• e shtunë, 21 dhjetor 2024

MF: U nënshkrua Memorandum i bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar - Policia financiare me softuer të ri për t'u përballur në mënyrë më efektive me krimin e organizuar

MF: U nënshkrua Memorandum i bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar - Policia financiare me softuer të ri për t'u përballur në mënyrë më efektive me krimin e organizuar

Shkup, 7 nëntor 2023 (MIA)- Drejtoria e Policisë Financiare po përforcon kapacitetet e saj në luftën kundër krimit të organizuar. Me përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar, Drejtoria do të marrë sistem të ri modern që do të digjitalizojë proceset dhe kjo do të mundësojë rrjedhën më të shpejtë të informacioneve në kuadër të institucionit dhe shkëmbim të informacioneve me institucionet e tjera, miratimin e vendimeve më cilësore dhe e gjithë kjo për veprim më efektiv në përballjen me krimin e organizuar.

Për realizimin e këtij projekti, sot u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare, Goran Ivanov dhe Menaxherit rajonal për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë Tatimore dhe Doganore të Mbretërisë së Bashkuar, Darren Partridge. Gjatë nënshkrimit ishin të pranishëm ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Metju Lason.

“Policia financiare është institucioni kyç në vend në luftën kundër krimit të organizuar financiar dhe mbrojtjes së interesave financiare nacionale, ndërsa përforcimi i kapaciteteve të saj dhe vendosja e sistemeve të reja moderne paraqesin kontribut shtesë, sa i përket rritjes së efikasitetit të luftës kundër ekonomisë joformale dhe krimit të organizuar”, theksoi ministri Besimi.

Ministri Besimi shtoi se me institucione të fuqishme, qasje të koordinuar dhe bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet tyre, po krijohet sistem efikas për ballafaqimin me krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke kontribuar në këtë mënyrë në përmirësimin e konkurrencës së ekonomisë dhe rritjes ekonomike.

Ambasadori Lason theksoi se qëllimi i këtij memorandumi është ta përcaktojë Sistemin me shumë platforma i bazuar në internet për menaxhimin e përmbajtjeve (Enterprise Content Management System) me Veglat për menaxhimin e rasteve (Case Management Tools) dhe licencat që do të lëshohen nga ana e Drejtorisë Tatimore dhe Doganore të Mbretërisë së Bashkuar (HMRC) dhe Drejtorisë së Policisë Financiare të Maqedonisë së Veriut për arritjen e qëllimeve për parandalimin dhe zbulimin e krimit ekonomik, financiar dhe të organizuar, si dhe për përkufizimin e dispozitave për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tij.

Krijimi i kapaciteteve dhe zhvillimi i aftësisë së Drejtorisë së Policisë Financiare të Maqedonisë së Veriut në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve të tyre për hetime financiare të menaxhimit të rasteve të ndërlikuara, për pasqyrimin e gjurmëve të revizionit dhe rritjen e transparencës është me rëndësi kyçe për shkatërrimin e organizatave kriminale – si në nivelin nacional, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, deklaroi ambasadori britanik.

“Ky softuer, sipas drejtorit Ivanov, të cilin e marrim sot do të kontribuojë në përforcimin e kapaciteteve teknike të Drejtorisë së Policisë Financiare, që do të na afrojë me qëllimin tonë përfundimtar që është shërbim i modernizuar dhe plotësisht profesional. Me këtë projekt, Drejtoria e Policisë Financiare synon të menaxhojë përmbajtjen dhe proceset, të cilat do të mundësojnë rrjedhë më të thjeshtë të dokumenteve dhe informacioneve.

Ai shtoi se sistemi do të mundësojë përshpejtimin e hetimeve paraprake përmes filtrimit të provave relevante. Vetë zgjidhja, tha ai, ka për qëllim uljen e shpenzimeve ditore dhe rritjen e efikasitetit të të punësuarve.

Menaxheri rajonal në Drejtorinë Tatimore dhe Doganore të Mbretërisë së Bashkuar theksoi se Drejtoria Tatimore dhe Doganore e Mbretërisë së Bashkuar ka bashkëpunim të gjatë dhe konstruktiv me Maqedoninë e Veriut dhe se ky bashkëpunim ka qenë gjithmonë shumë produktiv.

 “Nëpërmjet rrjetit tonë të oficerëve ndërlidhës të cilët punojnë në krimin fiskal në vendin tonë dhe në rajon, synojmë ndërtimin e marrëdhënieve të forta me partnerë të besueshëm, jo vetëm për t’i ndihmuar qëllimet ndërkombëtare të Drejtorisë Tatimore dhe Doganore të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe për identifikimin e mundësive ku mund t’i ndihmojmë partnerët tanë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kudo që ndodh”, theksoi Partridge.

Sistemi i ri në Drejtori  është donacion nga Mbretëria e Bashkuar, i cili realizohet përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë dhe implementohet nga Drejtoria Tatimore dhe Doganore e MB-së (Mbretërisë së Bashkuar).

Sistemi paraqet zgjidhje softuerike që do të rrisë kapacitetin operativ të Drejtorisë së  Policisë Financiare për monitorimin dhe zbulimin më të mirë të krimit të organizuar si dhe përmirësimin e efikasitetit të proceseve dhe procedurave, duke përmirësuar kështu performancën në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR