• e premte, 05 dhjetor 2025

Maqedonia në fokusin e sportit evropian: Fillon EMOF Shkup 2025

Maqedonia në fokusin e sportit evropian: Fillon EMOF Shkup 2025

Shkup, 20 korrik 2025 (MIA) - Festivali Olimpik Rinor Evropian (EMOF) Shkup 2025 do të fillojë sonte në orën 20:30 në Qendrën Sportive "Jane Sandanski". Festivalin zyrtarisht do ta hapë presidentja Gordana Siljanovska Davkova, ndërsa në ngjarje do të mbajë fjalim edhe kryetari i Komiteteve Olimpike Evropiane, Spiros Kapralos. Ceremonia solemne do të shënojë fillimin e një spektakli sportiv dhe kulturor shtatëditor që do të bashkojë atletët e rinj nga e gjithë Evropa në frymën e fer-plej, solidaritetit dhe miqësisë.

Si pjesë e ceremonisë së hapjes, do të zhvillohet një paradë madhështore e të gjitha 49 delegacioneve sportive, si dhe Ekipit të Refugjatëve nën kujdesin e KOE. Mijëra sportistë të rinj, të moshës 14 deri në 18 vjeç, do të parakalojnë nëpër arenë me flamujt e vendeve të tyre.

EMOF Shkup 2025 do të përfshijë gara në 15 disiplina sportive: atletikë, not, basketboll, basketboll 3x3, hendboll, volejboll, xhudo, gjimnastikë sportive, çiklizëm rrugor, çiklizëm malor, slalom me kajak, badminton, harkëtari, pingpong dhe taekuondo. Garat do të zhvillohen në mjedise sportive me standarde ndërkombëtare në Shkup dhe Kumanovë, ndërsa garat e gjimnastikës sportive do të zhvillohen në Osijek të Kroacisë, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Evropian dhe atë Kroat.

Pritet të marrin pjesë më shumë se 4,000 atletë të rinj, trajnerë, zyrtarë sportivë dhe përfaqësues të ekipeve, si dhe qindra gazetarë, vullnetarë dhe të ftuar.

Maqedonia do të përfaqësohet këtë vit me një numër rekord atletësh që do të marrin pjesë në të gjitha sportet. sa/

Foto: EMOF

QËNDRONI TË LIDHUR