18:00 / 4 nëntor / 2025
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski takimin me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta sot në Bruksel e vlerësoi si "miqësor dhe mjaft produktiv" ku siç tha madje "i përsëritëm absolutisht qëndrimet tona unike". Në takim, siç informoi Mickoski u diskutuan edhe një herë temat aktuale, normalisht afrimi i vendit me Bashkimin Evropian dhe së fundmi fillimi formal i negociatave. “Mirëdita nga Brukseli, sapo e përfunduam takimin me kryetarin e Këshillit Evropian, zotin Antonio Koshta në një takim miqësor. Takimin e parë e patëm saktësisht para një viti, kur z.Koshta u zgjodh kryetar i Këshillit Evropian dhe që atëherë e deri më sot kemi kultivuar marrëdhënie vërtet miqësore dhe të sinqerta. Z.Koshta është mik i madh i Maqedonisë dhe në një frymë të tillë kaloi edhe takimi i sotëm. Sërish biseduam për temat aktuale, natyrisht për afrimin e vendit tonë drejt BE-së dhe përfundimisht për fillimin formal të negociatave. Në takim i përsëritëm absolutisht qëndrimet tona të vetme, të cilat me të vërtetë janë qëndrime dinjitoze pas të gjitha atyre poshtërimeve që na kanë ndodhur në të kaluarën në këto 25 vitet e fundit që kur praktikisht filloi rrugëtimi jonë drejt afrimit me BE-në", deklaroi Mickoski pas takimit, thuhet në kumtesën e Pres shërbimit të qeverisë.
Shkup - Kryetari i sapozgjedhur i komunës së Çairit, Izet Mexhiti sot zyrtarisht morri mandatin e tij. Në fjalën e tij me rastin e marrjes së detyrës, kryetari Mexhiti theksoi se ky rikthim për të përfaqëson një ndjenjë nderi dhe përgjegjësie të thellë ndaj qytetarëve të Çairit që i besuan me një fitore të pakontestueshme në zgjedhjet e fundit lokale. "Nga sot po rikthehem në vendin tim, mes njerëzve të mi, me nder, me përulësi dhe me mirënjohje të thellë. Çairi më ka mbështetur gjithmonë dhe këtë herë më dha një mandat të fortë, një besim që do ta kthej në punë të ndershme, rezultate konkrete dhe një qeverisje që njeh vetëm interesin publik", theksoi Mexhiti.
Shkup – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot mbajti koordinim me koordinatorët e grupeve parlamentare pas pushimit për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Theksoi se nevojiten ose ndryshime të Kodit Zgjedhor ose të miratohet ndonjë ligj i ri, informoi Gashi në brifingun javor me gazetarët. Siç potencoi Gashi, në koordinim të gjithë u pajtuan se duhet të bisedojnë me qëllim që me konsensus të miratohen zgjidhjet e reja ligjore. “Në takimin e parë koordinues pas pushimit për zgjedhjet, diskutuam miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor, në mënyrë konsensuale. Një Kod i ri Zgjedhor është i nevojshëm, ndër të tjera edhe për shkak të financimit të partive. Ishte problem, sepse me dispozitat e shkruara në vitin 2021, kishte vetëm dy parti, gjë që nuk korrespondon me realitetin. Kishte tri në pushtet, tri në opozitë. Nuk përjashtohet që të flasim edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për shembull, Maqedonia të jetë një njësi e vetme zgjedhore”, tha kryetari.
Shkup - Pasardhësi i Izet Mexhitit, i cili e fitoi mandatin e kryetarit të Komunës së Çairit, do të jetë Bekim Sali, konfirmoi sot në konferencë për shtyp zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani. "Ne tashmë funksionojmë si VLEN dhe të gjitha ministrat momental që janë e kanë përfaqësuar VLEN-in dhe jo subjektet e tyre politike, dhe e tillë do të jetë situata edhe pas këtyre zgjedhjeve. Siç ka paralajmëruar Mexhiti, pasardhësi i tij si Zëvendëskryeministër i Parë do të jetë Bekim Sali, ndërsa një person tjetër do të emërohet si Ministër i Mjedisit Jetësordhe Planifikimit Hapësinor dhe kjo nuk është vendosur akoma. Ende nuk ka një emër specifik, tha Sulejmani, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske. Në pyetjen se çfarë pret të ndodhë me BDI-në pas zgjedhjeve, tha se ata si parti janë të mendimit se nevojiten ndryshime në BDI, por nuk presin që diçka drastike të ndryshojë në atë parti.
Shkup - Sindikata e pavarur e "Parqe dhe Gjelbërime" pasdite kumtoi se protestat do të vazhdojnë dhe në ditët në vijim për shkak që nuk u është bërë paga e shtatorit, edhe pse u ishte premtuar në takimin e sotëm me drejtorin e ndërmarrjes. "Paga për muajin shtator ende nuk u është paguar punonjësve në NP "Parqe dhe Gjelbërime" - Shkup. Kjo përfaqëson vazhdimin e një serie vonesash dhe injorimin e të drejtave themelore të punëtorëve, duke përfshirë pagat e papaguara për muajt e mëparshëm, shpërbilimin jubilar, pagat bonus, K-15 dhe sigurimin shëndetësorë. Protestat do të vazhdojnë dhe në ditët në vijim, derisa të përmbushet të paktën një nga objektivat e përcaktuara. Punëtorët nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, ndërsa sindikata mbetet e qëndrueshme në luftën për pagë më të mirë dhe trajtim të drejtë", theksojnë nga Sindikata.
Shkup - Pas dhjetë vitesh, kemi një ambient të ri në vend, tha sot ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve lokale. Koalicioni ynë, theksoi, nuk ishte prapa skenave siç kanë qenë koalicionet e mëparshme, që do të thotë se ata thoshin një gjë dhe bënin një tjetër. Lidhur me atë nëse koalicioni është i qëndrueshëm, ai tha se e kanë dëshmuar se janë të ndryshëm nga të tjerët. "Ne kemi dëshmuar se si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal dimë të zbatojmë politikat ashtu siç dakordohemi dhe rezultatet tregojnë se kjo është kështu. Pas këtyre rezultateve, koalicioni ynë është më i sigurt dhe më i fortë, sepse u kemi dëshmuar qytetarëve dhe partnerëve tanë se ajo që është rënë dakord me partnerët e koalicionit po zbatohet në terren, shpjegoi Aliu, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas vizitës në Klinikën e Kardiologjisë.
Kiev - Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski tha se raporti më i ri për Ukrainën nga Komisioni Evropian tregon se Kievi "me besim të plotë" po lëviz drejt anëtarësimit në BE dhe është i gatshëm t'i hap tre kapitujt e parë nga negociatat. "Pres aksion të vendosur nga BE-ja për tejkalimin e të gjitha pengesave artificiale për Evropë të fuqishme dhe të bashkuar", ka shkruar lideri ukrainas në "X".
Kiev - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, i ka bërë thirrje homologut të tij hungarez, Viktor Orban, që të mos bllokojë anëtarësimin e vendit të tij në BE, publikuan mediat franceze. "Vërtetë do të donim shumë që kryeministri hungarez të na mbështeste ose të paktën të mos na bllokonte", tha Zelenski në forumin e "Euronjuz" për zgjerimin e BE-së në Bruksel. Presidenti ukrainas shtoi se do të donte që vendi i tij të anëtarësohej në BE para vitit 2030, por se vendi i tij do të pranonte vetëm "anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian". "Nëse flasim për anëtarësim në BE, ai duhet të jetë i plotëfuqishëm. Më duket se është shumë e rëndësishme të kemi vende të barabarta në të njëjtën tryezë", tha Zelenski.