• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mexhiti: Nuk duam me asnjë çmim të jemi pjesë e një Qeverie që nuk është evropiane

Mexhiti: Nuk duam me asnjë çmim të jemi pjesë e një Qeverie që nuk është evropiane

Shkup, 29 prill 2024 (MIA) - Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në deklaratën për mediat sot theksoi se koalicioni i tyre "VLEN" nuk dëshiron me asnjë çmim të jetë pjesë e një qeverie antievropiane.

"Ne nuk duam të jemi me asnjë çmim në një qeveri që nuk do të jetë evropiane. Domethënë, jo vetëm me askënd. Vlerësojmë se një parti e tillë është vetëm E Majta e cila është antievropiane dhe ne nuk do të donim të ishim në të njëjtën qeveri me ta. Partitë e tjera të cilët më shumë- më pak janë evropiane. Prioriteti ynë janë integrimet evropiane", tha Mexhiti pas takimit me qytetarët në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Në pyetjen e gazetarëve se cilat janë kushtet që do t'i paraqiten kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski gjatë negociatave për koalicion, Mexhiti theksoi se aktualisht janë të fokusuar në promovimin e programit të tyre zgjedhor.

"Ne tani jemi të fokusuar në promovimin e programit tonë dhe të fitores dhe jemi të bindur se do të jemi përfaqësues dhe do të kemi legjitimitetin e shqiptarëve dhe do të kemi më shumë deputetë shqiptarë. Do të kemi Badenterin. Ky është fokusi ynë deri më 8 maj, pastaj do të ulemi dhe do të negociojmë programin e qeverisë ku do të ketë harmonizim", tha ai.

Mexhiti është i bindur se në zgjedhjet parlamentare të 8 majit ata do të jenë "përfaqësues legjitim të shqiptarëve si fitues me më shumë vota dhe deputetë". rq/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR