Mexhiti mbështet Kasamin: Nëse ka rrugë me emra nga Rusia dhe Ukraina, pse të mos ketë edhe nga historia shqiptare?
- Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i pyetur për reagimet në lidhje me propozimin për emra të rinj të rrugëve në Tetovë, deklaroi se disa gjëra nuk duhet të përkthehen, duke i dhënë si shembull emrat "Kongrese dhe Manastire", të cilat u kundërshtuan nga Lidhja e Luftëtarëve të Tetovës.
- Post By Fami Bajrami
- 11:28, 14 shkurt, 2025

Shkup, 14 shkurt 2025
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i pyetur për reagimet në lidhje me propozimin për emra të rinj të rrugëve në Tetovë, deklaroi se disa gjëra nuk duhet të përkthehen, duke i dhënë si shembull emrat "Kongrese dhe Manastire", të cilat u kundërshtuan nga Lidhja e Luftëtarëve të Tetovës.
Mexhiti theksoi se Tetova është një qytet me shumicë të madhe shqiptare, por, sipas tij, 99% e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike janë të lidhura me historinë maqedonase.
"Çfarë ka të keqe që në një qytet me shumicë shqiptare të ketë rrugë dhe institucione me emra të personaliteteve dhe ngjarjeve shqiptare?" – tha zëvendëskryeministri.
Izet Mexhiti theksoi gjithashtu se kryetari i Tetovës, Bilal Kasami, nuk kishte kërkuar që të vendosen emra të historisë shqiptare në Strumicë apo në Gjevgjeli, por në një qytet ku shqiptarët janë popullsi dominues.
"Ne jemi pjesë e Maqedonisë së Veriut. Nga e gjithë bota ka emra rrugësh, por disa propozime shqiptare kundërshtohen. Më shumë janë të përfshira datat nga Rusia dhe Ukraina sesa nga historia shqiptare në Maqedoninë e Veriut."
Ai shtoi përvojën e tij personale: "Kam jetuar në një rrugë '7 Korriku', që është dita e kryengritjes serbe. Në atë rrugë nuk kishte asnjë serb. Pra, mund të ketë emra nga historia serbe dhe ruse, qytete nga Ukraina dhe nga e gjithë bota, por nuk mund të ketë emra nga historia shqiptare?"
Zëvendëskryeministri Mexhiti theksoi gjithashtu se qindra rrugë në Maqedoninë e Veriut mbajnë emra të lidhur me Luftën Çlirimtare, e që, sipas tij, nuk do të thotë se nuk duhet të ketë rrugë me emra shqiptare që do të pasqyrojnë realitetin multietnik të shtetit.
Ligji për përfaqësim të drejtë është një zgjidhje më adekuate se sa balancuesi
Gjatë pjesëmarrjes së djeshme në emisionin “24 Analiza” zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti diskutoi për temat aktuale politike dhe politikat qeveritare.
Duke u bazuar në shfuqizimin e fundit të balancerit, Mexhiti u pyet se cili mekanizëm do ta zëvendësojë atë.
“Perceptimi është se balanceri ka sjellë një kontribut të rëndësishëm në përfaqësimin thelbësor, gjë që nuk është e vërtetë. Nga viti 2002 deri në 2015 nuk kishte një mekanizëm të tillë, dhe megjithatë progresi i përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera u rrit nga 2% në 15-16%. Me futjen e mekanizmit të balancerit, ritmi i përfaqësimit të drejtë u ngadalësua dhe, përkundrazi, pati një kundërefekt në vitet e fundit.
Në momentin e shfuqizimit të tij, si partnerë qeveritarë treguam se kemi kapacitet demokratik për të diskutuar dhe negociuar çështjet. Konstatuam se përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese që rrjedh nga Marrëveshja Kornizë dhe se do të zgjidhet me një ligj të veçantë, brenda institucioneve ekzistuese, pa krijuar një institucion të ri. Politikat qeveritare nuk synojnë të ngarkojnë më tej administratën publike,” deklaroi zëvendëskryeministri Mexhiti, duke theksuar se ligji për përfaqësim të drejtë është një zgjidhje më adekuate sesa balanceri.
I pyetur nëse çdo institucion do të mbajë një evidencë të veçantë për kuotat e përfaqësimit të drejtë, Mexhiti sqaroi se kjo nuk do të ndodhë.
“Në institucionet ekzistuese po shqyrtojmë opsionin që Avokati i Popullit, i cili tashmë mbikëqyr përfaqësimin e drejtë, të marrë edhe kompetenca ndëshkuese. Një tjetër opsion është Agjencia për Administratën Shtetërore, ndërsa alternativa e tretë është zgjerimi i kompetencave të Agjencisë së Gjuhëve për të përfshirë edhe përfaqësimin e drejtë. Megjithatë, më e mundshmja është që të vazhdojmë me Agjencinë për Administratën Shtetërore, e cila tashmë merret me këtë çështje.
Sipas tij ideja është që zëvendësdrejtori i saj të autorizohet për të mbikëqyrur përfaqësimin e drejtë në nivel kombëtar për shqiptarët dhe komunitetet e tjera, ndërsa në nivel lokal për të gjitha komunitetet.
Në periudhën e ardhshme, sipas Mexhitit Qeveria do të dalë me një zgjidhje konkrete, e cila do t’i dërgohet Komisionit të Venecias dhe, pas marrjes së opinionit të tij, do të hyjë në procedurë qeveritare dhe parlamentare.”
Nuk kemi marrëveshje për himnin, stemën dhe gjuhën
Mexhiti, në një intervistë për “24 Analiza” konfirmoi se nuk ka marrëveshje me kryeministrin Hristijan Mickoski për ndryshimin e stemës dhe himnit shtetëror, por se ekzistojnë bisedime mbi këtë temë.
“Nuk kemi marrëveshje. Nuk kemi,” u shpreh shkurt Mexhiti, duke shtuar se çështja e stemës dhe himnit mbetet e hapur, sepse, sipas tij, ato e kanë origjinën nga koha komuniste dhe nuk e pasqyrojnë realitetin e sotëm.
Duke u ndalur edhe tek statusi i gjuhës shqipe në Kushtetutë, Mexhiti theksoi: “Të gjithë e dimë që formulimi ‘20 përqind’ është nënçmues për komunitetin e dytë më të madh në shtet, por këto janë bisedime që po zhvillohen.”
Megjithatë, ai theksoi se fokusi i Qeverisë për momentin është zbatimi i programit qeveritar, shtyllat kryesore të të cilit janë integrimet evropiane, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe decentralizimi.
“Nuk ka tema tabu, për gjithçka diskutojmë. Nuk ka marrëveshje, sepse për momentin jemi të përkushtuar në programin qeveritar,” potencoi Mexhiti.
Po punojmë për zgjidhje afatgjata që do t’i japin fund ndotjes
Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti, në intervistën e djeshme për “Analiza 24”, theksoi se Qeveria është plotësisht e përkushtuar në zgjidhjen e problemit të ndotjes, ndërsa ndër masat kryesore do të jenë gazifikimi dhe reformat në transportin urban.
Sipas tij, këto masa do të çojnë në uljen e ndotjes me 50-70% dhe do të reduktojnë çmimin e ngrohjes qendrore për qytetarët.
“Inspektorati është çdo ditë në terren, si për çështjet e transportit, ashtu edhe në luftën kundër ndotjes. Jemi rigorozë për këtë çështje, por këto masa vetëm e zbusin problemin, nuk e zgjidhin plotësisht,” deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i pyetur për efektivitetin e inspektorateve në terren.
Përveç gazifikimit, zëvendëskryeministri Mexhiti theksoi edhe projektet për “car-sharing”, mbështetjen për kompanitë private të taksive dhe përmirësimin e transportit publik.
Duke zbuluar masat e Qeverisë, Mexhiti shpjegoi: “Po ndihmojmë edhe me nisma private, si projekti “car-sharing”, ku së shpejti do të prezantohen një mijë automjete. Gjithashtu, jemi në negociata me Unionin e Taksistëve për të mbështetur zëvendësimin e 200-250 makinave nga gaz, naftë dhe benzinë në makina elektrike. Është në procedurë edhe ulja e TVSH-së nga 18% në 2,9%. Si Qeveri, përveç gjashtë autobusëve elektrikë që i dhuruam për qytetin e Shkupit, planifikojmë të mbështesim edhe komuna të tjera që kanë transport urban me blerjen e 100-120 autobusëve elektrikë. Ekzistojnë edhe masa shtesë me të cilat besojmë se më në fund do ta zgjidhim këtë problem.”
Për më tepër, zëvendëskryeministri Mexhiti është i bindur se kësaj radhe gazifikimi do të ketë sukses dhe do të shërbejë si bazë për përmirësimin e efiçencës energjetike dhe uljen e ndotjes.
“Ne jemi të përkushtuar plotësisht për të zgjidhur shkaqet e problemit. Jam i bindur se këtë herë gazifikimi, së bashku me sistemet kogjenerative që do të sjellin një mënyrë të re të furnizimit me energji për qytetarët, do të ulë çmimin e ngrohjes qendrore dhe me këtë do të zvogëlojmë ndotjen me 50-70%".
__________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.