MASH: Është marrë vendim për pezullim të përkohshëm të punës së Fakultetit privat për Ekonomi Biznesi në Shkup
- - Për shkak të parregullsive të konstatuara në punë dhe mosveprimit sipas detyrimit për eliminimin e tyre, Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se është marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të punës së shkollës së lartë profesionale private - Fakulteti i Ekonomisë së Biznesit në Shkup.
- Post By Fitore Curri
- 18:59, 23 shtator, 2025
Shkup, 23 shtator 2025 (MIA) - Për shkak të parregullsive të konstatuara në punë dhe mosveprimit sipas detyrimit për eliminimin e tyre, Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se është marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të punës së shkollës së lartë profesionale private - Fakulteti i Ekonomisë së Biznesit në Shkup.
“Parregullsitë u konstatuan nga ana e një komisioni të posaçëm në kuadër të MASH-it për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në punë, ndërsa vendimi për pezullimin e përkohshëm të punës së këtij institucioni privat të arsimit të lartë u mor gjithashtu në bazë të një mendimi nga Bordi i Akreditimit të Arsimit të Lartë. Në Fakultetin e Ekonomisë së Biznesit nuk ka studentë të rinj të regjistruar në vitin akademik 2025-2026. Për studentët e regjistruar tashmë, institucioni i arsimit të lartë do të përmbushë detyrimet e përcaktuara në Ligjin për Arsimin e Lartë me qëllim që të mundësojë arsimim të mëtejshëm pa ndërprerje, përkatësisht transferim në fakultete të tjera”, thonë nga MASH.

Theksojnë se respektimi i rregullave ligjore duhet të jetë parim themelor në punën e të gjitha institucioneve arsimore. Kjo, siç theksojnë, është mënyra e vetme që të sigurohet cilësi e qëndrueshme ndaj shfrytëzuesve të shërbimeve arsimore.
“Në 15 muajt e fundit, 14 institute shkencore private janë mbyllur, disa për shkak të mosaktivitetit, dhe disa për shkak të mospërmbushjes së kushteve të funksionimit. MASH do të vazhdojë të kontrollojë pa dallim punën e institucioneve arsimore dhe shkencore në të ardhmen dhe të marrë masat e duhura aty ku vërehen shmangie nga normat ligjore”, njoftojnë nga MASH. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s