov Millatoviç sot janë takuar në Zagreb, pas së cilës deklaruan se të dyja vendet kanë marrëdhënie miqësore që i kultivojnë me kujdes.  Millatoviç, i cili është  për vizitë zyrtare dyditore në Kroaci, e para që nga marrja e funksionit të presidentit të Malit të Zi, në Zagreb është pritur me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore.

 Madrid – Dy persona humbën jetën, ndërsa tre konsiderohen të zhdukur pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut që shkaktuan përmbytje të mëdha në Spanjën qendrore dje dhe mëngjesin e sotëm, njoftuan autoritetet lokale. Si rezultat  i stuhisë janë mbyllur rrugët dhe linjat e metrosë, ndërsa janë ndërprerë edhe trenat e shpejtë. Reshjet e papritura i shndërruan rrugët në lumenj prej balte, duke tërhequr makina dhe kosha plehrash në zonat e Madridit, Kastila-La Mançës, Katalonjës dhe Valencias.

Soçi - Pas tre orësh bisedime, ka përfunduar takimi i presidentit rus Vladimir Putin me homologun e tij turk Rexhep Erdogan në Soçi. Sipas Putinit, takimi ishte konstruktiv dhe afarist dhe u diskutuan të gjitha çështjet kryesore. Presidenti rus tha se të dy vendet po rrisin përdorimin e valutave kombëtare në llogari të dollarit dhe euros në pagesat e ndërsjella, duke shtuar se deri në shtator të këtij viti, Rusia kishte furnizuar Turqinë me më shumë se 10 miliardë metra kub gaz dhe se Gazprom i ishte paraqitur një udhërrëfyes për ndërtimin e një qendre gazi nga Ankaraja, raportojnë agjencitë e huaja.

 Vjenë  – Irani ka ngadalësuar pasurimin e uraniumit që është afër nivelit të përshtatshëm për përdorim në armët bërthamore, thuhet në raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB). Raporti konfidencial, në të ciëin kanë pasur pasqyrë disa agjenci botërore, vjen derisa Irani dhe SHBA-ja negociojnë për shkëmbimin të burgosurve dhe lirimin e pronës iranian me vlerë miliarda dollarë të ngrira në Korenë e Jugut.

 Uashington  - Presidenti i SHBA-së Xho  Bajdeni mbrëmë tha se është i zhgënjyer që presidenti i Kinës Si Xhinpingu nuk do të vijë në samitin e liderëve të G-20-ës në Indi, duke shtuar se ka për qëllim të takohet me të. "Jam i zhgënjyer... por kam për qëllim të takohem me të", tha Bajdeni në një deklaratë për gazetarët në Rehobot biç, Delavar. Nuk ka dhënë detaje për një takim të tillë.  Kinën në samit do ta përfaqësojë kryeministri Li Kiang, presidenti Si Jinping nuk do të vijë, raportojnë mediat botërore.

Librevil  – Lideri i juntës ushtarake të Gabonit, Bris Nguema sot ka dhënë betimin si president i përkohshëm i vendit. Gjenerali Nguema e udhëhoqi grusht shtetin të mërkurën e kaluar kundër presidentit Ali Bongo, duke e rrëzuar nga froni atë menjëherë pasi u shpall fitues i zgjedhjeve të fundit. Nguema ka njëfarë mbështetjeje nga populli dhe në inaugurimin e tij morën pjesë shumë civilë, informon Bi-Bi-Si.

Soçi - Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan pas takimit treorësh me homologun e tij rus, Vladimir Putin sot në Soçi deklaroi se pret që së shpejti të merret vendim për marrëveshjen për grurin. “Kemi folur për rinovimin e marrëveshjes së grurit në Detin e Zi. Besoj se së shpejti do të merret vendim për iniciativën e grurit”, tha Erdogani.

Soçi - Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin sot pas takimit me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan në Soçi deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje të re për grurin me të cilin do të rregullohej transporti i drithit përmes Detit të Zi derisa Perëndimi të përmbushë kërkesat e tij, bëjnë të ditur agjencitë e huaja. Putini gjithashtu tha se Rusia ishte afër finalizimit të marrëveshjes për të siguruar grurë falas për gjashtë vende afrikane.

QËNDRONI TË LIDHUR