18:00 / 1 gusht / 2025
Shkup – Duhet të respektojmë atë që është më e rëndësishme, kriteret e Kopenhagës dhe fillimisht ajo që është test themelor për të gjithë – sundimi i drejtësisë. Folën për pakon e ligjeve të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë, që kanë të bëjnë me Prokurorinë Publike, të Këshillit Gjyqësor, për pagat e prokurorëve publikë dhe të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, deklaroi sot presidentja Gordana Siljanovska – Davkova për gjendjen me integrimin evropian pas mbledhjes së dytë të Këshillit të Sigurisë dhe theksoi se konkluzioni themelor është se kemi Agjendë të Reformave dhe kemi Plan për zhvillim. Ajo informoi se është diskutuar edhe për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot pasdite përmes rrjeteve sociale e përshëndeti vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ulje të dukshme të tarifave për produktet e Maqedonisë së Veriut – prej 33 në 15 për qind. Siç theksoi në publikimin, “ky hap përfaqëson nxitje të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe sinjal i qartë për ndërtimin e partneritet më ambicioz tregtar”. Ministri Mucunski, gjithashtu, theksoi se edhe pse bisedimet për marrëveshje gjithëpërfshirëse për liberalizimin e tarifave ende po vijojnë, “ky vendim është dëshmi konkrete për përkushtimin e përbashkët në hapjen e mundësive të reja për eksportuesit tanë, kompanitë dhe ekonominë në tërësi”.
Shkup – Gjendja e sigurisë është e qëndrueshme dhe është nën kontroll, deklaroi presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska – Davkova pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në Vilën Vodno e cila zgjati më shumë se dy orë e gjysmë. Siç tha në konferencë për media, është biseduar “për dilemat e sigurisë në botë”, të cilat, tha, “i shqetësojnë të gjitha shtetet përfshirë edhe vendin tonë”. “Nga fjalimet hyrëse dhe takimi, përfundimi ishte se, megjithatë, siguria rajonale është e qëndrueshme dhe nën kontroll në vend dhe nuk priten probleme dhe dilema sigurie. Tema kryesore e diskutimit ishte situata në rajon, ajo që po ndodh në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku shpesh dëgjojmë retorikë secesioniste, kriza institucionale në Kosovë për shkak të pamundësisë për të konstituuar organet, si dhe në Serbinë fqinje ku ka një sërë problemesh serioze. Megjithatë, nga argumentet, nga të dhënat që kemi, përfundimi është se, megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve dhe sfidave, ato nuk pritet të reflektojnë në situatën e sigurisë në Maqedoni”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Shkup - Me dinamikë të shkëlqyer po zhvillohet ndërtimi i autostradës prej Prilepit deri në Manastir, ndërsa pritshmëritë janë që kjo pjesë e autostradës nga korridori 10-d plotësisht të përfundojë deri në fund të vitit 2027, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski, në intervistë për TV Njuzmaks Ballkan. "Tashmë e kemi lëshuar në funksion rrugën eksprese Gradsko-Prilep, gjegjësisht pjesën Gradsko-Drenovë-Farish, ndërsa po shqyrtojmë lidhjen e Farishit me Prilepin me rrugë eksprese ose autostradë, që do të hapë Maqedoninë qendrore. Kjo është pjesa e vendit, që më së shumti kontribuon me BPV, atje prodhohen 80 për qind të energjisë elektrike që e prodhojmë si vend, mbi gjysma e prodhimit bujqësor, mermeri është këtu, këtu janë edhe disa nga fabrikat dhe kombinatet më të mëdha, të cilat i ka Maqedonia. Kjo ishte zonë e lënë pas dore, ndërsa tani kjo zonë po hapet plotësisht, si për Shkupin, ashtu edhe për vendet fqinje", theksoi zëvendëskryeministri Nikollovski.
Shkup - Presim rritje ekonomike prej 3,7 për qind të BPV deri nga fundi i vitit, ndërsa rol të madh në këtë rritje kanë shpenzimet kapitale, të cilat janë mbi 800 milionë euro këtë vit, si dhe investimet në infrastrukturë në komuna, thotë zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Në emisionin "Qëndrimi i rajonit" në TV Njuzmak Ballkan, ai tha se resori i tij është shtytësi kryesor i shpenzimeve kapitale.
