Masa sigurie të nivelit më të lartë në Tiranë për shkak të vizitës së Zelenskit dhe samitit Ukrainë - Ballkani Perëndimor
- Para vizitës së presidentit ukrainas Volodimir Zelenski dhe samitit Ukrainë-Evropa Juglindore, masat e sigurisë në Tiranë janë ngritur në nivelin më të lartë.
Tiranë, 26 shkurt 2024 (MIA) - Para vizitës së presidentit ukrainas Volodimir Zelenski dhe samitit Ukrainë-Evropa Juglindore, masat e sigurisë në Tiranë janë ngritur në nivelin më të lartë.
Kjo është vizita e parë e Zelenskit në Tiranë, ku ai do të mbërrijë mbrëmjen e 27 shkurtit, një ditë para samitit dyditor, ku është paralajmëruar pjesëmarrja e 13-të liderëve evropianë, përfshirë të gjashtë nga Ballkani Perëndimor, si dhe një përfaqësues i BE-së.
"Samiti do të mbahet nën masa të larta sigurie. Zbatimi i planit të masave për zhvillimin e qetë të rendit dhe sigurisë nga policisë së shtetit do të nisë më 27 shkurt, para se Zelenski të mbërrijë në aeroportin e Tiranës. Përveç të tjerave, mbi 1.500 forca policie do të angazhohen për të ruajtur rendin dhe sigurinë në samit", raportojnë mediat shqiptare.
Në terren do të sistemohen oficerë policie nga të gjithë sektorët, përfshirë ata të antiterrorit, për mjetet shpërthyese, njësinë e vendosjes së shpejtë, njësinë speciale RENEA, policinë rrugore.
"Gjithashtu Garda kombëtare dhe shërbimi sekret SHISH, do të kenë edhe shumë agjentë për të monitoruar rrjetet sociale, përveç terrenit. Gjithashtu në të gjitha pikat kufitare janë dërguar fotografi të personave të dyshuar për tendenca ekstremiste, në mënyrë që të mos lejohen të hyjnë në vend", raportojnë mediat.
Lidhur me masat e sigurisë të të ftuarve të lartë që do të marrin pjesë në samit, kanë mbërritur edhe ekspertë të huaj, të cilët do të jenë pjesë e shoqërimit në aeroport, si dhe një grup special që kujdeset për sigurinë e presidentit ukrainas Zelenski.
Masat e marra nga policia e shtetit janë në bashkëpunim me organe të tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbarëvajtjen e Samitit.
Për arsye sigurie dhe për të garantuar suksesin e këtij samiti, do të ketë bllokime dhe devijime të qarkullimit në rrugët ndërurbane dhe urbane të kryeqytetit, para, gjatë dhe deri në përfundimin e samitit dhe largimin e të ftuarve. mb/
Foto: MIA