• e enjte, 04 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00/ 18 qershor/ 2025

Shkup – Kuvendi sot miratoi rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve të buxhetit me të cilat sigurohen dy milionë denarë për përgatitjen e zgjidhjes ideore dhe fillimin e aktiviteteve për ndërtimin e memorialit për të vdekurit në zjarrin në Koçan, 600 milionë denarë për projekte infrastrukturore dhe projekte kapitale për zhvillim të komunave dhe 24,3 milionë denarë për pagesën drejt shoqatave mbrojtëse në bazë të kthimit të kontributeve të paguara. Vendimi për rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve të buxhetit të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve për vitin 2025, ishte votuar me 68 vota “për”, katër “kundër” dhe pa të përmbajtur, paraprakisht mori mbështetjen edhe nga Komisioni amë për Financim dhe Buxhet dhe Komisioni Ligjvënës -Juridik. 

Shkup - Gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit vazhdon më 20 qershor me fjalët përmbyllëse të të akuzuarve dhe mbrojtjes së Lupço Palevskit, pasi sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup avokatët e Velibor Manevit, Bore Videvskit, Vllatko Keshishevit dhe Aleksandar Gjorçevskit kërkuan lirimin nga akuzat. Prokuroria Themelore Publike më parë kërkoi dënim maksimal me burg të përjetshëm për Palevskin, Keshishevin, Videvskin dhe Manevin, ndërsa për babanë e Vanjës kërkoi që gjykata të vendosë dënim të përshtatshëm me burg. Në fjalën e tij përfundimtare, avokati mbrojtës i Aleksandar Gjorçevskit, avokati Vlladimir Tufegxhiq, vlerësoi se akuza kundër Gjorçevskit është e pabazë, e paargumentuar, paushale dhe e bazuar në supozime që nuk mbështeten nga provat e prokurorisë. Ai theksoi se mbrojtja vërtetoi se pikërisht i pandehuri Aleksandar, si babai i Vanjës është viktimë dhe palë e dëmtuar në këtë procedurë së bashku me nënën Zorica dhe familjen e tij dhe vërtetoi se gjatë periudhës kritike ai veproi në mënyrë që çdo prind do të vepronte në një situatë ku fëmija i tyre i zhdukur kërkohet.

Shkup - Fondet për zhvillimin e një projekti konceptual dhe fillimin e aktiviteteve për ndërtimin e një memoriali për ata që humbën jetën në zjarrin e Koçanit duhet të sigurohen me Projektvendimin për rialokimin e fondeve midis përdoruesve të buxhetit të qeverisë qendrore dhe midis fondeve për vitin 2025, i cili sot mori mbështetje nga komisioni përkatës parlamentar. Rialokimi i propozuar i fondeve buxhetore do të sigurojë 600 milionë denarë për projekte infrastrukturore dhe kapitale për zhvillimin e komunave, si dhe 242.3 milionë denarë për pagesa në shoqëritë e sigurimeve shoqërore bazuar në kthimin e kontributeve të paguara. Projektvendimi mori mbështetje pa debat në Komisionin parlamentar për Financim dhe Buxhet, anëtarët e të cilit, me propozim të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov, mbështetën gjithashtu një amendament për të përfshirë fonde për memorialin.

Shkup - Universiteti Amerikan Kolexh Shkup (UAKS) u bë me rektore të re. Pas zgjedhjeve të zhvilluara në të gjitha njësitë akademike të universitetit, rektore është zgjedhur prof.dr. Venera Kërliu, e cila e merr këtë pozitë kyçe me mandat nga 1 tetori i vitit 2025. Me këtë zgjedhje, siç bëhet e ditur në kumtesë e universitetit, UAKS paralajmëron fillim të fazës së re të zhvillimit, e përqendruar në arsim cilësor, fuqizim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancim të kapaciteteve hulumtuese.  Në deklaratën e saj të parë pas zgjedhjes, prof.dr. Venera Kërliu shprehu mirënjohje për besimin dhe theksoi se mandatin e ri e sheh si mundësi të përbashkët që të vazhdohet me ndërtimin e vlerave për të cilat njihet UAKS. 

Shkup - Komisioni parlamentar për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave e shqyrtoi sot Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pyjet, në lexim të parë dhe e vlerësoi si të pranueshëm duke rekomanduar që të kalojë për lexim të mëtejshëm. Komisioni njëzëri e miratoi konkluzën. Përfaqësuesi i propozuesit, Jordan Zdravkovski, udhëheqës i sektorit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave e arsyetoi nevojën për miratimin e ligjit. Ai njoftoi se me ndryshimet përfshihen dhe rregullohen më tej procedurat për mbrojtjen dhe rregullimin e pyjeve dhe tokave pyjore të parregulluar, me qëllim që të fitojnë kornizë ligjore dhe të mundësohet ndryshimi i kulturës kadastrale në përputhje me gjendjen faktike të mbulesës së tokës me lloje drurësh pyjorë. Propozimi i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pyjet nuk sjellë pasoja shtesë financiare mbi Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shkup – Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti procedurë kundër një personi për shkak të dyshimit se ka kryer vjedhje të rëndë. Siç informon Prokuroria, bëhet fjalë për një 23-vjeçar i cili më 02.01.2024 me dhunë kishte hyrë në një shtëpi në rrugën “Vostaniçka” në Shkup, ndërsa vlera e përgjithshme e mjeteve që i ka marrë është vlerësuar në 296 000 denarë. “Me ndihmën e një tavoline plastike, ai u ngjit në ballkonin e katit të parë të shtëpisë dhe hapi me forcë dritaren. Pastaj kontrolloi dhomat dhe mori bizhuteri, gjashtë ora dore, dy kompjuterë laptop, sende të tjera me vlerë dhe para të gatshme në vlerë prej 1.000 eurosh. Më pas ai doli nga shtëpia përmes një dere anësore dhe nuk ishte i kapshëm për policinë për më shumë se një vit. Duke marrë parasysh se kjo rrethanë tregon rrezikun që i dyshuari të arratiset përsëri për të shmangur ndjekjen penale, si dhe faktin se kundër tij janë ngritur akuza për vepra të tjera penale, prokurori publik i paraqiti një propozim gjykatësit të procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit”, bën të ditur Prokuroria. 

Shkup - Ministri i Administratës Publike të Republikës së Maqedonis, Goran Minçev, sot në Podgoricë ka nënshkruar Memorandum për bashkëpunim me homologun e tij malazez, ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj.  Përmes këtij memorandumi, kumtuan nga Ministria e Administratës Publike, të dy vendet formalizojnë bashkëpunimin e ndërsjellë në fusha kyçe si digjitalizimi i shërbimeve publike, menaxhimi me burime njerëzore, qeverisja e mirë, transparencë dhe profesionalizim i administratës publike.

Shkup - Sot janë paguar 341.536.000,00 denarë për 4.144 fermerë. Pagesa është realizuar në bazë të pagesave direkte plotësuese për lopë të matrikuluara - evidentuara më të vjetra se 12 muaj, sipas Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2024. Është realizuar pagesa për nënmasën 2.2 – Pagesa direkte plotësuese nga nënmasat 2.1, 2.4 dhe 2.5 për lopë të matrikuluara - evidentuara më të vjetra se 12 muaj nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2024.

Shkup - Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga deputetja Blagica Lasovska, përfshirë edhe deputetin Sadik Sulejmani, mori pjesë aktive në Asamblenë e 65-të të Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK). Qëllimi i Asamblesë së Përgjithshme është promovimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në fushat e infrastrukturës së transportit, digjitalizimit, stabilitetit energjetik dhe inkluzivitetit. Asambleja e Përgjithshme mbahet më 17 dhe 18 qershor në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ndërsa si i ftuar special, mori pjesë edhe kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ndodhet gjithashtu në një vizitë zyrtare dypalëshe në Azerbajxhan. Seanca u mbajt në Sallën Plenare të Mili Mexhlisit të Republikës së Azerbajxhanit.

Tetovë– Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Forumin Rajonal me temë „Qeverisje e mirë dhe bashkëpunim ndërinstitucional në zonat e mbrojtura në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë“ i organizuar nga CNVP (Connecting Natural Values and People). Në fjalimin e tij, ministri Mexhiti theksoi se burimet natyrore si uji, ajri dhe pyjet nuk njohin kufij politikë apo administrativë, ndërsa mënyra se si menaxhohen ato reflekton kapacitetet e shtetit dhe të rajonit në tërësi.

Tetovë - Dy pjesëtarë të Armatës u lënduan në një zjarr që shpërtheu sot rreth orës 14 në kazermën e Tetovës, sipas informacioneve fillestare nga Njësia territoriale kundër zjarrit Tetovë. "Është ndërhyrë me shtatë zjarrfikës, me dy kamionë dhe një automjet tereni për ndërhyrje speciale, pas së cilës zjarri u lokalizua për gjysmë ore. Dy të lënduarit u përpoqën të ndërhynin, pas së cilës u dërguan në Spitalin e Tetovës, informoi Avni Ameti, komandant i NJTKZ Tetovë.

Tetovë- Në një frymë bashkëpunimi akademik dhe profesional, sot në ambientet e Universitetit të Tetovës u zhvillua një takim pune mes Rektorit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Kryetarit të Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati me drejtuesit e Fakultetit të Shkencave Mjekësore të Universitetit të Tetovës të udhëhequr nga dekani Prof. Dr. Nevzat Elezi dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” drejtuar nga dekani Prof. Dr. Sefedin Muçaj. Ky takim u realizua me qëllimin që të thellohet bashkëpunimi ndërinstitucional në fushat e kërkimit shkencor, shkëmbimeve akademike dhe zhvillimit të përbashkët të projekteve mësimore e praktike në fushën e mjekësisë, stomatologjisë, farmacisë etj. Gjatë diskutimeve u hodhën ide konkrete për organizimin e shumë aktiviteteve të përbashkëta shkencore, për mundësinë e shkëmbimit të stafit akademik të të dy universiteteve në programet studimore ku ka nevojë, si dhe për bashkëpunimin në realizimin e konferencave, seminareve, simpoziumeve, ligjëratave profesionale e të tjera.  

Prishtinë - Gjatë vizitës zyrtare në Hungari, presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, iu drejtua studentëve dhe profesorëve të Universitetit Eotvos Lorand për të folur mbi prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, përfshirë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Në fjalimin e saj, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj integrimit euroatlantik. Ajo theksoi se Kosova është e vendosur të bëhet pjesë e plotë e familjes së shteteve euroatlantike dhe se aleanca me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe partneriteti me aleatët e NATO-s përbëjnë shtylla të qëndrueshmërisë rajonale dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë e hapësirës euroatlantike.

Beograd - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë qëndrimit në Emirate sot paralajmëroi se në mesin e shtatorit do të ketë një paradë të madhe ushtarake në Beograd. "Në shtator do të kemi një paradë të madhe ushtarake në Serbi. Do të tregojmë shumë gjëra me të cilat disponojmë, të cilat i kemi prodhuar dhe kemi arritur t’i fusim në armatimin e forcave të armatosura serbe”, tha Vuçiq, raportuan mediat e Beogradit.

Moskë - Presidenti rus Vlladimir Putin dhe homologu i tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zajed Al Nahjan janë njëzëri se duhet t'i jepet fund konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, raportojnë agjencitë, duke iu referuar njoftimit të Kremlinit pas bisedës telefonike mes dy liderëve.  "Kishte shkëmbim mendimesh në kontekstin e përkeqësimit të menjëhershëm të situatës në Lindjen e Mesme. Të dyja palët shprehën shqetësim të thellë për përshkallëzimin e vazhdueshëm të konfliktit izraelito-iranian i cili po çon deri në pasoja shumë negative për të gjithë rajonin. U theksua nevoja për përfundimin sa më të shpejtë të operacioneve ushtarake dhe aktivizimin e përpjekjeve politiko-diplomatike për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme që lidhen me programin bërthamor të Iranit", njofton Kremlini. 

Helsinki – Xhirimet satelitore tregojnë se Rusia e rrit praninë ushtarake përgjatë kufirit me Finlandën, njoftoi Servisi publik finlandez (FTV).  Sipas xhirimeve satelitore po ndërtohen ndërtesa të garnizonit për brigadë artilerie në qytetin Kandallaksha në zonën Murmansk, që është shenjë e parë për rritje të vazhdueshme të numrit të ushtarëve në afërsi të kufirit.  Autoritetet në zonën Murmanska njoftuan se po ndërtohet një qytet i ri ushtarak dhe po rinovohen blloqe të vjetra banesore në lagje, që gjendet rreth 150 kilometra nga kufiri finlandez. 

