Maqedonia dhe Kosova, pengje të proceseve të papërfunduara
- Në periudha të ndjeshme historike, kur kombet gjenden në udhëkryqe vendimtare, qartësia politike dhe vetëdija historike bëhen elemente thelbësore për të shmangur përsëritjen e cikleve të krizës. Si Maqedonia ashtu edhe Kosova, sot ndodhen përballë një sfide që nuk është vetëm politike, por identitare, gjeostrategjike dhe ekzistenciale për vizionin e tyre europian. Ngërçet e brendshme, presioni ndërkombëtar, ndërhyrjet e agjendave të huaja dhe mosuniteti i brendshëm, po krijojnë një situatë që kërkon maturi kolektive dhe vendimmarrje largpamëse.
- Post By Fami Bajrami
- 09:10, 28 korrik, 2025
Shkup, 28 korrik 2025
Në periudha të ndjeshme historike, kur kombet gjenden në udhëkryqe vendimtare, qartësia politike dhe vetëdija historike bëhen elemente thelbësore për të shmangur përsëritjen e cikleve të krizës. Si Maqedonia ashtu edhe Kosova, sot ndodhen përballë një sfide që nuk është vetëm politike, por identitare, gjeostrategjike dhe ekzistenciale për vizionin e tyre europian. Ngërçet e brendshme, presioni ndërkombëtar, ndërhyrjet e agjendave të huaja dhe mosuniteti i brendshëm, po krijojnë një situatë që kërkon maturi kolektive dhe vendimmarrje largpamëse.
Ngërçet politike që karakterizojnë Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën nuk janë thjesht produkt i dallimeve politike apo etnike, por pasqyrë e një trashëgimie të papërpunuar historike, e cila vazhdon të ushtrojë ndikim të fuqishëm mbi ndërtimin e institucioneve, legjitimitetin demokratik dhe arkitekturën e bashkëjetesës qytetare. Të dyja shoqëritë bartin brenda vetes dilema ndryshme, përçarje politike të brendshme dhe një mungesë konsensusi për vizionin strategjik të së ardhmes. Në Maqedoni, tensioni ndërmjet komponentëve etnikë dhe përpjekjet për të ndërtuar një shtet multietnik shpesh dështojnë për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe të thellimit të narrativave ekskluzive që shpërfillin realitetin shumëkulturor të vendit. Në Kosovë, polarizimi i skajshëm politik, mungesa e unitetit të elitave dhe sfidat e jashtme të sovranitetit, e bëjnë sistemin politik të brishtë dhe të ekspozuar ndaj krizave të përsëritura.
Megjithatë, ajo që i bën këto dy realitete të ngjashme në mënyrë substanciale është mungesa e një reflektimi të thellë mbi të kaluarën, si dhe paaftësia për të ndërtuar
mekanizma efektivë të përballjes me të. Shpeshherë, gabimet e së kaluarës vazhdojnë të përsëriten përmes formave të reja, por me përmbajtje të njëjtë: përjashtimi, dominimi, instrumentalizimi i institucioneve dhe mungesa e ndershmërisë politike në trajtimin e interesit kolektiv. Në këtë rreth vicioz, koncepti i “mundësisë së dytë” merr një dimension të veçantë. Nuk është fjala për falje naive apo harresë, por për një përpjekje serioze për të ndërtuar një të ardhme që shmang logjikën e konflikteve ciklike dhe rikthehet te parimet themelore të demokracisë, drejtësisë dhe përfaqësimit të barabartë.
Në këtë kontekst, situata në Maqedoni merr një dimension edhe më kompleks, ku përpjekja për të shmangur ndryshimet kushtetuese nuk është thjesht një krizë juridiko-institucionale, por një strategji e qëllimshme politike për të frenuar avancimin e shqiptarëve në jetën publike dhe ekonomike të vendit. Frika nga fuqizimi ekonomik dhe institucional i shqiptarëve ka krijuar një atmosferë të ngulfatur, ku elitat politike maqedonase, në vend që të përqafojnë perspektivën evropiane dhe planin franko-gjerman si rrugëdalje nga stagnimi politik, kanë zgjedhur vetëdijshëm të afrohen me boshtin serbo-hungarez. Ky afrim nuk është vetëm simbolik: përmes kredive të dyshimta nga Hungaria, që në prapaskenë mbështeten nga kapitali kinez dhe rus, po krijohet një varësi e re financiare e cila shumë shpejt do të prodhojë fatura të rënda politike dhe gjeostrategjike për vetë stabilitetin e shtetit. Kjo qasje, që largon Maqedoninë nga rruga euroatlantike dhe e bën peng të agjendave të jashtme jo-demokratike, pritet të përplaset me tri reaksione të domosdoshme: reagimin e faktorit ndërkombëtar që do të shohë me shqetësim sabotimin e integrimeve, reagimin e shqiptarëve, të cilët me heshtjen dhe ngurrimin për të kushtëzuar me kohë ndryshimet kushtetuese kanë marrë mbi vete një bashkëfajësi politike, dhe më në fund reagimin e opinionit të brendshëm maqedonas, që do të duhet të zgjedhë mes një të ardhmeje evropiane dhe një izolimi të ri në margjinat e një sfere ruso-serbe.
Në këtë klimë të ngarkuar politike, një tjetër dimension shqetësues po merr formë përmes projektit të shpallur nga qarqet akademike dhe politike të afërta me VMRO-DPMNE-në, që e kanë emërtuar si “Vtoro poluvreme” (“Pjesa e dytë e lojës”). Kjo strategji, e cila synon të implementohet në zgjedhjet lokale, ka për qëllim të minojë rolin dhe ndikimin e personaliteteve shqiptare që kanë kontribuar në avancimin institucional dhe politik të komunitetit shqiptar. Nëpërmjet mbështetjes së kandidatëve të pavarur shqiptarë në raundin e parë të përzgjedhur jo për aftësitë e tyre përfaqësuese, por për afinitetin me këtë projekt të kamufluar do të tentohet të fragmentohet zëri politik shqiptar dhe të dobësohet roli i tij në vendimmarrje. Nëse ky projekt arrin suksesin e synuar, ai do të prodhojë pasoja të rënda për shtetformësinë dhe subjektivitetin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Por nëse dështon, zgjedhjet lokale mund të hapin një fazë të re të mobilizimit dhe të riformësimit të skenës politike shqiptare, duke krijuar parakushte për një bashkërendim strategjik që do ta rikthejë në agjendë kërkesën për një shtetformim të mirëfilltë dhe të barabartë brenda strukturës multietnike të shtetit.
Ndërkohë, edhe Kosova ndodhet në një fazë të ndjeshme të procesit të shtetndërtimit, duke hyrë në momentet përfundimtare të rumbullaksimit të shtetësisë së saj, një proces që përmban në thelb marrëveshjet dhe negociatat e gjata me Serbinë. Në Serbi, siç ka ndodhur shpesh në historinë e saj diplomatike, po zbatohet një politikë bizantine me dy fytyra: nga njëra anë, deklarime për normalizim, ndërsa nga ana tjetër, një fushatë e qëllimshme për ta paraqitur Kosovën si palë fajtore, me synim që të sigurohet simpati dhe mbështetje nga faktori euro-amerikan. Ky instrumentalizim synon të prodhojë favore të reja politike, madje edhe pretendime të heshtura territoriale. Si pjesë e kësaj skeme, po tentohet edhe faktorizimi politik i botës serbe në Maqedoni, me qëllim që Serbia të përdorë ndikimin rajonal si argument për pozicion më të fortë në tryezat përfundimtare të negociatave me Kosovën.
Në rrethanat e krijuara me moskonstituimin e institucioneve të dala pas zgjedhjeve të fundit parlamentareKuvendit dhe në këtë moment kritik të konstelacioneve gjeopolitike ndërkombëtare, elitat shtetërore dhe politike të Kosovës nuk guxojnë të bëjnë gabimin fatal të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare para mbajtjes së zgjedhjeve tashmë të përcaktuara lokale. Një veprim i tillë do të perceptohej nga faktori ndërkombëtar si mungesë vullneti për të përmbushur detyrat tashmë të marra për shtetin e Kosovës, që do të duhej të hapnin rrugën drejt implementimit të obligimeve shtetërore të dakorduara në kuadër të dialogut me Serbinë. Prandaj, çdo nismë për zgjedhje të parakohshme parlamentare jo vetëm që do ta vendoste Kosovën në kurs përplasjeje me partnerët ndërkombëtarë, por gjithashtu do të thellonte përçarjet e brendshme dhe do të shkaktonte një krizë të re legjitimiteti që do ta katapultonte vendin në një spirale destabiliteti institucional dhe politik. Në një situatë të tillë, pasojat nuk do të ishin vetëm të brendshme: do të rihapej me tone të paqarta çështja e statusit final të Kosovës dhe do të zbeheshin përpjekjet e deritanishme për njohje ndërkombëtare. Në këtë kontekst, zgjuarsia politike konsiston në ruajtjen e ekuilibrit, në shmangien e tundimit për protagonizëm elektoral dhe në vënien e interesit shtetëror mbi çdo kalkulim afatshkurtër.
Në këtë panoramë të ndërlikuar, përvoja e Shqipërisë paraqet një model të vlefshëm që tejkalon retorikën politike dhe futet në sferën e veprimit të matshëm institucional. Shqipëria ka dëshmuar një vendosmëri të qartë për të përmbushur të gjitha standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, duke krijuar një kornizë funksionale të reformave që i dhanë drejtim të qëndrueshëm kursit të integrimit. Pikërisht kjo qasje solli edhe shpërblimin politik nga Brukseli, përmes hapjes së kapitullit të fundit të negociatave për anëtarësim të plotë deri në vitin 2030. Ky zhvillim nuk është thjesht një sukses individual, por një mesazh për të gjitha vendet e rajonit, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, që të mos humbin më kohë në retorika politike apo në përplasje sterile, por të kyçen në mënyrë aktive në frymën integruese që po ofrohet nga vetë Unioni Evropian. Nëse ky momentum shfrytëzohet me vendosmëri dhe largpamësi, ai mund të shndërrohet në urën që i kalon këto dy shtete nga pasiguria drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe evropiane.
Si Maqedonia ashtu edhe Kosova sot ndodhen në momente që historia rrallëherë i jep njëherazi dy shteteve. Ato nuk po përballen thjesht me çështje të përditshme politike, por me sfidën ekzistenciale të vetëpërcaktimit strategjik: do të jenë pjesë aktive e një
Evrope demokratike, apo do të rrëshqasin në orbitat e agjendave autokratike lindore? Pjekuria politike matet në këto momente jo në fjalët e ditës, por në qasjen ndaj të nesërmes. Maqedonia ka ende mundësi të mos bjerë pre e rikonstruktimit të ndikimit serb përmes kredive dhe narrativave të jashtme, ndërsa Kosova mund dhe duhet ta shfrytëzojë krizën e tanishme si pikënisje për një qeverisje gjithëpërfshirëse që garanton stabilitet të brendshëm dhe forcim të pozicionit ndërkombëtar. Për të dyja, koha për vendime të mëdha është tani dhe e nesërmja nuk do të falë më shumë mundësi nëse këto nuk shfrytëzohen me mençuri, bashkim dhe maturi historike.
Nga prof. dr. Skënder ASANI
______________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.