18:00 / 3 korrik / 2025
Shkup - Prokurori Publik i Republikës, Lupço Kocevski, sot, në emër të deputetëve të Komisionit Parlamentar për Financim dhe Buxhet, kërkoi që nga ribalanci i buxhetit të ndahen para për ekspertizat e lëndëve Onkologji dhe Puls, si dhe për digjitalizimin e këtij institucioni, vazhdimin e licencave të softuerëve dhe pagesën e shtesave për punonjësit, të cilat, tha ai, u takojnë atyre në përputhje me Marrëveshjen Kolektive. "Të gjitha këto janë aktivitete që duhet të parashikohen dhe të sigurohen para nga shteti. Meqenëse mjetet minimale janë të përcaktuara në 0,4 përqind të buxhetit të shtetit, theksoj se ligji përcakton nga buxheti i përgjithshëm i shtetit, jo nga të ardhurat buxhetore, dhe përsëri këtë vit na u ndanë vetëm gjysma e parave të parashikuara me ligj. Në fakt, ndryshe nga viti i kaluar, kur me ribalancin u shkurtuan mjetet tona, sot jam këtu para jush për të shprehur mirënjohjen time që të paktën mjetet e Prokurorisë nuk janë shkurtuar shtesë", tha Kocevski.
Shkup - Numri i përgjithshëm i të siguruarve në sigurimin shëndetësor është mbi një milion e 820 mijë persona që është më shumë se numri i banorëve sipas Regjistrimit të fundit. Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSH) ka filluar tashmë formimin e një grupi pune ndërsektorial me qëllim përcaktimin e numrit të saktë të personave të siguruar shëndetësor. Sipas drejtorit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski mes tyre sipas gjitha gjasave ka shtetas të Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë vendit, ndërsa nuk janë çlajmëruar nga vendi dhe vazhdojnë të shfrytëzojnë sigurimin shëndetësor, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe persona të siguruar të rremë.
Shkup - Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni mori pjesë sot në një aktivitet të organizuar nga Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, në bashkëpunim me UNHCR-në dhe Misionin e OSBE-së në Shkup, i cili shënoi zgjidhjen me sukses të rasteve të njohura të pashtetësisë që rezultuan nga shpërbërja e RSF të Jugosllavisë. Zëvendësministri Iseni në fjalimin e tij theksoi se shtetësia është një nga të drejtat themelore të njeriut dhe është bazë ligjore për një numër të madh të të drejtave dhe lirive të tjera civile, ajo tregon marrëdhënien juridike midis personit dhe shtetit, pavarësisht nga mënyra e fitimit dhe nuk tregon origjinën etnike të qytetarit, dhe se MPB-ja ka marrë pjesë me një qasje proaktive dhe përkushtim në zgjidhjen e këtij problemi.
Shkup - Sezoni i zjarreve në vend filloi më herët dhe çdo ditë regjistrohen rreth tridhjetë zjarre, ndërsa sot katër zjarre janë aktive në territorin e komunave të Prilepit, Vallandovës, Bogdancit, Nagoriçan i Vjetër, Makedonski Brod dhe lokacione të tjera, deklaroi në konferencë për shtyp Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. "Në tre ditët e para të këtij muaji janë regjistruar 43 zjarre në ambient të hapur", theksoi Angellovi.
Shkup - Ju nuk mund të ndikoni në tronditjet e jashtme siç është fragmentimi gjeopolitik ose rrjedha e çmimeve globale të mallrave, por mund të fokusoheni në forcimin e themeleve të brendshme të rritjes ekonomike. Përpjekjet më të forta reformuese, veçanërisht në forcimin e menaxhimit të financave publike, kapitalit njerëzor, energjetikës dhe digjitalizimit, paraqesin investim themelor në shtegun afatgjatë të rritjes së vendit, shprehet në intervistë Masimiliano Paoluçi, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, që largohet nga vendi. Paoluçi bën të ditur se dhënia e prioritetit të gjitha këtyre reformave do të jetë me rëndësi thelbësore për mirëmbajtjen e rritjes dhe ndërtimin e ekonomisë më rezistente dhe konkurruese.
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë, së bashku me ministrin e Sportit Borko Ristovski, mori pjesë në dorëzimin e donacionit të dyshekëve sportivë - tatami dhe kimono të dedikuara për pajisjen e sallës së xhudos për trajnimin e kadetëve policorë dhe nëpunësve policorë. Toshkovski, siç kumtoi MPB-ja, theksoi se ky bashkëpunim rrjedh nga Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar kohë më parë ndërmjet Ministrive të Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Sportit dhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Federatës Kombëtare të Xhudos dhe Federatës Evropiane të Xhudos i cili u nënshkrua në Kampionatin Evropian të Kadetëve të Xhudos të mbajtur në Shkup javën e kaluar.
