18:00 / 18 korrik / 2025
Shkup - Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ngriti aktakuzë kundër kryetares së Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska e cila dyshohet se nga muaji maj deri në dhjetor 2024 një personi të akuzuar në rastin "Aditivët" i ka mundësuar qasje në të dhëna që konsiderohen si sekret zyrtar. Njëherësh, Dimitrovska akuzohet edhe për marrjen e paligjshme të certifikatës për informacion të klasifikuar. "Si zyrtare - kryetare e KSHPK-së nga maji deri në dhjetor 2024 një personi të akuzuar në rastin 'Aditivët' në një mënyrë tjetër i ka dhënë qasje në të dhënat që në përputhje me nenin 25 dhe nenin 50 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit si dhe nenin 289 të LPP përbën sekret zyrtar. Ajo përmes telefonit të saj zyrtar dhe aplikacioneve Viber dhe WhatsApp i ka ofruar të akuzuarit informacione në lidhje me procedurat e filluara për hapjen e rasteve kundër personave juridikë dhe fizik në rastin 'Aditivë', shënime zyrtare në lidhje me hapjen e një rasti dhe caktimin e një anëtari të KSHPK-së, vendime në lidhje me të njëjtën, si dhe informacione në lidhje me kontrollin e pronës së të akuzuarit dhe familjes së tij. Me veprimet e saj, ajo zbuloi të dhëna që, sipas ligjit, konsiderohen sekret zyrtar zbulimi i të cilave mund të ketë pasoja të dëmshme si për shërbimin ashtu edhe për procedurat para PTHP NKOK", thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, dhe kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, sot nënshkruan marrëveshje për realizimin e një projekti infrastrukturor me rëndësi të veçantë për popullatën lokale. Bëhet fjalë për rregullimin e shtratit të lumit në fshatin Kapazhdoll, një investim në vlerë prej 6.062.922 denarë, me të cilin pritet të përmirësohet ndjeshëm siguria në terren dhe të zvogëlohen rreziqet nga përmbytjet sezonale, informuan nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Ky intervenim, përveç që do të mundësojë rrjedhjen normale të ujërave atmosferike, paraqet edhe mbrojtje për tokat bujqësore, shtëpitë dhe infrastrukturën rrugore në afërsi të shtratit të lumit.
Shkup - Gjykata penale kumtoi se është vazhduar paraburgimi i të akuzuarve për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan. Njëheri prej aty informojnë se aktakuza tashmë u dërgua deri te të gjithë të akuzuarit dhe avokatët e tyre, e pasi ta marrin, fillon afati prej tetë ditëve për ankesë. Pas skadimit të këtij afati, Këshilli gjyqësor do të mbajë mbledhje dhe do ta informojë opinionin për hapat e ardhshme. Gjykata, po ashtu, konfirmoi se Prokuroria themelore publike Shkup do ta udhëheq pjesën e mëtejshme të procedurës. "Duke marrë parasysh interesin e opinionit për lëndën penale lidhur me zjarrin në diskotekën 'Puls' në Koçan, gjykata njofton se Këshilli gjyqësor pranë kësaj gjykate, duke vepruar me propozim të Prokurorisë themelore publike - Koçan për vazhdimin e masave për sigurimin e pranisë së të akuzuarve, të akuzuarve D.J. nga Koçani, T.J. nga Koçani, Xh.K. nga Shkupi dhe B.H. nga Shkupi ua vazhdoi masën e paraburgimit, ndërsa të akuzuarve M.S., O.G., L.P., I.G., M.G., S.D., të gjithë nga Koçani, pastaj J.J. dhe L.G. nga Shkupi, si dhe B.M. dhe Sh.H. nga Tetova dhe E.M. nga Vinica u vazhdohet masa e paraburgimit shtëpiak", qëndron në kumtesën e Gjykatës penale.
Shkup - Prokuroria Themelore Publike - Shkup ka ngritur aktakuzë kundër personit S.L. për veprën penale “dhunë” në lidhje me ngjarjen që ndodhi më 11 korrik të vitit 2025 ku u sulmua kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Gjykata Themelore Penale në Shkup kumtoi se së bashku me propozimin e aktakuzës është paraqitur edhe propozimi për vazhdimin e masës së paraburgimit e cila është pranuar nga gjykata për shkak të ekzistimit të bazës ligjore – rrezik i arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës.
