Marrëveshja për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d do të prezantohet para deputetëve
- Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut informon se përfaqësuesit qeveritarë dhe anëtarët e Komitetit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10 d, të përfshirë në këtë projekt të madh infrastrukturor do ta prezantojnë dokumentacionin dhe detajet e Marrëveshjes për ndërtimin e këtyre dy korridoreve, në një procedurë të përshtatshme parlamentare.
- Post By Qefsere Abduli
- 17:29, 20 prill, 2023
Shkup, 20 prill 2023 (MIA) - Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut informon se përfaqësuesit qeveritarë dhe anëtarët e Komitetit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10 d, të përfshirë në këtë projekt të madh infrastrukturor do ta prezantojnë dokumentacionin dhe detajet e Marrëveshjes për ndërtimin e këtyre dy korridoreve, në një procedurë të përshtatshme parlamentare.
Qëllimi është, deputetët të njihen me përmbajtjen dhe gjitha detajet e Marrëveshjes për ndërtimin e dy korridoreve, të cilat janë në interes të tyre. Prezantimi i Marrëveshjes, do të mbahet para të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët posedojnë certifikatë përkatëse të sigurisë.
"Korridoret 8 dhe 10 d janë deri tani projekti më i madh infrastrukturor, vlera e të cilit është 1.3 miliardë euro. Me realizimin e këtij projekti është planifikuar ndërtimi i katër autostradave, me një gjatësi totale rreth 110 kilometra. Pjesëmarrja e çdo institucioni është e rëndësishme për realizimin e shpejtë dhe në kohë të këtij projekti më të madh infrastrukturor me interes strategjik për shtetin. Me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 d, Maqedonia e Veriut më në fund bëhet një udhëkryq i Ballkanit. Korridori 8 është një impuls i ri ekonomik dhe zhvillimor i vendit, një mundësi që Maqedonia e Veriut të jetë në hartën e komunikacionit dhe ekonomisë së Evropës. Ndërtimi i këtyre dy korridoreve, do të thotë lidhje të vendit me vendet e tjera nga Evropa, rritje të investimeve të huaja, zhvillim ekonomik të vendit, transferim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave, turizëm të zhvilluar dhe mbi të gjitha rrugë të sigurta dhe të besueshme për qytetarët", thuhet në kumtesën e Pres shërbimit qeveritar. qa/