• e martë, 26 nëntor 2024

Mexhiti do të ketë konferencë për media për rastin me Klinikën e Onkologjisë

Mexhiti do të ketë konferencë për media për rastin me Klinikën e Onkologjisë

Shkup, 4 shtator 2023 (MIA) - Në lidhje me zhvillimet në ISHP KU për Onkologji dhe Radioterapi, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti sot në orën 13 do të ketë konferencë për shtyp, njoftuan sot paradite nga Ministria.

Të premten ishin kryer bastisje në Klinikë, si dhe në banesa private, si pjesë e aksionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë. 

Siç informuan nga Prokuroria Publike, aksioni është zbatuar në bazë të kronikave të gazetarëve, në lidhje me punën në Klinikë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje deklaroi se do të sanksionohen të gjithë ata, të cilël e kanë shkelur ligjin, por, nuk bën të sulmohen të gjithë të punësuarit në shëndetësi. 

"Bëhet fjalë për informata, të cilat janë të tmerrshme dhe që nuk guxojnë të ndodhin, e për të cilat kemi dëgjuar gjatë 20 viteve të kaluara. Kjo është hera e parë të zbatohet një aksion i tillë i madh për identifikimin e autorëve eventualë të veprave të tilla. Bëj thirrje që të mos bëhet senzacionalizëm dhe sulm ndaj të gjithë mjekëve dhe infermiereve në shtet, pasi numri më i madh i personelit mjekësor, që punon në shtetin tonë, janë njerëz të shkëlqyer, kuadro që kujdesen për shëndetin e popullatës sonë", nënvizoi kryeministri.

Detyra e MPB-së dhe e Prokurorisë, siç tha, është sigurimi i dëshmive në bazë të së cilës do të identifikohen autorët.

"Nga ana e kryetarit të Qeverisë dhe nga Qeveria, nuk do të ketë kurrfarë intervenimesh lidhur me mbrojtjen e kujtdo qoftë. Pasi, bëhet fjalë me të vërtetë për informata të tmerrshme, që janë lëndë e hetimeve të MPB-së dhe të Prokurorisë. Po ashtu, shoh nëpër mediume, posaçërisht nëpër rrjetete sociale, se po tentohet të bëhet një fotografi për involvim vetëm të personave të caktuar, varësisht nga përkatësia e tyre. Atë që mund ta them është se krimi i tillë është multipartiak, multientik dhe multikulturor", ishte decid Kovaçevski.

Presidenti Stevo Pendarovski kërkon përfundimin e shpejtë dhe efikas të hetimeve dhe procedurës gjyqësore-prokuroriale pa selektivitet, si dhe dënimin e duhur për të gjithë ata që do të vërtetohet se kanë kryer vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Ai gjithashtu thekson se e kupton plotësisht mllefin e qytetarëve që bëjnë thirrje për protesta paqësore.

Pendarovski theksoi se informatat publike për dyshime për keqpërdorim të terapisë për personat me kancer janë tronditëse dhe të tmerrshme. Në vend të mbështetjes dhe mbrojtjes së plotë për ata njerëz që përballen me diagnozën më të vështirë, sistemi shëndetësor ka dështuar dukshëm, i cili ka humbur besimin jo vetëm te të sëmurët, por vihet në pikëpyetje edhe cilësia e trajtimit të çdo pacienti të ardhshëm.

Sipas tij, është koha që sistemi të konfirmojë se jemi të aftë në praktikë dhe jo vetëm me fjalë, të përballemi me format e rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përfundimisht t'i japim fund kulturës së mosndëshkimit të shkeljeve të rënda të ligjeve.

Në Shkup është paralajmëruar protestë për rastin në Klinikën e Onkologjisë. Siç është bërë e ditur nga organizatorët, protesta do të fillojë prej orës 18 para Qeverisë, ndërsa pastaj do të vazhdojë para Ministrisë së Shëndetësisë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR