• e premte, 05 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 30 shtator/ 2025

Shkup - Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga: Igor Zdravkovski, zëvendëskryetar i Komisionit për Çështje Evropiane; Jovanka Trençevska, zëvendëskryetare e Komisionit për Financim dhe Buxhet; Sillvana Angelevska, anëtare e Komisionit për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike, po merr pjesë në Konferencën Ndërparlamentare për Stabilitetin, Koordinimin Ekonomik dhe Menaxhimin në Bashkimin Evropian (SECG), si pjesë e Dimensionit Parlamentar të Kryesimit të Danimarkës me Këshillin e Bashkimit Evropian, që u mbajt nga 28 deri më 30 shtator 2025 në Billund, Danimarkë.

Shkup - Kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave, Zhaklina Peshevska, dhe Lidija Petkoska, anëtare e Komisionit, zhvilluan sot në Kuvend takim pune me Kimberli Fleçer, kryetare e Nënat për Amerikën. Në takim, informojnë nga pres shërbimi kuvendor, Peshevska e njoftoi Fleçerin me arritjet e saj personale dhe profesionale, si dhe sfidat me të cilat është përballur në karrierën e saj si deputete, duke theksuar se gratë mund të jenë të suksesshme si nëna, por edhe si politikane. 

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendëskryetaren e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, dr. Mahmut Çevik, dhe ambasadorin e Republikës së Turqisë në vend, Fatih Ulusoj, sot vizituan Klinikën Universitare për Vesh, Hundë dhe Fyt, ku me mbështetje të TIKA-s është siguruar aparaturë e re mjekësore.  "Klinika për Vesh, Hundë dhe Fyt është pajisur me aparatura të reja elektrokirurgjikale, përkatësisht elektrokauterë, që mundësojnë diseksion më të saktë, më efikas dhe më të sigurt të indeve, duke kontribuar në shërim më të shpejtë të pacientëve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për klinikën, duke pasur parasysh se aty realizohen mbi 2000 ndërhyrje çdo vit. “Angazhimi ynë është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, veçanërisht në nivelin terciar ku trajtohen rastet më komplekse", theksoi ministri Aliu.

Shkup - Nëse gjithçka shkon sipas planit nga të dyja palët, në vitin 2031, 2032 duhet të jetë e mundur të udhëtohet me tren nga Shkupi në Burgas, njoftoi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski. Ai në përgjigje të pyetjes së një gazetari në një aktivitet promovues për Orce Gjorgjievskin, kandidatin e VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit në zgjedhjet e ardhshme lokale, konfirmoi se më 4 nëntor, kur të përfundojnë të gjitha kufizimet për shkak të zgjedhjeve, do të nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e përbashkët të tunelit ndërkufitar në hekurudhën për në Bullgari, siç u dakordua në qershor të këtij viti.

Shkup - LSDM-ja nuk ka kurrfarë bashkëpunimi me BDI-n dhe Të Majtën. Këto janë vetëm akuza të kota dhe të pabazuara, tha sot kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe. Ai në një konferencë për shtyp përsëriti se partia në zgjedhjet lokale garon vetëm në bashkëpunim me partnerët e saj të koalicionit. BDI-së dhe VMRO-së u bëri thirrje të flasin për tema serioze, në vend që të merren me përplasje dhe, siç theksoi, të nxisim nacionalizëm.  Filipçe gjithashtu akuzoi se deri tani nuk është miratuar snjë lirgj reformues në fushën e drejtësisë, si dhe se Qeveria nuk ka kapacitet të përballet me sfidat. 

Shkup - Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga rradhët e VLEN-it, Izet Mexhiti në konferencën e sotme për shtyp publikoi projektin kapital "Çairi pa mbeturina në rrugë", me të cilën pritet zëvendësimi i plotë i kontenjerëve strandardë me kontenjerë nëntokësorë.  Mexhiti informoi se për këtë kapital është siguruar një buxhet prej 120 milionë denarësh me afat zbatimi prej 36 muajsh. 

Gostivar - Ambasadori i Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Fatih Ulusoj sot realizoi vizitë pune në Gostivar dhe u takua me u.d. kryetarin e komunës Valbon Limani. Nga shërbimi për informim i komunës së Gostivarit theksuan se takimi kaloi në bisedë konstruktive. Kryetari i komunës Limani e ka vlerësuar këtë vizitë si nder dhe shprehu falënderim për mundësinë e bashkëpunimit me Turqinë.

 Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot deklaroi se ka dërguar një ekip ushtarak në një stërvitje të përbashkët në Danimarkë për të ndarë përvojën në luftimin e dronëve rusë. "Djemtë tanë mbërritën për të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me partnerët tanë", tha Zelenski në rrjetet sociale.

Këln - Pilotët e kompanisë ajrore gjermane "Lufthansa" sot votuan për grevë, që pritet të shkaktojë ndërprerje të mëdha për udhëtarët.  Sipas të dhënave zyrtare, në anketë morën pjesë 90 për qind e pilotëve të "Lufthansas" dhe 95 për qind e pilotëve të transportit të mallrave të kësaj kompanie ajrore, ndërsa mes tyre 88 për qind e pilotëve në sektorin komercial dhe 96 për qind në sektorin e transportit me kargo votuan për fillimin e grevës.

Pragë - Çekia dëshiron të bëhet vendi i parë i BE-së që menjëherë ta kufizojë hyrjen e qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe viza afariste për shkaqe sigurie, njoftoi qeveria, e cituar nga mediat franceze. Masa do të zbatohet në të gjitha aeroportet e vendit. Qyetarët rusë të akredituar në Ambasadën ruse në Pragë do ta mbajnë të drejtën e tyre që të hyjnë në vend, njoftoi Ministria çeke e Punëve të Jashtme.

Paris - Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nati Mtetva, është gjetur i vdekur para një hoteli në Paris, publikoi sot zyra e prokurorisë franceze, ndërsa burime të afërta me rastin përmendin se me siguri bëhet fjalë për vetëvrasje. Sipas njërit prej këtyre burimeve, ambasadori 58-vjeçar ishte në depresion dhe mund të ketë vrarë veten. Ambasadori, emri i plotë i të cilit është Nkosinati Emanuel Nati Mtetva, ka rezervuar dhomë në katin e 22-të, dritarja e së cilës është hapur me forcë, kumtoi prokuroria.

Bruksel - BE-ja do të ndajë dy miliardë euro për dërgesën e dronëve në Ukrainë, publikoi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen. Njoftimi paraqet hapin më korrekt të BE-së deri tani për rritjen e kapacitetit të Ukrainës për luftë me dronë. Fon der Lajen në një bisedë me gazetarët me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, tha se kjo do t'i mundësojë Ukrainës të zgjerohet dhe ta shfrytëzojë kapacitetin e saj të plotë, ndërsa BE-ja të ketë interes nga kjo teknologji, publikoi Politiko.

Bruksel - Në Maqedoninë e Veriut, ekziston mbështetje e fortë institucionale për të përshpejtuar implementimin e kornizave të reja ligjore të harmonizuara me BE-në, për të përmirësuar ndjeshëm mbrojtjen e mjedisit jetësor, bëhet e ditur në raportin e publikuar të Agjencisë Evropiane të Mjedisit Jetësor (EEA) për gjendjen e emetimeve të gazrave serrë dhe ndotjes në Evropë gjatë pesë viteve të fundit, në pjesën kushtuar vendit. "Qeveria ka bërë përparim të konsiderueshëm në përafrimin e kornizës së saj ligjore dhe rregullatore me legjislacionin evropian dhe është e angazhuar të vazhdojë përpjekjet për anëtarësim në BE", thuhet në dokumentin.

Moskë - Moska është krenare që pranoi katër rajone të mëparshme ukrainase në Rusi, deklaroi sot presidenti rus, Vladimir Putin.  Republikat popullore të Donjeckut dhe Luhanskit, si dhe rajonet Herson dhe Zaporozhje, votuan në një referendum në shtator të vitit 2022 për shkëputje nga Ukraina dhe bashkimin me Rusinë. Megjithatë, Ukraina, ashtu si shumica dërrmuese e bashkësisë ndërkombëtare, i konsideron këto votime si të paligjshme, pasi ato u zhvilluan nën presion, në kushte lufte dhe pa vëzhgues ndërkombëtarë.

 Moskë - Kremlini sot bëri të ditur se shpreson që plani i presidentit amerikan Donald Tramp për paqe në Rripin e Gazës do të implementohet dhe se kjo do të japë një shtysë për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, njoftuan mediat britanike. Donald Tramp arriti të fitojë mbështetjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për propozimin e paqes në Gaza, por ende nuk është e qartë nëse Hamasi do ta pranojë.

Gazë - Propozimin për armëpushim në Gaza, që dje e paraqiti SHBA, varet nga përgjigjja e Hamasit në planin prej 20 pikash për të cilin presidenti Donald Tramp tha se është "më shumë se afër" ndërprerjes së konfliktit dyvjeçar në enklavë. Ndërmjetësuesit Katari dhe Egjipti e shpërndanë dokumentin me Hamasin mbrëmë vonë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u ndal pranë Donald Trampit në Shtëpinë eë Bardhë dhe premtoi mbështetje për propozimin, duke thënë se ai i plotëson objektivat ushtarake të Izraelit. Nuk është e qartë se ç'farë i lehtësoi dyshimet paraprake të Netanjahut për elementet e propozimit.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot deklaroi se grupi militant palestinez Hamas ka rreth tre ose katër ditë të përgjigjet në ofertën e tij për marrëveshje paqësore në Rripin e Gazës. Duke dalë nga Shtëpia e Bardhë, Tramp u tha gazetarëve se liderët izraelitë dhe arabë e kanë pranuar planin dhe "ne presim vetëm Hamasin". "Hamasi ose do ta bëjë këtë ose jo, dhe nëse nuk e bën këtë, ky do të jetë një fund shumë i dhimbshëm", shtoi ai.

 Nju-Jork - Kombet e Bashkuara sot i bënë thirrje qeverisë së talebanëve që menjëherë ta kthejnë qasjen në internet dhe telekomunikacion në të gjithë Afganistanin, 24 orë pasi u ndërpre. "Ndërprerja pothuajse e ka izoluar plotësisht Afganistanin nga pjesa tjetër e botës dhe rrezikon të shkaktojë dëm të konsiderueshëm për popullin afgan, duke përfshirë minimin e stabilitetit ekonomik dhe përkeqësimin e një prej krizave më të këqija humanitare në botë", bëri të ditur Misioni i Ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA).

QËNDRONI TË LIDHUR