• e hënë, 23 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 9 mars/ 2024

Shkup - Në mesnatë skadoi afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për president në zgjedhjet, që filloi më 23 shkurt. Zyrtarisht në garë janë shtatë kandidatë për zgjedhjet presidenciale, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 24 prill të këtij viti. Sipas të dhënave të KSHZ-së, nga 7 marsi deri në ora 20:00, nga 15 kandidatët e regjistruar për mbledhjen e nënshkrimeve për zgjedhjet presidenciale, deri më tani 10.000 nënshkrimet e nevojshme janë mbledhur nga Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM, i cili ka 22.412 nënshkrime, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE - 28.086, Bujar Osmani nga BDI - 11.085, Arben Taravari nga koalicioni opozitar shqiptar Vlen- 10.710, kandidati i OQM Stevço Jakimovski - 11.290, Maksim Dimitrievski lideri i E DI - Për Maqedoninë tonë - 11.605 dhe Biljana Vankovska Cvetkovska -10.559 nënshkrime.

Shkup- Ministria e Punëve të Brendshme njofton se po fillon një mënyrë të re të dhënies së letërnjoftimeve për banorët e Shkupit. "Nga analiza e suksesit të dorëzimit të letërnjoftimeve në adresën e vendbanimit të qytetarëve në territorin e qytetit të Shkupit, është konstatuar se ajo është e pakompletuar, jo gjithëpërfshirëse dhe jo sa duhet efikase, dhe në të njëjtën kohë nuk e ka efektin e dëshiruar si te qytetarët ashtu edhe te nëpunësit policorë që ishin përgjegjës për shpërndarjen", qëndron në kumtesë. MPB informon se nga e hëna, 11 mars 2024, fillon proces i ri për lëshimin e letërnjoftimeve në ambientet e stacioneve policore kompetente vendore sipas vendbanimit të qytetarit të shënuar në letërnjoftim.

Shkup - Nga 1 deri më 7 mars, janë regjistruar 50 raste të reja me kollë të mirë. Lidhur me shpërndarjen gjeografike, pjesa më e madhe e rasteve janë regjistruar në Shkup - 43, ndërsa janë regjistruar raste në Tetovë -tre, nga një në Koçan, Kavadar, Kumanovë dhe në Manastir, tregojnë të dhënat e raportit më të ri të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), të publikuar mbrëmë. Nga 50 rastet e reja, pesë janë hospitalizuar. Bëhet fjalë për katër fëmijë të moshës nën një vjet dhe një nga grupmosha prej një deri katër vjet.  Mosha e të sëmurëve lëviz deri 40 vjet, ndërsa numri më i madh i rasteve janë nga grupmoshat e fëmijëve prej 10 deri 14 vjet. 

Shkup – Studentët kanë nevojë për përmirësimin e kushteve të studimit përmes zvogëlimit të ngarkesës financiare dhe digjitalizimit, njëherësh kërkojnë edhe pagesën në kohë të bursave, u theksua në Forumin e sotëm studentor organizuar nga Forumi për ndryshime në arsim. Drejtori ekzekutiv i Forumit për ndryshime në arsim, Blendi Hodai theksoi se aktiviteti i sotëm ka për qëllim krijimin e një platforme përmes së cilës do të diskutohen këto probleme për të gjetur zgjidhje më të lehtë.

Lubjanë - Asgjë nuk vjen brenda natës. Puna e palodhur, përkushtimi do të kontribuojë në punën që bëni. Nuk ka investim më të madh se investimi në vetvete, thotë në intervistën për MIA-n dr. Marija Babunovska, neurologe në Klinikën universitare për neurologji në Shkup puna e së cilës u shpërblye në Lubjanë në çmimet ndërkombëtare Medis. Mjekja e re këtë porosi ua drejtoi të gjitha mjekeve, shkencëtarëve dhe të rinjve që duan të kenë sukses në fushat e tyre. Punimi i dr. Babunovskës dhe ekipit me të cilin ajo punoi u përzgjodh si finaliste në fushën e neurologjisë dhe ka të bëjë me "frakturat tek personat me epilepsi: Studim i bazuar në nivel nacional të publikuar në  revistën shkencore "Epilepsia open".

Ohër - Rinovimi i pjesës për mjetet lundruese para Qendrës për stërvitje në ujë të ARM-së në Ohër do të vazhdojë, pasi për këtë janë marrë të gjitha mendimet pozitive nga institucionet kompetente se kjo nuk ka ndikim negativ në mjedisin jetësor, tha ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. Petrovska e cila sot ka qenë në Ohër, për mediat theksoi se ankorimi që përdoret për mjete lundruese të Ministrisë dhe subjekteve tjera, pritet që të jetë gati për 45 ditë, konform kontratës së lidhur me kontraktorin. Ministrja theksoi se pas një kontrolli të gjendjes më shumë se një vit më parë është konstatuar se ankorimi është në gjendje jo të mirë dhe përdorimi i tij në një situatë të tillë përbën rrezik për të gjithë ata që e përdorin.

Ohër - Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot nga Ohri tha se dikasteri që drejton nuk e përjashton mundësinë, konform vlerësimeve të bëra dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë t’i vendos në dispozicion kapacitetet për trajtimin e ushtarëve nga Ukraina. "Në kuadër të MM-së ka kapacitete që mund të vihen në dispozicion. Në këtë iniciativë do të përfshihen më shumë institucione, por si MM jemi të gatshëm që pozitivisht t'u përgjigjemi kërkesave të tilla", ka thënë Petrovska. Ministrja e Mbrojtjes, duke komentuar deklaratën e fundit të presidentit francez Emanuel Makron, thekson se vendi mbështet Ukrainën dhe luftën e saj, por se nuk dërgon ushtarë në tokën ukrainase.

Prishtinë - Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Suniog, e përshëndeti caktimin e datës (21 prill) nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) për votim për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë popullatë serbe në veri të Kosovës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.  Suniog në faqen e tij zyrtare në platformën Iks shkroi se BE-ja e vlerëson procesin e verifikimit të nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunave, si kusht të cilin e vendosi Qeveria e Albin Kurtit për zgjedhje të reja në katër komuna, dhe pret nga KQZ të krijojë kushte për votim të lirë dhe korrekt. "Tani është me rëndësi thelbësore KQZ t'i bëjë përgatitjet e nevojshme që të sigurojë proces të pandërprerë dhe të krijojë kushte për votim të lirë dhe korrekt", shkroi Suniog, duke theksuar se "BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje gjatë këtij procesi".

Beograd - Ministri serb i Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç theksoi se "të gjithë qytetarët e Kosovës, si pjesë përbërëse e Serbisë, pa dallim të kombësisë, nëse kanë letërnjoftim serb, mund t'i shfrytëzojnë lehtësimet nga marrëveshja në kuadër të "Ballkanit të Hapur", informon korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. "Çdo qytetar i Serbisë, i cili jeton në Kosovë, me letërnjoftim serb, mund t'i shfrytëzojë të gjitha përparësitë e integrimit tonë rajonal. Kjo vlen edhe për Albin Kurtin. Mjafton, nëse nuk ka, të nxjerrë letërnjoftim, kur nuk do të jetë kryeministër, do të mund të punojë në Tiranë, pa kurrfarë pengesa", theksoi Vesiq

Athinë - Me 159 voza "për", prej të cilave 158 nga Demokjracia e Re në pushtet dhe një nga një deputet i pavarur, Parlamenti grek pak pas mesnate e votoi ligjin për "Fuqizimin e universitetit shtetëror - kornizë për punë të departamenteve jofitimprurëse të universiteteve të huaja", ligj që shkaktoi një varg reagimesh në Greqi, por edhe incidente në protestën e djeshme masive të studentëve, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. Pas debatit treditor maratonik që zgjati gati 47 orë, mbrëmë vonë votuan gjithsej 299 nga 300 deputetë në Parlament, kundër ishin 128, të gjithë nga partitë opozitare, ndërsa 11 ishin të përmbajtur. 

Ankara - Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan mbrëmë paralajmëroi tërheqjen nga jeta politike.  Ai bëri të ditur se zgjedhjet lokale në Turqi të cilat duhet të mbahen më 31 mars do të jenë "të fundit" për të.  "Zgjedhjet më 31 mars do të jenë të fundit për mua në përputhje me ligjin. Rezultati i tyre do të jetë transmetimi i besimit të vëllezërve të mi të cilët do të vijnë pas meje", theksoi Erdogani.

Ankara - Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan në fjalimin e sotëm në Stamboll deklaroi se Ankaraja "qëndron fuqishëm" pas liderit të lëvizjes palestineze Hamas. "Askush nuk mund të na bind që ta cilësojmë Hamasin si organizatë terroriste. Turqia është vend i cili haptas flet me liderët e Hamasit për gjithçka dhe fuqishëm qëndron pas tyre", theksoi Erdogani. Ai është një nga mbrojtësit e kauzës palestineze dhe një nga kritikët më të ashpër të Izraelit që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, që filloi si hakmarrje për sulmin ndaj territorit izraelit më 7 tetor nga ana e Hamasit.

Varshavë - Shefi i diplomacisë polake Radosllav Sikorski nuk e hodhi poshtë idenë e presidentit francez Emanuel Makron për shpërndarje eventuale të forcave të NATO-s në Ukrainë. "Prania e forcave të NATO-s në Ukrainë nuk është e paimagjinueshme", shkroi Sikorski mbrëmë në platformën IKS, më shumë se një javë pasi Makroni shkaktoi një varg reagimesh me deklaratat e tij në takimin e liderëve evropianë. 

Lisbonë - Policia portugeze njoftoi sot se ka arrestuar një anëtar të organizatës kriminale italiane Kamora pasi ishte ndjekur 20 vjet. Në kumtesën e policisë bëhet e ditur se arrestimin e ka kryer në veri të vendit dhe se kundër anëtarit të kamorës, siç njihet mafia e Napolit, ishte shpallur fletëarrest evropian.  "Para 20 viteve, 69-vjeçari ishte dënuar me 15 vite burg për tregti me drogë, por u arratis dhe që atëherë kërkohet nga autoritetet italiane", njoftoi policia.

Nju-Jork - Zëvendësi i përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në Kombet e Bashkuara,  Dmitrij Polanski deklaroi se Moska ka kërkuar që më 22 mars të mbahet seancë e Këshillit të Sigurisë së KB-së kushtuar Ukrainës.  Ai vlerësoi se një numër i madh i politikanëve evropianë të papërgjegjsëm dëshirojnë përshkallëzim të konfliktit ukrainas dhe ta vendosin në nivel të ri, gjegjësisht tashmë jo indirekt, por konflikt direkt mes Rusisë dhe NATO-s. Poljanski vlerëson se është rëndë të interpretohen fjalët e presidentit francez Emanual Makron për nevojën e shpërndarjes së trupave të NATO-s në Ukrainë që të pengohet kolapsi i regjimit në Kiev.

Uashington - Marina amerikane sot në mëngjes ka rrëzuar 15 fluturake pa pilot të gjuajtura nga kryengritësit jemen Huthët në Detin e Kuq, njoftoi Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTKOM). "Ushtria amerikane iu përgjigj sulmit me përmasa të mëdha të Huthëve të mbështetur nga Irani që ka ndodhur në Detin e Kuq dhe Gjiri i Adenit ndërmjet orës katër dhe gjashtë e 30 minuta sipas kohës lokale", bëhet e ditur në kumtesën e CENTKOM...

Xhakartë - Në vërshimet të cilat e kapluan ishullin indonezian Sumatra humbën jetën të paktën dhjetë njerëz, ndërsa edhe aq konsiderohen si të zhdukur.  Shiu i madh shkaktoi rrëshqitje të dheut në provincën Sumatra Perëndimore, ku rreth 46.000 njerëz duhej të vendosen në strehimore të përkohshme.  Të paktën 14 shtëpi janë mbuluar, mbi 20.000 janë vërshuar, ndërsa tetë ura janë rrënuar nga uji. 

Gazë - Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara gjatë sulmeve izraelite mbi Rripin e Gazës janë vrarë 82 persona. Me këtë numri i të vdekurve, nga 7 tetori kur filloi lufta në enklavën palestineze, u rrit në 30.960. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, gjithsej janë plagosur 72.524 njerëz

Barcelonë - Barcelona është e interesuar për futbollistin e Bajernit të Munihut, Erik-Maksim Çupo-Moting, transmeton "Sport.es". Katalunasit kanë për qëllim të nënshkruajnë me Çupo-Moting si lojtar i lirë. Kontrata e kamerunasit 34-vjeçar me bavarezët skadon në fund të këtij sezoni. Për Çupo-Moting janë të interesuar edhe ekipe nga Premier liga angleze, Seria A e Italisë dhe Arabia Saudite. Këtë sezon kamerunasi luajti 27 ndeshje, shënoi tre gola dhe një asist.

Los Anxhelos – Portali amerikan për sport dhe biznes "Sportiko" ka publikuar rang listën e përditësuar të sportistëve më të paguar në histori. Vendi i parë i takon 6 herë kampionit të NBA-së, Majkëll Xhordan i cili fitoi 3.75 miliardë dollarë. I dyti është lojtari i golfit Tajger Vuds (2.66 miliardë), ndërsa i treti është futbollisti Kristiano Ronaldo (1.92 miliardë). "Sportiko" merr parasysh pagat, bonuset, paratë e çmimeve, si dhe të ardhurat e sportistëve nga aktivitetet josportive gjatë karrierës së tyre dhe në fund të saj, duke marrë parasysh inflacionin. 

QËNDRONI TË LIDHUR