• e premte, 20 dhjetor 2024
MIA FLESH

18:00 / 29 gusht / 2024

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot i pranoi letrat akreditive të ambasadorit të sapoemëruar të Republikës së Francës, Kristofer Le Rigoler. Në ceremoninë e dorëzimit të letrave akreditive, e cila u mbajt në Villa Biljana në Ohër, presidentja Siljanovska Davkova theksoi se në historinë tredhjetëvjeçare të marrëdhënieve diplomatike, me përpjekje të përbashkëta, të dyja vendet kanë ndërtuar marrëdhënie dinamike politike dhe një nivel solid të bashkëpunimit të ndërsjellë në disa fusha, dhe si rezultat i atyre përpjekjeve të përbashkëta, vendi ynë sot padyshim që në Republikën Franceze sheh një mik të madh dhe aleat të sinqertë në procesin e integrimeve tona evropiane", informojnë nga kabineti i Siljanovska Davkovës.

Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, vlerëson se procesi i ndryshimeve kushtetuese në vendin tonë dhe korniza negociuese janë tema kryesore në mediat bullgare sa herë që ka zgjedhje në Bullgari. "Kjo nuk është politikë e djeshme e Bullgarisë. Kjo është politikë e Bullgarisë të cilën e kemi në vazhdimësi që nga viti 2020. Së dyti, sa herë që në Bullgari ka zgjedhje keqpërdoret tema e Maqedonisë. Nuk e di tani, nuk jam i sigurt se kur janë zgjedhjet e tyre sa që janë aq jofunksional sa që nuk mund të caktojnë zgjedhje, kjo është qeveria e tyre e shtatë apo e tetë teknike, nuk mund të gjejnë njerëz për qeverinë teknike. Pra, së pari le t'i rregullojnë punët e tyre në shtëpi, le të zgjedhin qeveri politike dhe ne do të ulemi të flasim me qeverinë politike. Nuk kam ndërmend t'u përgjigjem njerëzve që kërkojnë pikë politike dhe që janë të margjinalizuar politikisht në Bullgari për momentin, sepse janë përfaqësues të qeverisë që nuk kanë legjitimitet nga askush", tha Nikolloski i pyetur për të komentuar reagimin e fundit nga MPJ bullgare se "udhëheqësia në Shkup do të duhej ta kishte të qartë se përpjekjet për hedhje të idesë për rinegocim mund të çojnë vetëm në një distancë të re nga fillimi i negociatave".

Shkup - Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e sotme nuk e miratoi Vendimin për dhënien e pëlqimit për lidhjen e marrëveshjes për implementimin e projektit vendosje e Transportit të shpejtë të autobusëve (BRT) në Qytetin e Shkupit. "Për" vendimin votuan katër këshilltarë, katër ishin "kundër" dhe dy të përmbajtur. Kundër këtij vendimi votuan këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, nga Qyteti human i gjelbër dhe E Majta.

Shkup - Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, i dënuar me 18 vjet për terrorizëm pas ngjarjeve të 27 prillit 2017 në Kuvend, mori ndërprerrje të vuajtjes së dënimit deri më 21 nëntor. Nga burgu i Shtipit thonë se ndërprerje në vuajtjen e dënimit për arsye mjekësore kanë marrë gjashtë persona. Drejtori i Burgut të Shtipit, Dejan Zdravkov, për MIA-n i konfirmoi informacionet se me vendim të gjykatës ndërprerja në vuajtjen e dënimit është vazhduar për Mitko Çavkov (deri më 21 nëntor), Mitko Peshov (deri më 16 nëntor), Oliver Popovski (deri 22 shtator) dhe Dushko Lazarov (deri më 25 shtator). Aleksandar Janevski t- Toshta dhe Jane Çentos u përfundoi ndërprerja dhe u kthyen në burg më 14 gusht.

Shkup - Kuvendi studentor pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" në Shkup sot kumtoi se kanë dorëzuar edhe dy kërkesa deri te Qeveria në lidhje me përpjekjet e tyre për përmirësimin e standardit të studentëve dhe se po kërkojnë takim me ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski. "Kuvendi universitar studentor pranë Universitetit 'Shën Cirili dhe Metodi' në Shkup, po lufton për të përmirësuar jetën e studentëve të shumtë në vendin tonë, ndërsa një nga hapat kryesor është presioni ndaj autoriteteve shtetërore për të përmbushur premtimet prej vitesh. Kundrejt kërkesave të mëparshme për të cilat ju kemi informuar, sapo kemi dorëzuar edhe dy të reja, dhe atë: Kërkesë për takim me Aleksandar Nikolloskin ministrin aktual të Transportit dhe Lidhjeve, gjegjësisht paraqitjen e propozimeve për aktivitete të përbashkëta me qëllim përmirësimin e kushteve për transportin, gjegjësisht transportin ndërurban i cili gjatë pandemisë Kovid-19 çmimet u rritën në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa ato mbeten edhe sot e kësaj dite - dhe figurojnë si një tjetër shpenzim i lartë shtesë për trupin studentor, shumica e të cilëve studion dhe jeton jashtë vendit të lindjes", theksojnë nga organizata studentore.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot ka realizuar takim pune me ambasadorin dhe përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së, Armen Grigorian. Në takim u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm, kurse theksi ka qenë në projektet aktuale, të cilat me përkrahjen e UNDP-së po realizohen në MPB.

Shkup - Nëpunës policor nga Seksioni për trafikim të paligjshëm me drogë dhe armë pranë SPB Tetovë, dje, në orën 17:30, e kanë privuar nga liria N.S. (23) NGA fshati Trebosh, E.K. (21) nga fshati Pallaticë dhe dy persona të mitur, kumtoi MPB-ja. "Gjegjësisht, pas informacioneve operative të marra paraprakisht dhe ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse, personat janë privuar nga liria në fshatin Pallaticë, në vendin e quajtur “Ron Skura” në një kasolle të improvizuar, ku ripaketonin marijuanën për shitje të mëtejshme. Aty u gjet marihuanë, një armë dhe plumba. Gjatë arrestimit, E.K. ka sulmuar një nëpunës policor", theksojnë nga MPB-ja.

Shkup - Me përkushtim po punohet në realizimin e rrugëve nga Korridori 8 në shtrirjen nga kufiri lindor në atë perëndimor të vendit, ndërsa po punohet edhe në autostradën për në Bllacë, theksoi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. "Ndërmjet Shkupit dhe Kumanovës ka një autostradë të gatshme. Midis Kumanovës përmes Rankovcës deri në Kriva Pallankë për momentin po ndërtohet një rrugë eksprese, që është një variant i autostradës dhe do të përfundojë deri në Vitin e Ri dhe paralelisht me të, në të njëjtën periudhë do të zgjerohet pjesa që shkon në pikën kufitare me qëllim që të mos ketë ndalesë në pikën kufitare. Pres që tani edhe Bullgaria të jetë përgjegjëse dhe do të ndërtojë autostradën në anën e tyre sepse nuk ka zgjidhje autostrade në anën e tyre për 50-60 kilometra të mira nga kufiri", tha Nikolloski në përgjigjen e pyetjes në konferencën e sotme për media në Qeveri.

Shkup - Demantoj të gjitha shpifjet dhe akuzat të plasuara sot në medie në lidhje me diplomën time. Është një temë e cila është qartësuar në të kaluarën, por siç duket dikush po ushqehet me diçka të paqenë. E kam qartësuar edhe atëherë, po e them edhe tani, diploma ime në Universitetin e Prishtinës është origjinale. Për këtë gjë ka edhe vendim në Prokurorinë e Përgjithshme në Kumanovë të datës 12.05.2020  e cila është marr me këtë temë.

Shkup - Deri sot në orën 14:00, kishte gjithsej nëntë zjarre në ambient të hapur. Prej tyre, pesë janë aktualisht aktive, një është nën kontroll dhe tre janë shuar, kumtoi Qendra për Menaxhim të Krizave (QMK). Në komunën e Çashkës digjet një pyll i përzier, një pyll me pisha është djegur në një territor të vreshtave, ndërsa në rajonin e Shtipit digjet pylli me kërcell të ulët dhe bari i thatë.

Shkup - Janë tërhequr anëtarët e komisioneve vlerësuese që duhej të bënin përzgjedhjen e mbikëqyrjes dhe përzgjedhjen e kontraktuesit për fazën e tretë të seksionit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, sepse nuk është real, nuk është i kapshëm dhe nuk mund të përfundojë, por edhe për shkak të komprometimit të projektit, tha sot ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka dekretuar sot 31 gjyqtarë me mandat fillestar, pothuajse gjysma prej tyre gra. Në ceremoninë e betimit para presidentes së Republikës, gjyqtarët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do të kryejnë me besnikëri në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat e tyre”.

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në takimin e sotëm me Ndihmës  Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Tomas Gofus theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë, njofto korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Zagreb - Trajnim specialistik i mjekëve nga Maqedonia e Veriut në Kroaci, edukimi i ekspertëve të ekipit dhe specialistëve për transplantin e mëlçisë, shkëmbimi i ekspertëve me qëllim të sigurimit të shërbimeve këshillimore në trajtimin e pacientëve janë pjesë e Planit të bashkëpunimit që u nënshkrua sot në Zagreb nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe kolegu i tij kroat Vili Berosh.

Lubjanë - Sllovenia me 1 shtator do ta marrë zyrtarisht kryesimin njëmujor të Këshillit të sigurisë së KB-së. Ambasadori Samuel Zhbogar, përfaqësuesi special i Sllovenisë në Këshillin e sigurisë, ka përvojë në kryesimin e Këshillit, pasi ai ishte zëvendës i ambasadorit Danilo Tirk gjatë mandatit të parë të Sllovenisë në Këshillin e sigurisë në vitet 1998-1999, njofton STA.

Paris - Kryeministri britanik Kir Starmer sot në Paris u takua me presidentin francez, Emanuel Makron. Para vizitës në Paris, Starmer ishte në Berlin në bisedë me kolegun e tij gjerman, Ollaf Sholc, që tregon dëshirën e kryeministrit për t'i thelluar lidhjet me figurat kyçe në Union, njoftojnë agjencitë. Në fillim të vizitës së tij, Starmer tha se nuk e "heq Bregzitin" me planet e tij për marrëveshje të re me Gjermaninë.

Bruksel – Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme Dmitro Kuleba deklaroi= se aleatët e Ukrainës duhet të bëjnë më shumë kur është fjala për dorëzimin e sistemeve të premtuara të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur hapësirën ajrore të Ukrainës nga sulmet ruse. "Është bërë përparim i mirë dhe janë bërë njoftime, por përsëri disa sisteme Patriot janë paralajmëruar dhe ende nuk janë dorëzuar", theksoi Kuleba para takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.

Bruksel - Vendet-anëtare të Bashkimit Evropian sot kërkuan një pauzë humanitare në luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë për të mundësuar fillimin e fushatës për vaksinim kundër paralizës së fëmijëve. Në kumtesën e përbashkët nga BE-ja theksohet se është shqetësues fakti se në Gazë në korrik u zbulua një rast i paralizës së fëmijëve, rasti i parë pas 25 viteve. "Një epidemi duhet të shmanget midis një popullate tashmë të dobësuar nga më shumë se 10 muaj luftime dhe shpërngulje, ushqim i pamjaftueshëm, mungesa e shërbimeve bazë shëndetësore dhe kushteve të këqija dobëta, por edhe për shkak të përhapjes së mëtejshme të mundshme të virusit ndërkombëtarisht."

Bruksel – Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta MeCola, ka emëruar dhëndrin e saj Metju Tabone për shef të kabinetit. Tabone ka punuar në PE që nga viti 2013 dhe tani merr detyrën nga Leticia Zuleta De Reales Ansaldo, e cila është emëruar Drejtoreshë për marrëdhëniet me parlamentet kombëtare në PE. Tabone ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Mecola-s prej vitesh, ndërsa ai u martua me motrën e saj në vitin 2015.

Tel Aviv - Lideri i opozitës Jair Lapid deklaroi sot se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ishte paralajmëruar se Hamasi po planifikonte sulm ndaj Izraelit. Ai ka demantuar akuzat e Netanjahut se Qeveria nuk ishte e informuar për qëllimet e Hamasit. "Vërtet ishte i informuar. Unë isha i informuar... Ishte e qartë se çfarë kërkonin ata (Hamasi)", potencoi Lapid, duke shtuar se materiali i inteligjencës që ai pa ishte parë edhe nga kryeministri dhe ministrat.

Pekin - Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden, mund të takohet sërish me kolegun e tij kinez, Si Xhinping, në një takim ndërkombëtar në nëntor, deklaroi sot Xhejk Salivan, këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Salivan i cili ka folur pas tre ditësh takimesh me zyrtarë të lartë kinezë në Pekin, tha se Bajdeni dhe Si kishin të ngjarë të merrnin pjesë në samitin e Bashkëpunimit ekonomik aziatiko-paqësor (BEAP) në Peru dhe takimin e Grupit 20 (G20) në Brazil - të dyja në nëntor.

Uashington - Zëvendës drejtori i Agjencisë qendrore amerikane të intelegjencës (CIA), Dejvid Koen sot deklaroi se të dyshuarit për planifikimin e sulmit para koncertit të pop yllit amerikan Tejlor Suift, në fillim të muajit, kanë planifikuar të vrajnë "dhjetëra mijë" njerëz. Autoritetet austriake kanë anuluar tre koncerte të Suift dhe kanë penguar sulm në bazë të informatave zbuluese të dorëzuara nga CIA, pas çka vijuan arrestime të personave, eventualisht të lidhur me Shtetin Islamik.

Londër - Skuadra e Premier ligës, Arsenal është i interesuar për Kingsli Komanin. Sipas "Dejli mejl", "Topçinjtë" mendojnë një lëvizje për lojtarin e krahut të Bajernit të Munihut para mbylljes së afatit kalimtar në mesnatë nesër. Trajneri Mikel Arteta dëshiron të rrisë konkurrencën në pozicionet kyçe.

Liverpul - Liverpuli sot publikoi se ka nënshkruar kontratë me sulmuesin e Juventusit dhe Italisë, Federiko Kieza. Sulmuesi (26) me sukses e kaloi kontrollin mjekësor dhe nënshkroi kontratë shumëvjeçare me ekipin anglez. Sipas portalit Transfermarket, Liverpuli për sulmuesin ka paguar 12 milionë euro

QËNDRONI TË LIDHUR