• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mariçiq: Kusht i vetëm për hapjen e klasterit të parë janë ndryshimet kushtetuese

Mariçiq: Kusht i vetëm për hapjen e klasterit të parë janë ndryshimet kushtetuese

Kumanovë, 18 dhjetor 2023 (MIA) - Kusht i vetëm për hapjen e klasterit të parë janë ndryshimet kushtetuese, deklaratat e tjera janë qëndrim politik, thotë zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për deklaratën e zëvendëskryeministres, Maria Gabriel, Mariçiqi tha se marrëveshjet për fqinjësi të mirë dhe ajo e Prespës janë vendosur në kornizën negociuese dhe shteti do t'i respektojë deri në fund të bisedimeve. Ai sot ishte pjesëmarrës si panelist në diskutimin "Zgjerimi gjeopolitik i BE-së: Mundësi të reja, rreziqe të vjetra?" që u mbajt në Hamamin e Daut Pashës në Shkup. 

"Deklarata janë bërë më parë dhe do të bëhen edhe në të ardhmen. Ajo që shkruhet në konkluzionet e Këshillit Evropian është e rëndësishme për ne. Në konkluzionet e Këshillit Evropian shkruhet se sapo të bëhen ndryshimet kushtetuese, menjëherë pa vonesa të mëtejshme, pa një vendim të ri politik, që është shumë i rëndësishëm, do të ketë konferencë të dytë ndërqeveritare në të cilën klasteri i parë do të hapet. Natyrisht, në kuptim më të gjerë, Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë dhe Marrëveshja e Prespës janë të përfshira në Kornizën e Negociatave si pjesë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, kështu që ne as nuk kemi thënë se nuk do të respektohet dhe as kemi thënë se ndonjë nga marrëveshjet tona me fqinjët tanë nuk do të respektohen dhe kjo do të jetë çështje deri në fund të negociatave. Protokollet që janë nënshkruar janë zbatuar dhe duhet të zbatohen, por ky nuk është kusht për hapjen e klasterit të parë. Kushti i vetëm për hapjen e klasterit të parë janë ndryshimet kushtetuese dhe kjo shkruhet qartë në konkluzionet e Këshillit Evropian, çdo deklaratë tjetër e shoh vetëm si qëndrim politik" tha Mariçiq.

Çdo shtet i cili do të ecë përpara është lajm i mirë për ne dhe e drejtë legjitime është që çdonjëri të luftojë që ta ruajë tempon, vlerëson zëvendëskryeministri në lidhje me atë nëse Shqipëria do të vazhdojë vetë. Ai shton se megjithatë kjo varet nga koncensusi i shteteve të BE-së, ndërsa Shqipëria për momentin nuk e ka. Duke përmendur shembuj nga e kaluara, Mariçiqi tha se shteti nuk duhet të mbetet prapa, duhet t'i kryejë detyrat.

"Lajmi i keq është se ne nuk do të shkojmë përpara dhe jo Shqipëria që do të shkojë nëse shkon. Në këtë moment nuk ka asnjë marrëveshje për Shqipërinë. Ne besojmë se është më mirë të shkojmë bashkë, sepse e kemi mbaruar skriningun së bashku, por nëse Shqipëria vazhdon, ne vetëm do ta urojmë dhe mirëpresim dhe duhet të luftojmë për të mbajtur atë ritëm për të mos mbetur prapa, sepse çdo vonesë na kushton shumë si shtet, qytetarët tanë me të gjitha mundësitë që kemi. Pra, ne duhet të shikojmë obligimet tona dhe të punojmë që të ecim përpara, ndërsa pjesa tjetër sigurisht që do të luftojë për të ecur përpara dhe kjo është legjitime", thotë zëvendëskryeministri.

Mariçiqi vlerëson se të gjitha problemet, korrupsioni, sundimi i drejtësisë mund të tejkalohen nëse përforcohen institucionet, duke theksuar se problemet me korrupsionin mund të tejkalohen për katër, pesë vjet duke e theksuar shembullin me Kroacinë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, zëvendëskryeministri theksoi se shteti ka qenë edhe një "shtet i bllokuar" shtatë vite më parë, gjë që është verifikuar edhe në raportet e Komisionit Evropian. Ai theksoi se për të ndryshuar tërësisht imazhin duhet forcimi i institucioneve dhe zbatimi i ligjeve, përmirësim në pjesën ku ka nevojë. Ka një shans dhe duhet shfrytëzuar, është vendimtar Mariçiqi.

Në lidhje me çështjet politike, nëse mundet me BDI-në të dilet me kandidatë të përbashkët, ai thekson se si parti kanë dhënë sinjal të qartë për formimin e frontit evropian, parti politike pa dallim të ideologjisë dhe shenjës etnike të cilët angazhohen për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.

Lidhur me sjelljen e Hungarisë ndaj Ukrainës, Mariçiqi tha se nëse kryeministri Orban do të kishte qëndruar në sallë dhe do të kishte votuar kundër, atëherë vendimi nuk do të kalonte. Ai thekson se ky është një vendim i mirë për Ukrainën, por se dihet saktësisht se si merren vendimet në BE, duke shtuar se në rastin tonë ka pasur shtete anëtare që kanë qëndruar dhe janë deklaruar kundër. fc/


Фото: МИА

QËNDRONI TË LIDHUR