• e premte, 05 dhjetor 2025

Maqedonia dhe Egjipti do të bashkëpunojnë në arsimin e lartë dhe shkencën

Maqedonia dhe Egjipti do të bashkëpunojnë në arsimin e lartë dhe shkencën

Shkup, 13 nëntor 2025 (MIA) - Maqedonia do të marrë mbështetje në përpjekjet për avancimin e arsimit të lartë nga ana e Egjiptit, një vend universitetet e të cilit po ngjiten me shpejtësi në ranglistat globale, ndërsa do të thellohet edhe bashkëpunimi dypalësh në fushën e shkencës dhe kërkimeve. Kjo u konfirmua në takimin mes ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska dhe ministrit egjiptian për Arsim të Lartë dhe Kërkime Shkencore Mohamed Ajman Ashur, që u mbajt sot në Kajro.

Siç informon Ministria e Arsimit dhe Shkencës, një grup pune i përbërë nga përfaqësues të cilët do t'i nominojnë ministritë kompetente të dy vende do të definojë aktivitetet konkrete që do ta thellojnë bashkëpunimin, ndërsa do të shqyrtohen edhe mundësitë për krijimin e programeve të përbashkëta studimore me diploma të dyfishta. Në fokus do të jenë institucionet e arsimit të lartë në fushën e mjekësisë dhe shkencave teknike, me theks të veçantë inxhinieria kompjuterike dhe bujqësia.

Ministrja Janevska i prezantoi ndryshimet që kanë filluar në fushën e arsimit të lartë në vend, duke theksuar se aktualisht po përpunohet edhe një zgjidhje e re ligjore, ndërsa efektet e planit për reforma priten në afat të mesëm prej pesë vitesh. Ajo iu referua gjithashtu rritjes së ndjeshme të buxhetit për shkencë dhe financimin e numrit të rritur të projekteve kërkimore-shkencore me interes për shtetin dhe publikun, miratimin dhe zbatimin e Strategjisë për specializim të mençur të shtetit, ndërsa ka theksuar edhe se Ministria inicoi procedurë për themelimin e parkut të parë shtetëror shkencor-teknologjik i cili do të jetë nën kompetencë të shtetit.

Ministri Ashur prezantoi pikat e forta të sistemit të arsimit të lartë egjiptian dhe politikat që ndihmojnë në përshpejtimin e avancimit të universiteteve shtetërore në renditjet ndërkombëtare. Ai shprehu gatishmërinë për të formuar një trup pune midis dy vendeve këtë muaj, ndërsa nga muaji i ardhshëm do të mbahet një takim i rektorëve të gjashtë universiteteve shtetërore të Maqedonisë dhe rektorëve të atyre më të shquara egjiptiane, siç është Universiteti i Kajros. Ai ndau përvojën kombëtare me krijimin e parqeve shkencore dhe teknologjike dhe qendrave të ekselencës, të cilat do të jenë me dobi të madhe për Maqedoninë në arritjen e të njëjtit qëllim.

Ministrja Janevska prej dje është në Kajro ku mbahet Kongresi global për popullatën, shëndetësinë dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Do të marrë pjesë në disa panel diskutime, ndërsa do të jetë folës hyrës në sesionin kushtuar arsimit joformal si koncept i mësimit gjatë gjithë jetës. Gjatë ditës së nesërme do të takohet edhe me ministrin egjiptian për arsimin fillor dhe të mesëm, Mohamed Abdel Latif. sa/

Foto: Ministria e Arsimit dhe Shkencës

QËNDRONI TË LIDHUR