• e premte, 15 nëntor 2024

Maqedonci: Hakerët rusë i kanë sulmuar ueb faqet e institucioneve të Kosovës

Maqedonci: Hakerët rusë i kanë sulmuar ueb faqet e institucioneve të Kosovës

Prishtinë, 7 maj 2024 (MIA) - Hakerët rusë kanë sulmuar ueb faqet e institucioneve të Kosovës, Presidencës dhe Kryeministrisë, por ueb faqet së shpejti janë rikthyer në funksion, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Ky grup i hakerëve rusë ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës si hakmarrje ndaj deklaratës sime në mbështetje të Ukrainës”, ka deklaruar Maqedonci, i cili ka qëndruar në Poloni në Konferencën e mbrojtjes “Defense 24”.

Në reagimin e hakerëve rusë përmendet fjalimi i ministrit Maqedonci, i cili ka thënë, sipas tyre, se “Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës”.

 “Kosova është e gatshme t’i bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ata duhet të mendojnë më shumë për këtë…”, kanë shkruar rusisht këta hakera duke përmendur ministrin Maqedonci.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Rusia aktualisht po kryen një sulm hibrid ndaj Kosovës.

Gërvalla, përmes një postimi në rrjetin “X”, publikoi se sulmi hibrid rus ndaj Kosovës po vjen pas njoftimit të mbështetjes së Kosovës me pajisje ushtarake për Ukrainën.

“Rusia po e sulmon Kosovën në një mënyrë hibride sot, pas njoftimit tonë për mbështetje me pajisje ushtarake për Ukrainën, në mbrojtjen e saj të justifikuar kundër agresionit gjenocidal rus. Ne e dimë nga gjenocidi i Serbisë ndaj Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”, ka shkruar Gërvalla. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR