
12:00 / 15 maj / 2025
Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani sot në mëngjes e priti kreun e Këshillit të Evropës, Antonio Koshta, i cili ndodhet për vizitë në vend. Për momentin, në Qeveri Koshta është në takim me kryeministrin, Hristian Mickoski, pas çka do të pasojë konferenca e përbashkët për shtyp. "Sot në mëngjes, me nder të veçantë, në cilësinë e ministrit të Çështjeve Evropiane, e prita kreun e Këshillit të Evropës, Antonio Koshta, i cili sot po qëndron për vizitë të tij të parë zyrtare në vend. Së bashku u nisëm drejt Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në takim bilateral me kryeministrin Hristian Mickoski, ku do të diskutohet për avancimin e agjendës evropiane", kumtoi Murtezani në faqen e tij në Fejsbuk.
Shkup - Prokuroria publike në Koçan ka propozuar që për ish ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe sekretaren e shtetit në ekonomi Razmena Çekiç Duroviç të ndryshojë masën, nga paraburgim në arrest shtëpiak. Për këtë propozim duhet të vendos Gjykata themelore në Koçan. Ndërkohë është propozuar një zgjatje e masave të paraburgimit dhe arrestit shtëpiak të përcaktuara më parë për 18 persona.
Shkup - "Në kremtimin e maturës pa automobil!", "Pa konsumimin e alkoolit!", "Pa përdorimin e mjeteve narkotike!", "Pa prishjen e rendit dhe qetësisë publike!", apelon MPB-ja përmes një kumtese për media. Statistika e trafikut tregon se në ditët kur organizohen kremtimet e maturës rritet numri i aksidenteve të komunikacionit. Një pjesë e madhe e pjesëmarrësve në aksidentet e komunikacionit janë të rinjtë - maturantë, të cilët më së shpeshti përfundojnë me lëndime të rënda trupore, ndërsa jo rrallë edhe e humbasin jetën e tyre.
Beograd - Qytetarë dhe studentë, të cilët kërkojnë lirimin e aktivistëve të cilët ndodhen në paraburgim tashmë dy muaj, sot në mëngjes i bllokuan objektet gjyqësore në Novi Sad dhe Nish, ndërkaq janë paralajmëruar protesta edhe në Beograd dhe Kragujevc. Para ndërtesës së gjykatës dhe prokurorisë në Novi Sad, para orës tetë në mëngjes, pati tollovi me policinë, e cila tentoi t'u mundësojë të punësuarve të hyjnë. Njësia intervenuese nuk i lejoi të punësuarit në gjykatë të hyjnë, pas çka i sistemuan numër i madh i pjesëtarëve të xhandarmërisë. Gazi lotsjellës u hodh ndaj qytetarëve të cilët ishin në radhët e para, deklaroi një student për N1.
Stamboll - Bisedat në Stamboll janë anuluar për pasdite "me iniciativë të Turqisë", kumtoi zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Marija Zaharova, njoftoi Bi-Bi-Si. Takimi i delegacionit rus dhe ukrainas, sipas orarit të parë, duhej të fillojë sot në ora 10. Zaharova paraprakisht konfirmoi se delegacioni rus ka arritur në Stamboll.
Ankara - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski arriti në Ankara, ku do të takohet me presidentin rus, Rexhep Taip Erdogan. Paraprakisht, zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Marija Zaharova deklaroi se bisedat në Stamboll janë anuluar për pasdite "me iniciativë të Turqisë". Takimi i delegacionit rus dhe ukrainas, sipas orarit të parë, duhej të fillojë sot në ora 10.
Antalia - Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Dejvid Lami ndodhet në Antalia për takimin e NATO-s, së bashku me sekretarin amerikan të Shtetit, Marko Rubio, lajmëroi Bi-Bi-Si. Ai e kritikoi Vladimir Putinin për dërgim të delegacionit të "nivelit të ulët" në negociatat paqësore me Ukrainën, të cilat duhet të mbahen sot në Stamboll. "Vijmë me një porosi të vetme, të qëndrojmë afër Ukrianës dhe të sigurohemi se do të arrijmë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", tha Lami.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp sot deklaroi se mund të udhëtojë nesër për në Turqi për negociata midis Rusisë dhe Ukrainës "nëse kjo është e përshtatshme". "Po mendoja të shkoja, por kjo është shumë e vështirë... Nëse ndodh diçka do të shkoj të premten nëse është e përshtatshme", tha Tramp në pjesën e mëngjesit të biznesit në Doha, gjatë turneut në Gjirin Persik. Pritet që bisedimet të fillojnë sot në pallatin Dolmabahçe në metropolin turk të Stambollit.
Uashington - Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio sot deklaroi se Uashingtoni pret "me padurim" arritjen e përparimit në përojekjet paqësore mes Ukrainës dhe Rusisë dhe është i gatshëm të shqyrtojë "çfarëdo lloj mekanizmi" për arritje të përfundimti të luftës. "Shumë punë. Mbetemi të përkushtuar ndaj asaj. Dukshëm, si edhe gjithë të tjerët jemi të paduruar, dëshirojmë të shohim që kjo të ndodhë, por është vështirë. Por, e dini, shpresojmë se së shpejti do të arrihet përparim këtu", tha Rubio në takimin e NATO-s në Turqi
Romë - Futbollistët e Bolonjës e fituan Kupën e Italisë, pasi mbrëmë në Stadiumin olimpik në finalen në Romë e fituan Milanin me rezultatin 1:0. Golin e vetëm e shënoi Dan Endoj në minutën e 53-të. Bolonja e fitoi kupën e tretë në histori, por të parin pas 51 viteve, respektivisht në vitin 1974. Trajneri i Bolonjës, Vinçenco Italiano nuk e ka fshehur gëzimin e tij pas fitimit të trofeut. "Pas disa zhgënjimeve, mendoj se fitorja e Bolonjës ishte e merituar. Gjithashtu, pasi luajtëm një ndeshje të shkëlqyer dhe djemtë dhanë një performancë të jashtëzakonshme. Në pjesën e dytë, ne iu përgjigjëm të gjitha hapave të Milanit", tha Italiano.
Madrid - Kilian Mbape ka shkruar histori në fanellën e Real Madridit. Klubi mbretëror mbrëmë në ndeshjen kundër Majorkës ka bërë kthesë në xhiron e 36-të të kampionatit spanjoll dhe kështu ia anuloi festimin e titullit Barcelonës për të paktën 24 orë, ndërsa sulmuesi francez e shënoi golin e parë për madrilenët. Mbape është në formë të shkëlqyer në fund të sezonit, duke shënuar gjashtë gola në tre ndeshjet e fundit në ligë (tre në "El Klasiko") dhe tani ka 40 gola në të gjitha garat në sezonin 2024/2025.