Shkup – Nëntë firma po hyjnë në procesin e zgjedhjes së kontraktorit për ndërtimin e autostradës Bukojçanë – Kërçovë në Korridorin 8, në gjatësi prej 11,5 kilometra, pasi përfundoi faza parakualifikuese në bazë të tenderit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Firmat parakualifikuese morën ftesë që të dorëzojnë oferta financiare deri më 30 shtator të këtij viti. NPRRSH paralajmëron se me mjete të siguruara me hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, së shpejti do të fillojë ndërtimi i seksionit të autostradave nga Bukojçani deri në Kërçovë.
Prishtinë - Qeveria e Kosovës në seancën e sotme vendosi t'i heq tarifat për mallra të importuara nga SHBA-ja. "Vendim tjetër shumë i rëndësishëm që e kemi marrë është heqja e tarifës doganore me SHBA-në. Ashtu prej tani, të gjitha prodhimet me prejardhje nga SHBA-ja do të kenë tarifë prej zero për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i përshëndet produktet amerikane në tregun e saj dhe fuqimisht besojmë se kjo do të ndikojë në rritjen ne këmbimit tregtar dhe investimet", tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fillim të seancës.
Tiranë - Zjarret në Shqipëri, kryesisht në gjysmën e dytë të muajit të kaluar, të cilat mesatarisht ka pasur nga 25 në ditë, kanë përfshirë më shumë se 28 mijë hektarë sipërfaqe, para së gjithash pyje, që është një nga sipërfaqet më të mëdha e djegur dekadën e fundit. "Në krahasim me vitin 2023, zjarret që shpërthyen këtë vit, prej të cilave shumica kanë ndodhur në gjysmën e dytë të korrikut, kanë përfshirë pesë herë sipërfaqe më të madhe. Duke i marrë parasysh kostot e pyllëzimit, për rigjenerim të tokës dhe humbjet në pemë, dëmi ekonomik nga zjarret këtë vit vlerësohet në mbi 160 milionë euro", njoftuan mediumet.
Bruksel - Bashkimi Evropian sot kumtoi se aktgjykimi përfundimtar kundër presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik duhet të respektohet dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve ta njohin pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës, e cila e ka miratuar. Zëdhënësi i BE-së në deklaratë me shkrim tha se Unioni e merr parasysh faktin se Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e ka dënuar Dodikun penalisht në procedurë të apelit. “Aktvendimi është i detyrueshëm dhe duhet të respektohet. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të njohin pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të respektojnë e mbështesin vendimin që ajo ka miratuar”, tha zëdhënësi i BE-së.
Bruksel - Ish shefi i dilomacisë evropiane, Zhozep Borell, vlerësoi se propozimi për të pezulluar qasjen e Izraelit në programin hulumtues Horizont të Bashkimit Evropian është "shaka e keqe, duke pasur parasysh krimet që po ndodhin në Gazë". "Nëse kjo është e vetmja përgjigje që Komisioni Evropian është i aftë të pranojë para asaj që po bën Izraeli, kjo është shaka. Një shaka e keqe. Ndërsa vendet anëtare të BE-së as nuk mund ta miratonin", tha Borell në intervistë me portalin EUObserver me seli në Bruksel.
Kiev - Ukraina është e gatshme për një takim të nivelit të lartë me udhëheqësinë ruse nëse Moska tregon me të vërtetë seriozitet dhe gatishmëri për t'i dhënë fund luftës dhe për të vendosur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, deklaroi sot presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski si përgjigje të deklaratës së presidentit rus, Vlladimir Putin se Rusia në parim është e gatshme për negociata. Siç publikoi agjencia RBK Ukraina, Zelenski në publikim në Telegram deklaroi se Kievi i përshëndeti përpjekjet e presidentit aktual të SHBA-së, Donald Tramp, për t'i dhënë fund luftës dhe për të arritur paqe të qëndrueshme, duke falënderuar vendet që vazhdojnë inciativat paqësore.
Gazë - Përfaqësuesi special i SHBA-së për Lindjen e Afërt, Stiv Uitkof deklaroi se sot ka kaluar pesë orë në Rripin e Gazës, ku ka vizituar një nga qendrat e Fondacionit humanitar për Gazën (GHF). "Qëllimi i vizitës ishte t'i jepet presidentit Donald Tramp fotografi e qartë për gjendjen humanitare, si dhe të ndihmohet në formulimin e planit për dërgesë të ushqimit dhe ndihmës mjekësore për popullatën në Gazë", publikoi Uitkof në X.