• e diel, 12 maj 2024

Mariçiq: Deri në fund të muajit versioni përfundimtar i agjendës së reformës në KE, pagesa e parë e mjeteve nga Plani i Rritjes në shtator

Mariçiq: Deri në fund të muajit versioni përfundimtar i agjendës së reformës në KE, pagesa e parë e mjeteve nga Plani i Rritjes në shtator

Shkup, 26 prill 2024 (MIA) - Kemi synim serioz dhe jemi të gatshëm të nxjerrim përfitimet më të mira nga Plani i Rritjes, i cili duhet të sjellë dinamikë shtesë në proceset integruese evropiane të vendeve pretendente për anëtarësim në BE. Afati për dorëzimin e planit të reformës është përmbushur dhe deri në fund të muajit do ta dorëzojmë versionin përfundimtar në Komisionin Evropian, ndërsa pagesa e parë e mjeteve pritet në shtator, thotë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

"Kjo është harmonizuar. Afati i fundit ishte data 26. Ne kemi dërguar një material, Planin e Reformës. Sot gjatë ditës ka konsultime edhe me shoqërinë civile dhe deri në fund të këtij muaji do të dorëzojmë versionin përfundimtar të miratuar tashmë nga Qeveria. Pra, ne do ta arrijmë me atë afat viti 24-të -27-të, sepse në të kundërtën nëse presim matematikën paszgjedhore dhe qeverinë e re, do të jemi shumë vonë dhe të gjitha shtetet e tjera tashmë do ta kenë miratuar", tha Mariçiq në pyetjen e gazetarëve pas konferencës së përbashkët për shtyp me kolegen moldave Kristina Gerasimov.

Ai përkujtoi se për Planin ka pasur konsultime edhe me përfaqësues të opozitës.

"E thashë edhe publikisht se për këtë temë kemi pasur një komunikim me përfaqësues të opozitës në Kuvend dhe se kemi mirëkuptim për të vazhduar me këtë proces pavarësisht se që bëhet fjalë për Qeveri teknike. Nuk varet gjithçka nga ne, por nëse gjithçka shkon sipas planit, shtatë për qind e parë e shumës prej 850 milionë eurove të planifikuara për Maqedoninë e Veriut duhet të mbërrijë tashmë në shtator", tha Mariçiq në pyetjen e një gazetari.

Plani i rritjes me gjashtë miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, sipas Mariçiqit, duhet të mundësojë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit deri në vitin 2030 dhe kërkon reforma nga shtetet dhe qeveritë, dhe përfitimet janë në ndryshimet sistematike që sigurohen përmes atyre reformave, në pakot financiare për vendin dhe në integrimin ekonomik në tregun e vetëm europian.

Harmonizimi i Draft-agjendës së reformave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhej të përfundonte më së voni deri sot, ndërsa versioni përfundimtar i Agjendës së Reformës të miratohej më së voni deri në mesin e majit të këtij viti. Pas përcaktimit të versionit përfundimtar të Agjendës së Reformës dhe miratimit të saj nga KE, do të mundësohet nënshkrimi i marrëveshjeve për instrumentin e reformave dhe rritjes dhe për kredinë dhe në këtë mënyrë të paraqitet një kërkesë për tërheqjen e këstit të parë, përkatësisht për paradhënien në vlerë prej shtatë për qind të alokimit për vendin tonë, nga gjithsej 850 milionë euro. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR