• e diel, 22 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 1 qershor/ 2024

Shkup - Sot gati 15.000 nxënës që do të mbarojnë arsimin e mesëm do t'i nënshtrohen provimit të parë nga dy provimet eksterne të maturës shtetërore - gjuhë amtare dhe letërsi. Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP), organizator i maturës shtetërore, për provimin në gjuhë dhe letërsi maqedonase janë regjistruar 10.088 kandidatë, për gjuhë dhe letërsi shqipe 4.189 dhe për gjuhë dhe letërsi turke 315 kandidatë.

Shkup - Provimet në mbarë vendin sot kanë filluar në kohë. Lëndën e detyrueshme të maturës shtetërore – gjuhë amtare i nënshtrohen gjithsej 14.834 maturantë të paraqitur. Nxënësit që nuk do ta kalojnë provimin në qershor, shansin e dytë do ta kenë në gusht, informoi drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP), Biljana Mihajllovska.

Strugë - Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot ka vizituar shkollën e mesme "Niko Nestor" në Strugë, ku nxënësit e viteve të fundit kanë dhënë pjesën e parë të provimit të maturës për vitin akademik 2023/24.

Shkup - Me rastin e 1 qershorit - Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Rrjeti "Zëri i Grave për Paqe dhe Solidaritet" organizoi manifestim kulturor për fëmijë me karakter humanitar, i cili u mbajt sot në Komunën e Çairit, në monumentin e Srebrenicës.

Shkup - Gjithsej 28 persona janë privuar nga liria në suaza të një hetimi kriminalistik i cili nga dhjetori i vitit 2023 është kryer me udhëzim të prokurorit publik nga PTHP Shkup, dhe ka të bëjë me zbulimin e shitjes së kokainës, amfetaminës dhe marijuanës në rrugë, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Shkup - Organizata për banim dhe qiramarrës (ODS) dhe Fondacioni Fridrih Ebert - Zyra në Shkup sot organizojnë festivalin e dytë të banimit, me fillim nga ora 12:00 në Parkun e Frankofonisë në Shkup. Siç njoftuan organizatorët, ky aktivitet do të trajtojë çështje që lidhen me banimin dhe nevojat e të rinjve, banimin e aksesueshëm dhe të përballueshëm, perspektivën gjinore në banim, të drejtat e qiramarrësve, sigurinë në banim, banimin e qëndrueshëm, pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje, si dhe për shumë tema të tjera të rëndësishme.

Shkup - Një taksist në Shkup vdiq dje nga sulmi në zemër derisa transportonte një udhëtar në bulevardin "Slloveneçka". Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, taksistit i është përkeqësuar gjendja, ka dalë nga rruga dhe ka goditur në një dru.

Shkup - Sektori për Punë të Brendshme Shkup  vazhdon me kontrolle në fushën e komunikacionit. Në territorin e qytetit të Shkupit janë shqiptuar gjithsej 114 masa, nga të cilat 14 sanksione për drejtim automjeti pa patentë shofer, gjashtë sanksione për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, shtatë masa për kalim në sinjal të mbyllur – semafor i kuq, gjashtë sanksione për mospërdorimin e rripit të sigurimit...

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare, ndërsa në zonat perëndimore të vendit erë herë pas here më e fortë nga drejtimi jugperëndimor. Sipas parashikimit të DPHM-së, pasdite dhe në fund të ditës do të ketë dukuri lokale me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima dhe kushte për stuhi afatshkurtër. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 7 deri në 15  gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 26 deri në 33 gradë. Indeksi UV do të ketë vlerën 7.

Shkup - SPB Shkup i njofton qytetarët se nesër nga ora 11:00 deri në 12:00, për shkak të mbajtjes së garës me biçikleta, rolera,  trotinetë, garë të fëmijëve, si dhe garë të prindërve me karroca për fëmijë, të quajtur si "Vozit drejtë, vozit shëndetshëm", nga ana e Njësisë për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmerren masa për regjim të posaçëm të trafikut nëpër rrugët ku do të qarkullojnë pjesëmarrësit.

Kiev -  Rusia mbrëmë ka kryer një nga sulmet më të mëdha ajrore në Ukrainë në kohët e fundit, raportojnë mediat ukrainase duke cituar burime në armatën ukrainase dhe duke shtuar se sulmi i dhunshëm kishte për qëllim infrastrukturën kritike ukrainase në disa rajone të Ukrainës. Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski publikoi një video të pasojave të sulmit dhe i bëri thirrje Perëndimit që të dorëzojë urgjentisht sistemet e mbrojtjes kundërajrore, ndër të cilat ai theksoi veçanërisht raketat amerikane Patriot.

Paris - Presidenti francez Emanuel Makron priti dje në Pallatin e Eliseut lideren e opozitës ruse në ekzil Julia Navalnaja dhe dënoi edhe një herë "vdekjen e paarsyeshme" të bashkëshortit të saj Aleksej, njoftoi sot Pallati i Eliseut. Presidenti francez "i shprehu edhe një herë ngushëllimet e tij Julia Navalnajës pas vdekjes së pashpjegueshme të Aleksej Navallnit derisa ishte në burg në Rusi".

Varshavë - Aviacioni polak gjatë natës së kaluar ngriti aeroplanë për shkak të aktivitetit të aviacionit rus me rreze të gjatë veprimi në territorin e Ukrainës, kumtoi komanda operative e forcave të armatosura të vendit. "Ishte një natë e gjatë dhe e vështirë për gjithë sistemin e mbrojtjes ajrore të Polonisë", thuhet në kumtesën e publikuar në X.

Meksiko Siti – Ambasadori britanik në Meksikë, Xhon Benxhamin është shkarkuar nga detyra pasi dyshohet se ka drejtuar armën ndaj një nëpunësi të ambasadës, shkruan Fajnenshëll tajms. Duke u thirrur në një video të postuar në rrjetet sociale dhe një personi të njohur me incidentin, gazeta thekson se Benxhamin ka udhëtuar nëpër dy shtete meksikane të njohura për kartelet e fuqishme të drogës kur ngriti pushkën dhe ia drejtoi një punonjësi, ndërsa ata po udhëtonin me automjet.

Gaza - Grupi palestinez Hamas tha mbrëmë se e sheh pozitivisht përmbajtjen e propozimit të presidentit amerikan Xho Bajden për paqe të qëndrueshme në Gaza. Bajden prezantoi më parë një plan prej tre fazash - një armëpushim gjashtë javor, pastaj negociatat për kushtet e një ndërprerjeje të përhershme të armiqësive dhe një plan madhor për rindërtimin e Gazës.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Xhozef Bajden, ka shpjeguar mbrëmë se "Izraeli gjithmonë do të ketë të drejtë të mbrohet nga kërcënimet për sigurinë e tij dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për 7 tetorin", raportojnë mediat izraelite. Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Bajdeni dje prezantoi një marrëveshje prej tre fazave që Izraeli i ka propozuar Hamasit, e cila sipas tij do të çonte në lirimin e pengjeve të mbetura nga Gaza dhe mund t'i jepte fund luftës gati tetë mujore.

Nju Jork - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh e mirëpriti propozimin e marrëveshjes për armëpushim në Rripin e Gazës, të paraqitur dje nga presidenti amerikan, Xhozef Bajden. Guteresh në X deklaroi se kishte ardhur koha për t'i dhënë fund "vuajtjes dhe shkatërrimit në Gaza" dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që "të shfrytëzojnë mundësinë për një armëpushim, lirimin e të gjitha pengjeve, akses të garantuar humanitar të papenguar dhe përfundimisht paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme".

Nju Delhi - Banorët e Indisë sot votojnë në fazën e fundit të zgjedhjeve të përgjithshme të zgjatura, të mbajtura në vapë rekord të verës në disa pjesë të vendit, ndërsa kryeministri Narendra Modi dhe rivali i tij kryesor, lideri i Kongresit Rahul Gandi, publikuan se do të fitojnë. Zgjedhjet në shtatë faza, në të cilat gati miliarda njerëz kanë të drejtë për votim, filluan më 19 prill dhe do të përfundojnë me votim për 57 vendet e fundit - duke e përfshirë edhe njësinë zgjedhore të Modit në qytetin e shenjtë hindu Varanasi.

Singapor - Ministrat e Mbrojtjes të SHBA-së dhe Kinës, Lojd Ostin dhe Dong Jun u takuan në margjinat e "Dialogut Shangri-La", forumi vjetor aziatik për mbrojtje dhe siguri që mbahet në Singapor. Në takimin e parë ndërmjet ministrave të mbrojtjes të SHBA-së dhe Kinës nga nëntori i vitit 2022, ata diskutuan për Tajvanin, situatën në Detin Kinez Jugor dhe luftërat në Ukrainë dhe Gaza.

Shenzhen - Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lojd Ostin sot e theksoi nevojën e mbajtjes së dialogut me Kinën dhe fqinjët e saj, që të parandalohen tensionet aktuale në rajon të dalin nga kontrolli. "Çdo bisedë nuk do të jetë një bisedë e lumtur. Por, është e rëndësishme të vazhdojmë të bisedojmë njëri me tjetrin", tha Ostin në konferencën e sigurisë Shangri-La Dialogu në Singapor.

Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm në Gazë derisa të shkatërrohen kapacitetet ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit. Kjo është deklarata e dytë e Netanjahut e lëshuar pasi presidenti amerikan Xho Bajden tha se Izraeli kishte propozuar një plan në tre faza për armëpushim në Gazë në këmbim të lirimit të pengjeve të Hamasit.

Menhaim - Polici i cili u plagos dje në sulmin me thikë gjatë një aktiviteti anti-islam në qytetin gjerman Menhaim është futur në koma të induktuar, deklaroi zëdhënësi i policisë, transmeton DPA. “Ai mbetet në gjendje kritike", deklaroi zëdhënësi i policisë kriminalistike të shtetit.

QËNDRONI TË LIDHUR