18:00/ 22 maj/ 2025
Shkup- Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova sot ka zhvilluar bisedë të shkurtë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodomir Zelenski, në të cilën, siç informojnë nga Kabineti i saj, ka shprehur mbështetje për përpjekjet për përfundim të luftës. Në bisedë Zelenski e ka informuar presidenten e Maqedonisë së Veriut për përpjekjet intensive diplomatike të drejtuara drejt arritjes së marrëveshjes për paqe të drejtë sa më shpejtë.
Londër- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, vlerësoi si ditë historike për vendin nënshkrimin e sotëm të Marrëveshjes midis qeverive të Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me një partneritet për realizimin e projekteve infrastrukturore. "Kjo është një ditë historike për vendin, nënshkrimi i një marrëveshjeje financiare me Britaninë e Madhe, me të cilën në mënyrë strategjike zgjidhen edhe investohen në disa fusha si komunikacioni hekurudhor, arsimi dhe shëndetësia...", tha Mexhiti.
Shkup- Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, ka takuar sot ushtruesin e detyrës ambasador të Shtetit të Katarit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. Rashid Bin Said Al-Hajarin.Siç informojnë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në takim, i cili ishte takimi i parë protokollar, të dyja palët shprehën kënaqësinë dhe besimin se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë me përpjekje të përbashkëta për të rritur intensitetin e tij.
Shkup- Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska informoi sot se kanë filluar përgatitjet për ribalancin e Buxhetit, si dhe se prej dje janë lëshuar kërkesat në institucionet për dorëzimin e të dhënave për investimet kapitale. Siç theksoi Dimitrieska Koçoska, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, menaxhmenti i projektit të institucioneve mbetet sepse ata janë realizues të investimeve kapitale. Sipas ministres, deri në fund të qershorit duhet të përgatitet gjithçka dhe të dërgohet në Kuvend.
Shkup- Në përputhje me raportin vjetor, më së shumti shkelje të të drejtave të njeriut kanë ndodhur vitin e kaluar në fushën e gjendjes civile, kryesisht të lidhura me pamundësinë për të marrë dokumente personale, më saktësisht dokumente udhëtimi. Gjyqësori është sferë problematike me më së shumti shkelje dhe partashtresa nga qytetarët, ndërsa ka parashtresa edhe në raport me punën e përmbaruesve. Problematika janë çështjet që lidhen me të drejtat e konsumatorëve, potencoi sot Avokati i Popullit Naser Ziberi.
Londër- Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit, Geret Tomas sot në Londër nënshkruan Marrëveshjen lidhur me partneritetin për realizimin e objekteve infrastrukturore, me të cilën vendi merr në dispozicion shumën historikisht më të madhe të mjeteve prej pesë miliardë funta për realizimin e projekteve kapitale. "Ne e shohim partneritetin strategjik me Mbretërinë e Bashkuar si diçka që do ta çojë Maqedoninë në një nivel të ri. Sot po nënshkruajmë një Marrëveshje midis dy qeverive, të cilën e quajmë Marrëveshje Ndërqeveritare, për zhvillimin e projekteve infrastrukturore në sektorë kyç si transporti, arsimi, mjedisi jetësor, teknologjia informatike, si dhe sektorë të tjerë që do t'i zhvillojmë, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin, dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në periudhën e ardhshme", deklaroi Nikolloski pas nënshkrimit të Marrëveshjes.
Shkup- Nga 1 korriku do të fillojë zvogëlimi i parë i normave doganore për 50 për qind, tha sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçoska. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçosoka, sot gjatë takimit në Odën Ekonomike, njoftoi lidhur me uljen e normave doganore për rreth 70 produkte, kryesisht për repromaterialet dhe lëndët e para.
Shkup- Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska përmes publikimit në rrjetet sociale iu përgjigj kryeministrit Hristijan Mickoski. Ajo potencoi se kompetencë për veprim me ndërtimet pa leje kanë inspektorët ndërtimorë komunalë dhe Inspektorati ndërtimor shtetëror. "Inspektorë të tillë ka komuna e Çairit dhe të gjitha komunat e Shkupit si njësi të posaçme të vetadministrimit lokal në kuadër të Qytetit të Shkupit. Qyteti i Shkupit është njësi e vetme e vetadministrimit lokal, që nuk ka inspektor ndërtimor sipas Ligjit. Kur bëhet fjalë për ndjekjen penale të kriminelëve të kapur duke kryer vepër penale, në këtë rast uzurpim të tokës shtetërore, ndërtim të paligjshëm dhe shkelje të sigurisë së përgjithshme, përgjegjësia i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme... ”, tha Arsovska në postimin në Fejsbuk.
Shkup- Pas disa muajsh procedurë parahetimore të zhvilluara nga prokuror publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Anëtarë të Policisë së Burgjeve në bashkëpunim me Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale në kuadër të MPB-së, sot nën udhëheqjen e prokurorit përkatës, nëpunës policie nga Njësia Kundër Korrupsionit pranë Departamentit për Çrrënjosjen e Krimit të Organizuar dhe Serioz kryen bastisje në 15 lokacione në Shkup, Shtip dhe në VK Ballcë e Poshtme. Siç njoftoi Prokuroria Publike, 11 persona janë ndaluar, ndërsa dy persona nuk janë të pakapshëm për organet e ndjekjes.
Shkup- Lënda "Onkologjia" është përfunduar dhe janë ngritur dy aktakuza në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit, informuan sot në një konferencë të përbashkët për shtyp prokurori publik shtetëror, Lupço Kocevski, prokurori publik themelor i PTHP Shkup, Gavril Bubevski dhe prokurorja e lëndës, Ana Gogovska Jakimovska. Siç kumtoi prokurorja publike e lëndës, lënda është e ndarë në dy pjesë - e para lidhet me punën ekonomike të Klinikës së Onkologjisë, ku përfshihen drejtori i atëhershëm dhe drejtori organizativ i Klinikës, kurse pjesa e dytë e lëndës lidhet me trajtimin e pacientëve dhe përfshin katër mjekë onkologë.
Tiranë- Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu në takim me komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral – nënkolonel Bashkim Jashari, dha garanci se Shqipëria qëndron krah Kosovës që ta garantojë stabilitetin në rajon. Në takimin në Tiranë, në të cilin morën pjesë edhe shefi i Shtatmadhorisë së forcave të armatosura shqiptare, gjeneral – nënkolonel Arben Kingji, është biseduar për “bashkëpunimin strategjik dhe miqësor mes dy vendeve në sferën e mbrojtjes, e cila konsiderohet faktor i stabilitetit për rajonin dhe orientim i qartë drejt integrimeve euroatlantike”.
Athinë- Ne qartë po angazhohemi për një armëpushim të menjëhershëm dhe rivendosjen e plotë të rrjedhës së papenguar të ndihmës humanitare në Gazë, dhe nuk kam vështirësi t'ju them se ajo që ka ndodhur në javët e fundit, në ditët e fundit, është e pajustifikuar dhe e papranueshme. Izraeli duhet t’i ndalë menjëherë këto operacione, tha kryeministri grek Kirjakos Micotakis në një intervistë për radion greke Skaj, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athinë.
Bruksel- Në shoqëritë tona nuk duhet të ketë vend për urrejtje dhe ekstremizëm, e aq më pak për antisemitizëm, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Anuar el Anuni në përgjigje të pyetjes për koment ndaj deklaratës së ministrit izraelit të Punëve të Jashtme se sulmi është rezultat i "nxitjes evropiane të urrejtjes" ndaj Izraelit. "Shprehim ngushëllime deri te familjet e viktimave dhe deri te populli izraelit", deklaroi El Anuni, duke shtuar se edhe përfaqësuesja e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas u shpreh e tronditur nga ngjarja.
Madrid- Real Madridi ka konfirmuar sot se Luka Modriq do të largohet nga skuadra në fund të sezonit. Mesfushori kroat ndeshjen e fundit në stadiumin “Bernabeu” do ta luajë të shtunën ndaj Real Sosiedadit, ndërsa do të largohet pas Kupës së botës për klube. “Real Madridi dhe kapiteni Luka Modriq janë pajtuar që ta mbyllin periudhën e paharrueshme në fund të Kupës së botës për klube ku skuadra jonë do të luajë prej 18 qershorit në SHBA”, ka shkruar ndër të tjera klubi madrilen.