• e enjte, 04 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00/ 21 tetor/ 2025

Shkup- Qeveria i ka obliguar Ministrinë e Punëve të Brendshme, në koordinim me Inspektoratin Shtetëror Komunal, Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit Jetësor, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik, të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në Qytetin e Shkupit dhe Higjienën Komunale me qëllim përcaktimin e situatës me mbeturinat në kryeqytet dhe marrjen e masave përkatëse. "Situata është alarmante dhe megjithëse kompetenca është e Qytetit të Shkupit, për shkak të mosveprimit të vazhdueshëm, i bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë menjëherë sipas konkluzave të Qeverisë", bëhet e ditur në kumtesën e dërguar nga shërbimi për informim i Qeverisë. 

Shkup– Marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe politike, nivel i lartë i bashkëpunimit tregtar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë së Madhe dhe partnere e fuqishme në realizimin e qëllimeve strategjike të vendit, ishte konstatuar në takimin ndërmjet nënkryetarit të Qeverisë dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe ministrit shtetëror në Departamentin për Biznes dhe Tregti në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, Ser Kris Brajan, që sot u mbajt në Londër.  Në përbërje të delegacionit që ka realizuar takim me Brajanin janë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska. 

Shkup - Me Britaninë e Madhe, jemi seriozisht të përkushtuar për realizimin e Marrëveshjes Qeveri me Qeveri, e cila sjell përfitime të mëdha ekonomike dhe politike, potencoi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski pas takimit me ministrin për biznes dhe tregti nga Mbretëria e Bashkuar, Ser kris Brajan në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor - procesi i Berlinit i cili po mbahet në Londër.  Ai paralajmëroi një numër të madh takimesh me përfaqësues të lartë qeveritarë të delegacionit qeveritar të Maqedonisë. 

Shkup - Për vaksinimin kundër gripit sezonal janë paraqitur rreth 60 mijë qytetarë, ndërsa deri më tani janë vaksinuar mbi 8 mijë persona, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Vaksinimi, siç bëhet e ditur në kumtesë, po realizohet në gjithsej 35 pika vaksinimi në mbarë vendin, prej të cilave pesë ndodhen në Shkup. Të gjithë qytetarët e interesuar mund të paraqiten për vaksinim përmes aplikacionit vakcinacija.mk ose përmes mjekut të tyre amë. "Në vaksinimin falas përfshihen kategoritë e rrezikuara të popullsisë, si: personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucione për mbrojtje sociale të të moshuarve dhe punonjësit e këtyre institucioneve", thonë nga Ministria e Shëndetësisë. 

Shkup - Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut po merr pjesë në Asamblenë e 151-të të Unionit Ndërparlamentar, e cila po mbahet nga 19 deri më 23 tetor në Gjenevë, Konfederata Zvicerane. Delegacioni kryesohet nga deputeti Boban Karapejovski, ndërsa në të janë edhe deputetet Eli Panova dhe Sllavjanka Petrovska, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, e cila po merr pjesë në Takimin e Shoqatës së Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve. Tema kryesore për diskutim në Asamble është "Respektimi i normave humanitare dhe mbështetja për veprimet humanitare në kohë krize". Deputetët do të diskutojnë gjithashtu mënyrat se si parlamentet mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm, barazinë gjinore, veprimet për klimën, luftën kundër krimit ndërkufitar dhe migracionit, menaxhimin e inteligjencës artificiale, si dhe mbikëqyrjen parlamentare të shpenzimeve të mbrojtjes. Do të merren në konsideratë edhe iniciativat që lidhen me reformën e Kombeve të Bashkuara, transparencën dhe llogaridhënien në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, etj, njoftoi shërbimi për informim i Kuvendit. 

Shkup - Prokuroria Themelore Publike në Shkup tashmë po ndërmerr veprime për të siguruar prova për një vepër të mundshme penale që lidhet me situatën me mbeturinat në Shkup. Siç informon PTHRMV-së, prokurori publik ka lëshuar urdhra për MPB dhe organet e tjera kompetente për veprime dhe inspektime urgjente në lidhje me punën e NP "Higjiena Komunale". Janë dorëzuar kërkesa deri tek shërbimet inspektuese komunale për të kryer mbykëqyrje inspektuese të jashtëzakonshme dhe për të përcaktuar gjendjen momentale.

Shkup - Investimet në shkencë dhe inovacione, zbatimi i inteligjencës artificiale për qëllime kërkimore-shkencore, si dhe mundësitë për rritjen e mbështetjes evropiane për Maqedoninë, ishin temat për të cilat u diskutua në takimin e sotëm të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, me komisioneren evropiane për start-up-e, kërkime dhe inovacione, Ekaterina Zaharieva dhe drejtoren e Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian, Sabine Hentcler. Siç informojnë nga MASH, takimi u mbajt në kuadër të mbledhjes ministrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë, Mal i Zi, dhe ministrat e Maqedonisë së Veriut theksuan se shteti është i fokusuar në zhvillimin e shkencës dhe inovacioneve, duke krijuar më shumë mundësi për shkencëtarët dhe studiuesit. 

Shkup - Amir Elezi, nënkryetar i shtabit të Koalicionit VLEN, në një deklaratë për televizionin NTV, tha se në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, Koalicioni VLEN ka fituar në pesë komuna që në raundin e parë, ndërsa ka epërsi në pesë komuna të tjera. “Ishte një festë e vërtetë e demokracisë dhe një organizim perfekt i zgjedhjeve dhe i gjithë fushatës zgjedhore këtu në Maqedoninë e Veriut, çka na gëzon jashtëzakonisht shumë. Krahas rezultatit shumë të mirë dhe të kënaqshëm të Koalicionit VLEN në këto zgjedhje lokale, siç e përmenda edhe në inkuadrimin tim të fundit për televizionin tuaj, ne kemi arritur të fitojmë në pesë komuna që në raundin e parë – pikërisht ashtu siç e kam parashikuar para fillimit të fushatës.

Shkup – Kandidati për kryetar të Shkupit nga VMRO-DPMNE-ja, Orce Gjorgjievski njoftoi se e pranon ftesën të cilën e mori nga TV Kanal 5 për debat me kundërkandidatin e tij në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale – Amar Mecinoviq nga E majta.  “Ai është televizion i parë me koncesion kombëtar i cili dërgoi ftesë për debat. Qytetarët meritojnë debat të hapur dhe të argumentuar, në të cilin çdo kandidat do t’i prezantojë vizionet, programet dhe zgjidhjet e tij për të ardhmen e Shkupit. Transparenca dhe respekti ndaj qytetarëve bazohet në demokraci të vërtetë, ndërsa pikërisht këtë do ta tregojmë edhe këtë herë”, njoftoi Gjorgjievski në Fejsbuk.

Strugë - Kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Strugës, Mendi Qyra i cili së bashku me kundërkandidatin nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Arsim Dalipi shkojnë në rreth të dytë në garën për postin e kryetarit të komunës, sot në konferencë për shtyp shprehi falënderim për mbështetjen që mori nga qytetarët në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale dhe paralajmëroi se fushatën do ta vazhdojë me të njëjtën kulturë politike dhe në dy javët në vazhdim.  "Duke pasur parasysh që kundërshtari im i cili ka bërë disa herë thirrje publike, nuk po e mban fjalën dhe nuk po tërhiqet, ju informoj se fushata jonë vazhdon me të njëjtën frymë të re në kulturën aktuale politike në dy javët e ardhshme", tha Qyra. 

Tiranë - Para Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë sot është mbajtur protestë, ku kanë marrë pjesë pacientë, qytetarë dhe aktivistë kundër gjendjes alarmante në të cilën gjendet Klinika për onkologji. Ata e dënuan mungesën e pajisjes bazë dhe ilaçeve për mjekim të pacientëve të sëmurë nga kanceri. "Në këtë klinikë situata është kritike, me mungesë të pajisjeve vitale si mamografia, skanimet PET dhe shërbimet e kimioterapisë, elementë kyç në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit. Përveç kësaj, ka mungesë të vazhdueshme të ilaçeve bazë, gjë që kërcënon seriozisht jetën e pacientëve, të cilët nuk marrin trajtimin e nevojshëm në kohë", akuzuan pjesëmarrësit, të cilët vendosën një banderolë përpara Ministrisë së Shëndetësisë, ku shkruhej "Ministria e Vdekjes".

Lubjanë - Presidenti i Francës, Emanuel Makron sot gjendet për vizitë pune në Lubjanë, me ç'rast u takua me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe kryeministrin Robert Gollob. Makroni në vizitën e parë në Slloveni ka nënshkruar disa marrëveshje, mes të cilave edhe për partneritet në sferën e energjisë bërthamore dhe arsimin. "Shpesh dëgjojmë se ndërtimi i centralit të ri bërthamor është i tepërt për Slloveninë. Ndërsa e vërteta është se nuk e planifikojmë vetëm për Slloveninë, por planifikojmë edhe objekt, me të cilin rajoni i Evropës Juglindore do të siguronte pjesë të madhe për nevojat e veta lidhur me energjinë elektrike", tha Gollob.

Kiev- Parlamenti ukrainas sot miratoi vazhdimin e ri 90-ditor të gjendjes së jashtëzakonshme dhe mobilizimit të përgjithshëm, deri në fillim të shkurtit, publikoi Pres shërbimi i Kuvendit.  Vazhdimi i propozuar nga presidenti Zelenski, parlamenti e miratoi me një shumicë prej dy të tretash. Vendimi i mëparshëm për gjendjen e jashtëzakonshme skadon më 5 nëntor.  Gjendja ushtarake dhe mobilizimi u vendosën për herë të parë 30 ditë pas pushtimit rus në shkurt të vitit 2022 dhe që atëherë rregullisht janë vazhduar. 

Uashington- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp sot deklaroi se aleatët e tij në Lindjen e Mesme janë të gatshëm që me kërkesë të tij të dërgojnë ushtarë në Rripin e Gazës, nëse Hamasi nuk ndalet me shkeljen e marrëveshjes për armëpushim. "Numër i madh i aleatëve tanë, tani kryesorë në Lindjen e Mesme dhe rajonet në rrethinë në mënyrë eksplicite dhe fuqimisht më informuan se do të përshëndesnin mundësinë, që me kërkesë time, të hyjnë me forcë në Gazë dhe ta korrigjojnë Hamasin nëse vazhdon të sillet keq, duke e shkelur marrëveshjen e tyre me neve", ka shkruar Trampi në rrjetin e tij social "Truth Social".

Shkup – Sot pasdite u luajtën katër ndeshje nga raundi i 1/8-ës së Kupës së Maqedonisë, ku vende në raundin tjetër siguruan këto skuadra: Sileksi, Struga, Shkëndija e Haraçinës dhe Rabotniçki. Dy duele përfunduan me fitoren e skuadrave mysafire. Në Kumanovë, Sileksi e mposhti Bashkimin me 2:1, ndërsa Struga TL ishte bindëse në ndeshjen me Makedonija GjP e cila përfundoi me rezultat 5:0. Shkëndija e Haraçinës si e ligës së dytë shkaktoi befasi duke e eliminuar Pelisterin duke fituar me rezultatin 1:0, ndërsa Rabotniçki e eliminoi Bregallnicën e Shtipit pas gjuajtjes së penalltive. Ndeshja përfundoi 1:1, ndërsa pas gjuajtjes së penalltive 5:4. Nesër do të luhet ndeshja mes Vardarit dhe Novacit, ndërsa ndeshja e fundit e 1/8-ës është planifikuar për më 19 nëntor ku do të luajnë Shkëndija e Tetovës dhe Tikveshi. Më parë çerekfinale siguruan Detonit Plaçkovica me fitoren 1:0 ndaj Bellasicës si mysafire, ndërsa Ohri mposhti Shkupin me rezultat 3:0.

QËNDRONI TË LIDHUR