Gazë – Mbrojtje Civile palestineze në Rripin e Gazës njoftoi se 30 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite, ndërsa më shumë se një qind janë lënduar. Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmud Basal deklaroi se 11 nga të vrarët ishin vrarë derisa prisnin që të hapej qendra për distribuimin e ndihmës në Nuseriat, pjesën qendrore të enklavës palestineze.  Të paktën 19 njerëz janë vrarë në tre sulmet izraelite në Bejt Hanun, në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

Tel Aviv - Armata izraelite informoi se Teherani përsëri ndodhet nën sulm dhe se po sulmohen objektivat ushtarake në zonën e kryeqytetit të Iranit. Garda revolucionare e Iranit njoftoi se disa raketa kanë goditur periferitë veriore dhe lindore të Teheranit. Sipas mediave perëndimore të cilat ende kanë korrespondent në Teheran, tym i dendur ngrihet mbi lagjet lindore dhe juglindore të qytetit.

Tel Aviv - Ministri izraelit i mbrojtjes, Izrael Kac deklaroi se forcat ajrore sa po e "shkatërruan selinë e sigurisë së brendshme të regjimit iranian, dorën kryesore të shtypjes së diktatorit iranian". "Siç kemi premtuar do të vazhdojmë të godasim simbolet e pushtetit (në Iran) dhe të sulmojmë regjimin e ajatollahut", theksoi Kac.  Më herët, armata izraelite njoftoi se Teherani përsëri ndodhet nën sulm dhe se po sulmohen objektivat ushtarake në zonën e kryeqytetit të Iranit. Garda revolucionare e Iranit njoftoi se disa raketa kanë goditur periferitë veriore dhe lindore të Teheranit.

Gazë - Ministria palestineze e Shëndetësisë kumtoi se në 24 orët e kaluar gjatë sulmeve izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë të paktën 140 njerëz. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kumtuan se po hetojnë lajmet për palestinezë të vrarë ndërsa prisnin ushqim jashtë qendrave për shpërndarje të ndihmave. Ministria e Shëndetësisë dje kumtoi se që nga zhbllokimi i shpërndarjes së ndihmës humanitare në fund të majit, janë vrarë 397 palestinezë, të cilët përpiqeshin të marrin ushqim, ndërsa mbi 3.000 janë plagosur. 

Uashington – Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp në brifingun e sotëm me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë refuzoi të përgjigjet nëse do të japë urdhër për sulm ndaj impianteve bërthamore iraniane.  “Ndoshta do ta bëj atë. Ndoshta nuk do ta bëjë atë. Askush nuk e di çka do të bëj”, theksoi Trampi.  Ai shprehu keqardhje për shkak të asaj që Irani nuk është pajtuar për marrëveshje para skadimit të afatit prej 60 ditë. Trampi thotë se Irani tani është i interesuar të negociojë, por sipas tij “tani është shumë vonë për bisedë” dhe përsëriti se Teherani duhet “të dorëzohet pa kushte”.

Santos- Lojtari i Santosit, Nejmar deklaroi se mund të ishte transferuar te Fluminense për të luajtur në Kupën e botës për klube që zhvillohet në SHBA. "Isha afër t’i bashkohesha Fluminenses për Kupën e botës për klube, ishte një shans serioz. Por vendosa të mos vazhdoj dhe të qëndroj te Santosi për t’u rikuperuar, sepse nuk jam ende 100 për qind gati dhe dua të kthehem në formën time më të mirë sa më shpejt të jetë e mundur”, citon gazetari Fabricio Romano deklaratën e Nejmarit në rrjetin social X. Kupa e botës për klube zhvillohet në SHBA nga 15 qershori deri më 13 korrik.

Orlando - Tifozë nga mbi 130 vende kanë blerë thuajse 1.5 milion bileta për Kupën e botës për klube e cila zhvillohet në disa qytete amerikane, bëri të ditur sot Federata ndërkombëtare e futbollit (FIFA). Më shumë se 60.000 tifozë janë tubuar në ndeshjen hapëse të Kupës së botës në stadiumin “Hard rok” në Majami të shtunën për ndeshjen midis Interit të udhëhequr nga Lionel Mesi dhe Al Ahlit, ndërsa takimin mes PSZH-së dhe Atletiko Madridit në “Rouz boull" e kanë ndjekur 80.000 spektatorë. "Pikërisht për këtë arsye u krijua Kupa e botës për klube e FIFA-s. Një skenë e nivelit botëror ku tregohen histori të reja, dalin heronj të rinj dhe tifozët e futbollit ndihen pjesë e diçkasë më të madhe", tha presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino. Krahas kësaj, disa ndeshje u ndoqën jashtëzakonisht pak.

QËNDRONI TË LIDHUR