• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Mexhiti: BDI ushtron presion mbi gjyqtarët e Gjykatës Supreme me kërkesat për kthimin e Nikolla Gruevskit

Mexhiti: BDI ushtron presion mbi gjyqtarët e Gjykatës Supreme me kërkesat për kthimin e Nikolla Gruevskit

Shkup, 2 nëntor 2023 (MIA) - Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike, i shoqëruar nga kryetarët e Lëvizjes Besa dhe Alternativa, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, në konferencën e sotme për media theksoi se BDI dhe individë të caktuar në këtë parti po bëjnë presion ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme lidhur me kërkesat për kthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski.

"Këtu jemi për të shprehur mbështetjen tonë të fortë për gjyqtarët e Gjykatës Supreme të cilët janë nën presion me kërkesat për kthimin e Nikolla Gruevskit. Siç dihet dhe siç kemi marrë informacione nga disa persona, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe individë të caktuar të instaluar në kryesinë e kësaj partie vazhdojnë të ushtrojnë presion të paprecedentë ndaj gjyqtarëve të kësaj gjykate, duke dëshmuar kështu se ata janë kthyer nga parti politike në një titan dhe me forcën dhe fuqinë e tyre politike duan të vrasin çdo shtyllë të demokracisë. Nuk është aspak çudi, por është një tjetër tregues që duhet të na shërbejë si ndërgjegjësim për të gjithë ne që kjo parti politike është bërë sinonim i hipokrizisë që vepron kundër çdo vlere evropiane duke iu referuar atyre. Nuk mund të jesh pro evropian dhe të bësh presion mbi gjyqësinë. Nuk mund të jesh pro evropian dhe të jesh pjesë e çdo afere. Nuk mund të jesh pro evropian dhe të veprosh kundër demokracisë", tha Mexhiti.

Kjo sipas Mexhitit është një tregues tjetër, se BDI-së, nuk i intereson BE-ja dhe ndryshimet kushtetuese.

"Ata kanë nevojë që Gruevski të përpiqet të bëjë pazar politik me VMRO-DPMNE-në për hyrjen në një qeveri të zgjëruar, duke bërë pazare me deputetët e ardhshëm të LSDM-së.  Sinqerisht më vjen keq për nivelin në të cilin kanë rënë Ali Ahmeti dhe BDI dhe këtë populli do ta dënojë ashpër ditën e zgjedhjeve! Në këtë betejë jemi bashkë, ne opozita e bashkuar, populli, gjyqtarët e ndershëm, e faktori ndërkombëtar, ndërsa shihet kush janë kundër nesh, politikanë të korruptuar që shpëtimin e vetëm e shohin në kthimin e Gruevskit.  Edhe një herë, shprehim mbështetje të pakompromistë ndaj gjyqtarëve në Gjykatën Supreme, dhe bëjmë thirrje që të gjykojnë sipas ligjit.  Drejtësia mbi të gjitha, e ata që cenojnë drejtësinë, dihet ku e kanë vendin! Jemi dëshmitarë se pas presionit avokati e ka tërhequr kërkesën apo kërkesën për abolimin e ish presidentit Gjorge Ivanov dhe sipas informacioneve tona këto ditë ai është duke u përgatitur që të paraqesë kërkesë të re te një gjyqtar i ri. Vazhdojnë ta bëjnë këtë në mënyrë të paligjshme me çdo kusht për të arritur qëllimin – miratimin e këtij vendimi dhe kthimin e Nikolla Gruevskit", tha Mexhiti.

Në pyetjen e një gazetari se propozimi i Qeverisë për miratimin e ligjit për amnisti pas një procedure të shkurtuar nuk ka marrë mbështetje nga Kuvendi, ai ka theksuar se bëhet fjalë për "biznesin e pistë të qeverisë për mbijetesë politike, jo për ndryshime kushtetuese dhe interesat e qytetarëve".

"Duhet të kërkoni përgjigjen nga autoritetet. Ata morën iniciativë edhe për Kodin Penal, edhe për ligjin për amnisti dhe për gjithçka që amniston krimin e organizuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Janë pazaret e tyre të pista për mbijetesë politike dhe jo për ndryshime kushtetuese, për interesa strategjike, për interesa të qytetarit dhe ata duhet të japin përgjigje", tha Mexhiti.

I pyetur nëse kanë ndonjë mesazh për Aleancën për Shqiptarët pasi projektligji i sotëm për amnisti i paraqitur nga një ministër i kësaj partie nuk ka marrë mbështetje, ai tha se ata si opozitë shqiptare janë të hapur jo vetëm ndaj kësaj partie, por edhe për të gjithë personat nga sektori joqeveritar dhe intelektualët e pavarur. sa/

Foto: Printskrin nga video

QËNDRONI TË LIDHUR