• e shtunë, 21 dhjetor 2024
MIA Flesh

18:00/ 12 shtator/ 2023

Gostivar - Në fshatin Banjicë e Epërme filluan punët ndërtimore të konzorciumit amerikano-turk "Behtel dhe Enka" për depërtimin e pjesës së rrugës në autostradën Gostivar - Bukojçan (30,1 kilometra) të Korridorit 8. "Ky ëshët aktiviteti i parë real, me të cilin fillon ndërtimi i dy korridoreve. Atë që të gjithë e presim, e realizojmë sot, ndërsa e premtuam javën e kaluar. Këtu ku qëndrojmë, do të kalojë autostrada e re Gostivar - Kërçovë, ndërsa materiali nga minimi do të përdoret për Tetovë - Gostivar dhe për rrugën anësore nga Tetova. Në mënyrën më transparente, më të hapur i kryejmë punët që të bindet opinioni se korridoret do të ndërtohen në kohë rekorde dhe në mënyrën më cilësore", tha zëvendës kryeministri i parë dhe koordinatori i aktiviteteve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, Artan Grubi.

Shkup - Periudhë kyçe në negociatat aderuese me Bashkimin Evropian është para nesh, nuk duhet të humbet kohë dhe kjo mundësi, u tha në takimin e sotëm të zëvendës kryeministrit për çështje evropiane, Bojan Mariçiq me përfaqësuesin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin. Siç informojnë nga SÇE, në takimin u biseduar për negociatat aderuese, ndryshimet kushtetuese, reformat dhe perspektivën evropiane e rajonit.

Bruksel - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel, në kuadër të së cilës do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Krahas me Stoltenbergun, ministri Osmani do të takohet edhe me Simon Mordju dhe Maja Kocijançiq, këshilltarë politik në Kabinetin e kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

Shkup - Drejtori i NP Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi sot tha se konsorciumit "Behtel dhe Enka" i janë transferuar 176 ose 179 milionë euro. Të gjitha pagesat, siç theksoi Rustemi, bëhen në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar dhe programit financiar.  Rustemi potencoi edhe se kompetencë të plotë për nënkontraktorët ka "Behtel dhe Enka".  "As Qeveria, as NPRRSH kanë ndonjë kompetencë në ndërtimin dhe realizimin e punëve", theksoi drejtori, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas fillimit të punëve ndërtimore në Korridorin 8 në fshatin Banjicë e Epërme. 

Gostivar - Ekipi i juristëve të Ambasadës amerikane po i shqyrton ndryshimet në Kodin Penal, unë personalisht nuk i kam parë, kështu që nuk mund t'i komentoj, por siç ishte bërë e ditur edhe nga Departamenti i Shtetit është e nevojshme që të ndiqen procedurat në sistemin juridik në vend, deklaroi sot ambasadorja amerikane, Anxhela Ageler duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve që të japë koment për miratimin e shpejtë të ndryshimeve në Kodin Penal.

Shkup - Barazia gjinore është vlerë fundamentale e Bashkimit Evropian, që do të thotë se ajo me të vërtetë është në zemrën e procesit të aderimit në Evropë, theksoi euroambasadori Dejvid Gir sot në Forumin rajonal "Barazia gjinore në proceset aderuese në BE", që po mbahet në Shkup. Ambasadori lidhur me barazinë gjinore theksoi se e shqyrtojnë çështjen se si të sigurojnë mundësi të barabarta për burrat dhe gratë në shoqëri.

Shkup - Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, kishte takim me Mihael Rot, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun e Gjermanisë, në kuadër të vizitës së tij në vend. Në takim, siç informoi shërbimi për informim i Kuvendit, Ademi informoi për zhvillimet e fundit në vend, ndërsa theksoi se po bëhen përpjekje që të sigurohet shumica e nevojshme prej dy të tretash për votimin e ndryshimeve të Kushtetutës, me qëllim të futjes së komunitetit bullgar dhe komuniteteve të tjera në të.

Shkup - Në kuadër të platformës për diskutimin e politikave publike të krijuar nga Ministria e Financave – Forumi ekonomik dhe financiar i Shkupit (SEFF), të premten do të mbahet debati qendror vjetor, gjegjësisht Konferenca e tretë vjetore, me temën “Evropa – PO, Evropa - TANI". Siç kumtoi Ministria e Financave, konferencën do ta hapin ministri i Financave, Fatmir Besimi, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe komisioneri evropian për buxhet, Johanes Han.

Shkup- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Mihael Rot, i cili po qëndron në vizitë pune në vend. Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Cvetanka Ivanova gjithashtu ishin të pranishme në takim.

Shkup- Zudi Enuzi Koka u emërua nga Bordi mbikëqyrës për drejtor të ri të SHA MEPSO, konfirmuan për MIA-n nga kompania. Emërimi i tij do të zyrtarizohet pas regjistrimit në Regjistrin qendror. Enuzi Koka deri tani ka qenë shef i kabinetit të drejtorit të shkarkuar të SHA MEPSO, Surija Rashidi. Ai paraprakisht ishte drejtor i NP Higjena komunale, por u shkarkua nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Gostivar - Drejtorin e MEPSO-s e emëron Bordi mbikëqyrës i kompanisë. Aty pyesni me cilat kritere është zgjedhur, tha sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Boçvarski i orientoi gazetarët që pyetjet për kompetencën dhe CV-në e drejtorit të ri të MEPSO-s t'i dorëzojnë deri te Bordi mbikëqyrës.

Shkup - Në Kuvend sot në kuadër të mbledhjes së 120-të vazhdoi debati për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për TVSH-në. Deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare e akuzuan qeverinë se me këto ndryshime do të rritet çmimi i mbi 4.000 produkteve ushqimore që do të ndikojë edhe më shumë në shportën e konsumatorit, e cila për muajin gusht ishte llogaritur të kushtojë 50.000 denarë për një familje. Deputeti Bojan Stojanovski theksoi se kësti i kredisë nuk është llogaritur në këtë shumë, sepse shumica e familjeve në vend kanë kredi, ndërsa nevojat shëndetësore thuhet se kushtojnë vetëm 800 denarë, gjë që nuk është kështu.

Shkup - Më paraqet kënaqësi që Klinika universitare për hematologji është organizatore e Kongresit të tretë ndërkombëtarë ku në një vend janë ekspertët më të mëdhenj hematologjik nga Evropa. Besoj se kjo do të jetë mundësi që së bashku me mjekët tanë specialistë të shkëmbejnë përvojë dhe risi nga fusha e hematologjisë, deklaroi sot në hapjen e Kongresit, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti."Klinika për hematologji ndër vite ka krijuar një ekip që e ndjek progresin në diagnostikim dhe trajtim të sëmundjeve hematologjike. Më vjen mirë që kjo Klinikë ka edhe shumë mjek të rinj, hematologë më të rinj, zhvillimin profesional të të cilëve do ta mbështes gjithmonë edhe si Ministri e Shëndetësisë do të ndihmojmë të ndërtojnë karrierë të suksesshme këtu në Klinikën tonë", nënvizoi ministri para të pranishmëve.

Gostivar - As Qeveria, e as ndonjë parti politike ose ministër nuk guxon, nuk i lejon vetes dhe nuk ka të drejtë dhe kurrfarë mundësie të ndikojë ndaj zgjedhjes së nënrealizuesve të konzorciumit "Behtel dhe Enka", është decid zëvendës kryeministri i parë, Artan Grubi, duke iu përgjigjur pyetjes, nëse ndërmarrja Eurovia, donator i madh i BDI-së, është zgjedhur për nënrealizuese.

Shkup - Procesi i ardhshëm i miratimit të ndryshimeve kushtetuese, si dhe shumë tema aktuale, ishin në fokus të bisedimeve në takimin e sotëm të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me kryesuesin e Komitetit për Politikë të Jashtme të Bundestagut, Mihael Rot. Siç njofton Sektori për Marrëdhënie me Publikun i Sekretariatit të Përgjithshëm, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut, Rot, konfirmoi mbështetjen e vendosur të Gjermanisë për Maqedoninë e Veriut në rrugën e integrimeve evropiane dhe vlerësoi se tani është koha që vendi të vazhdojë me vendosmëri përpara deri në përmbushjen e qëllimit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti sot mori pjesë në Kongresin e tretë ndërkombëtar të Hematologjisë, i cili mblodhi së bashku ekspertët më të mëdhenj të kësaj fushe në Evropë.
  Kongresi, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer përvoja dhe risi në fushën e hematologjisë, trajtimit të sëmundjeve hematologjike, si dhe ka hapur derën për nxitjen e bashkëpunimit midis ekspertëve vendas dhe të huaj.

Shkup- Më vjen shumë keq për rastin me Klinikën e Onkologjisë, jemi në komunikim të përditshëm si me policinë, ashtu edhe me prokurorinë. Normalisht, i bëjmë apel prokurorisë që ta zgjidhë këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur deri në fund, si asnjëherë më parë. Ne e morëm iniciativën një muaj më parë, para se çështja të bëhej publike dhe e dërguam në ISHSSH për të bërë një kontroll. Nuk është rastësi, që unë si ministër, së bashku me kabinetin, iniciuam për herë të parë si policinë ashtu edhe prokurorinë për të hyrë në klinikë, për të evidentuar me saktësi nëse ka pasur apo jo gabime në të kaluarën. Sipas informacioneve që unë kam, drejtori i atëhershëm, një specialist vë diagnozën, kërkon terapi  dhe ai  vetë ka nënshkruar dhe ndarë terapinë, tha ministri në lajmet e Alsat.

Shkup - Masa të caktuara antikrizë do të duhej të jenë aktive për qytetarët në fillim të nëntorit, paralajmëroi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.  Masat do të përgatiten derisa në Kuvend nuk kalon vendimi të cilin më parë e miratoi Qeveria për shpërndarjen e mjeteve nga buxheti, me të cilin janë ndarë mjete për atë qëllim.

Shkup - Kryetari i Komisionit për çështje evropiane, Arbër Ademi, sot ka mbajtur fjalim në Konferencën me temë: “Përforcimi i procesit të Berlinit përmes Diplomacisë Parlamentare”, e cila u organizua nga Instituti për Demokraci dhe partnerët e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe u mbajt në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. "Në Konferencë, kushtuar mundësive dhe modaliteteve për përfshirjen e parlamenteve në procesin e Berlinit, Ademi theksoi se bashkëpunimi rajonal i Ballkanit Perëndimor është thelbi i procesit të Berlinit dhe si i tillë paraqet pjesë të prioriteteve dhe kritereve politike, të përcaktuara në Kornizën e politikës së zgjerimit", njoftoi pres-shërbimi i Kuvendit. 

Shkup- 12 shtator 2023 (MIA) - Euroambasadori Dejvid Gir sot deklaroi se për momentin në Bruksel do të shqyrtohen ndryshimet e Kodit penal në shtetin tonë. Gir, i cili sot mori pjesë në Forumin rajonal "Barazia gjinore në proceset aderuese në BE", në deklaratë për mediumet është pyetur për komentin e tij për ndryshimin në Kodin penal në shtet.

Tetovë - Parku kombëtar Mali Sharr deri te Qeveria dërgoi kërkesë zyrtare për ndërprerjen e kontratave për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla Pena 84 dhe Pena 85. "Me qëllim të parandalimit të dëmtimeve nga projektet infrastrukturore që mund të kenë pasoja afatgjata në natyrë në zonat e mbrojtura dhe Parkun Kombëtar Mali Sharr, presim që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të gjejë zgjidhje për të ndërprerë kontratat për Penën 84 dhe Penën 85, dhe të gjitha procedurat e tjera për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në zonat e mbrojtura do të ndërpriten menjëherë", thonë nga institucioni publik.

Bruksel - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 14 shtator në Bruksel si pjesë të raundit të ri nga dialogu me ndërmjetësim të BE-së, konfirmoi sot Shërbimi evropian i punëve të jashtme (EEAS). Shefi i diplomacisë evropiane, Zhozep Borrel dje përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, prej orës 09:00 do të realizojnë takime ndaras me Kurtin dhe Vuçiqin, pas çka do të vijojë takim i përbashkët. Në fokus të takimit do të jetë implementimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën Kurti dhe Vuçiq kanë arritur marrëveshje në Ohër më 18 mars, si dhe çështje tjera aktuale, kumtoi EEAS.

Athinë- Të paktën dy ditë do të jenë të nevojshme që të zgjidhet problemi me vërshimet në autostradën Selanik - Athinë, me çka edhe më tutje mbetet e mbyllur për komunikacion pjesa rreth Larisës në dy drejtimet, ndërsa automjetet ridrejtohen nëpër rrugë alternative, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.  Edhe më i madh është problemi në lidhjen hekurudhore të Athinës dhe Selanikut duke pasur parasysh atë që dëmet në rrjetin hekurudhor janë të mëdha, ndërsa sanimi do të zgjasë një periudhë të gjatë kohore. 

Athinë - Për përballje me pasojat nga stuhia "Daniel", përmes fondeve të Bashkimit Evropian, Greqia do të mund të marrë deri 2,25 miliardë euro, njoftoi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen pas takimit me kryeministrin grek, Kirjakos Micotakis, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.  Fon der Lajen e shprehu mbështetjen për Greqinë dhe popullin grek, duke theksuar se Unioni është union i solidaritetit. 

Athinë - Në Greqi deri më tani janë konstatuar 119 raste të virusit Nili Perëndimor, 19 prej të cilëve janë në javën e kaluar, ndërsa kanë vdekur gjithsej 15 persona, konform raportit javor të Organizatës nacionale për shëndet publik (EODI), njofton korrespondetja e MIA-s nga Athina. Të gjitha rastet janë në pjesën qendrore dhe veriore të vendit. Rasti i parë i virusit Nili Perëndimor për vitin 2023 në Greqi është regjistruar nga mesi i korrikut, ndërsa virusi ka qenë i pranishëm në periudhën e verës nga viti 2010 deri në vitin 2014, si dhe nga viti 2017 deri në vitin 2022.

Banja Llukë - Pjesëtarët e Agjencisë për Hetime dhe Mbrojtje me urdhër të Prokurorisë së Bosnjës e Hercegovinës në rajonin Zvornik, Shekoviq, Han Pijeska, Vllasenicë dhe Bileqë arrestuan disa të dyshuar për vepër penale gjenocid, të kryer në korrik të vitit 1995, pas rënies së Zonës së mbrojtur të KB-së në Srebrenicë.Janë arrestuar ish eprorë dhe pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërbska. Ata akuzohen për pjesëmarrje në pengmarrje dhe vrasje të rreth shtatëdhjetë burrave dhe djemve nga kombi boshnjak dhe një gruaje më 15, 19 dhe 23 korrik të vitit 1995 në lokacionin Jarovljë në Vllasenicë dhe dy lokacione në rajonin Bishinë - Shekovicë. 

Gjenevë - Kufiri SHBA - Meksikë ka qenë "ruta më e rrezikshme tokësore e emigrantëve në botë" në vitin 2022, me 685 viktima ose të zhdukur, thuhet në raportin e publikuar sot nga Organizata ndërkombëtare për emigracion (IOM). "Kjo shifer paraqet pothuajse gjysmë nga 1.457 emigrantë të vdekur dhe të zhdukur", të regjistruar në Amerikë për vitin 2022, "viti më vdekjeprurës" nga fillimi i projektit të IOM-it për emigrantët e zhdukur në vitin 2014.

Gjenevë - Federata ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) sot dërgoi apel për grumbullimin e më shumë se 100 milionë euro për përkrahje të Marokut pas tërmetit shkatërrues. IFRC tanimë ndau një milion frënga zvicerane nga fondi i saj për raste emergjente për përkrahje të aktiviteteve të Gjysmëhënës së Kuqe marokene në terren.

Bruksel - Parlamenti Evropian sot me 522 vota "për", 27 "kundër" dhe 51 "të përmbajtur" e miratoi emërimin e Iliana Ivanovës për eurokomisare të re për inovacione, hulumtim, kulturë arsim dhe rini. Ivanova është emëruar si anëtare e Komisionit Evropian me propozim të Bullgarisë, në vendin e Maria Gabriel, e cila nël maj u tërhoq nga detyra që ta marrë funskionin e kryeministres bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme. 

Berlin - Edhe krahas kufizimeve të importit, Gjermania dukshëm ende importon sasi të mëdha të naftës nga Rusia prmes Indisë, publikoi sot Shërbimi gjerman federal për statistika. "Importi i derivateve të naftës nga India është rritur në shtatë muajt e parë, në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, për më shumë se njëzet herë", publikoi Byroja federale për statistikë. Sipas Kombeve të Bashkuara, India në periudhën e njejtë ka importuar sasi të mëdha të naftës së papërpunuar nga Rusia.

Bejrut - Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) ka njoftuar se të paktën 10.000 njerëz rezultojnë të zhdukur në përmbytjet në Libi. Tamer Ramadan, shef i delegacionit të IFRC në Libi, ka marrë pjesën onlajn në konferencën javore për shtyp të Zyrës së KB-së në Gjenevë dhe ka dhënë vlerësim për katastrofën nga vërshimet në Libi, transmeton Anadollu. Duke theksuar se shumë njerëz janë prekur nga përmbytjet në Libinë lindore, Ramadan potencoi se ky vend ka nevojë urgjente për ndihmë.

Tripoli - Rreth një e katërta e qytetit lindor Derna është shkatërruar pasi një digë shpërtheu në stuhinë e madhe e cila e kaploi Libinë, njoftoi sot administrata rajonale, ndërsa Kryqi i Kuq njoftoi se ekziston frika se rreth 10.000 persona janë zhdukur në vërshimet në mbarë vendin. Vetëm në Derna tashmë janë nxjerrë të paktën 1.000 trupa. Autoritetet lokale frikësohen se numri i viktimave mund të jetë shumë më i madh pasi stuhia Daniel e kaloi Mesdheun dhe e goditi vendin ekonomia, infrastruktura dhe standardet e të cilit janë në gjendje të keqe pas më shumë se një dekade nga konflikti. 

QËNDRONI TË LIDHUR