• e martë, 24 dhjetor 2024

Me ekspozitë shënohet 30-vjetori i anëtarësimit në Kombet e Bashkuara (1993-2023)

Me ekspozitë shënohet 30-vjetori i anëtarësimit në Kombet e Bashkuara (1993-2023)

Shkup, 6 prill 2023 (MIA) - Në Ministrinë e Punëve të Jashtme  sot në  bashkëorganizim me Arkivin Shtetëror dhe me koordinatorin nacional të OKB-së në Shkup, është hapur ekspozitë me rastin e 30-vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara (08.04.2023).

Në ngjarje, siç bëri të ditur MPJ-ja, fjalim ka mbajtur zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Fatmire Isaki e cila ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të vendit në familjen e Kombeve të Bashkuara dhe po ashtu tha se Maqedonia e Veriut dëshmoi se me diplomaci dhe dialog, me mirëkuptim, tolerancë dhe me kompromis është e mundur të zgjidh çështje të vështira dhe të fitojë miq dhe aleatë të rinj.

 

“Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon t'i zhvillojë marrëdhëniet me shtetet anëtare të OKB-së dhe angazhohet për forcimin e multilateralizmit efektiv, me qëllim të sigurimit të paqes, stabilitetit, zhvillimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, prosperitetit ekonomik dhe social në nivel rajonal dhe global. Si Kryesues i OSBE-së, organizatës më të madhe rajonale të sigurisë, i promovojmë këto parime që rrjedhin në thelb nga Karta e OKB-së dhe riafirmimi i të cilave tani është më i nevojshëm se kurrë më parë. E bëjmë me përkushtim dhe bindje, sepse ne vetë e dimë se çfarë do të thotë të luftosh për parime, për të drejtën e vetëvendosjes, për njohjen ndërkombëtare", ka theksuar Isaki.

Ajo ka shtuar se nga pranimi i misionit të parë parandalues ​​të OKB-së deri në kryesimin e OSBE-së, ka kaluar një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, e mbushur me pasiguri dhe sfida, por edhe me momente krenarie dhe njohjeje.

"Gjatë gjithë kohës na ka motivuar mbi të gjitha besimi në vetvete, besimi i qytetarëve në të drejtën tonë për të ekzistuar dhe mbijetuar. Besuam edhe në parimet që përmban Karta e OKB-së dhe në domosdoshmërinë e dialogut, bashkëpunimit dhe kompromisit në zgjidhjen e çështjeve të hapura”, ka theksuar zëvendësministrja e Punëve të Jashtme.

 

Drejtori i Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Emil Kërsteski, tha se jubileu ishte një nxitje për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Arkivin Shtetëror që bashkërisht të organizojnë ekspozitën, e cila u prezantua sot, dhe dëshmon për kohëra turbulente, për të cilat brezat e rinj duhet të dinë.

“Vetë pranimi në organizatën botërore nuk është i rastësishëm, përkundrazi, ka zhvillimin e vet të veprimtarisë diplomatike dhe shtetërore. Autorët e ekspozitës do t'ju çojnë në një udhëtim në kohë, deri në momentin kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pranoi vendin tonë si anëtarin e 181-të të plotë të Organizatës Botërore me aklamacion. Dokumentet janë burimi bazë i së kaluarës, por edhe gojëdhanat e bashkëkohësve të ngjarjeve janë jashtëzakonisht domethënëse”, theksoi Kërsteski. 

 

Të ftuarve iu drejtua edhe Rosana Duxhak, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shkup, e cila nënvizoi se në një botë që vazhdimisht na krijon sfida në çdo front, multilateralizmi është në provë të vazhdueshme. Por pavarësisht nga të gjitha sfidat me të cilat u përball, në të gjitha vendimet që mori, pavarësisht se sa e vështirë dhe sfiduese ishte, Maqedonia e Veriut kurrë nuk e vëri në dyshim rëndësinë e punës së përbashkët, dhe kjo është diçka që duhet njohur dhe shënuar.

 

“Prandaj sot dua të vlerësoj edhe pjesëmarrjen aktive të vendit në të gjitha organet ndërkombëtare, në të gjitha komisionet, në të gjitha diskutimet dhe në të gjitha proceset e Kombeve të Bashkuara. Maqedonia e Veriut vazhdimisht demonstron përkushtim ndaj Agjendës 2030, pavarësisht nga sfidat me të cilat përballet. Vendi finalizoi rishikimin e tij të parë vullnetar nacional në vitin 2020 për të monitoruar progresin drejt Axhendës 2030, në një kontekst shumë të vështirë, në fillimin e pandemisë Kovid-19”, shtoi Duxhak.

 

Në këtë aktivitet morën pjesë trupi diplomatik në Maqedoninë e Veriut, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Ekspozita vazhdon të jetë e hapur për dy javët e ardhshme në Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi, theksojnë nga MPJ-ja. ar/

Foto: MIA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR