18:00 / 8 maj / 2025
Shkup – Gjykata e Apelit i refuzoi si të pabaza ankesat e një pjese të të akuzuarve për rastin “Llaskarca” i cili ka të bëjë me aksidentin e autobusit i cili ndodhi në vitin 2019 në të cilin humbën jetën 16 udhëtarë, ndërsa mbi 30 ishin lënduar, përderisa pjesërisht e pranoi ankesën e Priokurorisë Themelore Publike Shkup, në atë mënyrë që i rriti dënimet me burg të pronarit të kompanisë “Durmo turs”, të akuzuarit Durmish Beluli prej katër në dhjetë vjet, përgjegjësit për transport në firmë, Remzi Miftari prej gjashtë në dhjetë vjet, dhe prej pesë në nga shtatë vjet burg dy të punësuarve në stacionin për kontroll teknik, Igor Gjorgjieski dhe Goran Dukovski. Dënimet e të punësuarit të tretë në stacionin për kontroll teknik, Jane Bovarovski dhe të shoferit të autobusit, Manoil Trifunovski mbeten të njëjta, pesë dhe 14 vjet dënim me burg.
Shkup - Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gjoshevski realizoi takim me ambasadoren Terhi Hakala, deputete speciale e Kryesimit finlandez me OSBE-në. Siç informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit, në takim u shkëmbyen mendime mbi kontributin e OSBE-së për vendin tonë, si dhe mbi rolin e Republikës së Maqedonisë së Veriut brenda Organizatës. Arritja më e madhe e bashkëpunimit ishte kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, me theks të rëndësishëm në përfitimet e misioneve në terren, si parakusht i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së njerëzve që janë shfrytëzuesit e fundit të aktiviteteve të Organizatës.
Shkup - Ndryshimet në Ligjin për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve morën sot mbështetje nga anëtarët e Komisionit parlamentar për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësive. Ndryshimet u propozuan nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM. Për gjashtë amendamentet e parashtruar nga deputeti i “Frontit Europian” Sali Murati, nuk është dhënë mbështetje nga anëtarët e Komisionit. Për amendamentin e gjashtë të fundit, kryetari i Komisionit të sistemit politik, Ljupço Prenxhov, i bëri thirrje Muratit ta tërheqë atë sepse, siç theksoi ai, nuk mund ta hidhte në votim sepse në amendamentin, deputeti kërkon ndryshim në nenin 8, paragrafi 5, ndërsa zgjidhja ligjore ka shtatë nene. Kësaj, Murati iu përgjigj se në rregullimin e ndryshimeve, shërbimet parlamentare kishin bërë një gabim teknik dhe se ai nuk do të tërhiqte amendamentin e gjashtë sepse, siç tha ai, konsideron se ka të drejtë.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Italisë, u takua me z. Lorenco Fontana, Kryetar i Dhomës së Poshtme të Republikës së Italisë. Në takim morën pjesë edhe anëtarët e Grupit Parlamentar të Kuvendit të RMV-së për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Italisë: znj. Bllagica Llasovska, z. Dimitar Kovaçevski, znj. Mimoza Musa dhe znj. Marina Dimovska, sekretare e përgjithshme e Kuvendit të RMV-së. Kryetari Gashi theksoi se Italia është mik i vendosur i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mbështetës i qëllimit tonë strategjik - anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian; duke iu referuar dy rezolutave të miratuara në Dhomën e Deputetëve të Republikës së Italisë. Gashi shprehu pritjen e tij që Këshilli i BE-së do të japë sinjal të qartë se fillimi i negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë më shumë se një imperativ për BE-në, veçanërisht duke pasur parasysh situatën e brishtë dhe delikate gjeopolitike. Ai e vlerësoi bashkëpunimin midis dy parlamenteve si dinamik, veçanërisht përmes Protokollit të Bashkëpunimit, i cili do të mundësojë shkëmbimin e përvojave, përmirësimin e njohurive dhe zgjerimin e vizioneve për punën parlamentare. Pa dyshim, një urë lidhëse midis dy vendeve është diaspora e shumtë në Itali, që numëron rreth 100.000, e cila është e vendosur dhe e vlerësuar mirë në Itali. Në këtë kontekst, e nënvizoi rëndësinë e miratimit të Marrëveshjes së Sigurimit Social nga Italia.
Shkup - Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup sot u mbajt një aktivitet shkencor, që përkon me përfundimin e serisë “Dialektologjia shqiptare – Të folmet shqipe në Maqedoninë e Veriut I-V” dhe veprës së prof. Qemal Muratit “Fjalor i të folmeve shqipe në Maqedoni”. Siç njofton ITSHKSH, kjo ngjarje shkencore ishte e ndarë në dy pjesë, në pjesën promovuese, që u mbajt në fillim dhe u moderua nga Dr. Teuta Agai Demjaha, dhe në pjesën shkencore, që vijoi më pas dhe u drejtuar nga udhëheqësit e seancave përkatëse shkencore.
Shkup - Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut janë në terren për të përcaktuar nëse tregtarët, distributorët ose prodhuesit kanë sjellje devijante, përkatësisht nëse ka rritje të çmimeve të produkteve ushqimore. Nëse përcaktohet një rritje e çmimeve të produkteve, do të merren masa më rigoroze, theksoi në konferencën e sotme për shtyp Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmisi. Ndër masat që po merren në konsideratë në rast të një rritjeje enorme të çmimeve të produkteve ushqimore është një kufizim i marzhit, por, siç tha,mund edhe të rritet përqindja e marzhit. Ai theksoi se inspektorët do të përgatisin një raport në fund të muajit aktual, të cilin do t'ia paraqesin Qeverisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës. Bazuar në të, nëse ka, siç thotë, sjellje devijante nga tregtarët dhe një rritje enorme e çmimeve të produkteve, pa justifikim financiar nga tregtarët, shpërndarësit apo prodhuesit, do të merren masa më rigoroze në periudhën e ardhshme.
Shkup - Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Ivan Stoilkoviq, zhvilloi një takim pune me një delegacion nga zyra e UNDP-së në Shkup, i udhëhequr nga drejtori Armen Grigorian. Siç informnojnë nga Ministria, gjatë takimit u diskutuan disa çështje aktuale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të thelluar ndërmjet Ministrisë për marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe UNDP-së për promovimin e besimit ndërmjet bashkësive në Ballkanin Perëndimor.
Shkup - Pas një mungese të gjatë nga manifestimi, Maqedonia e Veriut këtë vit ka përfaqësuesen e saj në zgjedhjen e ardhshme të "Miss e Botës", finalja e së cilës do të mbahet më 31 maj në qytetin Hajderabad në Indi, ndërsa aktivitetet e festivalit do të zgjasin tërë muajin. Vendi do të përfaqësohet nga njëzet vjeçarja Çarna Nevzati. "Nder dhe kënaqësi të përfaqësojmë Maqedoninë, thesarin dhe kulturën tonë kombëtare", thotë Çarna Nevzati.
Dibër - Nëpunës policorë nga Stacioni policor për kalim kufitar dhe mbikëqyrje kufitare Bllatë pranë Qendrës rajonale për Çështje kufitare Perëndim e privuan nga liria D.A. (30) nga Republika e Shqipërisë, i cili ka ofruar ryshfet. "Në vendkalimin kufitar, për hyrje në shtet, kishte ardhur me automjetin e pasagjerëve 'folksvagen sharan' me targa kombëtare shqiptare, në të cilin transportonte katër shtetas të tjerë shqiptarë, me ç’rast në dokumentet e tij personale dhe të qarkullimit kishte vënë para, të cilat janë gjetur nga nëpunësi policor, i cili ka kryer kontrollin kufitar", thuhet në kumtesën e MPB-së.
Tiranë – Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, (VLO), sot ishte realizuar fluturimi i parë i certifikuar, me çka edhe zyrtarisht është vënë në funksion ky aeroport, i cili, siç vlerësojnë kompetentët, do të jetë portë drejt Shqipërisë Jugore dhe portë për zhvillim të turizmit. Pasi u ul aeroplani, në ceremoninë ku mori pjesë kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, theksoi se “aeroporti ndërkombëtar i Vlorës është investimi më i rëndësishëm që lidhet me krenarinë kombëtare dhe premtim i bërë nga qeveria e udhëhequr nga Edi Rama".
Tiranë - Partia Demokratike e Shqipërisë, në një reagim zyrtar në lidhje me lajmin e publikuar se lideri i partisë dhe ish kryeministri, Sali Berisha, mund të udhëtojë lirshëm drejt SHBA-së, vlerëson se "drejtësia është vonuar, por e realizuar". "Vlerësojmë dhe mirëpresim shumë qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të publikuar nga mediat amerikane. Ky është një rikthim në ligjshmëri, i marrë peng si nga administrata e Bajdenit me lobimin e Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës. Drejtësia u vonua, por u realizua, falë administratës së presidentit Tramp, fitorja e të cilit i shërbeu botës së lirë", thuhet ndër të tjera në reagim.
Vatikan - Të gjithë 133 kardinalët, të cilët e përbëjnë konklavën, u kthyen në Kapellën Sistina, pasi morën një pushim dreke pas votimeve të mëngjesit. Ata pasdite mund të votojnë edhe dy herë, një herë në orën 17:30 dhe, nëse nuk arrihet konsensus, përsëri në orën 19:00. Për një Papë të ri kërkohet një shumicë prej dy të tretash, e cila në këtë konklavë është 89 vota, ndërsa kjo mund të marrë kohë. Kohëzgjatja mesatare e konklavave të fundit ishte tre ditë dhe shtatë vota. Nëse sot nuk zgjidhet papë i ri, nesër do të ketë edhe katër votime më së shumti.
Varshavë - Në kuadër të Bashkimit Evropian shohim frymë të rinovuar, të përqëndruar në procesin e zgjerimit, por atë që duhet të shohim në praktikë është mbyllja e hendekut, që shihet qartë që ekziston në këtë moment ndërmjet pritjeve të krijuara dhe realizimit të tyre, deklaroi sot në Varshavë, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski. "Atë që mund ta them, duke përfaqësuar shtetin tim, është se do të përkushtohemi në reforma, do të përkushtohemi në harmonizim me legjislacionin e BE-së, do të përkushtohemi në agjendën e Reformës që është pjesë integrale e Planit të Rritjes, por në fund të fundit, presim që Brukseli, si dhe vendet anëtare, të përmbushin premtimin shumë të qartë që iu dha Ballkanit Perëndimor para shumë, shumë viteve", deklaroi Mucunski pas arritjes në takimin joformal të shefave të diplomacive të vendeve anëtare dhe shteteve kandidate dhe kandidatë potencial për anëtarësim në BE, që po mbahet në Varshavë
Bruksel - Komisioni Evropian sot publikoi plane për të vendosur tarifa shtesë për importet nga SHBA-ja me vlerë prej rreth 95 miliardë euro (107 miliardë dollarë) nëse negociatat me Uashingtonin nuk arrijnë zgjidhje për mosmarrëveshjen tregtare. Lista e produkteve të targetuara e publikuar sot përfshin mallra industriale dhe bujqësore. Shtesë, Komisioni po konsultohet me vendetanëtare "për kufizime të mundshme për eksporte të caktuara të mbeturinave të hekurit dhe produkteve kimike të BE-së në SHBA me vlerë 4.4 miliardë euro", thuhet në kumtesën për shtyp.
Bruksel – Niveli i borxhit publik të vendit në fund të tremujorit të parë të vitit 2025 ishte 57,7 për qind nga vlera e PBB-së kombëtar, që është për gati 24 pikë përqindjeje në krahasim me borxhin mesatar në BE dhe për mbi 30 pikë nën detyrimet huamarrëse të Eurozonës. Autoritetet e Maqedonisë presin që në periudhën e ardhshme borxhi publik të vazhdojë të ulet, dhe siç paralajmëroi kryeministri Hristian Mickoski, me vazhdimin e kësaj tendence të uljes së tyre, deri në fund të mandatit të kësaj Qeverie ai do të ishte nën 55, e madje ndoshta edhe nën 50 për qind.
Berlin - Presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmaer, në fjalimin e sotëm para parlamentarëve gjermanë gjatë ceremonisë përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, paralajmëroi për pasojat e izolacionizmit dhe nacionalizmit. "Ne e dimë se ku çon izolimi, ku çon nacionalizmi agresiv dhe përbuzja ndaj institucioneve demokratike. Ne e kemi humbur tashmë një herë demokracinë në Gjermani", deklaroi presidenti në fjalimin para Dhomës së Ulët të Parlamentit gjerman. "Le të besojmë në përvojën tonë! Le të qëndrojmë në mbrojtje të vlerave tona. Le të mos ngrijmë nga frika", tha ai.
Londër – Qeveria e Britanisë së Madhe ka refuzuar të komentojë pretendimin e Presidentit të SHBA-së Donald Tramp se marrëveshja që pritet të shpallet do të jetë “e plotë dhe gjithëpërfshirëse”. Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit deklaroi: “Ne gjithmonë kemi qenë të qartë se duam të arrijmë një marrëveshje që është në interesin kombëtar britanik dhe të mbështesim një marrëdhënie të rëndësishme tregtare midis Britanisë së Madhe dhe SHBA-së". Ai shtoi se bisedimet po vazhdojnë dhe se shpreson të ketë informacione të reja më vonë gjatë ditës së sotme.
Kiev - Parlamenti i Ukrainës sot unanimisht e ratifikoi marrëveshjen për mineralet me SHBA-në. "Për" marrëveshje votuan 338 deputetë, ndërsa për ratifikim ishin të nevojshme 226 vota. Asnjë deputet nuk votoi “kundër” ose “abstenoi”. "Parlamenti ukrainas ka ratifikuar marrëveshjen për partneritet historik ekonomik midis Ukrainës dhe SHBA-së, publikoi në Iks Ministrja ukrainase e Ekonomisë, Julia Sviridenko. Ajo paraprakisht deklaroi se shpreson që me marrëveshjen, Ukraina do të merrë ndihmë të re ushtarake nga administrata e Presidentit amerika Donald Tramp.
Kiev – Një person u vra, ndërsa dy janë plagosur në sulme ruse në verilindje të Ukrainës, në orët e para të armëpushimit 72 orësh të cilin e shpalli presidenti rus Vladimir Putin, njoftuan autoritetet ukrainase. Prokuroria e zonës ukrainase Sumi njoftoi se forcat ruse hodhën bomba mbi lagjet e banuara në afërsi të kufirit rus-ukrainas. Ushtria ukrainase informon se të paktën një raketë e ka goditur rajonin Sumi sot herët në mëngjes. Moska njëanshëm shpalli armëpushim gjatë shënimit të 80-vjetorit të fitores ruse mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore, festës më të madhe laike në Rusi, përderisa Kievi kërkon armëpushim afatgjat.
Moskë - Presidenti rus Vlladimir Putin dhe presidenti kinez Si Xhinping kanë konfirmuar partneritetin e tyre të ngushtë, i cili përfshin sektorët e automobilave dhe energjisë, gjatë takimit sot në Moskë, duke shënuar 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. "Në kushtet e një situate të vështirë gjeopolitike dhe pasigurisë globale, marrëdhënia ruso-kineze në politikën e jashtme është faktori më i rëndësishëm stabilizues në skenën ndërkombëtare", deklaroi Putin. Kina është një blerës kryesor i lëndëve të para ruse, si gazi dhe nafta, shitja e të cilave mbush fondin ushtarak të Rusisë për konfliktin që filloi me Ukrainën më shumë se tre vite më parë, njoftoi DPA.
Jerusalem - Armata izraelite (IDF) kumtoi se ka kryer sulm ajror ndaj pjesës jugore të Libanit, ndërsa shënjestër ka qenë infrastruktura e Hezbollahut. Gjatë sulmit është qëlluar një objekt në afërsi të pallatit Boford, që sipas IDF-së e ka shfrytëzuar Hezbollahu.