Shkup - Anëtarët e Këshillit të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, të emëruar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 24 qershor 2025, sot mbajtën seancë konstituive. Siç informojnë nga ASHMAA, në seancë, në përputhje me Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele dhe Rregulloren e punës së Agjencisë, u zgjodhën kryetar dhe nënkryetar. Për kryetar është zgjedhur Sasho Stefanovski, ndërsa për nënkryetare Zerijeta Hajro Jajaga.
Shkup - Arsimi i mesëm profesional në Maqedoni është model i suksesshëm që lidh në mënyrë efektive mësimin teorik me punën praktike. Nxënësit kanë mundësinë të fitojnë njohuri të aplikueshme me të cilat mund të përfshihen shpejt në tregun e punës ose të vazhdojnë me avancimin akademik. Të rinjtë e dinë këtë, prandaj arsimi profesional nuk është më alternativë, por zgjedhja e parë mes tyre. Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr. Vesna Janevska, në konferencën të dedikuar zhvillimit të arsimit dhe trajnimit profesional në Maqedoni, organizuar nga Ambasada Zvicerane dhe projekti E4E – „Arsim për Punësim“.
Shkup - Janë shtrenjtuar shërbimet hotelerike si dhe produktet ushqimore pas përfundimit të masave qeveritare. Çmimet nuk paraqesin gjendjen reale ekonomike të qytetarëve, veçanërisht të punëtorëve. Shumica prej tyre nuk mund t’i lejojnë vetes të pinë një kafe në shesh sepse është tepër shtrenjtë, thotë kryetari i Sindikatës së punëtorëve të hotelerisë, turizmit, ekonomisë komunale dhe banesore, zejeve dhe shoqërive mbrojtëse të Maqedonisë, Stojançe Kashikovski. Sipas tij, është absolutisht joreale që një kafe espreso të kushtojë 150 denarë.
Londër - Bashkëshortja e Dejvid Bekamit, lejdi Viktoria në rrjetet e saj sociale ka publikuar fotografi, ku ish futbollisti anglez shtrihet në spital me dorën në longetë. Kjo ka shqetësuar një pjesë të fansave të tyre. Një burim për "Dejli Mejl" deklaroi se ser Dejvidit iu operua kyçi, të cilin e ka thyer në një ndeshje para 22 viteve. Vite më vonë, vida e implantuar në kyç i ka shkaktiar dhembje dhe ai ka vendosur ta largojë.
Moskë - Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, deklaroi se gjatë ditës do të realizojë bisedë telefonike me kolegun amerikan, Donald Tramp. Kjo do të jetë biseda e gjashtë publike mes dy liderëve, prej se Trampi u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar. Biseda telefonike do të zhvillohet në kohë kur SHBA-ja po tenton pa sukses të arrijë marrëveshje për armëpushim në Ukrainë.
Irbil - Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) sot kumtoi se luftëtarët e saj në Irakun verior do të dorëzojnë armët e tyre kur të fillojë çarmatimi i PKK-së në Turqi. "Një grup luftëtarësh guerilas do të zbresin nga mali dhe do të ulin armët për të shprehur vullnetin e mirë për paqe dhe politikë demokratike", kumtoi PKK-ja. Anëtarët e PKK-së pritet t'ia dorëzojnë armët e tyre qeverisë rajonale në Irak, ku dominojnë Partia Demokratike e Kurdistanit (PDK) dhe Bashkimi Patriotik i Kurdistanit (BPK). PDK ka marrëdhënie të mira me Turqinë dhe ka qenë në konflikt me PKK-në, ndërsa PBK-ja mban anën e PKK-së.
Gazë - Në sulmet e mbrëmshme izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë 94 palestinezë, ku 45 prej tyre humbën jetën, ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare, kumtoi sot Ministria e Shëndetësisë në Gazë. Pesë persona humbën jetën para objekti të lidhur me Fondacionin humanitar të Gazës (GHF), përderisa 40 të tjerë u vranë duke pritur ndihmë diku tjetër në enklavën palestineze. Dhjetëra persona u vranë në sulmet ajrore, ndërsa 15 u vranë kur u sulmua zona Musavi, ku strehim kishin gjetur një numër i madh i palestinezëve të zhvendosur brenda. Ndërsa sulmet ndaj një shkolle në qytetin e Gazës vranë 15 persona.