18:00 / 17 korrik / 2025
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i shoqëruar nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami dhe Zeqirija Ibrahimi si dhe nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, vizitoi Medresenë “Isa Beu” në Shkup, dy ditë pas miratimit nga Qeveria të Ligjit për Medresenë “Isa Beu”. Me këtë vendim historik pas më shumë se katër dekadash, kjo shkollë e mesme fetare përfshihet zyrtarisht në sistemin arsimor të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Delegacioni qeveritar u mirëprit nga drejtori i Medresesë, Islam Islami, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir efendi Fetahu, dhe myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili.
Shkup – Deputetët sot në vazhdimin e seancës së 59-të pa diskutim me 64 vota “pro” pa të përmbajtur dhe kundër e miratuan Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për automjete me pocedurë të shkurtuar. Me ndryshimet ligjore lehtësohet procesi i regjistrimi të automjeteve, kështu që u jepet mundësi stacioneve të kontrollit teknik të leshojnë vërtetim për një automjet të regjistruar, bazuar në kritere të përcaktuara më parë, i cili do të identifikohet me vulën në lejën e qarkullimit, si dhe regjistrimi të kryhet në të gjithë territorin e vendit, e jo si më parë, në afërsi të vendit të banimit. Deputetët gjatë pjesës së pasditës sot në Kuvend, mbajtën vazhdimin e disa seancave, përkatësisht të seancave 43, 51, 55, 59 dhe 60.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot në Forin ofis në Londër në kuadër të një vizite pune disaditore në Mbretërinë e Bashkuar, ka realizuar takim me nikoqirin e tij – sekretarin e shtetit për Punë të Jashtme, zhvillim dhe Komonveltin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës Veriore, Dejvid Lami. "Në kuadër të këtij takimi me rëndësi historike që hap një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve u nënshkrua Deklaratë për partneritet strategjik mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ky dokument ka për qëllim të forcojë dhe përmirësojë marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin në fushat e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, me theks të veçantë në aleancën brenda NATO-s, drejtësisë dhe punët e brendshme, luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar, luftimi i korrupsionit dhe flukseve të paligjshme financiare, si dhe rritja ekonomike", njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Shkup - Ministri i Transformimit digjital, Stefan Andonovski dhe drejtori ekzekutiv i Telekomit të Maqedonisë, Goran Markoviq sot nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit që parashikon zgjerimin e rrjetit 5G, lidhjen e 10,000 amvisërive dhe kompanive të reja me rrjete fikse gigabit, sigurinë kibernetike dhe mbështetjen e aftësisë digjitale në arsim. Siç theksoi Andonovski, nënshkrimi i këtij Memorandumi të mirëkuptimit do të kontribuojë në thellimin e mbështetjes reciproke dhe ngritjen e bashkëpunimit në një nivel më të lartë me qëllime të qarta dhe përgjegjësi të përbashkëta. Gjatë takimit, gjithashtu, Andonovski theksoi se është diskutuar lidhur me planet për ndërtimin e një Qende të dhënash (Data qendër).
Shkup - Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot nënshkroi marrëveshje me 49 komuna për përdorimin e përhershëm pa kompensim të sistemeve të avancuara për pastrim të ajrit nga prodhuesi i njohur gjerman MANN+HUMMEL, me vlerë totale prej 1.000.000 euro. Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të zvogëluar pasojat nga ndotja e ajrit, veçanërisht në objektet publike ku qëndrojnë kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, fëmijët dhe të rinjtë. Pastruesit e ajrit do të instalohen në shkolla fillore dhe të mesme, kopshte për fëmijë dhe institucione të tjera publike në territorin e 49 komunave, të identifikuara si më të rrezikuarat sipas të dhënave nga Sistemi shtetëror për monitorimin automatik të cilësisë së ajrit për periudhën 2022–2024, kumtuan nga Qeveria.
Shkup - Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani dhe kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski sot nënshkruan marrëveshjen për grant si pjesë e Thirrjes së dytë publike për ndarjen e granteve, mbi zgjerimin e kapaciteteve të institucioneve për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore. Kjo Thirrje publike zbatohet në kuadër të Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale të cilin e zbaton ministria me mbështetje të Bankës Botërore dhe synon njërin ndër qëllimet kryesore - rritjen e përfshirjes së fëmijëve në arsim parashkollor cilësor dhe të qasshëm.
Shkup - Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot nisi hetim kundër dy personave të dyshuar se janë bashkëautorë të vrasjes së 11 korrikut në fshatin Batincë, kur u privua nga jeta Agim Muharemi. Është identifikuar dhe arrestuar pronari dhe shoferi i automobilit në të cilën ndodheshin autorët e vrasjes, ndërsa vazhdon kërkimi për vrasësin - të dyshuarin e parë. Prokuroria Publike Shtetërore njoftoi këtë pasdite se më 11 korrik në fshatin Batinc, të dyshuarit së bashku dhe me marrëveshje paraprake, e kanë vrarë me paramendim Muaremin, dhe gjithashtu kanë vënë në rrezik edhe jetën e vajzës së tij.
Shkup - Kuvendi sot, me 60 vota "pro" dhe asnjë kundër dhe të përmbajtur, në kuadër të seancës së 60-të e miratoi Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Strategjik midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Hungarisë. Marrëveshja për Bashkëpunim Strategjik midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Hungarisë u nënshkrua në Shkup, më 13 qershor 2025. U nënshkrua gjatë vizitës së shefit të diplomacisë hungareze Peter Sijarto, i pritur nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski, theksoi se kjo marrëveshje nuk është një akt bashkëpunimi ndërkombëtar. Ai theksoi se është një mesazh i qartë nga Republika e Maqedonisë se po ndërton partneritete të qëndrueshme, afatgjata dhe të besueshme me miq të vërtetë në një kohë kur kemi nevojë për partnerë të vërtetë më shumë se kurrë.
Shkup - Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska u takua sot me deputetët e Bundestagut gjerman, David Prajsendanc dhe Tilman Kuban. Në takim morën pjesë edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm, Nikolla Gjoshevski, si dhe përfaqësuesi i Fondacionit Konrad Adenauer në Shkup, Daniell Braun. Siç kumton Pres shërbimi i Kuvendit, bashkëbiseduesit biseduan për projektet e përbashkëta deri më tani, si dhe mundësitë për bashkëpunim midis dy parlamenteve në periudhën e ardhshme, veçanërisht në nivel shërbimesh, me ç'rast u shpreh kënaqësia e ndërsjellë për komunikimin në të gjitha nivelet.
Shkup - Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut informon se, për shkak të interesimit të madh dhe reagimit pozitiv nga qytetarët, zgjatet afati për aplikim në thirrjen publike për angazhimin e 400 zjarrfikësve në mbarë vendin deri më 23 korrik. "Vendimi për zgjatjen e afatit është marrë me qëllim që t’u jepet mundësi sa më shumë qytetarëve të interesuar të aplikojnë, veçanërisht duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një masë të rëndësishme e cila drejtpërdrejt forcon kapacitetet e sistemit për mbrojtje dhe shpëtim, sidomos në prag të sezonit veror dhe rrezikut të shtuar nga zjarret", thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Shkup -Me afërsisht 14 miliardë denarë ose 225 milionë euro do të financohen 828 projekte në komunat që aplikuan në thirrjen e dytë të zbatuar nga Qeveria përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Pjesa më e madhe e projekteve (589) janë në fushën e transportit, për të cilat do të ndahen mbi tetë miliardë denarë, pastaj vijnë projektet në fushën e mjedisit jetësor (143), për të cilat do të investohen mbi 2,4 miliardë denarë, arsimi (48), për të cilin do të investohen 1,6 miliardë denarë, ndërsa ka edhe projekte në fushën e kulturës, sportit dhe politikës sociale.
Tiranë - Ish presidenti i Shqipërisë dhe lider i Partisë së Lirisë në opozitë, Ilir Meta mbetet në paraburgim pasi që sot dhe Gjykata speciale e apelit hodhi poshtë kërkesën e tij për masë më të butë. Meta nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij Kujtim Çakrani. Në seancë, dy prokurorët special, Arben Kraja dhe Sotir Klapi, kërkuan vazhdimin e masës së shqiptuar kundër Metës i cili është në paraburgim që nga shkurti i këtij viti, gjë që u pranua. Kjo nuk është hera e parë që Meta ka kërkuar masë më të butë, por të gjitha shkallët e gjykatës duke përfshirë edhe Gjykatën Supreme i kanë refuzuar kërkesat. Ai ka paraqitur dhe një ankesë në Gjykatën Kushtetuese për një masë sigurie më të butë dhe pretendimet për shkelje të ligjit në procesin kundër tij për të cilat pritet një datë për shqyrtim.
Ankara - Prokurorët turq kanë ngritur akuzë kundër gazetarit Fatih Altajli duke kërkuar minimum burgim prej pesë vitesh për komentet e tij në lidhje me presidentin e vendit, Rexhep Taip Erdogan. Altajli i cili ka më shumë se 1.5 milion abonentë në "Jutjub" u arrestua muajin e kaluar në pritje të gjyqit pasi në mediat sociale kritikoi anketën ku shumica e turqve shprehën kundërshtimin ndaj dënimit me burgim të përjetshëm...Ai mohoi akuzat, duke thënë se komentet e tij janë nxjerrë nga konteksti dhe ishin pjesë e një "debati historik dhe retorik".
Kiev - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski paralajmëroi marrëveshje të reja dypalëshe me SHBA-në, të cilat, siç tha, do ta forcojnë vendin e tij, por nuk zbuloi detaje për përmbajtjen e tyre. Para Parlamentit ukrainas, Zelenski prezantoi edhe përbërjen e re të Qeverisë, ndërsa paralajmëroi edhe revizion të të gjitha marrëvrshjeve për furnizime publike në fushën e mbrojtjes. Qëllimi është që 50 për qind e armëve dhe pajisjeve ushtarake të prodhohen në Ukrainë.
Kiev - Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski sot deklaroi se zëvendëskryeministrja Ollga Stefanishina, përgjegjëse për integrimin euroatlantik do të jetë ambasadorja e re e Ukrainës në SHBA. Zelenski shkroi në Telegram se e kishte emëruar Stefanishinën si të dërguar të posaçme në SHBA për zhvillimin e marrëdhënieve me Uashingtonin, ndërsa ajo kalon procedurat e nevojshme për të marrë funksionin e ambasadores. Ukraina është përpjekur të riparojë marrëdhëniet e prishura me SHBA-në pasi që Zelenski dhe homologu i tij amerikan Donald Tramp u futën në një përplasje publike verbale në Shtëpinë e Bardhë në shkurt.
Romë - Sulmuesi legjendar italian Kristian Vieri, duke e komentuar transferin e Lluka Modriqit në Milan, tha se përvoja dhe cilësia e futbollistit kroat janë pasuria e paçmuar për çdo klub. "Në Itali, futbollisi i klasit të tij mund të luajë 40 ndeshje me cigare në gojë", tha 52-vjeçari Vieri për gazetaën "Korriere dela Sera". Modriqi do ta festojë ditëlindjen e tij të 40-të në shtator, por Vieri tha se klasi nuk ka afat të kohëzgjatjes dhe se ai do të vijë në shprehje në Seria A, pasi në kampionatin italian taktika fiton ndaj forcës fizike.