• e hënë, 28 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Maqedonia e Veriut shënon progres historik në eliminimin e pashtetësisë

Maqedonia e Veriut shënon progres historik në eliminimin e pashtetësisë

Shkup, 7 prill 2025 (MIA) - Maqedonia e Veriut shënon progres historik  në eliminimin e pashtetësisë, u theksua në takimin e sotëm të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë se Veriut, i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai me përfaqësuesin e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) Gabriel Gualano de Godoj.

Gjatë takimit, siç thuhet në kumtesën e Kabinetit të Fetait, u theksua se Maqedonia e Veriut është tashmë një shembull pozitiv në kuadër të Aleancës Globale për Eliminimin e Pashtetësisë, duke u renditur si lider rajonal dhe global në këtë fushë. 

"Vendi ka zgjidhur pothuajse të gjitha rastet e pashtetësisë që rrjedhin nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me vetëm dy raste të pazgjidhura që përfshijnë qytetarë të ardhur nga republika të tjera të federatës që jetonin në territorin tonë para shpërbërjes", thuhet në kumtesë.

Gjithashtu, janë evidentuar edhe 153 raste të tjera të pashtetësisë, të cilat lidhen kryesisht me mungesën e regjistrimit të fëmijëve pas lindjes. Nga këto raste, 90 për qind i përkasin komunitetit rom, 7% shqiptarëve, 1% maqedonasve dhe 2% grupeve të tjera etnike.

Në takimin u theksua se eliminimi i pashtetësisë është shumë më tepër se një sfidë statistikore – është një ndërhyrje humane dhe transformuese në jetën e individëve.

“Ndryshimet në Ligjin për Shtetësinë kanë pasur ndikim të thellë në jetët e shumë qytetarëve, duke rikthyer dinjitetin njerëzor të mohuar për më shumë se tridhjetë vite”, theksoi Fetai.

Zëvendëskryeministri përsëriti përkushtimin e Qeverisë për të vijuar punën drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar gëzon të drejtën të ekzistojë me dinjitet dhe të kontribuojë në të ardhmen e përbashkët të vendit.

"Angazhimi ynë për ndryshimin e ligjit për shtetësinë ka transformuar jetën e këtyre njerëzve dhe familjeve, duka ua rikthyer dinjitetin njerëzor të mohuar për tre dekada me radhe. Ky angazhim nuk ndalet këtu. Do të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar ka të drejtë të ekzistojë me dinjitet dhe të kontribuojë në të ardhmen e përbashkët", konstatoi Fetai. bsh/

Foto: Kabineti i zëvendëskryetarit të Qeverisë i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë

QËNDRONI TË LIDHUR