15:00/ 13 janar/ 2025
Shkup- Qeveria e miratoi Planin vjetor për implementim të Tranzicionit të drejtë për vitin 2026, me çka vazhdohet me zbatim sistematik të procesit të drejtë energjetik dhe transformim ekonomik në vend, kumtoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Në kumtesë ceket se me miratimin e Planit, Qeveria dhe Ministria "e konfirmojnë përkushtimin e vet drejt sigurimit të tranzicionit të drejtë i cili do t'i marrë parasysh pasojat socioekonomike ndaj bashkësive dhe punëtorëve në rajonet e prekura nga tranzicioni, me fokus të veçantë në hapjen e mundësive të reja për punësim, rikualifikim të fuqisë punëtore dhe nxitje të zhvillimit të qëndrueshëm lokal ekonomik". Me mekanizmat e paraparë sigurohet qasje e koordinuar mes institucioneve kompetente dhe ndërmarrjeve publike.
Shkup - Të gjithë personat juridik dhe fizik që nga dhjetori 2025, kanë arritur një qarkullim total më të lartë se 2.000.000 denarë nga furnizimi i taksueshëm i mallrave dhe shërbimeve janë të detyruar të dorëzojnë një Kërkesë për Regjistrim për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (formulari TVSH-01), kujton Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP). "Nëse si person fizik merrni një hapësirë afariste në vend, ofroni shërbime juridike, ekonomike, inxhinierike, menaxheriale dhe artizanale, ofroni orë privat për nxënës dhe studentë, realizoni të ardhura nga shitja e produkteve bujqësore ose kryeni qarkullim tjetër të taksueshëm dhe në vitin 2025 keni realizuar qarkullim mbi 2.000.000 denarë duhet të regjistroheni për objektivat e TVSH-së. Qarkullimi total për qëllimet e TVSH-së është qarkullimi që e ka bërë obliguesi gjatë vitit në bazë të shitjes së shërbimeve të ofruara. Në qarkullimin e përgjithshëm nuk hyn qarkullimi i përjashtuar nga TVSH-ja pa të drejtën e zbritjes së taksës, si për shembull: marrja e banesave me qira dhe për banim, shërbimet e sigurimit dhe risigurimit, shërbimet shëndetësore, shërbimet për ruajtjen e gjuhëve të huaja, shërbimet e qendrave kompjuterike, transporti ndërkombëtar i pasagjerëve etj. Gjithashtu, qarkullimi total nuk përfshin qarkullimin e kryer për tatimpaguesit e huaj dhe që nuk i nënshtrohet TVSH-së, si p.sh.: ofrimi i shërbimeve konsulente, ligjore, të TI-së dhe të tjera për tatimpaguesit e huaj", njofton DAP-i.
Shkup - Këshilli gjyqësor i vazhdimit të mbledhjes së 534-t sot unanimisht me tetë vota solli vendim të shpallë konkurs për zgjehdje të gjykatësit të Gjykatës kushtetuese nga radhët e gjykatësve, në pajtim me Ligjin për Këshillin gjyqësor që ishte miratuar në fund të dhjetorit, vitin e kaluar. Në pajtim me Ligjin e ri për Këshillin gjyqësor, Këshilli pas shpalljes së konkursit, nga radhët e gjykatësve me së paku 20 vite stazh gjyqësor, pas vlerësimti të konstatuar paraprak të rezultateve të tyre të përgjithshme në punë i propozon Kuvendit dy kandidatë për zgjehdje të gjykatësve të Gjykatës kushtetuese të RMV-së. Konkursi është për plotësimin e vendeve të gjykatëses Elizabeta Dukovska, zgjedhja e së cilës në vitin 2023 ishte anuluar pas vendimit të Gjykatës administrative pas padisë së parashtruar për procedurën e zgjedhjes së saj.
Shkup - Seanca e sotme gjyqësore në lëndën kundër ish-kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimi e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska, është anuluar për shkak se Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim për atë se cila aktakuzës është kompetentë për të zhvilluar procedurën. Siç është komunikuar në seancën e sotme, pritet vendim nëse lëndën do ta ndërmerr Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsion ose Prokuroria Themelore Publike. Anulimi vijon pas një ankesë të parashtruar nga mbrojtja e të pandehurës Biljana Petrovska-Manteva, e cila në këtë moment ngarkohet për dhënie të sekretit zyrtar.
Shkup - Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, priti në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës, Florian Qehaja. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve, projektet e përbashkëta që i lidhin institucionet tona, si dhe për proceset e integrimit evropian dhe avancimin e agjendës evropiane në rajon. Të dyja palët theksuan rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të përvojave në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian.
Shkup - Me ndalimin e pirjes pasive të duhanit dukshëm do të ulet numri i pasojave të padëshiruara ekonomike, të cilat ndoshta nuk janë menjëherë të dukshme, por në afat të gjatë do të kontribuojnë në krijimin e një populli më të shëndoshë, deklaroi për MIA-n, prof.dr Dejan Dokiq, pulmolog, alergolog, të cilin e pyetëm për koment në lidhje me ligjin e ri të paralajmëruar kundër pirjes së duhanit. "Ligji i ri kundër pirjes së duhanit, duhet ta pranoj, është mjaft kufizues, por shoh efekte jashtëzakonisht pozitive dhe përfitime nga zbatimi i tij për gjithë shoqërinë. Para se gjithash, me këtë ligj do të kursehen ata që nuk e pinë duhanin nga ekspozimi i pirjes pasive si në objekte hotelierike ashtu edhe në automobila", është i vendosur Dokiq. Mjeku tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shëndetit publik.
Shkup - Në nëntor të vitit 2025 gjithsej 77.570 turistë kanë realizuar 146.605 bujtje në vend. Nga numri i përgjithshëm i turistëve, 25,7 për qind janë të vendit, ndërsa 74,3 për qind janë turistë të huaj. Enti Shtetëror i Statistikës sot njoftoi se më së shumti turistë të huaj në nëntor kishte nga Turqia, 12.401 pastaj vijojnë Gjermania - 11.812, Serbia - 3.793, Greqia - 3506... Numri i bujtjeve në nëntor të vitit 2025 arrin 146.605, nga të cilët 33,9 për qind janë nga turistët vendor, ndërsa 66,1 për qind nga turistët e huaj.
Shkup - Prokuroria Themelore Publike-Shkup ngriti procedurë kundër një burri 55 vjeçar, të dyshuar se më 11 janar ka thyer me gur xhamin e derës së Ambasadës të Republikës së Bullgarisë në Shkup. I dyshuari, siç citon Prokuroria, "nga urrejtja e ka dëmtuar derën e hyrjes të Ambasadës të Republikës së Bullgarisë, ashtu që me gur e ka thyer xhamin e derës dhe menjëherë ka ikur në drejtim të panjohur". "Prokurori publik te gjyqtari i procedurës paraprake ngriti propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit, me arsyetimin se ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezik nga arratisja, si dhe frikë se i dyshuari mund ta përsërisë veprën", qëndron në kumtesë.
Shkup- Për shkak të gjendjes së përkeqësuar të siguririsë në Republikën Islamike të Iranit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut u bën thirrje qytetarëve të saj që ndodhen në territorin e këtij shteti, ta braktisin vendin në kushtet e mundshme të para dhe të sigurta. Njëkohësisht bën thirrje edhe që të anulohen të gjitha udhëtimet në Iran, që janë të panevojshme.
Shkup - VLEN-i do të marrë pjesë në takimin e nesërm të lidenrëve në Klubin e deputetëve, në Shkup, të thirrur nga kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski. Siç informoi në konferencën e sotme për shtyp koordinuesi i grupit të deputetëve të VLEN-it, Bekim Qoku, koalicioni në takimin e liderëve do të përfaqësohet nga Bilall Kasami. "Ne do ta pranojmë ftesën dhe vendosëm të shkojmë në këtë takim liderësh. Atje do të marrim pjesë unë si koordinues dhe Bilall Kasami si njëri prej liderëve të VLEN-it. Në ftesë nuk ka çështje konkrete", tha ai. Lidhur me Qeverinë e Përzhinës, Qoku theksoi se ni ngjan një vendi i cili negocion për hyrje në BE të ketë qeveri teknike.
Shkup - Gjykata Themelore Penale në Shkup informon se debati kryesor për rastin për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, të caktuar për nesër, shtyhet me kërkesë të mbrojtëses së një të akuzuari, avokatja Suzana Joshevska Anastasovska. Kërkesa, siç informojnë nga Gjykata Penale, është për arsye se gjatë ditës së djeshme mbrojtësja është zgjedhur anëtare e Këshillit Gjyqësor, dhe për shkak të plotësimit të së drejtës për angazhim të avokatit të ri dhe njohjes së tij me rastin, debati i nesërm revokohet, ndërsa gjykimi vazhdon në terminin e ardhshëm, të konfirmuar, më 26 janar të këtij viti. Suzana Joshevska Anastasovska është mbrojtëse e ish drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Adnan Xhaferovski.
Shkup - Thellimi i bashkëpunimit bilateral në sektorin energjetik, si dhe projekte të përbashkëta të lidhura me tranzicionin e gjelbër ishin tema të bisedës në takimin e sotëm mes ministres së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska dhe ambasadores së Japonisë në Maqedoninë e Veriut, Secuko Kavahara. Në takimin kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të korporatës japoneze ITOÇU (ITOCHU), një nga kompanitë udhëheqëse dhe më të renomuara në Japoni, e njohur sipas aktiviteteve të saj investuese dhe ekspertizës në projekte energjetike dhe industriale. ITOÇU është kompani serioze me prani globale, e cila tregon interes për tregun e Maqedonisë së Veriut dhe potencialet për transformim të gjelbër energjetik në vend.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim lamtumirës me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angella Ageler. Në takimin, siç njoftoi pres shrbimi i Kuvendit, Gashi shprehu mirënjohje për përkushtimin e saj personal, qasjen profesionale dhe mbështetjen për proceset demokratike në vend. U theksua veçanërisht roli i saj në forcimin e bashkëpunimit institucional, ndërtimin e besimit dhe avancimin e dialogut me Kuvendin.
Shkup - Zgjedhja për anëtar të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin një komuniteti që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë do të zhvillohet më 29 janar të këtij viti. Gjyqtarët në zgjedhje të drejtpërdrejta do të votojnë për njërin nga gjashtë kandidatët: Afrim Jakupu (gjyqtarë i Gjykatës së Apelit Gostivar), Sadulla Iaziri (gjyqtar i Gjykatës Themelore Tetovë), Ylber Hasani (gjyqtar i Gjykatës Themelore Civile Shkup), Hasan Asani (gjyqtar/kryetar i Gjykatës Themelore Tetovë), Xhemali Saiti (gjyqtar i Gjykatës Supreme) dhe Shpresa Grainca Osmani (gjyqtare e Gjykatës Themelore Penale Shkup).
Shtip - Shtetasi turk Kadir Kara, i cili e pranoi fajësinë për vrasjen e bashkëkombësit të tij në një kafene në sheshin e qytetit "Sloboda" në Shtip, është dënuar me 17 vjet burg dhe dëbim nga vendi, pasi do ta vuaj dënimin në burgun e Maqedonisë së Veriut. Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Shtip, Sashko Georgiev sot informoi se pas seancës dëgjimore më 19 dhjetor 2025 në Gjykatën Themelore në Shtip, në të cilën Kara e pranoi fajësinë, gjykata ka marrë këtë vendim për veprën penale të kryer vrasje dhe posedim të paautorizuar të armës.
Athinë - Nga ora 11 sipas orës maqedonase (12 sipas orës lokale) është ndërprerë qarkullimi për të gjitha llojet e automjeteve në vendkalimin kufitar Evzoni drejt vendit tonë për hyrje dhe dalje nga Greqia për shkak të bllokadës së bujqve grek, që sipas informacioneve të korrespondentes së MIA-s nga Athina, do të vazhdojë deri në ora 15 sipas orës sonë, 16 sipas orës greke. Bujqit në pjesën veriore të Greqisë, të cilët nga 1 dhjetori i kanë parkuar traktorët e tyre në anën greke të kufirit, janë mes blloqeve që kanë refuzuar sot të takohen me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis dhe vazhdoijnë me aktivitetet, protestat dhe bllokadat e tyre.
Athinë - Në ditën e fundit të vitit u lëshua në funksion naftësjellësi Selanik - Shkup, kumtoi dje drejtori ekzekutiv i "Helenik enerxhi", Andreas Siamisis, duke folur në ngjarjen e kompanisë, kumtoi agjencia e lajmeve greke ANA-MPA, ndërsa informatën se naftësjellësi filloi me punë, për korrespondenten e MIA-s e konfirmojnë edhe burime nga kompania greke. Naftësjellësi Selanik - Shkup sërish funksionon pas 13 viteve joaktivitet, tashmë u bë dërgesa e parë, ndërsa sipas informatave të njejta, në periudhën e fundit do të pasojë edhe e dyta. Drejtori ekzekutiv i kompanisë greke në njarjen e djeshme theksoi se në thelb, bëhet fjalë për një korridor vertikal për furnizim me produkte tradicionale, duke pasur parasysh atë që naftësjellësi do të bartë derivate-dizel, që është produkti themelor në rajonin më të gjerë.
Prishtinë - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të qendrës së djathtë, Lumir Abdixhiku, mbrëmë delaroi se duhet të zgjidhet një figurë unifikuese si kreu i shtetit, gjë që kërkon konsensus politik. Ai shtoi se partia e tij nuk do të mbështesë asnjë kandidat për president pa një marrëveshje politike. Mandati i presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, skadon më 7 prill. Zgjedhjet për pasardhësen e saj duhet të mbahen 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj.
Kiev - Rada Supreme e Ukrainës sot me votat e 265 deputetëve, mbështeti dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Denis Shmihal nga kjo pozitë, raportoi Ukrinform. Rada Supreme, më 9 janar pranoi dorëheqjet e ministrit të Mbrojtjes, Denis Shmihal dhe zëvendëskryeministrit të Parë dhe ministrit të Transformimit Digjital, Mihajllo Fedorov. Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski propozoi që ministri aktual i Mbrojtjes, Shmihal të emërohet zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Energjetikës.
Gaza - Në sulmin e djeshëm izraelit me dron në pjesën qendrore të Rripit të Gazës kanë humbur jetën tre persona. Sipas Armatës izraelite (IDF) të vrarët e kanë kaluar linjën për armëpushim në afërsi të korridorit Morag dhe kanë paraqitur kërcënim të drejtpërdrejtë për ushtarët izraelitë. IDF pohoi edhe se tek të vdekurit janë gjetur armë dhe pajisje për grumbullimin e të dhënave të inteligjencës.
Gaza - Agjencia e KB-së për fëmijë - UNICEF sot ka publikuar se më shumë se 100 fëmijë janë vrarë në Gaza nga fillimi i armëpushimit në tetor. "Më shumë se 100 fëmijë janë vrarë në Gaza nga fillimi i armëpushimit në fillim të tetorit", deklaroi zëdhënësi i UNICEF-it, Xhejms Elder, në brifingun onlajn të KB-së nga Gaza. "Mbijetesa mbetet e kushtëzuar edhe krahas faktit se bombardimet dhe të shtënat janë ulur gjatë armëpushimit - ato nuk janë ndërprerë", shtoi ai.
Teheran - Një funksionar anonim iranian sot deklaroi se pothuajse 2.000 njerëz e kanë humbur jetën në protestat në Iran. Ai e deklaroi këtë për "Rojters" dhe shtoi se "terroristët" janë fajtorë për vdekjen e civilëve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë. Autoritetet iraniane paraprakisht i akuzuan SHBA-në dhe Izraelit për organizim të protestave masive në vend, të cilat po zgjasin prej 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Protestat, fillimisht të shkatuara nga gjendja e rëndë ekonomike dhe devalvimi i valutës nacionale, së shpejti morën dimension politik.