Makron para Ditës së Bastijës: Liria asnjëherë nuk ka qenë më e rrezikuar se tani
- Presidenti francez, Emanuel Makron mbrëmë, në prag të Ditës së Bastijës, deklaroi se "liria asnjëherë nuk ka qenë aq e rrezikuar" që nga Lufta e Dytë Botërore në vitin 1945 siç është tani dhe "asnjëherë paqja në kontinentin evropian nuk është varur aq shumë nga vendimet e drejtpërdrejta".
- Post By Arta Bunjaku
- 08:09, 14 korrik, 2025
Paris, 14 korrik 2025 (MIA) - Presidenti francez, Emanuel Makron mbrëmë, në prag të Ditës së Bastijës, deklaroi se "liria asnjëherë nuk ka qenë aq e rrezikuar" që nga Lufta e Dytë Botërore në vitin 1945 siç është tani dhe "asnjëherë paqja në kontinentin evropian nuk është varur aq shumë nga vendimet e drejtpërdrejta".
"Jetojmë në moment të trazirave. Që moti e kuptuam pashmangshmërinë e tyre", tha Makorn në fjalimin e tij tradicional drejtuar forcave të armatosura para Ditës së Bastijës.

"Asnjëherë më parë paqja në kontinentin tonë nuk është varur aq shumë nga vendimet tona të drejtpërdrejta", shtoi Makron duke i cekur "imperializmin dhe forcat për anektim" si Rusia, e cila filloi luftë kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Rendi ndërkombëtar i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore është gjithnjë e më i kontestuar dhe dobësuar, dhe "meqenëse tashmë nuk ka rregulla, mbisundon ligji i më të fortit", tha Makron.
Franca duhet "të përballet me aq shumë sfida në mënyrë që të mbetet e lirë, zot i fatit të vet", shtoi ai.
Makron në fjalimin drejtuar armatës tha se dëshiron ta rrisë buxhetin e planifikaur për mbrojtje edhe me 3,5 miliardë euro deri në vitin 2026, ndërsa më pas edhe tre miliardë euro në vitin 2027, kështu që buxheti i Mbrojtjes do të dyfishohet gjatë dy mandateve të tij.
Në Francë, festa nacionale, Dita e Bastijës do të shënohet sot me parakalim tradicional ushtarak në avenynë Shanselize, në Paris, kumtuan mediumet lokale, duke shtuar se parakalimi do të mbahet në dritën e masave të shtuara të sigurisë për shkak të destabilitetit në botë.
Festa shënohet për nder të rënies së bastijës, kështjellës-burg famëkeq të parisit, më 14 korrik 1789. Ajo ishte një ndër momentet kyçe të Revolucionit francez.
Rënia e Bastijës është simbol i unitetit të kombit dhe fundit të monarkisë absolute. pas kësaj, më 26 gusht 1789, u miratua Deklarata për të drejta qytetare dhe të njeriut. Ajo deklaratë më vonë i vendosi vlerat nacionale franceze - liri, barazi, vëllazëri (Liberte, Egalite, Fraternite). ab/
Foto: ЕPА