Shkup - Sot jemi para një hapi të rëndësishëm për vendin tonë, po forcojmë kapacitetin tonë mbrojtës, po modernizojmë ushtrinë tonë dhe po tregojmë qartë se dimë të investojmë në mënyrë të përgjegjshme, strategjike dhe në interes të sigurisë së qytetarëve tanë, tha kryeministri Hristijan Mickoski, në promovimin e sotëm të baterisë artilerike të përbërë nga gjashtë obusë 105 mm, "Boran" dhe pajisje të tjera shoqëruese, në kazermën "Mirçe Acev" në Prilep. Në ngjarjen, ku kanë marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtatëmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, kryeministri Mickoski tha se furnizimi është bërë nga Turqia aleate, e është në kuadër të procesit për modernizimin dhe pajisimin e Armatës.
Shkup - NP "Ujësjellës dhe Kanalizime"-Shkup lidhur me ndërprerjen e furnizimit me ujë të Spitalit të Fëmijëve Kozle informoi sot pasdite se gjatë inspektimit të tyre kanë konstatuar se arsyeja e ndërprerjes nuk është në kompetencën e tyre. Ata theksuan se bëhet fjalë për një defekt që është në pronësi të spitalit. "NP "Ujësjellës dhe Kanalizim"-Shkup e informom opinionin se ekipet tona kryen një inspektim të plotë në terren dhe konkluduan se shkaku i ndërprerjes nuk është në kompetencën tonë. Domethënë, bëhet fjalë për një defekt në instalimin e ujësjellësit që është në pronësi të spitalit. Për këtë, janë njoftuar autoritetet në spital dhe ata duhet ta riparojnë defektin në instalimin e brendshëm të ujësjellësit", thonë nga Ujësjellësi i Shkupit.
Shkup - Në kuadër të vizitës në Londër, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski mbajti fjalim në forumin e biznesit ku para më shumë se 50 kompanive britanike prezantoi mundësitë për investim dhe klimën e investimeve në vend. Siç kumton MPJTJ, në forum ministri Mucunski foli për përpjekjet dhe aktivitetet e Qeverisë mbi avancimin e klimës së biznesit, si dhe potencialin për rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik. "Me këtë rast, ai i ftoi kompanitë britanike të shqyrtojnë mundësitë që ofron tregu dhe ekonomia e vendit dhe shprehu gatishmërinë në nivel të Qeverisë dhe ministrisë, t'u ofrojë atyre gjithë mbështetjen e nevojshme për realizimin e planeve dhe qëllimeve të tyre investuese", thuhet në komunikatë.
Shkup - Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov merr pjesë në forumin e parë ministror "Lidhja e destinacioneve: Italia - Forumi Turistik Ballkanik" ("Bridging Destinations: Italy – The Balkans Tourism Forum"), që sot mbahet në Romë, Itali. Në forumin, siç informojnë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në të cilin marrin pjesë ministrat e turizmit nga Shqipëria, Serbia, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia, si dhe përfaqësues të sektorit të biznesit nga Italia, u mbajtën disa panel-diskutime kushtuar krijimit të programeve, produkteve dhe iniciativave të reja të përbashkëta turistike për një integrim më të mirë të zonave turistike të Ballkanit dhe Mesdheut.
Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski sot në takim me zëvendës ambasadorin e BE-së, Ben Nupnau, e ka theksuar përcaktimin e fuqishëm të Qeverisë për zhvillim të infratsrukturës, me theks të posaçëm në korridoret 8 dhe 10, si dhe degën 10d. "Nevoja për përforcimin ekonomik të Maqedonisë dhe integrimin në rajon është e mundur vetëm përmes ndërtimit dhe modernizimit të rrjetit rrugor dhe hekurudhor", tha zëvendëskryeministri Nikolloski, duke theksuar nevojën për mbështetje të fortë nga partnerët evropianë në këto procese.
Shkup - Në seancë të Këshillit qendror të Lëvizjes ZNAM për Maqedoninë tonë, për shef të Shtabit Qendror zgjedhor për zgjedhjet lokale është zgjedhur sekretari i përgjithshëm i partisë dhe ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Siç informojnë nga Qendra për komunikim dhe analitikë të ZNAM-it, partia dje e formoi Shtabin zgjedhor qendror për zbatimin e fushatës për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe shefat e shtabeve rajonale në të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore.
Shkup - Njësi e re e specializuar e sigurisë kibernetike është formua pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ajo do të jetë përgjegjëse për mbrojtjen dhe monitorimin gjithëpërfshirës të sistemeve të informacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të kryejë analiza të vazhdueshme dhe zbulimin në kohë të kërcënimeve kibernetike, do të kryejë instalimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sigurisë së infrastrukturës së IT-së së ministrisë. "Kjo njësi do të jetë një shtyllë kyçe në mbrojtjen e sovranitetit digjital të MPB-së si institucion që menaxhon vëllimin më të madh dhe më të ndjeshëm të të dhënave personale të qytetarëve të vendit. Siguria e këtyre sistemeve është çështje jo vetëm e kapacitetit institucional, por edhe e stabilitetit të shtetit dhe besimit të qytetarëve. Të gjitha aktivitetet e njësisë së sapokrijuar synojnë avancimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës së brendshme të IT-së të vetë Ministrisë, me fokus ekskluzivisht në mbrojtjen e sistemeve të saj të informacionit. Për herë të parë, Ministria ka blerë pajisje moderne teknike dhe softuerike për monitorimin proaktiv, zbulimin dhe parandalimin e sulmeve kibernetike, duke hedhur kështu themelet për mbrojtje sistemike dhe afatgjatë", theksoi ministri Toshkovski.
Shkup - Qëndrimi në hapësira të mbyllura, freskimi i hapësirës, veçanërisht në periudhën prej orës 11 deri orën17, pirja e mjaftueshme e lëngjeve, shmangia e alkoolit dhe pijeve me sheqer, veshja e rrobave të lehta, veshje me ngjyrë të hapur dhe përdorim mbrojtësesh për kokën dhe sytë, shmangia e aktivitetit fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës, duke i kushtuar vëmendje fëmijëve, personave të moshuar, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna, të anulohen aktivitetet në natyrë gjatë pjesës më të nxehtë të ditës dhe të sigurohen kushte mikroklimatike (dhoma të ftohta me temperatura deri në 25 gradë Celsius) në vendin e punës dhe në shtëpi, ndërsa në rast të simptomave të tilla si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose puls të shpejtë, të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.
Prilep - Po forcojmë kapacitetin mbrojtës, po modernizojmë armatën tonë dhe po tregojmë qartë se dimë të investojmë në mënyrë të përgjegjshme, strategjike dhe në interes të sigurisë së qytetarëve tanë, porositi kryeministri Hristijan Mickoski gjatë promovimit të pajisjeve dhe armatimit të ri të artilerisë në kazermën "Mirçe Acev" në Prilep. Furnizimi është rezultat i marrëveshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
Prishtinë - Në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani takoi sot kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25 i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik.
Tiranë - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se çdo ditë ka sulme kibernetike nga Irani ndaj institucioneve shtetërore. Nga qyteti i Beratit, në një takim me përfaqësues të sektorit të teknologjisë, Rama tha se nuk mund të lejoj sulme ndaj institucioneve, si ndaj bankave apo spitaleve private. "Jemi në luftë, kemi sulme sistematike çdo ditë. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Nesër mund të sulmojnë banka, spitale, ky mund të jetë një problem i madh”, theksoi Rama, raporton abcnews.al.
Bruksel - Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së (Koreper) sot e miratoi pakon e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, të lidhura me pushtimin e Ukrainës. “BE-ja ka miratuar një nga pakot e saj më të ashpra të sanksioneve kundër Rusisë deri më sot. Çdo sanksion dobëson aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftë”, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kalas, me rastin e miratimit të pakos së sanksioneve. Sipas saj, kjo dërgon një mesazh të qartë se BE-ja nuk do të heqë dorë nga mbështetja e saj për Ukrainën.
Durban, Afrika e Jugut - Ministrat e financave të Grupit 20 vendet e zhvilluara dhe në zhvillim kanë arritur marrëveshje për deklaratë të përbashkët finale të takimit të tyre në qytetin jugoafrikan Durban, për herë të parë pasi presidenti amerikan Donald Tramp e filloi mandatin e tij të dytë. Në dokumentin, të publikuar sot nga presidenca jugoafrikane, është arritur pajtueshmëri për sfidat kyçe për ekonominë globale.
Berlin - Kancelari gjerman Fridrih Merc ka folur në telefon me kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe shfaqi shpresën për armëpushim në Gazë, njëkohësisht bëri thirrje për qasje të sigurt deri tek ndihmat humanitare, kumtoi zëdhënësi i qeverisë gjermane. "Kancelari theksoi se urgjentisht është e nevojshme ndihma humanitare dhe se duhet të arrijë tek personat në Rripin e Gazës në mënyrë të sigurt dhe humane", theksohet në kumtesën e zëdhënësit.
Gjenevë – Deri në 11,6 milionë refugjatë janë në rrezik të humbasin qasjenn në ndihmë humanitare për shkak të shkurtimeve të ndihmës së huaj nga vendet donatore, kumtoi sot agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR. Kjo është afërsisht një e treta e refugjatëve që mbështeten zakonisht nga kjo agjenci e OKB-së, theksohet në raportin. "Situata jonë financiare është dramatike. Kemi frikë se deri në 11,6 milionë refugjatë dhe persona të detyruar në arratisje do të humbasin qasjen në ndihmë humanitare", deklaroi Dominik Hajd, drejtor për marrëdhënie të jashtme i UNHCR-së.