• e hënë, 23 dhjetor 2024

Manoleva: Ka një përmirësim në mbulimin kombëtar të vaksinimeve të rregullta për fëmijët, por pragu i rekomanduar për imunitetin kolektiv nuk është arritur

Manoleva: Ka një përmirësim në mbulimin kombëtar të vaksinimeve të rregullta për fëmijët, por pragu i rekomanduar për imunitetin kolektiv nuk është arritur

Shkup, 26 prill 2023 (MIA) - Fakt është se pandemia e Kovid-19 ndikoi negativisht në procesin e imunizimit të rregullt të fëmijëve, si në nivel global, ashtu edhe në vendin tonë. Ne e pamë atë më së miri në rënien e normave të imunizimit në vitet 2020 dhe 2021, të cilat ishin në rënie për të gjitha llojet e vaksinave të fëmijërisë në krahasim me mesataren e viteve 2015-2019. Këtë vit më vjen mirë që shohim se trendi ndryshon dhe kemi një rritje të mbulimit kombëtar. Të gjitha vaksinat për fëmijët deri në 12 muaj, me përjashtim të vaksinave pneumokokale dhe rota, të prezantuara në vitin 2019, arritën një mbulim prej rreth 84 për qind, tha sot në një konferencë për media, zëvendësministrja e Shëndetësisë dr.Maja Manoleva.

"Rritje ka edhe mbulimi kombëtar me vaksinën MRP: vitin e kaluar për dozën e parë kemi pasur mbulim 70.4 për qind, këtë vit kemi një rritje të lehtë në 70.7 për qind. Doza e dytë vitin e kaluar ishte 80.4 për qind, ndërsa këtë vit ka rritje të ndjeshme dhe arrin mbi 89 për qind mbulim në nivel kombëtar. Këtë vit është vërejtur një rritje e ndjeshme e mbulimit me HPV, e cila në vitin 2021 ishte 35.5 për qind, ndërsa këtë vit është mbi 50 për qind", sqaroi Manoleva.

Edhe pse kemi përmirësim të mbulimit kombëtar te vaksinimet e rregullta te fëmijët, ajo theksoi se ende nuk është arritur pragu i rekomanduar për imunitet kolektiv, i konfirmuar edhe me programin për imunizim të obligueshëm - 95 për qind në nivel kombëtar dhe 90 për qind në nivel vendor. Prandaj, siç shtoi Manoleva vazhdojnë të punojnë me intensitet në këtë temë.

"Fushata që po nisim sot me partnerët tanë UNICEF, nën slloganin "Të mbrojtur së bashku - vaksinat e rregullta për fëmijë funksionojnë", është pikërisht një nga aktivitetet që do të na ndihmojë të arrijmë tek prindërit dhe t'i inkurajojmë ata që të vaksinojnë fëmijët e tyre në kohë.  Në të përfshihen edhe kolegët profesionistë shëndetësorë, pediatër, punonjës në pikat e vaksinimit, gjinekologë të cilët vënë në dukje  rreziqet nga anulimi i vaksinimit, si dhe përfitimet nga vaksinimi i fëmijëve  të cilat janë mënyra më efektive për mbrojtjen e shëndetit të tyre. Përmes fushatës e promovojmë edhe platformën e re digjitale. E-shëndetësi, që përmban pjesë të veçantë përkushtuar imunizimit dhe i integron të gjitha informatat për vaksinim në një vend. Shpresoj që kjo platformë do të jetë një mjet i dobishëm për profesionistët shëndetësorë, ndërsa prindërit do të mund ta shfrytëzojnë  si burim të besueshëm informacioni", theksoi Manoleva.

Në fillim të javës së imunizimit, me mbështetjen e OBSH-së, e filluan edhe nismën për rritjen e arritshmërisë te njohuritë për vaksinim në nivel vendor.

"Vaksinimi në terren "nga dera në derë" organizohet duke vendosur ekipe mobile vaksinimi në të gjithë vendin, dhe njëkohësisht duke shpërndarë materiale informuese mbi vaksinimin, bazuar në mjekësinë e bazuar në fakte. Këto përpjekje do të vazhdojnë derisa të gjithë ata që plotësojnë kushtet për vaksinim të mbrohen plotësisht", nënvizoi Manoleva.

Ajo u bëri thirrje të gjithë prindërve që nuk kanë vaksinuar fëmijët e tyre, ta bëjnë atë.

Përfaqësuesja e zyrës së UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut, Patricia DiXhovani tha se kur bëhet fjalë për fëmijët e tyre, prindërit përballen me shumë dilema.

"Të gjithë e kuptojmë se marrja e një vendimi për shëndetin e fëmijës është një nga përgjegjësitë më të mëdha të çdo prindi. Por kur bëhet fjalë për vaksinimin, nuk duhet të ketë dilema. Vaksinat e rregullta të fëmijërisë janë provuar të sigurta dhe efektive dhe shpëtojnë 2 deri në 3 milionë fëmijë nga sëmundjet vdekjeprurëse në mbarë botën çdo vit. Këtë vit, UNICEF-i feston 30 vjetorin e tij në Maqedoninë e Veriut. Në fakt, programi ynë i parë për vendin në vitin 1994 përfshinte marrjen e përgjegjësisë për programin e imunizimit të vendit për shkak të ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga luftërat në ish-Jugosllavi dhe më vonë nga embargoja ndërkombëtare. Që atëherë, UNICEF-i ka punuar me Qeverinë dhe partnerët për të siguruar që çdo fëmijë të ketë akses në vaksinat që i nevojiten, jo vetëm për të mbijetuar, por për të përparuar", tha ajo.

Ajo shtoi se hetuesit lokalë theksojnë që brenga më e shpeshtë e prindërve, kur bëhet fjalë për vaksinimin, është frika nga efektet e padëshiruara potenciale.

Goran Koçinski, zyrtar kombëtar i imunizimit nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, shprehu kënaqësinë e tij për të marrë pjesë në një ngjarje në kuadër të Javës Evropiane të Imunizimit, "një ngjarje me rëndësi thelbësore për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Nga vlera thelbësore është për prindërit, theksoi ai, të kuptojnë rëndësinë e kapjes së dozave të vonuara ose të humbura të vaksinave për fëmijët e tyre.

Duke marrë parasysh të gjitha këto të arritura, ai tha se janë të bindur se përmes një partneriteti të vazhdueshëm mes Maqedonisë së Veriut dhe partnerëve të tjerë të KB-së, do t'i tejkalojnë pengesat që sjell pandemia Kovid-19. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR