Mexhiti: I dhamë fund një epoke kriminale që rrjepi qytetarët!
- Liderët e VLEN-it pasditen e sotme mbajtën konferencë për shtyp, me rastin e njëvjetorit të qeverisjes.
- Post By Fami Bajrami
- 20:25, 4 korrik, 2025
Shkup, 4 korrik 2025 (MIA)- Liderët e VLEN-it pasditen e sotme mbajtën konferencë për shtyp, me rastin e njëvjetorit të qeverisjes.
Me këtë rast zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti njëherësh kryetar i Lëvizjes Demokratike (LD) tha se si qeveri kanë shënuar një fitore të madhe duke i dhënë fund një epoke kriminale që rrjepi qytetarët!
"E fituam luftën kundër industrisë së kazinove e bixhozit që për dekada shkatërronte familjet dhe ekonominë tonë", tha Mexhiti.
Për vite me radhë, nën sytë e një qeverie të korruptuar dhe të kapur nga interesat e ngushta, shtoi ai, "jo vetëm që kishte kazino të hapura në çdo skaj të vendit, por edhe kazino onlajn që vepronin në mënyrë të paligjshme, duke helmuar rininë, shkatërruar familje dhe varfëruar çdo cep të shoqërisë sonë".
Këto kazino, siç ka thënë zëvendëskryeministri Mexhiti, kanë qenë skemë e qëllimshme, e ndërtuar për të pasuruar një kastë të privilegjuar të politikanëve në kurriz të popullit.
"Dhe këtë vit të qeverisjës sonë, ky kapitull i zi mori fund. Mbyllëm 226 kazino onlajn dhe goditëm tregun e paligjshëm, duke i dhënë fund këtij helmi social", nënvizoi ai.
Ai mes tjerash shtoi se VLEN-i ka kthyer dinjitetin qytetarit, me vendosmëri dhe me ligjin në dorë, në faza të qarta dhe të qëndrueshme, mbyllëm siç tha "dhe do të mbyllen të gjitha këto porta të helmit dhe korrupsionit".